“RAMAZANI NË (PA)KOHË DHE (PA)HAPËSIRË”

Besimtarët muslimanë jetojnë në hapësirë dhe kohë të përcaktuar me logosin hyjnor. Kur’ani me fuqinë e tij shpirtërore hiç’in përmasor dhe kohor e shndërron në shteg të Absolutit, në qenësi reale dhe ekzistuese. Ajeti i mësipërm e përcakton kahjen dhe orientimin e besimtarëve drejtë një epiqendre, që është fakt se në të shumtën e rasteve ka qenë e përqëndruar vetëm me përmasën e saj të dukshmërisë adhuruese. Si rrjedhojë muslimanët në ibadetet e tyre janë kthyer drejtë Mekës, më drejtë, drejtë Bejtullahit. Skriptualizmi dhe bukvalizmi i tepërt i muslimanëve, ose dijetarëve muslimanë, ka rezultuar me humbjen e prapavijës shpirtërore të ibadeteve dhe shndërrimin e tyre në mekanikë përsëritëse, ndërsa angazhimi i tepërt vetëm me shpirtërinë në kontekst të bisedës e jo përjetimit, ka krijuar letargji dhe amulli të fetarësisë.Ose më mirë thënur përqëndrimi i tepërt në njërën dhe ekskomunikimi  total i tjetrës ka shkatërruar njërin krah të zogut fetar dhe ai nuk ka mundur të fluturojë.

Kur i Lartmadhëruari thotë: “ Kudo që të jesh kthehu nga vendpërkulja ( mesxhid) e mbrojtur (haram)”  prej nesh kërkon që nëpërmjet të ibadetit (adhurimit) ta absolutizojmë kohën dhe hapësirën. Thënë ndryshe, vendpërkulja , ibadeti, adhurimit të jetë prezentë në të gjitha segmentet e jetës e jo vetëm brenda katër mureve të xhamisë. Gjithashtu edhe mbrojtja, gjegjësisht pastërtia dhe përpjekja kundër potencialeve të liga të jetë karakteristikë e përbashkët e veprimtarisë së besimtarit musliman. Për pasojë Zoti i Lartë përveç se kërkon që të kthehemi drejtë një epiqendre të caktuar, kërkon edhe të bëhemi “anë”, të bëhemi “brend” nga do të kenë mundësi të kthehen njerëzit.

Shembulli i Pejgamberit a.s. dhe brezit të artë të muslimanëve na tregon se  vetëm për shkak se ishin si yjet që e tregojnë rrugën në shkretëtirën e errët arritën të ngrihen në shërbyes të së vërtetës dhe secili prej tyre të paraqesë një tipologji të veçan të sjelljes njerëzore. Përndryshe orientimi drejtë relatives prodhon relativitete dhe kurrë  nuk ka mundësi të shpëtohet prej hiçit, ose qenësisë në hije.

Sa bukur e vlerëson të qenurit real dhe analizën e krijimit Hoxhë Tahsini në një prej artikujve të tij: “Në te ( historinë e krijimit) nën hijen e madhësisë së Krijuesit të Vërtetë,  njoftohemi me trajtën e krijimit të botës dhe fatin e saj, dhe me ndihmën  e arsyes njerëzore që është  sistematizuesi i përsosurisë së pandërprerë në këtë dhe në botën e përhershme , që njëkohësisht është edhe  dritë e Dritës Hyjnore, e shohim paraqitjen e shkencave të llojllojshme , kohën e sundimit të tyre dhe konkluzat e dala prej tyre. Në këtë mënyrë përfitojmë shifrat e pakohësisë dhe mendimi ynë fundoset në dritën e lartësisë kuptimore”.

