Protagonisti që i parapriu kohës

image

 

Vitin që e lamë pas u bënë 10 vite nga vdekja e njërit nga personalitetet më të rëndësishme të historisë së Ballkanit – presidentit dhe mendimtarit boshnjak Alija Izetbegoviq. Dhe, ky përvjetor ishte një moment i rëndësishëm për të gjithë ata që e kanë respektuar veprën e tij, që të reflektojnë mbi të dhe të meditojnë se sa shumë i mungon ai kësaj kohe dhe kësaj hapësire.  

Alija Izetbegoviqi ishte një njeri që shekullin e jetës së tij e shpenzoi duke e bindur Perëndimin, që – i lodhur me racionalizmin e skajshëm – asokohe jetonte në tensionet e Luftës së Ftohtë, më vonë në projektet e përplasjes së qytetërimeve e të fundit të historisë, se megjithatë kishte nevojë për një frymëzim shpirtëror lindor. Dhe ishte po ky Izetbegoviq që i fliste Lindjes së përgjumur në kllapinë e përshpirtshmërisë se Perëndimi nuk është apriori armiqësor, tendencioz dhe i ligë dhe se ajo ka nevojë për energjinë perëndimore. Duke jetuar në Sarajevën kozmopolite të fundit të shekullit të kaluar, ai ishte ndër zërat e paktë të asaj kohe që besonin se përplasja nuk ishte e pashmangshme dhe se, duke qenë, në një mënyrë, trashëguese të fesë së Ibrahimit (Abrahamit), qytetërimet perëndimore dhe lindore jo që vetëm kanë mundësi të bashkëpunojnë e të bashkëjetojnë, por edhe të këmbejnë për të mirën e njëri-tjetrit. Sot këtë ide e gjen gjithkund në librat e mendimtarëve bashkëkohorë perëndimorë e lindorë, por të shkruash për këtë në një kohë diktature komuniste, nën presionin e burgut e të diskriminimit dhe të besosh në këto vlera si njëmend të mundshme, kjo u ndodhë vetëm intelektualëve mendjendritur. Në të vërtetë, të bësh një vepër që për nga përmasat mendimore vlerësohet si kryevepra e mendimit islam të shek. XX dhe këtë ta realizosh në një kohë kur teknologjia as për së afërmi nuk ishte kjo që është sot dhe liria e qarkullimit të librit kontrollohej si në kohën e inkuizicionit, kjo u ka shkuar për dore pak njerëzve të historisë.  

Izetbegoviqi ishte një uragan që luftonte gjithnjë kundër rrymës së erës dhe besonte në idealin e tij. Në kohën kur pushteti ideologjik jugosllav ishte instaluar me katër këmbë dhe liritë e të drejtat e njeriut nëpërkëmbeshin si mos më keq, ai nuk pushonte së shkruari dhe vepruari kundër atij regjimi, pavarësisht se këtë e paguante me lirinë e tij fizike. Ai më mirë pranoi ta pinte helmin se ta shqiptonte atë që nuk e mendonte dhe nuk e besonte. Sepse, si “ashik i djegur” për lirinë, ai arrinte që edhe nga burgu të reflektonte e të ikte në lirinë e mendimit. Duke besuar në idealin e tij, ai i kaloi të gjitha sprovat më të zymta të jetës, pra edhe luftën e viteve 1992-1995, që atë e gjeti në krye të Bosnjës së tij. Por, ai as atëherë nuk hoqi dorë nga besimi dhe bindjet e tij. Si një idealist i pakompromistë, ai vazhdoi të besonte se megjithatë ka hapësirë që Bosnja ta vazhdonte jetën e saj të bashkëjetesës. Edhe në kohë lufte vazhdoi të ketë miq jomyslimanë nga fqinjësia e tij, por edhe nga bota, që mahniteshin me idealin e tij.

Këto janë dy arsyet e mëdha që Alinë e Bosnjës e bëjnë një protagonist intelektual e politik, që tek tashti kuptohet prej intelektualëve e politikanëve të kohës sonë, të cilët vazhdojnë ta kenë frymëzim në veprimtarinë e tyre. Por, në kohën kur veproi, ai ishte kandili i vetëm në errësirë e në frikë, që e përvijoi rrugën drejt lirisë së mendimit filozofik, drejt lirisë së mendimit politik dhe drejt lirisë si nocioni më i admiruar human. Për këtë arsye ai mbeti i vetmuar, i pakuptuar, shumë herë edhe i keqkuptuar e qëllimisht i keqinterpretuar, sepse ai ishte para kohës së tij. Koha e tij ishte kohë trazirash e trazimesh, në të cilën ende nuk ishin pjekur kushtet që ideja e tij të jepte fryte. Ende nuk ishte krijuar truall që do ta mbinte farën e ideve të tij. Megjithatë, nëse na ndjen, ai sot mund të mburret, ngase të gjithë ne admirohemi me veprën e tij dhe përkulemi para saj.

Përveç dimensionit intelektual e politik, që Izetbegoviqin e bëjnë të jetë figura më unike e Ballkanit, duke i fascinuar jo vetëm politikanët e intelektualët admirues, por edhe armiqtë e tij që sot kujtohen se sa i vlefshëm ishte ai, që sigurisht janë shkaqe të mjaftueshme që kjo seri veprash të vijë edhe në gjuhën shqipe, megjithatë ne kishim edhe dy arsye më shumë që Alija Izetbegoviqin ta sjellim të plotë në gjuhën shqipe. Arsyeja e parë ishte marrëdhënia e tij me shqiptarët, që del sheshazi jo vetëm në kujtimet e tij, por edhe në takimet me miqtë e tij shqiptarë, kur ai përveç pyetjeve rreth zhvillimeve politike, interesohej njësoj edhe për çështjen se a prodhojnë shqiptarët filozofi, kush janë ata që merren me mendimin shqiptar etj. Një pyetje sigurisht shumë e parakohshme për shqiptarët e viteve të ’70-ta të shekullit që shkoi. Ndonëse i zënë e i ngushtuar me çështjet e atdheut të tij, ai në çdo rast ku kishte mundësi nuk përtonte ta përmendte çështjen shqiptare në Jugosllavi, me theks të veçantë problemin e Kosovës, duke qenë i bindur se shqiptarët nuk diskriminoheshin vetëm pse janë të tjerë në aspekt etnik. Arsyeja tjetër e këtij botimi është një marrëdhënie paksa personale e SHB “Logos-A” me këtë personalitet. Është prof. Ismail Bardhi, një mik i moçëm i Izetbegoviqit, njëherazi iniciator, ideolog dhe njëri ndër themeluesit e Logosit, si dhe prof. Nexhat Ibrahimi, po ashtu mik i Izetbegoviqit dhe ndër më meritorët për zhvillimin intelektual të kësaj shtëpie botuese, të cilët të frymëzuar nga vepra mendimore e Izetbegoviqit, por pse jo edhe nga guximi i tij politik, ishin ata që bashkë me disa bashkëpunëtorë të tjerë e ngritën SHB “Logos-A”, e cila ndër vite i ka shërbyer pikërisht asaj ideje që Legjenda e Bosnjës synonte ta përçojë te të gjithë – mesazhin e lirisë, mendimin autentik dhe bashkëjetesën. Ashtu si Izetbegoviqi, edhe Logosi shumë herë mbeti i pakuptuar për kohën e tij, madje njësoj si ai, shumë herë edhe i keqkuptuar, por ishte pikërisht ai frymëzim që e mbajti gjallë ndër vite. 

Prandaj, me këtë botim kujtojmë se po shlyejmë një pjesë të borxhit që ia kemi Izetbegoviqit, duke iu përgjigjur atij se megjithatë – edhe përkundër dëshpërimit që atë e kishte kapur pas një takimi në burg me disa shqiptarë, të cilët i kishin thënë se nuk u interesonte feja, për çka ai ishte habitur si ka mundësi që shqiptarët të jenë popull pa fe – sot ka ardhur radha që pikërisht disa shqiptarë ta sjellin të plotë veprën e tij në gjuhën shqipe, ndërsa përmes rreth 1000 titujve të tjerë ta mbajnë gjallë frymën e tij në këtë gjuhë. 

Duke u ndërlidhur me hyrjen e kësaj fjale, mund të themi se tash, në këtë përvjetor, Izetbegoviqit mund t’i themi se, ndonëse ai ka kaluar në botën tjetër, idetë e tij do të vazhdojnë të gëlojnë në këtë botë edhe në gjuhën shqipe. Dhe, për një optimist si ai kjo sigurisht do të mjaftonte.

(Ky tekst është fjala hyrëse e botuesit në serinë 5-vëllimëshe të Alija Izetbegoviqit në gjuhën shqipe, të botuar nga SHB "Logos-A" - Shkup)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme