SAFFAT (RRESHTAT NË NAMAZ) SI PASQYRË E GJENDJES TONË

Si formohen saffat?

Kur të hyjmë në xhami, kujdesemi për formimin e saffave, rreshtave. Meshkujt duhet të përpiqen të falen në saffat e parë nëse kjo është e mundur, pasi që këtë e ka rekomanduar Pejgamberi (savs).

Duke qenë se gjatë formimit të safave bëhen gabime, ja disa udhëzime:

Është rregull që saffi të formohet nga mesi, e jo duke filluar nga ana e djathtë. Pra, personi i cili arrin i pari ulet në mes, personi i radhës nga ana e djathtë e tij, kurse tjetri nga ana e majtë e tij dhe kështu me radhë.

Saffat në namaz duhet të jenë të plotësuar dhe të drejtuar (rrafshuar). Saffi i plotësuar do të thotë rreshti i namazfalësve që nuk ka vende bosh, ashtu që me shpatulla të prekin njëri-tjetrin, ndërsa saff i drejtuar (rrafshuar) quhet rreshti i namazfalësve në të cilin majat e gishtave të tyre qëndrojnë në një linjë.

Udhëzimet imamit, për drejtimin (rrafshimin) e Saffave dhe për plotësimin e tyre, janë të detyrueshme për namazfalësit. Nuk ka arsyetim në faktin se në xhami ka vend dhe nuk duhet të shtyhemi. Edhe vetë imamët në këtë duhet të jenë më këmbëngulës dhe më të vendosur. Sepse saffi i plotësuar, do të thotë edhe namaz i plotë. Nga ana tjetër, muktedijtë, namazfalësit duhet ta kenë parasysh se Pejgamberi (savs) ka paralajmëruar se Allahu i Madhërishëm i neglizhon dhe i lë prapa ata njerëz të cilët e zvarritin dhe hezitojnë në plotësimin e saffave.

Në qoftë se pas marrjes së tekbirit dhe lidhjes së duarve, paraqitet një vend bosh në saff që gjendet përpara, namazfalësi i cili qëndron pas atij vendi do ta bëjë një hap përpara dhe do ta plotësojë vendin bosh pa i zgjidhur duart dhe pa e ndërprerë namazin e kështu me radhë. Kjo është e detyrueshme.

Përndryshe, saffat e shtrembër, të ndërprerë e të pa plotësuar janë pasqyrë e përçarjes sonë, e shpërndarjes, e pavendosmërisë, e tërheqjes, e lëshimit dhe e konfuzionit tonë... Kështu jemi në shpirtrat tonë, kështu jemi në familje, në vendet e punës, në xhemate dhe në bashkësinë e gjerë shoqërore. Është e nevojshme të bëhet vetëm një hap, të shikohet djathtas e majtas, të drejtohemi (rrafshohemi), të mbahemi fort dhe do të jemi mure të forta të pathyeshme të cilat me ndihmën e Krijuesit të Plotfuqishëm mund t’i realizojnë qëllimet e planifikuara.

 

Mbi kodin e mirësjelljes në xhami

Çdo individ duhet ta respektojë kodin e mirësjelljes dhe rendin shtëpiak në xhami, për faktin; se xhamitë janë për Allahun, se ato janë vendet më të dashura të Allahut, se ato janë institucione që kanë për qëllim realizimin e takimit të njeriut me realitetin shpirtëror përmes formave të ndryshme të ibadetit, se ato janë institucione që përfaqësojnë pikën qendrore të tubimit të bashkësisë së muslimanëve – xhematit dhe ngritjen e tij shpirtërore- fetare, arsimore-edukative dhe kulturore.

Për të qenë i këndshëm qëndrimi në xhami dhe për tu siguruar kushtet optimale për koncentrimin e besimtarit gjatë kryerjes së ibadetit, i Dërguari i Allahut (savs) ka kërkuar që xhamitë të parfumohen të premteve para faljes së xhumasë dhe para se të tubohen besimtarët. Kjo kërkesë e të Dërguarit dhe të dashurit të Allahut është shumë domethënëse në këto ditë të muajit ramazan, kur temperaturat kalojnë mbi 30 gradë dhe kur ne falemi në xhamitë pa pajisje për ftohje. Është i domosdoshëm edhe ndërrimi i rrobave me të cilat e kemi kaluar tërë ditën, i rrobave në të cilat e kemi përgatitur iftarin apo kemi kryer veprimtari të tjera ditore, pastaj dushi, larja dhe format tjera të freskimit të trupit. Është e domosdoshme, gjithashtu, të jenë në rregull thembrat dhe thonjtë apo së paku çorapet e pastra. Nëse veprojmë kështu, të gjithë do ta kemi më rehat, xhamitë do të kanë erë të këndshme dhe nuk do të jemi të shqetësuar gjatë namazit.

Gjithashtu, Pejgamberi (savs) ka kërkuar nga pasuesit e tij që të mos hyjnë në xhami, nëse kanë ngrënë qepë, purrij ose hudhër, në mënyrë që nga xhamia të eliminohen aromat e pakëndshme që mund t’i shqetësojnë namazfalësit tjerë.

Në xhami është e domosdoshme të krijohen kushte optimale për kryerje të koncentruar dhe me pendim të ibadetit dhe dhikrit, si dhe për arritje dhe fitim të njohurive. Prandaj, besimtari e ka për detyrë që, duke i respektuar normat e sheriatit të sjelljes në xhami, ta mbajë rendin dhe disiplinën brenda saj, duke i mundësuar kështu vetvetes dhe anëtarëve tjerë të xhematit arritjen e objektivave të namazit dhe të ibadeteve e aktiviteteve tjera që zhvillohen në xhami.

Gjatë faljes së namazit dhe leximit të Kuranit besimtari duhet të kujdeset që mos t’i shqetësojë namazfalësit tjerë dhe mos ta prish rendin në xhami.

Nuk lejohet që të kalohet para njerëzve që janë duke u falur në xhami, që do të thotë, se duhet të anashkalohet ose të pritet derisa ai të japë selam.

Shpesh ndodh që njerëzit të flasin me njëri-tjetrin në xhami derisa imami apo dikush tjetër lexon Kuran me zë. Kjo sjellje është në kundërshtim me urdhrin e Allahut të Madhërishëm i Cili thotë:

وَإِذَا قُرِئَ الْقُرْآنُ فَاسْتَمِعُوا لَهُ وَأَنصِتُوا لَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ ﴿٢٠٤

“E kur të lexohet Kurani, ju dëgjonie dhe heshtni, për t’u mëshiruar.” (el-A’raf, 204) 

Pse lëshohet teravija pas tetë rekateve?

Lëshimi i xhematit pas tetë rekateve të namazit të teravisë, edhe pse sipas mendimit të dijetarëve islamë është i lejuar, nuk është në përputhje me rekomandimin e Riajsetit të Bashkësisë Islame në BeH që të falen njëzet rekate namaz të teravisë.

Pse po e potencojmë këtë fenomen i cili është i pranishëm në xhamitë tona që nga koha e agresionit, veçanërisht në qendrat më të mëdha urbane dhe në xhamitë më të mëdha?

Për arsye se pas tetë rekateve xhemati bëhet i shpartalluar, saffat për rëndësinë e të cilave kemi vënë në dukje më herët bëhen të prishur, të ndërprerë dhe të pa plotësuar. Namazfalësit të cilët e lëshojnë namazin pas tetë rekateve nuk largohen nga haremet (oborret) e xhamisë, por aty i vazhdojnë bisedat, qeshjet, thirrjet, komentet, britmat, ecjet ... dhe ata që vazhdojnë ta falin rregullisht pjesën tjetër të teravisë, sidomos ata të cilët falen nëpër sofa (pjesët anësore) dhe në harem e kanë të vështirë ta ndjekin imamin. Natyrisht se ka përjashtime të bukura siç janë disa xhemate të të kthyerve dhe të xhamive të vogla të lagjeve, ku me siguri, me meritën e xhematlinjëve, arrin të ruhet harmonia shekullore, paqja dhe plotësia e dispozitës së ramazanit.

Një episod të veçantë e përbëjnë fëmijët e moshës adoleshente, të cilët nën pretekstin e shkuarjes në teravi, kohën e kalojnë rreth haremit me sjellje të paekuilibruara, duke ulëritur dhe duke penguar xhematin. Dikur prindërit i merrnin me vete fëmijët dhe ata faleshin pranë tyre. Kurse sot? Skenat janë të shumta dhe meritojnë një shqyrtim tjetër.

Prandaj, lexues të dashur, sa herë që shkojmë në xhami, sa herë që falemi me xhemat, t’i përkujtojmë këto rekomandime të cilat i nxjerrim nga pena e të parëve tanë të mirë të cilat kanë të bëjnë me saffat në namaz, me higjienën dhe me pengesat në namaz. Ramazani është mundësia (shansi), ndoshta e pa përsëritshme.

 

Përkthim dhe përshtatje: Miftar Ajdini

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme