KONGRESI I PARË MUSLIMAN SHQIPTAR, SANKSIONIMI I MËVETËSISË SË BASHKËSISË ISLAME TË SHQIPËRISË, THEMEL I ZHVILLIMIT KOMBËTAR

 

Tirana

 

Vendimet e qeverisë së Vlorës për mëvetësimin e komunitetit islam në vendin tonë, në përputhje me realitetin e ri politik, të krijuar me Shpalljen e Pavarësisë, kishin hedhur prej kohësh bazën për ndërmarrjen e nismës për mbajtjen e Kongresit të parë Mysli­man Shqiptar, i cili nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të sanksiononte këtë akt. Fjala është për caktimin e kryemyftiut dhe kryekadiut të Shqi­përisë, pa pyetur qendrat përkatëse në Stamboll.

Thirrjet për pavarësimin e xhamisë dhe krijimin e Bashkësisë Islame në Shqipëri, qenë lëshuar që më 1921. Realizimi i kësaj dëshire dhe detyre u bë i mundur 90 vjet më parë, më 24 shkurt 1923.

Detyra e parë e Kongresit ishte shpallja e mëvetësisë së Xhamisë shqiptare. Kongresi, siç mendohej, do të merrej edhe me çështje të tjera të karakterit arsimor- kulturor dhe, madje, dhe shoqëror, si predikimi në gjuhën amtare e të tjera.

“Sot Kur’ani, – pohonin në shtypin e kohës, – jo vetëm nuk të ndalon të shkruash me karakter latinisht shqi­pen, por të thotë dhe t’i lutesh Zotit në gjuhën tënde, që Kur’anin mund ta përkthesh dhe të mos kesh gjynah, por përkundrazi”.

Në krye të kësaj nisme për thirrjen, organizimin, mbajtjen dhe përfundi­min me sukses të Kongresit të Parë Mysliman Shqiptar, u vunë jo rastë­sisht elementë të tillë si Haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu e të tjerë. Ata qenë jo vetëm di­jetarë të shquar islamë, por dhe vep­rimtarë aktivë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Haxhi Vehbi Dibra në fjalën e tij të hapjes në Kongres, pasi vuri në pah karakterin liberal e demokratik të fesë myslimane, theksoi se: “…dera e mejtimit të ixhtihadit (pikëpamjeve) nuk asht e mbyllun dhe jemi gati për me i mejtue disa çashtje fetare, se me ndërrimin e kohës ndërrojnë edhe gjy­kimet”. Siç shihet, organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të këtij Kongresi e kishin ideuar këtë tubim jo si një mbledhje të zakonshme organizati­ve të bashkësisë islame në Shqipëri. Ata vinin në këtë mbledhje me një mendim të qartë dhe largpamës të detyrave që qëndronin para tyre.

Kryemyftiu i Shqipërisë u kujtonte delegatëve gjendjen mikse të vendit në pikëpamje fetare dhe detyrat e be­simtarëve për të vënë mbi gjithçka, çka vlen të nënvizohet, bashkimin kombë­tar pa dallim besimi e, madje, vëllazëri­min kombëtar të të gjithë shqiptarëve. “Sikurse e dini zotëria juaj, popullsia e shtetit tonë përmbahet prej tre ele­mentesh, d.m.th. Musliman, Katolik dhe Ortodoks, po në pikëpamje të kombësisë në mes kemi, – iu drejtua Vehbi Dibra delegatëve, – një vllaznie të plotë e të patundshme, e nuk mund të thohet e të kuptohet asnjë send që e tund atë vllaznie të plotë. Çashtja e fesë asht një çashtje e posaçme e sej­cili asht i lirë për me sigurue forcimin e fesë së vet”.

Vehbi Agolli (Dibra), pjesëtar aktiv i Kuvendit të Vlorës, i zgjedhur kryetar i këtij kuvendi historik e më pas kryetar i senatit, të dalë prej tij, jo rastësisht u vu në krye të këtij Kongresi. Për më tepër ai qe emëruar nga qeveria e Vlorës, kryemyfti, ndërsa Vejsel Naili kryekadi i Shqipërisë.

siç kuptohet, e debateve jo të pakta të zhvilluara në gjirin e Kongresit, nuk bëhet fjalë shprehimisht për shkëput­jen e Bashkësisë Islame Shqiptare të porsa organizuar nga Kalifati dhe Meshihati i Stambollit. Një fakt i tillë, nuk ka dyshim që nënkuptohej, a më mirë të thuhet, as nuk diskutohej, për­derisa në këtë Statut nuk bëhej fjalë, gjithashtu, për kurrfarë lidhjeje fetare organizative me Stambollin, as me Kalifatin dhe me Shejh- ul- Islamin. Gjithë organizimi dhe funksionimi i kësaj Bashkësie ishte menduar i pa­varur nga asnjë qendër tjetër fetare e huaj, kushdo qoftë ajo. Këshilli i Lartë i Sheriatit zgjidhej nga Kongre­si i Bashkësisë Islame Shqiptare me shumicë votash dhe të gjithë anëtarët e tij duhet të ishin me kombësi apo, siç theksohej në Statut, prej racës shqiptare.

Pra, mbetet jashtë çdo dyshimi se Bashkësia Islame Shqiptare u shkë­put, tashmë edhe juridikisht, nga qe­ndra e saj botërore, Kalifati. Me këtë organizim sanksionohej de jure ajo gjendje e krijuar de fakto që para 11 vjetësh, pas Shpalljes së Pavarësisë, me vendimet e Qeverisë së Vlorës për emërimin e kryemyftiut dhe kryeka­diut të Shqipërisë.

Në detyrat kryesore të Këshillit të Naltë të Sheriatit rreshtohen:

“Të sigurojë nisjen (Bashkimin –G.Sh.) ndërmjet muhamedanve dhe të shfaqë shpirtin liberal Hyr dhe ndjerzuer të muhamedanizmës me një zhvillim modern (aser) e kombëtar tuej bamë reforma pa i prekë themelet fe­tare.”

Detyrë parësore e këtij organizmi të lartë të Bashkësisë Islame Shqiptare qëndronte gjithashtu dhe përmirësimi i medreseve, siç theksohej, “mbas re­formave të reja” dhe mbi baza kombë­tare shqiptare. Forumi më i lartë islam në Shqipëri, në mënyrë të veçantë, do “Të përkujdeset me sigurue mësimin fetar e të përgatisë në gjuhën kom­bëtare Hytbeh dhe predikime e libra sipas shekullit të sotëm”. Prandaj në­për faqet e shtypit ato ditë vazhdonin të informonin, se midis risive, të disku­tuara, mendohet, që të zëvendësohet arabishtja me shqipen në predikimet kanonike.

Nga jehona që pati në shtyp dhe nga vendimet e marra në kongres del plotësisht e qartë, se gjithë shqetësi­mi i delegatëve pjesëmarrës ka qenë vënia e organizimit dhe e funksionimit të Bashkësisë Islame të Shqipërisë mbi baza kombëtare dhe më bashkë­kohore. Ky kujdes shihet në detyrat që parashtroi Kongresi, duke filluar nga sigurimi i karakterit etnik shqiptar të vetë përbërjes së këtij organi më të lartë të fesë myslimane në vendin tonë.

Lajmi për vendimet kryesore të Kon­gresit, u prit kudo, siç kumton shtypi i kohës, me miratim dhe entuziazëm të theksuar nga gjithë opinioni publik shqiptar, pavarësisht nga besimi. U përshëndet në shkallë të gjerë, duke u shndërruar në një festë të vërtetë. U bënë lutje fetare, në të shumtën e ras­teve, siç theksohet, në gjuhën shqipe. Ky lajm i rëndësishëm u përshëndet, madje, dhe me të shtëna artilerie.

Si përfundim, mund të konkludohet, se Kongresi i Parë Mysliman Shqiptar sanksionoi mëvetësinë apo, siç shpre­hej shtypi, autoqefalinë e bashkësisë islame në Shqipëri. Ai programoi punë për shqipërimin e veprave fetare isla­me, duke mos përjashtuar edhe vetë Librin e Shenjtë, Kur’anin. Kësaj pune madhore iu vunë ideologë të mirënjo­hur fetarë dhe laikë si: Sh. Muka, F. Vokopola e të tjerë. Midis tyre bie në sy, madje dhe ndonjë bashkatdhetar i krishterë si I. M. Qafëzezi dhe shquhet Hafiz Ibrahim Dalliu.

Megjithëse vendimet e Kongresit Mysliman Shqiptar ndeshën në ndo­një rast dhe në qëndrime jo të drejta të rretheve të caktuara fanatike të huaja e vendase, pavarësisht nga besimi, kleri atdhetar dhe i kul­turuar mysliman vazhdoi punën e tij përparimtare të filluar në Kongresin e Parë.

Qëndrimet intolerante nuk arritën, në fund të fundit, të ushqenin artificialisht frikën se mos me organizimin kom­bëtar dhe bashkëkohor të Bashkësisë Islame dobësohe­shin pozitat e besimit islam në Shqipëri. Në të vërtetë, Kon­gresi hidhte bazat e forcimit të tyre në frymën e kërkesave bashkëkohore dhe të vetë pozitës evropiane të vendit tonë, çka kërkohej me forcë asokohe.

Formimi i Këshillit të Lartë Mysliman Shqiptar si organi më i lartë i Bashkësisë Islame Shqiptare, ishte një për­gjigje e qartë në momentin e duhur ndaj përpjekjeve që kishin filluar po në atë kohë për formimin e një komiteti panislamik në Shqipëri.

Parë me këtë sy, përballë përpjekjeve që po bëheshin në këtë drejtim për të formuar një organizëm me një fizio­nomi panislamike, krijimi i Bashkësisë Islame në Shqipëri mbi baza kombëtare dhe i organit të saj të pavarur nga një qendër e huaj, e jashtme, shënon një sukses shumë të madh, jo vetëm për atë kohë, por edhe për të ardhmen, për vetë fatet e kësaj Bashkësie dhe të bashkëjetesës me vëllezërit e krishterë.

Përpjekjet për organizimin modern të Bashkësisë islame në përputhje me kërkesat bashkëkohore dhe pozitën gje­opolitike evropiane të Shqipërisë përbëjnë një meritë jo të vogël të organizatorëve sa atdhetarë, aq dhe të emancipuar e largpamës të këtij Kongresi, jo vetëm në kuadrin shqiptar, por dhe më gjerë.

Vendimet e Kongresit Mysliman në mars 1923, ashtu sikurse dhe vendimet e Kongresit Bektashian të Prishtës, në janar 1922 dhe të Kongresit të Kishës Ortodokse në Berat, në shtator 1922, i vunë organizmat fetare të masës dërrmuese të popullsisë shqiptare në vendin tonë mbi baza kombëtare, administrativisht dhe organizativisht, jashtë ndikimeve politike të huaja, të dëmshme apo të rrezikshme. Me këto vendime viheshin më tej në jetë idealet e rilindësve tanë për sigurimin e bashkimit dhe vëllazërimit kombëtar të mbarë shqiptarëve pa dallim besimi.

Vendimet e qeverisë së Vlorës për riorganizimin e ko­munitetit islam në vendin tonë në përputhje me realitetin e ri politik të krijuar me Shpalljen e Pavarësisë dhe sido­mos vendimet e Kongresit Mysliman Shqiptar të vitit 1923 dëshmojnë katërcipërisht që në Shqipëri kemi pasur dhe kemi të bëjmë me një bashkësi islame të organizuar mbi baza kombëtare dhe të prirur fuqimisht drejt zhvillimeve bashkëkohore.

Mëvetësimi i Bashkësisë Islame nuk i cenoi ndjenjat dhe bindjet fetare të besimtarëve. Përkundrazi, ai hapi rru­gën për zhvillimin e tyre mbi bazën e besimit të vërtetë, të zhveshur nga shtresat dhe paragjykimet e huaja jo vetëm me traditat e vendit tonë, por edhe me vetë thelbin e këtij besimi. Këto qëndrime tolerante të besimtarëve myslimanë shqiptarë dhe të vëllezërve të tyre të krishterë ishin dhe mbeten provë dhe dëshmi e dëshirave dhe e aftësive të tyre për t’u integruar në qytetërimin bashkëkohor. Ato në të njëjtën kohë janë dhe një kontribut jo i vogël që pasuron qytetërimin evropian.

Në dritën e këtyre vendimeve dhe këtyre qëndrimeve në revistën “Zani i Naltë” dhe më gjerë në shtyp shtrohej me forcë që myslimanizmi të zhvillohej më tej në luftë me fanatizmin, të ecte përkrah qytetërimit bashkëkohor, çka përbënte, sipas autorëve të këtyre shkrimeve, një kërke­së të vetë fesë myslimane të konsakruar dhe me librin e shenjtë, Kur’anin.

Feja asnjëherë nuk i ka penguar shqiptarët, përfshirë myslimanët, që të përqafojnë dhe të përvetësojnë arritjet e qytetërimit modern perëndimor dhe të kulturës përparimta­re evropiane. Depërtimi i ideve iluministe evropiane dhe të çdo gjëje të mirë të arritur në Perëndim midis shqiptarëve, çka besohet se nuk mund të vihet në dyshim dhe nuk ka nevojë të provohet, në përgjithësi, nuk mund të arrihej kurr­sesi pa mbështetjen dhe pjesëmarrjen aktive të shqiptarëve myslimanë, që përbëjnë pjesën dërrmuese të kombit.

Detyrat e shtruara që në Kongresin e Parë Mysliman të Shqipërisë mbeten aktuale dhe sot e kësaj dite. Fjalët e organizatorit dhe kryesuesit të tij, klerikut të lartë dhe atdhetarit të shquar Haxhi Vehbi Dibrës, për karakterin liberal e demokratik të fesë myslimane, e cila i ka hapë lirisht portat për diskutimin e lirë të të gjitha problemeve që i interesojnë botës myslimane i kanë qëndruar kohës dhe vlejnë dhe për të ardhmen.

Shprehim bindjen se Bashkësia Islame e Shqipërisë do të ecë edhe në të ardhmen në rrugën e hapur nga Kongresi Mysliman i vitit 1923, duke iu përmbajtur vazhdimisht fry­mës dhe vendimeve të tij, për të vënë mbi gjithçka bashki­min kombëtar pa dallim besimi e, madje, për të ruajtur atë “vllaznie,- siç u tha në Kongres 90 vjet më parë, – të plotë e të patundshme” midis shqiptarëve.

Gatishmëria e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, në shenjën më të parë që u dha me sensibilizimin që iu bë në gazetën “Rilindja”, për përkujtimin e kësaj ngjarjeje me rë­ndësi historike jo vetëm fetare, por edhe kombëtare mbarë shqiptare, flet qartë për atë që ai është i ndërgjegjshëm për detyrat që ka parashtruar ai Kongres jo vetëm në ruajtjen e karakterit kombëtar të Bashkësisë Islame të Shqipërisë, por dhe për zhvillimin modern të saj. Pra, detyrat e parashtruara 90 vjet më parë mbeten aktuale dhe sot e kësaj dite.

 

 (Revista Drita Islame, Janar 2013)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme