Namazi i Teravisë dhe namazi i natës

Koha e namazit të teravive është pas namazit të jacisë dhe para namazit të vitrit deri para namazit të sabahut. Transmetohet nga Arxhefe të ketë thënë: Aliu r.a.urdhëronte në namaz të teravisë, dhe bënte për meshkuj një imam dhe për femra një imam, e unë isha imam i femrave.

   Namazi i teravisë, është namaz që falet gjatë muajit të madhërishëm të ramazanit.

Falet pas namazit të jacisë dhe para vitrit. I takon grupit të namazeve nafile, por ky është synnet i fortë – muekede- si për meshkujt ashtu edhe për femrat.

Këtë namaz e ka falur Pejgamberi Muhamedi a.s. dhe ka shtytë njerëzit që ta falin. Pastaj këtë e kanë falur sahabet dhe pas tyre tabiinët dhe deri në ditët e sotme.

Namazi i teravive është veçori e muajit të ramazanit, është i madhëruar në shpirtat e muslimanëve, kurse shumë i vlerësuar nga Allahu i madhëruar.

Transmeton Buhariu dhe Muslimi, se Muhamedi a.s. ka thënë: “ Kush e gjallëron natën e ramazanit me bindje dhe besim të thellë, dhe me qëllim që të arrijë vetëm shpërblimin e Allahut, atij do ti falen mëkatet e kaluara”

Domethënë se kush i gjallëron netët e ramazanit me namaz, lexim të Kur’anit, përmendje të Zotit, lutje e tjera, atij do ti falen mëkatete e kaluara nëse nuk ka të mëdha, sepse mëkatet e mëdha i falë vetëm pendimi i siqertë.

 

Dispozita e namazit të teravisë

Namazi i teravisë është synet i fortë –muekede- si për meshkujt ashtu edhe për femrat, kështu transmetohet nga Ebu Hanifja, por edhe të tjerët.

Përmendet në librin ‘el ihtijar li taëlil elmuhtar’ se Ebu Jusufi e ka pyetur ebu Hanifen për namazin e teravisë dhe veprimin e Omerit r.a. e ai iu ka përgjigjur: ‘Teravitë janë synet i forte –muekede-, dhe këtë nuk e nxjorri Omeri prej vetes së tij, ai nuk ka shpikur risi këtu, dhe nuk do ti kishte urdhëruar njerëzit pa ndonjë bazë dhe premtim nga i dërguari i Allahut’.

Se është synet i fortë, këtë e dëshmon veprimi i hulefai rashidinëve, i të gjithë sahabeve dhe i të gjithë atyre që i pasuan ata deri në ditët e sotme pa ndonjë kundërshtim, pastaj edhe Ixhmai –konsensusi i dijetarëve-. E si të mos jetë kështu kur vetë Muhamedi a.s. ka thënë: “ Ju duhet të pasoni synetin tim dhe synetin e hulefai rreshidinëve të udhëzuarë pas meje, të cilët e kapën me dhëmballë”.      (transmeton, ebu davudi, tirmidhiu, ibn maxheh, tabarani,  etj.) (redul muhtar )

 

Falja e namazit te teravisë me xhemat

Falja e namazit të teravisë oshtë sunet për çdo musliman, nëse e len pa arsye është mekruh, kurse falja e tij me xhemat është suneti kifaje, që nëse e lënë të gjithë, nuk kanë bërë mirë, e nëse dikush e falë vetëm në shtëpi, e ka lënë shpërblimin e xhematit, e nëse e falin një grupë në shtëpi me xhematë e kanë humbur sevapin e xhamisë.  ( reddul muhtar )

 

Nijeti i namazit të teravisë

Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme rreth bërjes së nijetit në namazet nafile.A duhet të përcaktohet lloji i namazit me nijet, apo mjafton nijet i përgjithshëm për namaz.

Shumica janë të mendimit se mjafton nijeti i përgjithshëm, por kanë shprehur se më e preferuar do të ishte përcaktimi i namazit përmes nijetit.

Nijeti bëhet me mendje dhe me fjalë. Është e mjaftueshme nëse nijeti bëhet me mendje, por pëlqehet nijeti me shprehje të fjalëve, në veçanti për xhematin tonë që i mungojnë njohuritë rreth llojeve të namazeve, e kështu përmes shqiptimit arrin të kupton për namazin që e falë, dhe e mëson ate.

A duhet në namazin e teravisë të bëhet nijeti vetëm në fillim, apo pas çdo selami.

Në librin ‘El hanijeh’ thuhet se e sakta e kësaj është se mjafton nijeti në fillim të teravive, sepse të tërë rekatet llogariten si një namaz.

 

Koha ligjësimit të namazit të teravisë

Transmetohet nga Aisheja r.a. se Pejgamberi a.s. një natë prej netëve të Ramazanit (pas namazit të jacisë) doli në xhami dhe u fal, pastaj edhe njerëzit tjerë u falën bashkë me të (Pejgamberin s.a.v.s.) Natën e dytë dhe të tretë u shtuan xhemati, kurse natën e katërt pasi u grumbulluan shumë njerëz (për tu falur me Pejgamberin a.s.) ai nuk u doli në xhami. Në mëngjes pas namazit të Sabahit, Pejgamberi a.s. iu drejtua njerëzve me një fjalim të shkurtë dhe mes tjerave u tha: “Unë nuk dola (mbrëmë në xhami) sepse u frikova se po u bëhet obligim (farz) ky namaz e me të rëndoheni ju” ( Buhariu dhe muslimi )

Duke u mbështetur në këtë hadith dhe disa të dhëna tjera, disa nga dijetarët islamë janë të mendimit se namazi i teravisë është ligjësuar në vitin e fundit të jetës së Muhamedit a.s., respektivisht Ramazanin e fundit të Pejganmberit a.s. sepse nuk kemi ndonjë transmetim tjetër i cili vërteton se Pejgamberi a.s. pas kësaj ngjarjeje ka falur namazin e teravisë në xhami, apo të ishte pyetur Pejgamberi a.s. për këtë lloj të namazit.

 

Numri i rekateve të namazit të teravisë

Shumica absolute e dijetarëve gjatë gjithë historisë islame janë, se namazi i teravisë është 20 rekate me pesë pushime. Mund të falet me 10 selame në çdo dy rekat, por mundet edhe me 5 selame në çdo 4 rekat . Është vërtetuar nga Pejgamberi a.s. se ky namaz është synet dhe falet me xhemat.

Transmeton Buhariu dhe Muslimi: “ Pejgamberi a.s. doli në mesnatë në një nga netët e ramazanit, e ishin netë të ndara; nata e 23, 25 dhe 27 e ramazanit. Dhe njerëzit u falen bashkë me namazin e tij. E i dërguari a.s.i fali me ta 8 rekate, dhe që ti plotësojnë të tjerat në shtëpitë e tyre, dhe ndëgjohej prej tyre zhurma si ajo e bletës.”

Nga kjo kuptohet qartë se i dërguari i Allahut a.s. ua bëri synet atyre namazin e teravive, dhe që ta falin me xhematë.

Ai, nuk i fali me ta 20 rekate sikur që vepruan sahabet në kohën e Omerit, e edhe pas tyre deri në kohën e sodit. Ai nuk doli më që të falet me ta, nga frika që të mos iu obligohet atyre.

Nga kjo kuptohet se ky namaz nuk u kufizua në 8 rekate sikur që i fali me ta i dërguari a.s., duke argumentuar se ata e plotësonin në shtëpitë e tyre.

Zyrtarizimi i namazit të teravisë në 20 rekate u bë në kohën e Omerit r.a. i cili i bashkoi Sahabet në këtë namaz me xhemat në 20 rekate.

Transmetohet nga Abdurrahman b. Abdulkarië i cili ka thënë: Një natë gjatë Ramazanit dola me Omerin r.a. në Xhami e atje i pamë njerëzit duke u falur të shpërndarë, dikush falej veçmas, e disa faleshin në grupe etj. Omeri kur i pa tha: Unë mendoj që ti bashkojë këta njerëz që të falin namazin me një imam. Pastaj i thirri të gjithë sahabët dhe i bashkoi në një xhematë, kurse për imam të tyre caktoi Ubeje b. Ka’bin. E kur doli natën tjetër dhe i pa njerëzit duke u falur me xhematë pas një imami tha: Sa risi (bidat) e mirë është kjo.

Këtë veprim të Omerit r.a.e pëlqyen të gjithë sahabët, dhe nuk pati asnjë kundërshtim as nga sahabët e as nga hulefai rrashidinët pas tij.

E Pejgamberi Muhamedi a.s.për këtë ka thënë. “ “ Ju duhet të pasoni synetin tim dhe synetin e hulefai rreshidinëve të udhëzuarë pas meje, të cilët e kapën me dhëmballë”. (trensmeton, ebu davud, tirmidhiu, ibn maxheh, tabarani,  etj.) (redul muhtar ).

Pastaj ebu Hanife kur u pyet për namazin e teravisë dhe veprimin e Omerit me 20 rekate tha:

Ai nuk ka shpikur risi këtu, dhe nuk do ti kishte urdhëruar njerëzit pa ndonjë bazë dhe premtim nga i dërguari i Allahut’.

Në sahihun e Imam Buhariut dhe Muslimit, gjejmë hadithin e transmetuar nga Aisheja r.a. e cila, në rastin kur është pyetur për namazin e Pejgamberit s.a.v.s ajo ka thënëPejgamberi a.s. as në Ramazan e as jashtë Ramazanit nuk shtonte më shumë se njëmbëdhjetë rekate. I falte katër rekate, e mos pyet për bukurinë e tyre e as për zgjatjen e tyre, pastaj sërish i falte katër rekate e mos pyet për bukurinë dhe zgjatjen e tyre, e pastaj i falte tre rekate. Unë i thash: O i Dërguari i Allahut, a po flen para se me falë vitrin? Tha: Oj Aishe,  vërtetë sytë e mi flenë, por zemra ime nuk flenë.” (Transmeton Buhariu dhe muslimi)

Edhe pse duke u bazuar në aspektin sipërfaqësor dikush mendoi se me këtë hadith vërtetohet se numri i rekateve të teravisë është tetë rekate. Ky argumentim nuk qëndron për disa shkaqe.

Hadithi i transmetuar nga Aisheja r.a. nuk është argument bindës se namazi i teravisë është tetë rekate, për arsye se hadithi në fjalë ka të bëjë me namazin e vitrit, ose namazin e natës në tërësi e jo me namazin e teravisë. Argumenti se ky hadith ka të bëjë me namazin e vitrit ose të natës e jo me namazin e teravisë, është vetë teksti i hadithit ku thotë: “as në Ramazan e as jashtë Ramazanit” sepse namazi i teravisë është specifikë e muajit të Ramazanit dhe nuk falet jashtë Ramazanit,

Në anën tjetër, nëse ky hadith ka të bëjë me përcaktimin e numrit të rekatëve të namazit të teravisë, atëherë vetvetiu lind pyetja: Pse Aisheja me vite të tëra ka heshtur? Pse nuk ka reaguar kur ka parë se as’habët kanë falur njëzet rek’atë teravi? Pse nuk i ka përmirësuar ata? A thua Aisheja, nëna e besimtarëve, do t’i linte në lajthitje ata dhe të gjithë pas tyre? Sigurisht se Jo,

Por kjo është argument shtesë se hadithi i Aishes r.a. nuk ka të bëjë me namazin e teravisë, porse me namazin e vitrit ose tehexhudit.    (Sami Xheko, Numri i rek’ateve të namazit të teravisë, www.zëriislam.com)

 

Ixhmai argument për namazin e teravisë 20 rekate

Nga kjo analizë, konstatohet se përveç ixhmait të sahabëve në kohën e Omer b. Hatabit, për namazin e teravisë, kanë formuar ixhma edhe fukahat islam nga të gjitha shkollat juridike islame (medhhebet) dhe namazi i teravisë në tërë globin falet 20 rekatë. Një praktikë e tillë është e dëshmuar edhe në vetë Qaben e shenjtë ku namazi i teravisë rregullisht falet 20 rekate, gjithashtu edhe në xhaminë e Pejgamberit a.s.në Medine namazi i teravisë falet 20 rekate. Këtë çështje nuk e kundërshtoi askush nga dijetarët islamë,

Mendimi se namazi i teravisë falet 8 rekate, jo që nuk ka bazë e as mbështetje shkencore islame, por nuk ka as logjikë të veprimit, sepse  do të ishte absurd që dikush të bindet se mbi 14 shekuj muslimanët në të gjitha këndet e botës të kenë falur gabimisht namazin e teravisë,

 

Për në fund po theksojmë faktin se nëse dikush ka filluar të falë me imam namazin e teravisë. Ai duhet ndjekur imamin deri në fund të namazit, sepse në transmetimin e Ebu Dherrit, thuhet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Nëse njeriu falet me imamin derisa iami të përfundojë namazin, atij i regjistrohet sikur të jetë falur tërë natën. Pra, ky është argument i qartë kundër atyre që pretendojnë se namazi i teravisë falet tetë reqate, andaj i falin tetë reqate dhe largohen nga xhamia, respektivisht nga xhemati dhe atë në emër të sunnetit, siç po ndodhë disa herë në xhematet tona, e realisht ata veprojnë në kundërshtim me sunetin e Pejgamberit s.a.v.s.

Qendra për fetva e Egjiptit në librin e botuar’ Libri mbi agjërimin’, Thekson se emri teravih, nuk përkon me 8 rekate sepse teravih nënkupton mi dy pushime, e kjo nuk i përgjigjet 8 rekatëve sepse në 8 rekate ka vetëm dy pushime.

 

Namazi i natës (tehexhudi) në 10 netët e fundit të ramazanit

Është bërë zakon në disa vende, që të falin namaz të natës jashta namazit të teravisë. Që e quajnë namazi tehexhxhud. Ky lloj namazi nuk ka qenë i njohur në asnjë periudhë islame, e në vacanti në ramazan duke e pasur parasysh se në ramazan ka namaz të paraparë për ramazan pra namazi i taravisë. Omeri r.a. thotë për sahabët që e falnin namazin e teravisë se : “koha në të cilën po flejnë është më e dobishme se ajo që po falen”, domethëne se ajo kohë është e namazit të teravisë.

Ky lloj namazi në parim mund të pëlqehet si namaz i lirë që mundet me falë çdo musliman që të afrohet te Zoti, por patjetër duhet patur parasysh argumentet dhe qëndrimet e dijetarëve për rregullat e namazit të natës.

Namazi i teravisë, kemi bazë dhe argument se falet me xhematë sepse është veçori e ramazanit, kurse jashta ramazanit nuk falet asnjë namaz nafile me xhemat, e në veçanti në xhami, kështu që ky namaz nëse falet, preferohet të falet në shtëpi dhe pa publikimin e vetvetes në adhurim vullnetar.

Në librin reddul muhtar, pjesa e dyte faqe 500, shihet si mekruh tenzihen falja e namazit të natës me xhemat, e në veçanti të ftohen njerëzit për këtë namaz ( ala sebil ettedai ).

Çështja tjetër që duhet të kihet parasysh, është pjesmarrja e gjinisë femërore në kët namaz, kur dihet se në namazin farz të jacisë dhe sabahut nuk preferohet dalja e saj në xhami, e si mund të lejohet në namaz vullnetar.

Edhe pse namazi nafile lejohet pas namazit të vitrit mirëpo nuk preferohet, e në veçanti kur namazi i vitrit falet me imam.

Ajo çka mundet të kosiderohet edhe mëkat, lënia e namazit të teravisë si synet i fortë, me arsyetim se do të falë namazin e natës. Namazi i teravisë është synet i forte –muekede-, kurse namazi i natës është vullnetar, dhe nuk mundet ti jipet përparësi veprimit vullnetar para synetit muekede.

Në librin ‘Elbedaië’ thuhet se namazet sunet me xhematë nuk janë të njohur përveç se në ramazan.

Ajo që argumentohet se Abdullah ibnu Abasi është falë me Pejgamderin a.s.,, ajo nuk ka qenë ftesë nga Muhamedi a.s. për atë namaz, kurse Ibnu Abasi vetë iu ka bashkangjitur Muhamedit a.s. në namaz nate. Pastaj ai ka qenë i vogël në moshë dhe nuk mund të pritet që Muhamedi a.s. ta largon atë nga bashkangjitja.

Është synet muekede që muslimanët ta falin namazin e teravisë, dhe në asnjë mënyrë nuk i lejohet që ta lënë atë, për shkak të lodhjes ose mundit për të falë namaz të natës në vend të teravisë.

 

Mr. Ragmi  Destani

 

Literatura: Reddul muhtar, hashijetu ibnu Abedin- Darul kutub elilmije – Bejrut, Liban- 2003/ II

                  Kitabul fikh alal medhahib elarbaah – Abdurrah,an Elxheziri – Darul irshad

                  El fikhul vadih –Dr. Muhamed Bekr Ismail – Darul menar Kairo - 1990

                  Fikhu essuneh   - Essejid  Sabik – Darul fet’h liliëalm elarabi -  Bejrut, Liban- 2000

                  El-lubab fi sherhil kitab – Abdulgani Elganimi – Darul hadith – Hims - Bejrut

                  Kitab essijam – Dr. Shevki Al-lam -  qendra për fetva egjipt – 1434 h.

                  Namazi i teravisë, mësimet rregullat dhe dispozitat - Jusuf Zimeri- 2012 Shkup. /KBI-Bujanoc.com/

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme