Prejardhja e Kur’anit sipas disa orientalistëve

Abstrakt

Kur’ani gjatë 14-15 shekujve të kaluar ka qenë strumbullar i muslimanëve por edhe i jomuslimanëve. Muslimanët e përjetonin/përjetojnë si fjalë hyjnore të Allahut, program të jetës së tyre në të gjitha fushat, kurse kundërshtarët e kundërshtonin me të gjitha mjetet në të gjitha kohët. Përpjekjet e jomuslimanëve në luftë kundër Kur’anit janë të vazhdueshme, deri në ditët aktuale. Mirëpo, orvatjet e orientalistëve që ta zhvlerësojnë Kur’anin u refuzuan si nga muslimanët ashtu edhe nga një pjesë e jomuslimanëve. Gëzon fakti se kohëve të fundit një pjesë e studiuesve perëndimorë janë më konstruktivë dhe me gjuhë më të butë, si ndaj Kur’anit ashtu edhe ndaj Muhammedit a.s. Trendi i tillë do të ishte mirë të vazhdojë, në mënyrë që të dominojë klima e mirëkuptimit mes feve dhe popujve në Ballkan, Evropë dhe tërë botën.

Fjalë kyçe: Kur’ani, Allahu, Muhammedi a.s., Orientalistët, Shpifja, Kristianizmi

 

“Kur’ani nuk është vetëm Fjalë e Zotit e pakrijuar, ndonëse shprehet nëpërmjet elementeve të krijuara siç janë fjalët, tonet dhe shkronjat, por është edhe shembull par excellence i përsosurisë gjuhësore”
(Frithjof Schuon / Isa Nuruddin)

 

Hyrje

Kur’ani, libri i fundit në ciklin e librave hyjnorë, në fillim të paraqitjes së tij te shumica e jomuslimanëve ka nxitur refuzimin unanim, te një pjesë më tolerante ka nxitur habi, ndërsa vetëm te një pakicë ka nxitur simpati, ndërsa me kalimin e kohës raportet në masë të caktuar u relativizuan. Te kundërshtarët Kur’ani konsiderohej me prejardhje njerëzore dhe simbiozë e librave të mëhershëm hyjnorë, Tevratit dhe Inxhilit. Madje, edhe Kur’ani e përshkruan këtë gjendje të kohës së shfaqjes së Kur’anit në fillimin e shekullit VII:
“Ndërsa ata që mohojnë, thonë: “Ky (Kur’ani) është vetëm gënjeshtër, të cilën e ka trilluar ai (Muhammedi), e i kanë ndihmuar në këtë (edhe) njerëz të tjerë”. Ata, (me këtë) kanë bërë zullum dhe akuzë, dhe thanë: “Këto janë përrallat e popujve të lashtë; të cilat i ka kopjuar, e i lexohen atij në mëngjes e mbrëmje. Thuaj: “E ka shpallur (Kur’anin) Ai, i cili di fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës; Ai falë shumë dhe është mëshirues”. (El-Furkan, 4-6) dhe
„Ata, madje thonë: “Këto janë vetëm ëndrra të turbullta, jo, ai e ka trilluar atë (Kur’anin); jo, ai është poet. Le të na sjellë ai neve një argument, ashtu si i kanë sjellë pejgamberët e parë!” (El-Enbija, 5).
Kjo klimë e ngarkuar dhe acaruese mesjetare ka vazhduar gjatë gjithë historisë, me përjashtime të vogla dhe me intensitet herë më të fuqishëm e herë më të zbehtë, në shumë vende dhe në shumë gjuhë. Studimi i kohës moderne nuk sjellë ndonjë risi cilësore në këtë rrafsh. Kështu, kundërshtarët bashkëkohorë nuk dallojnë shumë prej bashkëmendimtarëve të tyre të mesjetës dhe kohës së re, duke i qëndruar besnikë qëndrimit të idhujtarëve arabë të shekullit VII. Dallim i vetëm është se kundërshtarët bashkëkohorë përdorin metoda gjithashtu të papranueshme, por të vendosura në mjete teknike bashkëkohore, audio-vizuale, elektronike etj. Në shekullin XIX e këndej kemi në fushatë të egër për ripërtëritjen e orvatjes për shtrembërimin e prejardhjes së Kur’anit. Ndër më të zëshmit në këtë angazhim ishte William Muiri, Ignac Goldziheri, Leon Caetani, David S. Margoliuthi, Ritchard Belli, William Montogomery Watti, Andrew Rippini e shumë të tjerë. Në arsyetimet e tyre, orientalistët nuk kanë kursyer burime të ndryshme dhe ide nga më paradoksalet, siç do t’i shohim në rreshtat vijues.

 

Kur’ani është vepër e arabëve

Një ndër tezat e pranishme për prejardhjen e Kur’anit në veprat e orientalistëve është teoria që Kur’ani është vepër e arabëve. Këtë e bazonin në faktin se arabët para Kur’anit e kultivonin elokuencën, poezinë, rimën dhe gjatë vitit organizonin disa panaire me karakter garues për letërsi, përkatësisht për poezi. Tubimi më i njohur ishte ai në vendin Ukadh. Poezia fituese nga ky tubim varej në muret e Qabesë, të cilat janë të njohura si “Mual-lakate”. Poezia për arabët e asaj kohe kishte disa domethënie: lirika, panegjiriku, epika, elegjia etj. Poezia, arabëve sidomos ua forconte moralin për luftë por edhe për paqe.
Sikurse Ibrahimi a.s. që mori mu’xhizet për t’ua paraqitur popullit të tij, sikur Musai a.s. e Isai a.s. që shtruan mu’xhizet e tyre si prova për fjalën hyjnore, ashtu edhe Muhammedi a.s. mori mu’xhizen me të cilën i sfidonte kundërshtarët e brendshëm dhe të jashtëm, atëherë e deri në Ditën e Fundit:
„Nëse dyshoni ju në atë (Kur’anin) që ia kemi dërguar robit tonë (Muhammedit), atëherë sillni një sure të ngjashme si atë që ia kemi shpallur atij, dhe nëse jeni të drejtë thirrni dëshmitarët tuaj (zotat që i adhuroni), përveç Allahut. Nëse nuk mundeni, dhe kurrsesi nuk do të mundeni (me i bë shembull Kur’anit), atëherë ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (El-Bekare, 23-24).
„Thuaj: Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhinët, për të hartuar një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund ta hartonin ashtu siç është ai, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri-tjetrin”. (El-Isra’, 88).
Sikur Kur’ani të ishte vepër e arabëve, arabët e tjerë me sukses do ta sfidonin atë, do t’i ruanin hyjnitë nacionale dhe fisnore, aspektin nacional të tyre, të cilat në kohën e shfaqjes së Islamit qe e shprehur jashtëzakonisht shumë. Disa poetë idhujtarë, si Lebib ibn Rebi’a, madje mbeti i mahnitur me Kur’anin, edhe pse ishte poet kulmor dhe poezia e tij ishte një nga mual-lakatet. Ai tha se kjo nuk ishte fjalë njeriu.

 

Kur’ani është vepër e Muhammedit

Orientalistët e të gjitha kohëve, pohojnë se Muhammedi ishte i mençur, i urtë, mendjemprehtë dhe se ka planifikuar me saktësi çdo gjë për paraqitjen në skenën botërore, për përhapjen e fesë së tij dhe metodat që do të duhej aplikuar. Sipas orientalistit tjetër, Muhammedi është marrë me poezi dhe si rezultat kemi Kur’anin. Orientalisti tjetër pohon se nocioni analfabet (ummij), që i atribuohet në Kur’an dhe hadithe, nuk është lidhur me analfabetizmin klasik siç e kuptojmë , sepse sipas orientalistëve, Muhammedi ka tubuar tregime nga hebrenjtë dhe kristianët dhe ka hartuar librin me emrin “Kur’an” , sepse kishte pasur takime të shumta gjatë udhëtimeve të tij tregtare. Madje, një orientalist gjerman pohon se Muhammedi ka përvetësuar nga tekstet jokanonike, heretike kristiane. Kështu pohojnë shumë orientalistë, kurse disa prej tyre do t’i zëmë në gojë gjatë zbërthimit të temës.
Insinuatat e shtruara gjatë historisë janë të paqëndrueshme nga shumë pikëpamje. Nëse lexuesi neutral jomyslimanë (qoftë edhe muslimanë me njohuri të mangëta) do ta hulumtojë Kur’anin dhe hadithin, do të hasë para disa dilemave, sikurse:
Leximi i tekstit burimor të Kur’anit dhe burimor të hadithit dallojnë jashtëzakonisht shumë. Edhe një fillestar do ta bëjë dallimin mes tyre. Kur’ani nuk i përngjan asnjë të foluri të mëhershëm arab. Ai thyen rregullat e poezisë së pastër dhe prozës së pastër. Ai nuk është dramë as rrëfim historik. Ai ka tekste kozmosi por s’është doracak astronomie, ai ka tekste rreth krijimit të njeriut, por s’është doracak antropologjie. Ai ka tekste juridike por nuk është një kod juridik çfarë jemi mësuar t’i shohim. Thjesht, është i veçantë në kuptim, në gjuhë, në eskatologji, në antropologji, astronomi. Krahas Kur’anit kemi Hadithin, fjalët e Muhammedit a.s., që dallojnë nga Kur’ani dhe karakterizohet me shpjegime, mësime, retorikë kryesisht të njohur ndër arabët. Hadithet gjithashtu qartë e manifestojnë elementin njerëzor, frikën, dobësinë, emocionet, dashurinë.
Taha Husejn, intelektual i madh i shek. 20, shkruan: “Kur’ani nuk është prozë, sikur që nuk është as poezi. Ai është Kur’an dhe nuk mund të emërtohet me emër tjetër përveç kësaj. S’është poezi, sepse nuk është i kufizuar me normat e poezisë, por s’është as prozë, sepse ai është i normuar me rregulla të veçanta … ato janë rregulla të tilla të cilat i lidhin disa prej tyre me skajin e ajetit e disa me notat e veçanta muzikore.”
Njeriu, përkrahës apo jo i Kur’anit, duhet ta ketë të qartë se Kur’ani me fuqinë, madhështinë, hyjninë, përsosurinë absolute ndaj jetës, përsiatjes, raporteve ndërnjerëzore, martesës, luftës, paqes, ibadeteve, nuk mund të ketë një burim, një gjenezë me hadithin, sepse në fund të fundit, ku qëndron dallimi ndërmjet Kur’anit dhe hadithit, nëse autori i tyre është i njëjti?! Përse Muhammedi, nëse e kishte këtë aftësi, përse të shkruante një Kur’an absolutisht të përsosur dhe t’ia përshkruaj autorësinë dikujt tjetër, kurse hadithet t’i mbajë për vete. Mos vallë, Muhammedi si autor Kur’ani është mbinjeri, sepse ka shkruar diç mbinjerëzore dhe Muhammedi si autor hadithesh është njeri i zakonshëm, sepse ka thënë diç njerëzore.
Si ka mundësi që Muhammedi, nëse do të ishte autor i Kur’anit, ta qortojë vetveten, kur një praktikë e tillë është në dëmin e autorit:
“Ai (Muhammedi) u mrrol e u kthye (me fytyrë) ngase i erdhi pranë i verbëri. E kush të dëfton ty – ndoshta ai dëshiron të pastrohet (nga mëkatet), ose të këshillohet, e t’i sjell dobi atij këshillimi, e atij që është i pasur (e prezantohet si i panevojshëm për të besuar) atij po i kthehesh sepse, ti nuk ke përgjegjësi, nëse ai nuk do të pastrohet (të besojë); e atij që të vjen ty duke nxituar (për këshillim) dhe ndien drojë e ti atë nuk po e merr në konsiderim. Mos vepro ashtu! Ato janë këshilla, e, kush të dojë, le të mësojë në faqet e (Kur’anit të) çmueshme.” (Abese, 1-12) dhe
„Nuk është për Pejgamberin dhe besimtarët, që të kërkojnë falje për idhujtarët, madje, qofshin edhe të afërm të tyre, pasi që t’ju bëhet e qartë se ata janë banorë të xhehennemit.“ (Et-Tevba, 113).

 

Kur’ani është vepër e priftit Behira apo e plakut Vereka

Edhe pse vetë i trilluan shpifjet e sipërme, pa vonuar shumë idhujtarët sërish vetë shprehën pakënaqësi ndaj shpifjeve të tyre. Kjo pafuqi dhe paaftësi kundrejt Kur’anit i shtyri ata që të hulumtojnë shpifje të reja. Ata e hulumtuan në hollësi jetën e Muhammedit a.s., nga foshnjëria e deri në vdekje, për të gjetur pika të diskutueshme, të dyshimta, të cilat do t’i përdorin për diskutime për t’i bindur bashkëmendimtarët dhe për të futur dyshim ndër muslimanët.
Krahas mohimit të burimit hyjnor të Kur’anit, ata provuan me tezën vijuese se Kur’ani është vepër e priftit Behira , me të cilin Muhamedi u takua në vendin Busra në Sirinë bizantine të asaj kohe. Atëkohë Muhammedi a.s. ishte në përbërje të karvanit tregtar mekas, bashke me xhaxhain Ebu Talibin, që shkonte për tregti në Bizant.
Përgjigjja në këtë akuzë të rëndë mund të shkruhet në shumë mënyra, por me rëndësi është të theksohet se mëdyshjet dhe luhatshmëria e orientalistëve në akuza ndaj Muhammedit a.s. tregon në paqëndrueshmërinë e pohimit të tyre. Përse themi kështu? Sepse, Pejgamberi a.s. gjatë udhëtimit të tij në Siri (Bizant) me xhaxhain Ebu Talibinë, kishte 9 përkatësisht 12 vjet. Nëse do të shqyrtonim me objektivitet këtë tezë, duhet të ndalemi para faktit se fëmija ende i mitur a mund të bëj diç dhe a mund të merr përsipër diç të tillë çfarë është Kur’ani, si memorizimi, përgjegjësia, mesazhet që rrjedhin nga Kur’ani etj. Muhammedi a.s. ka udhëtuar edhe njëherë në Siri, si tregtar i Hatixhes, në moshën 25 vjeçare, por nuk kemi të dhëna se është takuar me ndonjë prift, shenjtor apo person tjetër të ditur. Me këtë rast do të themi se si djaloshi Muhammed e bindi Hatixhen ta dërgojë në drejtim të Sirisë, kur ai nuk ishte me të në martesë, por vetëm një tregtar i zakonshëm, në mënyrë që ta pranojë Kur’anin prej Behirës, kurse shpalljen e tij për pejgamber ta bëjë vetëm në moshën 40 vjeçare, pesëmbëdhjetë vjet më vonë!
Në çështjen e priftit Behira vetvetiu shtrohen edhe disa nënpyetje: Përse do ta zgjidhte prifti Behira Muhamedin e ri që t’ia dorëzojë Kur’anin kur nuk njihej me të në asnjë bazë? Përse për transmetimin e Kur’anit Behira nuk e zgjodhi ndonjë të afërm të vetin, të birin apo përse jo vetë? Kur Kur’ani ka një vlerë kaq të madhe shoqërore e historike dhe Behira është i vetëdijshëm për këtë, përse meritat vetjake t’ia jepte dikujt tjetër të panjohur dhe nuk i mbajti ato merita për vete lidhur me autorësinë e Kur’anin?!
Kontakti i Muhamedit të vogël me priftin Behira ndodhi në prani të shumë njerëzve dhe ky kontakt ka mundur të zgjasë 1-2 ditë. Përse nuk e transmeton askush nga të pranishmit këtë ndodhi që dëgjohet më vonë, pos faktit se Behira, në bazë të shenjave që kishte vërejtur te Muhamedi djalosh, i kishte sugjeruar Ebu Talibit që ta mbrojë këtë djalosh.
Përse këtë vërejtje nuk e theksuan idhujtarët mekas që ishin të pranishëm me rastin e kontaktit të Behirës me karvanin e muslimanëve. Përse nuk i rezistuan idhujtarët lidhur me këtë “fakt” kur Muhammedi a.s. në moshën 40 vjeçare shpalli fillimin e pejgamberisë. Idhujtarët mekas shpifën gjera të shumta por jo edhe këtë, sepse edhe ata e kishin parë se për këtë çështje nuk mund të kapeshin dhe se ishte tërësisht e paqëndrueshme.
Duhet të shtrohen edhe disa pyetje të tërthorta që të refuzohet çfarëdo mundësie të implikimit të Behirës dhe Kur’anit, sikurse: Nëse Kur’ani është vepër njerëzore, dhe jo hyjnore, si ka mundësi të prifti Behira të shkruaj disa gjera në Kur’an, e të cilat nuk kanë ndodhur deri atëherë dhe do të jenë rezultat i ndodhive shoqërore-historike të së ardhmes. Sado i mençur të jetë Behira e të tjerë nuk kanë mundësi të profetizojnë të ardhmen dhe të ndërtojnë ngjarje sipas nevojave të tyre besimore, politike e shoqërore.
Pyetja vijuese është: Shumë ajete kur’anore përgënjeshtrojnë doktrinën kristiane. Si është e mundur që Behira, klerik kristian, si autor i Kur’anit, të shkruaj diç në Kur’an kundër vetvetes dhe fesë së tij, kurse ta madhërojë një fe tjetër, me protagonist tjetër!?
Tërë këto gojëdhëna, që mund të lexohen nëpër libra të orientalistëve, nuk i kanë rezistuar një historiografie objektive dhe të argumentuar dhe janë refuzuar nga shkencëtarë seriozë, por për fat të keq, ide të tilla vazhdojnë të qarkullojnë nëpër literaturë fundamentaliste kristiane edhe në ditët tona. Mjafton t’ia hidhni një shikim Panairit të librit në Prishtinë apo Tiranë dhe do të bindeni me ofertën e librave antiislame që ofron Kisha evangjeliste apo ndonjë sekt tjetër kristian.
Në vazhdim do t’i cekim disa ajete kur’anore, të cilat pasqyrojnë se këto insinuata burimin e kanë shumë me herët dhe se lufta kundër Muhammedit a.s. është vetëm një episod në radhë dhe jo film i ri.
Në pafuqi shpirtërore dhe mendore për ta perceptuar Kur’anin, arabët idhujtarë e cilësuan Kur’anin si sihrun ju’theru apo “magji që trashëgohet” (El-Mudeththir, 24), sihrun mustemirr-rrun apo “një magji në vazhdimësi” (El-Kamer, 2) dhe ifkun ifterahu apo “gënjeshtër e madhe që e shpifi ai” (El-Furkan, 4).
Ja edhe disa pjesë kur’anore të kësaj natyre:
„Edhe për shkak të mohimit të tyre edhe për shkak të fjalës së tyre – akuzave të mëdha kundër Merjemes. Dhe për fjalët e tyre: “Na kemi mbytë Mesihun – Isain të birin e Merjemes, Pejgamberin e Allahut”. Por, ata as nuk kanë mbytur as nuk e kanë varë, por iu ka përngjarë atyre (një person). Ata që bënë polemikë për çështjen e tij, ata me siguri gjenden në dyshim për të (Isain). Ata nuk kanë ditur kurrgjë për te, por vetëm u janë mbështetur supozimeve. Ata, në të vërtetë, nuk e kanë mbytur, por, Allahu e ka ngritur pranë Vetes (në një vend që nuk e arrijnë njerëzit). Se Allahu, është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.” (En-Nisa, 156-158).
„O ithtarët e Librit! – mos e kaloni kufirin në besimin tuaj dhe për Allahun thoni vetëm të vërtetën! Mesihu – Isai, i biri i Merjemes, është vetëm i dërguar i Allahut dhe Fjala e Tij, të cilën ia ka dërguar Merjemes, dhe shpirt nga Ai. Pra, besoni Allahut dhe pejgamberëve të Tij! Dhe mos thoni: “Tre zota!” Frenohuni, është më mirë për ju. Se, Allahu është vetëm një Zot – qoftë lavdëruar Ai! – Ai është i pastër (nga shpifja) për të pasur fëmijë. Të Tij janë të gjitha që gjenden në qiej dhe në Tokë. Allahu mjafton për rregullimin e Gjithësisë.” (En-Nisa, 171).
„Me të vërtetë kanë mohuar (të vërtetën) ata që thonë: “Me siguri Zot është Mesihu – i biri i Merjemës! E, Mesihu tha: “O bijtë e Izraelit, adhurojeni Allahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj. Se, me të vërtetë, kush i bën rival Allahut, Allahu ia ndalon atij Xhenetin dhe strehim i tij është zjarri. Dhe, për zullumqarët nuk ka ndihmëtarë.” (El-Maide, 72).
Në tregun e shpifjeve qarkullonte edhe teza se Kur’ani është prodhim i Vereka ibn Neufelit, së fundmi i konvertuar në kristianizëm, i afërm i Hatixhes apo prodhim i një rabini hebre, mirëpo krahas mungesës së çfarëdo argumenti historik për këtë, shtrohet edhe pyetja se si Vereka apo rabini anonim është autor i Kur’anit por që përgënjeshtron edhe Inxhilin / Tevratin historik, edhe vetë mësimet kristiane / hebraike!?
Kur’ani thotë:
„Atyre që u kemi dërguar Librin (Teuratin) e njohin (Muhammedin për pejgamber), ashtu si i njohin bijtë e tyre, por disa prej tyre e fshehin të vërtetën, duke e ditur mirë.” (El-Bekare, 146).
„Kur ju thatë: “O Musa! – ne nuk mund të kënaqemi vetëm me një lloj ushqimi, pra lutju për ne Zotit tënd që të na dhurojë nga ato që jep toka: perime – tranguj, bizele, qepë dhe hudhra!” Ai (Musai) ju tha: “Vallë a dëshironi të ndërroni atë që është më e mirë me atë që është më e dobët? Shkoni në qytet, atje do të gjeni atë që kërkoni!” Por, ata i kaploi poshtërimi dhe përulja (kokulur për toke) merituan pezmin e Allahut; sepse ata i mohonin argumentet e Zotit dhe i mbytnin pejgamberët pa farë të drejte. Ky ndëshkim ishte pasojë e kundërshtimit të tyre dhe e tejkalimit të kufirit të kërkesave.” (El-Bekare, 61).
„E kur ju erdhën ata juve, thanë: “Besojmë”, por ata hynë mohues dhe dolën mohues, e Allahu e di mirë atë që fshehin ata. Ti do t’i shohësh shumë nga ata që vrapojnë në mëkate, në armiqësi dhe në ngrënien e haramit. Pa dyshim, të këqija janë ato vepra!“ (El-Maide, 61-62).
Këtyre shpifjeve më së shumti i kontribuoi Norman Daniel në veprën e tij Islam and the West, që të provokoi një varg përgjigjesh nga autorë jomyslimanë dhe muslimanë, si Edward W. Said apo Abû Imân Abd al-Rahmân Robert Squires etj.

 

Kur’ani është vepër e ndonjë autori të huaj

Në mesin e orientalistëve kishte mendime, se Kur’ani është vepër e ndonjë autori të huaj e jo e Muhammedit a.s. Ata nuk e argumentuan këtë me ndonjë të dhënë, pos që nuk bindeshin se si një individ mesatar nga Arabia mund të shkruaj një vepër kaq madhështore. Vetë kërkimi i tyre i ndonjë autori jashtë Arabisë është pranimi se dorëzohen para mrekullisë së Kur’anit dhe nuk ua mbushte syrin se munde ta shkruante një libër të tillë.
Gjithashtu, kjo tezë është tërësisht e paqëndrueshme edhe nga fakti se nëse sfidës së Kur’anit që të shkruajnë diç të ngjashme nga Kur’ani nuk mund t’i përgjigjen vetë arabët më elokuentë, atëherë si është e mundur që kësaj sfide t’i përgjigjet një i huaj, i cili nuk është arab dhe të cilin nuk e njeh askush. Kjo sfidë mbeti e hapur jo vetëm për brezat e parë, por do të mbetet deri në Fundin e Botës.

 

Përfundim

Kur’ani ka prejardhje hyjnore. Këtë e dëshmon edhe historia pejgamberike, edhe vetë pejgamberia e Muhammedit, edhe tanishmëria. Çdo përpjekje për degradimin e Kur’anit me premisa historike, njerëzore, paraprakisht është e dështuar. Edhe historia, edhe gjuha arabe, edhe gramatika arabe, edhe çdo pikëpamje e Kur’anit do ta vërtetojë se Kur’ani është i shpallur nga Krijuesi dhe nuk është çfarëdo vepër njerëzore.
Orientalistët, sigurisht të bazuar në fatin e librave të mëhershëm hyjnorë, por edhe të frymëzuar nga paragjykimet e shtresuara në shpirtrat dhe mendjet e tyre, gjykojnë se Kur’ani është njerëzor. Mirëpo, gëzon fakti se nuk mendojnë kështu të gjithë orientalistët. Në mesin e tyre ka edhe hulumtues të ndërgjegjshëm, që përkundër trashëgimisë jude-kristiane, megjithatë pranojnë faktin se Kur’ani është me prejardhje hyjnore, i ruajtur me kujdes deri në ditët tona. Janë shkruar edhe disa vepra të frytshme lidhur me këtë temë. Të shpresojmë që hulumtimet objektive do ta rrisin kontributin e orientalistëve dhënë shkencave orientale.

 

Bibliografia

1. Beltz, Walter, Mitologija Kur’ana – Čežnja za rajem, Zagreb 1982.
2. El-Buti, Muhammed Se’id Ramadan, Fikhu-s-sireh, botimi 7, Bejrut, 1978.
3. Gabrieli, Françesko, Istorija arapske književnosti, Sarajevë, 1985.
4. Hejkel, Muhammed Husejn, Život Muhammeda a.s., Sarajevë, 2004.

http://onlinebooks.library.upenn.edu/webbin/book/lookupid?key=olbp24253.

http://www.islamicsearchcenter.com/library/allegations/Sublime_Quran_Orientalism.pdf.

5. Ibn Hisham, Es-Siret’un-nebevijjeh, I-II, Kajro, (-).
6. Khalifa, Mohammad, The sublime Qur’an and orientalism, International Islamic Publishers, botimi 2, 1989, Karaçi, Pakistan, ose versioni elektronik: http://www.islamicsearchcenter.com/library/allegations/Sublime_Quran_Orientalism.pdf.
7. Margoliouth, David Samuel, Mohammed and the rise of islam, London, 1905.
8. Muir, William, The life of Mahomet, botimi 3, 1923, versioni elektronik: http://onlinebooks.library.upenn.edu/webbin/book/lookupid?key=olbp24253.
9. Ramić, Jusuf, Obzorja arapsko-islamske književnosti, Sarajevë, 1999.
10. Robert Squires, Abû Imân Abd al-Rahmân, Orientalism, Misinformation and Islam, në: http://www.islamic-awareness.org/Quran/orientalism.html.
11. Said, Edward, Orientalizmi, Shkup, 2009.
12. Saleh, Mohammad Fazril Bin Mohd, Montgomery Watt and His Criticism on Wahy, në: http://www.scribd.com/doc/41639020/Montgomery-Watt-amp-His-Criticism-on-Wahy.
13. Tabbareh, Afif Abdulfettah, Ruhu’d-dini’l-islamij, botimi 9, Bejrut, 1972.
14. Watt, W. Montogomery, Muhammed prorok i državnik, Sarajevë, 1989.

 

Origin of the Qur’an by some Orientalists

Summary

This paper deals with the attempts of Orientalists in the last fifteen centuries to portray the Kuran as a forged and unauthentic book, as well as a fiction of Muhamed a.s. Orientalist’s efforts, from middle ages until today, have failed to show any scientific facts that would prove their arguments. This article provides only a summary of facts that show the falseness of Orientalist’s attempts and offers arguments that show that the Kuran is Allah’s message to mankind, sent through Muhamed a.s. Many divine, worldly and logical facts prove the truth of Kuran and the sincerity of Muhamed a.s. in performing his duty in a prophetic mission. In the last years many Muslim and non-Muslim authors have written many serious books, non-offending books, which are having a good impact on creating a better understanding between the parties in conflict, between truth and falsehood, between religions and peoples.

Keywords: Qur’an, Allah, Muhammad a.s., Orientalists, Defamation, Christianity.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme