
Veglat janë vegla. Armiqtë janë armiqë. Por, siç thoshte Herakliti, nuk ka asgjë të përhershme, përveç ndryshimit.
Kosova ka ndryshuar, siç kanë ndyshuar edhe veglat, kanë ndryshuar edhe armiqtë e saj.
Veglat cilat janë? Veglat janë të ashtuquajturit politikanë. Përse? Sepse, siç thoshte Dejvid Xhorxh, politikani është ai person me politikën e të cilit ju nuk jeni dakord, nëse jeni dakord me të, ai është burrë shteti.
Burrë shteti, pra, Kosova s’ka. Edhe po të kishte, e dini vet, Kosova ende nuk është shtet. Kosova ka politikanë të dështuar, me të cilët shumica e popullit nuk është dakorduar, as për ta nuk ka votuar…
Kosova, megjithkëtë, ka shumë politikanë, të cilët janë çfarë janë, kanë çka të tjerët s’kanë! Po, të gjitha i kanë, por çfarë janë?
Një politikan ka pas thanë:” Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”.
Politikanët e vjetër të Kosovës i ka marrë lumi, kurse politikanët e rinj i ka zënë gjumi…
Sa shumë kanë premtue, sa shumë kanë mashtrue, por a thue qysh kanë me përfundue…!?
Befasimi
Sharl de Gol thoshte:” Përderisa një politikan nuk e beson atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë.”
Politikanët vendor dhe diplomatët ndërkombëtarë u befasuan, kur me 28 nëntor 2006, në Prishtinë, mijëra shqiptarë protestuan…
Mijëra shqiptarë protestuan kundër padrejtësive të panumërta, kundër Grupit Negociator, që e bëri veten dhe Kosovën horë, kundër pushtetit despotik të UNMIK-ut, i cili u kuptue se është zëvendsim i armikut…
Tërbimi dhe masakrimi
Politikanët vendor dhe diplomatët ndërkombëtar më nuk u befasuan, por u tërbuan, kur me 10 shkurt 2007, mijëra shqiptarë në Prishtinë demostruan!
Mijëra shqiptarë në Prishtinë demonstruan, të ftuar, si herën e kaluar, nga lëvizja “Vetëvendosje”, për të kundërshtuar “Pakon e Ahtisaarit” e cila Kosovën nuk e pavarëson, por do ta masakron…!
Kosovën do ta masakron “Pakoja e Pandorës e të shenjtit Ahtisaar”, siç i masakruen , me 10 shkurt 2007, demostruesit shqiptarë…
Atë ditë, ”hyqymeti” ishte tërbuar, ishte bërë gati popullin për ta masakruar. Atë ditë “hyqymeti” ishte përgaditur sikur po bëhet kijameti…
Policia e UNMIK-ut, më barbare se ajo e armikut, vrau, plagosi dhe burgosi protestuesit shqiptarë, vetëm pse e kundërshtuan “Pakon e Pandorës të të shenjtit Ahtisaar”…
Burgosja dhe vetëvendosja
Policia e UNMIK-ut e prangosi, e burgosi edhe udhëheqësin e Lëvizjes “Vetëvendosje”Albin Kurtin…
Albin Kurtit po i zgjatet masa e paraburgimit në vazhdimësi, si me qenë nën Sërbi, duke menduar se “Vetëvendosja” pa Albinin ka për t’u shuar, ka për t’u shpartalluar, kështuqë Kosova ka për t’u qetësuar…
Qetësi, paqë dhe rehati në Kosovë do të ketë, atëherë kur populli i Kosovës lejohet të vendos vetë…
Me vrasje, me plagosje, me burgosje nuk shuhet Lëvizja “Vetëvendosje”….
Deklarata të thata
Lëvizja“Vetëvendosje”, edhe pa Albin Kurtin, e ftoj popullin në demonstrata në Prishtinë, me 3 mars 2007.
Ditë me radhë, në vazhdimësi, në veçanti, një ditë para demonstratës së 3 marsit 2007, u paraprinë shumë deklarata të thata: “ushtarake”, “politike”, “diplomatike”, me qëllim frike, drejtuar popullit shqiptar, që mos të proteston, që mos të demonstron….…
Kërcime dhe ofendime
Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u drejtohet, me 2 mars 2007, qytetarëve të Kosovës, ku ndër të tjera tha:
“Pas prezentimit të propozimit të Ahtisarit, në Kosovë ka pasur edhe reagime kundërshtuese me protesta në rrugë, të cilat, me 10 shkurt, kanë degjeneruar në dhunë të papranueshme dhe fatkeqësisht në humbjen e dy jetëve. Përsëritja eventuale e ngjarjeve të tilla të dhunshme e rrezikon seriozisht procesin e pavarësimit të Kosovës, të cilët i ftoj të qëndrojnë larg organizimeve të tilla dashakëqija”
“Dua të theksoj qartë dhe me zë të lartë se të gjithë ata që planifikojnë, nxisin dhe ushtrojnë dhunë për qëllime politike, e në veçanti në emër të pakënaqësive dhe gjoja shqetësimeve popullore ndaj propozimit të Presidentit Ahtisari, janë esencialisht kundër kundër pavarësisë dhe prosperitetit të vendit tonë. Prandaj, qytetarë të dashur të Kosovës, ju bëj thirrje që të keni besim, si edhe deri më tash, në përfaqësuesit tuaj legjitim, dhe në procesin ndërkombtar, i cili përfundimisht do ta bëjë Kosovën shtet të pavarur dhe prosperues, të gatshëm për të hyrë në integrimet euroatlantike”
Këto fjalë të kryetarit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, drejtuar qytetarëve të dashur të Kosovës, askush nuk i përbiu, askush nuk i piu…
Askush nuk i përbiu, askush nuk i piu, as fjalët kërcnuese, ofenduese, të një zyrtare përfaqësuese, e cila, ndër të tjera, tha:
“Besoj se “Vetëvendosja”!| dhe përkrahësit e saj vërtet janë armiq të së ardhmes së Kosovës”.
Këto fjalë nuk i foli shkina, por i thaTina.T’i kishte thënë shkina prej Çuprije, i ka hije, se nuk e do Kosovën e pavarun dhe sovrane, por i thaTina, përfaqësuesja e zyrës amerikane…!
“Pjesa dashakeqe”e popullit shqiptar, që nuk e përkrahin “Pakon e Pandorës të të shenjtit Ahtisaa”, me 3 mars 2007, demonstuan me mijëra nëpër qendër të Prishtinës, aty në zemër të kryeqytetit ja hoqën maskën “hyqymetit”…
Lëvizja “Vetëvendosje” me protesta paqësore e dëshmoj se nuk është fajtore…
Shtetet e mëdhenj, thoshte Stenlej Kabrik, gjithnjë kanë vepruar si gangsterë, ndërsa vendet e vogla si prostituta.
Kosova është një vend i vogël që kërkon të jetë e pavarur. I pavarur, siç thoshte, A. Stivenson-i, është ai që kërkon ta nxjerrë politikën jashtë politikës.
Atëherë, kush janë dashakëqijtë dhe armiqtë e Kosovës?
Një pyetje, që nuk mund t’i përgjigjesh pa paragjykuar qeverinë, nuk është pyetje e përshtatshme për t’u bërë, thoshte Xhon F. Rokfeler….