
Sot është dita e parë e muajit të Ramazanit. Për disa kjo është dita më e vështirë e këtij muaji, ngase duhet të mësohen me një ritëm tjetër të ushqimit, për disa është ditë feste që u sjell lumturi të papërshkruar, e për disa është shqetësim, sepse – duke mos agjëruar – nuk ndjehen mirë që duhet të fshihen nga sytë e njerëzve kur hanë e pinë, të gënjejnë se agjërojnë nga presioni social etj. Por, si e kam parë dhe si e shoh unë agjërimin e Ramazanit? Ndonëse kjo mund të jetë një përvojë krejt personale, në pamundësi që me të gjithë të shihemi e të këmbejmë se si e perceptojmë këtë rit fetar, unë po e shfrytëzoj këtë hapësirë që të them dy-tri gjëra në lidhje me këtë temë e pastaj ta vendos atë në rrafshin tonë shqiptar.
Kur isha fëmijë, por edhe si më i ri (duke qenë nxënës e student), agjërimin e muajit të Ramazanit e perceptoja më shumë si një traditë të bukur, që na mblidhte tok, që na bashkonte në xhami dhe në iftare të përbashkëta, që sigurisht e shtonin dashurinë mes familjeve e miqve. Kujtoj se secili ka përvoja interesante nga e kaluara, që nga ndalimet për të agjëruar që na i bënin arsimtarët në kohë të komunizmit, e deri te presioni social që ua bënin më vonë ose ua bëjnë edhe sot pa të drejtë agjëruesit atyre që nuk agjërojnë.
Ndërkaq, kur kam filluar të mendoj më thellë se çfarë paraqet agjërimi dhe cila është esenca e tij, kam ardhur në konstatime, që pastaj më kanë vënë para pyetjes: “Po a janë të detyruar edhe shqiptarët e mi të agjërojnë?!” Dhe, arsyen e kësaj po e rrëfej më poshtë.
Nga ajo që e kam kuptuar unë, agjërimi është forma më sublime e adhurimit të Zotit. Për ta kryer këtë rit para së gjithash nevojitet besim i thellë. Agjërimi është një përvojë shpirtërore, e ngjashme me përvojën artistike, që nuk duron shumë shpjegim racional, që nuk i nënshtrohet matjeve empirike e as eksperimentimit. Ngase ai nuk është dietë, që ka të bëjë me fiziken, por është agjërim dhe ka të bëjë me metafiziken. Përmes agjërimit hiqet çdo pengesë (perde) mes njeriut dhe Zotit dhe ai që e ndjen veten besimtar, e përjeton agjërimin si mënyrën më të lartë të adhurimit të Zotit. Njeriu mund ta mashtrojë dikë duke shkuar në xhami, që njerëzit të mendojnë se ai po falet, mund të japë lëmoshë, që të tjerët ta shohin dhe të mendojnë sa bamirës që është, por agjërimin nuk mund ta bëjë duke mashtruar. Sepse, ai që vërtet agjëron, edhe në vetminë kur nuk e sheh askush, edhe kur ka mundësi të hajë e t’i ngop epshet, ai përmbahet. Në fakt, qëllimi më i lartë i agjërimit është edukimi i egos, ushtrimi i teknikës së vetëpërmbajtjes, që në fjalorin religjioz quhet devotshmëri.
Agjërimi, madje, është shkalla më e lartë e kësaj devotshmërie. Shprehur me fjalor tjetër, agjëruesit janë murgj, që nga imsaku (rrezja e parë në horizont) e deri në iftar (terri i parë në horizont) janë të përkushtuar ta adhurojnë Zotin me përkushtimin më të lartë. Ata gjatë kësaj kohe janë më të mirë se engjëjt. Sepse, duke qenë njerëz me plot pasione e epshe, ata arrijnë të vetëpërmbahen dhe të ngrihen në shkallë të engjëjve, që për nga natyra nuk kanë mundësi të mëkatojnë. Pra, agjëruesit gjatë kësaj kohe nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër, pos të mirës. Dhe, kjo e mirë i bën aq të ndritshëm, sa në iftar ata nuk arrijnë ta durojnë as zhurmën, as zërin, sepse futen në një kllapi shpirtërore që i lumturon pakrahasimisht. Ndërkaq iftari u vjen si një lumturi e papërmbajtshme mistike, kënaqësia e të cilit nuk matet me asgjë. Sepse, siç mësojnë këshillat profetike, iftari është njëri nga dy takimet e robit me Zotin. Ndërsa ditëve të fundit të Ramazanit, disa prej agjëruesve – ata që kanë arritur në gradat më të larta, vërtet vetmohen (në atë që quhet itikaf) dhe për ditë të tëra janë të kredhur në adhurimin e Zotit pa komunikuar me njeri tjetër. Shprehur ndryshe, drita që ata e kanë ndezur në shpirt në fillim të Ramazanit, i ka kapluar aq shumë ata, sa në fund të tij ata nuk janë në gjendje ta durojnë më errësirën që ua imponon përditshmëria, andaj detyrohen që atë pjesë të muajit ta kalojnë në vetmi me Zotin e tyre.
Në të vërtetë, ajo që ndër besimtarët quhet dhikër ose përmendje e Zotit, që disa e bëjnë në mënyrë krejt mekanike për ta shqiptuar sa më shumë herë emrin e Tij, ndërsa domethënia e saj është të mbahet vazhdimisht e pashkëputur kujtesa jonë me arsyen e ekzistencës dhe ky të jetë një rikthim i joni i vazhdueshëm drejt humanizimit ose njerëzorizimit, gjatë agjërimit synon që agjëruesit gjatë gjithë kohës – nga imsaku deri në iftar – t’i mbajë vazhdimisht të lidhur me Krijuesin e tyre ose me arsyen e jetës në këtë botë, me kuptimësimin e jetës. Kjo i bie se përmes agjërimit besimtari synon të kthehet në gjendjen e paramëkatit të Ademit.
Kur e kundrojmë agjërimin kështu dhe kur e vështrojmë botën tonë, në këtë rast atë shqiptare, e shohim se ne lëmë shumë për të dëshiruar. Te ne agjëron ose, së paku, mendon se agjëron, shtiret se agjëron ose deklarohet agjërues secili: edhe mashtruesit, edhe vjedhësit, edhe gënjeshtarët, edhe malverzuesit, edhe matrapazët, edhe tenderokratët, edhe të pamoralshmit, edhe tradhtarët e kombit e të familjeve, edhe vjedhësit e votave, edhe shantazhuesit e kërcënuesit, edhe blerësit e shpirtrave e prepotentët, edhe ata që dalin e premtojnë para dhjetëra mijë shqiptarëve dhe pastaj pa u skuqur fare nuk e mbajnë premtimin, edhe ata që nuk mund të flenë duke menduar për milionat, ndërsa fqinjët e tyre e kanë problem ta lidhin muajin me muaj, madje edhe klerikët që jo rrallë nuk janë të kujdesshëm në besën që duhet ta rilidhë agjërimi, pastaj edhe zhurmaxhinjtë që nuk të lënë të flesh deri në syfyr, edhe ndotësit fizikë e shpirtërorë të ambientit, edhe ata që e zënë rrugën me makinat e tyre dhe nuk i japin pesë pare, edhe ata që presin drurë nëpër parqe, edhe ata nxënës e studentë që kopjojnë në provim, edhe ata profesorë që marrin ryshfet për nota, edhe ata, edhe këta... Por, këta shpirtra kurrë nuk arrijnë ta prekin lartësinë e agjërimit të vërtetë. Sepse një shpirt i ndotur nuk arrin ta prekë përshpirtshmërinë e lartë e të pastër që e synon agjërimi i Ramazanit.
Dhe, kur e vëmë në peshore atë që e synon agjërimi dhe çfarë paraqet ai shumë shpesh te ne, detyrimisht vijmë në përfundimin se agjërimi – siç duhet të jetë – shpesh është shumë larg nga ajo që jemi ne si agjërues.
Duke e parë kështu, mes polit të agjëruesit të vërtetë dhe polit të agjëruesit formal, vërtet vijmë te mësimi profetik se ka shumë njerëz që, përveç urisë, asgjë nuk përfitojnë nga agjërimi. Për fat të keq, kujtoj se te ne kemi mjaft të këtillë.
Sidoqoftë, unë uroj që në këtë Ramazan të shtohet numri i agjëruesve që iftarin e kanë takimin e parë me Zotin (takimin e dytë e shpresojnë në botën tjetër) dhe të pakësohet numri i atyre që në vend të iftarit hanë një darkë të rëndomtë.