Ramazani është muaji ku besimtarët musliman duhet të bëjnë ibadet, mirëpo edhe më tepër të mendojnë për prapavijën dhe mesazhin e ibadeteve dhe Fjalës Hyjnore. Logosi hyjnor krijon tipologji të veçan kulturore, qytetëruese, shkencore, shoqërore dhe e potencon energjinë pozitive në të gjitha fushat e jetës. Edhe vetë ajeti kuranor me të cilin obligohen besimtarët për agjërimin e Ramazanit mbaron me konkluzë , që njeriu të humanizohet, të bëhet njeri. Koha e agjerimit prej syfyri deri në iftar duhet të motivohet prej pakohësisë dhe amshimit, ndërsa hapësira e faltores prej pakufishmërisë dhe eternalitetit

Agjërimi është përkushtim në Zotin e Lartë…

Përkushtimi ndaj Zotit që të jetë i përsosur dhe i sinqertë duhet të jetë i flaktë. Ashtu edhe praktikimi i fesë që të jetë i përsosur duhet të jetë i pastër. Fakti i të qenurit tonë është adhurimi dhe ai na obligon me lutjen, për pasojë mund të themi, siç thotë Frithjof Schuon’i “ Jam, do të thotë lutem; Sum ego oro”. Ekzistenca në natyrën e saj është dydimensionale dhe prej aty ne na obligon në dy mënyra me adhurimin, në këtë rast me agjërimin: së pari me cilësinë e logosit dhe shprehjes hyjnore dhe së dyti me përmasën shkatërruese shoqërore në mosrespektimin e shprehjes hyjnore. Unë këtu nuk do të ndalem në dimensioninn e dytë por do ta ndaj me ju përjetimin e një besimtari një natë të Ramazanit në oborrin e një xhamie, e cila në trajtë mjaftë të qartë e shpreh përkushtimin e vërtetë dhe ibadetin me platformë të fortë të dashurisë dhe pastërtisë.

Përderisa xhemati kishte dalur prej xhamie pas faljes së namazit të teravisë, vetëm një njeri ishte strukur në njërin skaj të sofës së xhamisë dhe pandërprerë qante . Muezzini i xhamisë bëhej gati të mbyll xhaminë, prandaj edhe iu drejtua:

-          Zotri, u bë vonë, të gjithë njerëzit dolën dhe u nisën drejtë shtëpive të veta,  shpejto pak dhe të dalim… Do ti mbyllim dyert e faltores. A nuk të mjaftoi që po vajton prej mëngjesit? Çfarë derti të skajshëm paske? Shiko pak përreth, askush nuk ka mbetur të gjithë kanë shkuar në shtëpitë e veta. A mos vallë nuk e sheh edhe errësirën e natës?

-           Natë thua a, çfarë nate? Nga momenti që shpirti është shndëruar në vendbanim të Dashurit, nuk kam forcë që të dalloj natën nga dita. A nuk jeni duke e vërejtur se dashuria ndaj Tij më shkriu, jo vetëm mua, por edhe gjithësinë e futi në flakën e Tij. Diejt, hënat, yjet , të gjitha dritën e marrin prej Tij.

Unë nuk e di kur është ditë e as kur është natë. Unë e di vetëm Atë dhe vetëm Atij i përkulem. Netët janë vetëm për ata si ju, me fytyra dhe tesha të zeza.Drita e ditës suaj turpërohet dhe i mbyll sytë para dritës së netëve të mia.

O Zoti im! Betohem në dashurinë Tënde që çdo grimcë timen e dogje si kandil, se pamundësia ime për të përfshirë me emocione bukurinë Tënde mi morri sytë.. Ndoshta ky është shkaku që nuk shoh asgjë tjetër përveç Teje.

Ky trupi im më nuk është trup… Në te nuk ka asnjë kënaqësi tjetër , përveç adhurimit dhe përkushtimit ndaj Teje… Të betohem se nuk ka.

Në te nuk ka as jetë as vdekje, një dëshirë bile nuk ka.

O Zot më fal mua… Më fal mua prej çdo gjëje përveç Teje! Sikur të kishte gjuhë secili prej organeve të mia, do të belbëzonte vetëm emrin Tënd dhe asgjë tjetër. Nëse do të ma çanin gjoksin dhe të më dukej zemra, aty nuk do të gjenin asgjë përveç flakës së dashurisë ndaj teje. Sytë e mi e kanë thithur persiatjen për Ty, dhe ajo është bërë gurra e diellit të amshimit. Çdo qelizë e trupit tim është gjallëruar me dashurinë Tënde. Jam shndëruar në pasqyrim të dashurisë, në kurth  eternal të ashkut.

Kjo është dashuria që më krijoi mua dhe gjithësinë… si rrjedhë unë u fsheha në të, unë u strehova në prehërin e saj. O Zot, o gjallëri e vetme për mua dhe gjithësinë, dashuria e vetme për qenësinë! Shikomë, më shiko në fytyrë… Më shiko në sytë që të kanë vjedhur Ty! Nuk ka gjë tjetër që mund të shihet, ekzistencë që mund të adhurohet, bukuri tjetër, gjallëri dhe fuqi tjetër përveç Teje! Ku është bota që unë jetoj ? Sytë nuk më shohin asgjë përveç Teje. Ti je përbotshmëria dhe ajobotshmëria ime!

Gëzimi i qeshësit, dhimbja e vajtuesit, duart e ngritura drejtë qiellit të lutësit, janë për Ty, janë vetëm për shkak Tëndin… Mirëpo bota nuk e din… Nuk e din se ai që të bën të qeshësh, të vajtosh, të kërkosh, të përgjigjesh je vetëm Ti dhe vetëm Ti. Në gjithësi nuk ka gjallëri reale pos Teje, por edhe këtë nuk e dijnë. Ç’fajde? Le të mos e dijnë… Ti e din… mjafton… Njëshi është më i fortë se totali.

O Zoti im, herë jam i pavendosur dhe vajtoj, herë digjem , shkatërrohem për shkak të brengës dhe fuqisë së dashurisë ndaj Teje. Herë të adhuroj dhe bëhem i urtë, i pamundshëm dhe sillem mirë; për shkak të ngadhnjimit të qetësisë në dashurinë tënde. Herë nuk e di se çka jam dhe çka do të bëhem, valoj si kashta në sipërfaqen e detit, pa dëshirë dhe pa brenga; për shkak të ngarkesës dhe shtërngimit të dashurisë Tënde.

Pandërprerë unë kaloj prej gjendjes në gjendje tjetër, ndërsa Ti më mundëson që ta bëj atë.

-          Hesht më o njeri… Të thash që u bë mesnatë. Ec lere bisedën dhe largohu prej këtu! Kujt ia drejton të gjitha këta fjalë? Nuk kuptuam asnjë fjalë prej asaj që thua. Nëse dëshiron të sillesh mirë na lejo që ne ta bëjmë punën tonë dhe ta mbyllim xhaminë.. Të mbyllim dyert dhe të shkojmë në shtëpitë tona.

-          Që nga momenti që di për vehten, unë fjalët ia drejtoj Zotit tim. Ju kush jeni? Unë nuk njoh ekzistencë tjetër pos Tij. Kush ka përveç Tij që unë t’i drejtohem me fjalë ose të orientohem drejtë atij?

Pse më dëgjoni? Mos më dëgjoni. Më leni, ikni! Shkoni në shtretët tuaj të ashpër, mos rrini, ikni. Unë nuk kam ardhur që të vjedh orenditë e vlefshme të kësaj faltoreje, mos u frikoni. Stolitë që i keni brenda le ti mbajnë ata që i dëshirojnë. Unë kam ardhur këtu për shkak se dashuria ime ka kthyer këndej një herë. Në gjurmët e këmbëve të tija, ka njëqind diej për sytë e mi. Kjo natë që juve ju duket e errët, për mua është një agim që shndërrit nga njëqind anë. Si keni guxim ti thoni errësirë kësaj drite që ndriçon nga të katër anët. Erdha këtu që të qaj dert me gjurmët e dashurisë sime; A edhe kjo ju duket e tepërt për këmbët e mia që nuk kanë forcë të ngjiten në lagjen e Tij?

Të gjorë, sikur ta kishit ditur, nuk do të kishit frikë prej meje… Fakt është unë jam hajn, por nuk vjedh asgjë tjetër pos dashurisë së Tij. Ecni, ikni , më leni të qetë për hirë të Zotit!

-          Përsëri fol kotë, hesht, mjaftë të thamë njëherë…

-          Keni të drejtë… Ah sikur të kisha mundësi të heshti. Disaherë një fjalë e njeriut është më me vlerë se të gjitha bisedat e jetës së tij. Edhe unë nuk kam dëshirë të flas shumë, mirëpo sikur brumi që fryhet ashtu edhe fjalët e mia pa vetëdije dalin prej dashurisë me të cilën është nxënë brumi im. Nëse fryerja dhe dalja prej enës së brumit është mëkat, atherë llogaria duhet të kërkohet prej gatuesit.

Në fund njëri prej dy rojeve u nis që me dhunë ta largoje prej faltores, ndërsa tjetri e pengoi, duke i thënë:

-          Lere këtë të humbur… le të flejë brenda, ndoshta kemi ndonjë sevap edhe ne. Çdo rob ka ndonjë kërkesë prej Zotit, mirëpo të këtijat as kryhen e as mjaftojnë. Ta lëmë, ndoshta deri në mëngjes i kryhen kërkesat.

Atëherë sytë e tij ndriçuan dhe i mbështetur në njërin prej shtyllave të faltores tha:

-          Larg qoftë! Unë nuk kërkoj asgjë prej Zotit tim. Fjalët e mia nuk janë kërkesa por mallëngjim. Çka nuk më ka dhënë I Madhi, që unë ta kërkoj? Cilën dhunti të Tij nuk e kam pëlqyer që të kërkoj të ma kthejë prapë? Ashtu siç ujit nuk i lidhet nyje , ashtu edhe zemra ime nuk ka pengesa në rrugëtimin e saj  të patrajtë drejtë Krijuesit.

Përkushtimi i vërtetë ndaj Zotit është i vatërzuar në përjetimin e vërtetë të dashurisë ndaj Fuqisë krijuese. Agjërimi në esencë e ka këtë dimension, që për fat të keq muslimanët e kanë humbur në masë të madhe. Përjetimi i një nate në faltore e prezentuar në tregimin e mësipërm e shpreh pasqyrimin e vërtetë të harmonizimit të gjithësisë, fjalës së shpallur dhe karakterit të njeriut. Pa këtë harmonizim nuk ka esencë të fetarësisë.

Përcillet se në momentet e fundit të jetës në këtë botë, Ebu Ali Rudbari ( një dijetar i famshëm i shekullit të X), kishte pëshpëritur:

Shpirti im dridhet prej mahnitjes. Është duke i pamur të hapura dyert e xhennetit. Para syve të mi ndriçon Throni i famës. Para tij janë fytyrat e qeshura të të ndriturve. Mirëpo shpirti im nuk është i etur për xhennetin. Zemra ime rreh me dashurinë, unë s’kam gjë me parajsën dhe ferrin. Sikur të më djegin dhe hi të më bëjnë, në mua nuk do të gjejnë asgjë tjetër pos dashurisë Tënde. Unë të dua vetëm Ty, të dorëzohem vetëm Ty. Merrja etjen shpirtit tim vetëm me Veten tënde, pranomë tek Ti.

Të gjitha trajtat tjera të përfaqësimit të ibadetit pa këtë përmasë të dashurisë ndaj Zotit nuk e arrijnë efektin e duhur, jo vetëm nga aspekti fetar por edhe nga ai shoqëror.

 

Vetëdijësimi nëpërmjet shpalljes përsëritet në çdo Ramazan…

Sa mirë Prof. Ismail Bardhi, e fillon kapitullin në lidhje me Kur’anin në librin e tij “ Kriza e teologjisë muslimane shqiptare”, “  Kur’ani është Fjalë e Zotit (kelamullah) dhe mrekulli (mu’xhize). Në të vërtetë, ai konsiderohet si mrekullia më e madhe të cilën Allahu xh.sh. e modeloi nëpërmjet Muhammedit a.s., si dhe vazhdimësi e shpalljeve të mëhershme. Natyra mrekulluese e Kur’anit nuk qëndron në karakteristikat e tija gramatikore, sintaksore apo gjuhësore, meqë këto mund të imitohen. Është më tepër Prania Hyjnore në shkronjat (harfet) dhe tingujt e Kur’anit që paraqesin “mrekullinë” në fjalë, dhe kjo është e paimitueshme: “Dhe nëse dyshoni në atë se çka i kemi shpallur robit tonë, bëheni ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kur’ani)…” (Bekare, 23). Kjo Prani misterioze brenda formës së Shkrimit të Shenjtë rrezaton bekime dhe hire, të cilat ndjehen nga muslimani i ditur dhe i devotshëm gjithmonë kur ai e lexon Kur’anin apo e dëgjon atë duke u kënduar/recituar: “…Sa u përket besimtarëve atyre ua ka forcuar besimin dhe ata gëzohen” (Teube, 124). As muslimani “i përbotshëm” e as jomuslimani nuk mund të dinë gjë për ato bekime, sepse Kur’ani domethëniet e veta të brendshme dhe bekimet ua hap vetëm atyre që e meritojnë nga mesi i besimdrejtëve: “Ti do t’i thërrasësh vetëm ata që e pasojnë Kur’anin dhe i frikësohen të Mëshirshmit, pa e parë.” (Jâsîn, 11).

Ramazani dhe agjërimi si bartës hapësinor dhe kohor të fjalës së shpallur hyjnore për çdo here duhet ta vetëdijësojnë besimtarin për gjendjen e  tij shoqërore dhe metafizike. Pazari  i vetëdijes dhe praktikës fetare nuk ka mundësi të ulet në karakterin më të ulët të karnevalit fetar. Për pasojë sublimja dhe shkëlqimi i fjalës hyjnore do të defaktorizohet si e tillë dhe do të marrë karakterin e praktikave të stereotipeve degraduese.

Arti I shenjtë I Kur’anit ka natyrë virgjine në çdo periudhë kohore. Ai luan rol të rëndësishën në nduarnduarshmërinë e dukshmërisë dhe brensdisë, shqisores dhe shpirtërores. Forma domosdo duhet të jetë pasqyrim I përmbajtjes reale të shpalljes. Ajo ska të drejtë të kundërshtohet me përmbajtjen , si dhe assesi nuk mund t’I lehet konstatimeve arbitrare të individëve, e most ë flasim injorancës dhe instikteve.

Tërësia metafizike e formës është imperativ kategorik, dhe në momentin kur relativizohet ky imperativ tërësia metafizike niset drejtë stereotipit, zhvlerësimit dhe shndërimit në kult regresiv.

Urtia e gjithësisë gjithnjë mund të gjindet në shpalljen kuranore, ku në trajtë të simboleve u drejtohet atyre që kuptojnë me zemër. Ky realitet flet për nduarnduarësinë mes gjithësisë ( kohës dhe hapësirës) me gnosën; gjithësia në (pa) kohë dhe (pa) hapësirë është faltore e urtisë së amshuar ( Sophia perennis).

Ramazani dhe agjërimi I vërtetë në të, I hap dyert e hapërimit të vërtetë të muslimanit me kohën dhe hapësirën, I mundëson atij të bëhet “anë”, të bëhet “brend”, e largon prej të qenurit I bezdisur, jashtëkohor dhe jashtëhapësinor. I mundëson të përjetojë fenë si përkushtim I plotë ndaj Fuqisë Krijuese e jo si dëfrim I fodullëkut fetar. E meson të heshtë, të folë shkurtë e qartë e jo gjatë e të mos thotë asgjë. E meson ta mbajë lartë pazarin e fesë dhe të mos e zbresë atë në shitore të mallrave të lira. E estetizon, e bën art të shenjtë frymëmarrjen shoqërore të individit dhe grupit e assesi kollitje tronditëse dhe shqetësuese.

O Zot na e mundëso dashurinë në ibadetin…

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme