Leksionet e protestave të korrikut 2014

image

 

Në dy javët që i lamë pas, pas shpalljes së vendimit të gjykatës për të akuzuarit në rastin “Monstra”, nëpër rrugët e të gjitha qyteteve shqiptare, jo vetëm në Maqedoni, rrodhën të rinjtë shqiptarë duke shfaqur mospajtim me këtë vendim, por edhe mospajtim me gjithë sistemin gjyqësor në vend. Ndonëse të ligët dhe hyzmeqarët e shërbimeve edhe kësaj radhe nuk përtuan që këto protesta t’i nxjerrin nga binarët e shprehjes së revoltës, për t’i kaluar në rrugën e dhunës dhe për t’i ndeshur me policinë, megjithatë, nëse duam të bëjmë një analizë tjetërfare, këto protesta kishin mesazhe mjaft të fuqishme për të gjithë ne.
Nëse flasim shkurtazi se cilat ishin pikat e dobëta të këtyre protestave, kjo ishte mungesa e një organizatori zyrtar, i cili e merr përsipër protestën, i cili i artikulon arsyet e mesazhet e protestës dhe i cili e orienton atë. Në mungesë të kësaj, secilit iu dha e drejta të sillet si organizator, madje edhe t’i vë në sprovë të gjithë njerëzit që kishin dalë të protestojnë vetëm për shkak të revoltës dhe mospajtimit me diskriminimin që u bëhet shqiptarëve në Maqedoni. Një pikë e dobët ishte edhe ikonografia e protestave. Megjithëse ne shqiptarët e Maqedonisë jemi myslimanë dhe, madje, më konservatorë në këtë drejtim se vëllezërit tanë nga Kosova e Shqipëria, nuk ishte gjest i mirë prania e flamurëve që shprehin përcaktime fetare. Në këtë mënyrë vetëm plotësohej dëshira e këtij pushteti që të zbulojë “radikalë islamikë” dhe ekstremizmin e vet ortodoks ta projektojë te shqiptarët. Në vend të tyre ne duhet t’i kishim, përveç flamurit kombëtar me bollëk, edhe flamurët e miqve tanë strategjikë: të SHBA-së, BE-së, NATO-s, Turqisë, Gjermanisë etj. Por, kur kihet parasysh se protestat ishin spontane dhe fare pak intelektualë kishin guxim të dalin në ballë të tyre, ndërsa duke e ditur hallin tonë të përgjithshëm intelektual për t’i lexuar saktë proceset e zhvillimet globale, kujtoj se edhe këto dy lëshime mund të jenë të arsyetueshme dhe diçka që me kohë përsoset.
Ndërkaq, nëse u bëjmë një analizë më të hollësishme këtyre protestave dhe mesazheve që buruan prej këtyre demonstrimeve qytetare, kujtoj se kishim mjaft gjëra për të mësuar. Në fakt, edhe protestat e marsit të ’81-shit në Kosovë filluan për të drejta të studentëve në mensë, për të kaluar në demonstrata me kërkesa politike. Gjithnjë ekziston një shkëndijë për të shprehur një kërkesë më të madhe, që hëpërhë duket e fjetur ose që nuk ka arritur të artikulohet.
Nga këto protesta u kuptua qartë se në Maqedoni kemi pak intelektualë mendjendritur që janë në gjendje të bashkohen me popullin në çaste kritike dhe që nuk ia lënë miletin e vet në dorë aq lehtë shërbimeve të ndryshme. Këto protesta na mësuan se studentaria shqiptare në Maqedoni jo që është në gjumë, por mbase është e droguar si kurrë më keq. Ata që duhet të jenë zëri i sinqertë i popullit, ata që nuk duhet të kalkulojnë qarin e zararin, siç bëjnë njerëzit e rritur, por që duhet të jenë gjithmonë me të vërtetën, gjatë këtyre protestave nuk u dukën thuajse fare. Ose, së paku, organizatat e tyre ishin në “pushim”. Kjo është shenjë se politikanët i kanë futur në xhep studentët dhe i përdorin vetëm gjatë fushatave zgjedhore.
Këto protesta ishin leksion për shtetin se shqiptarët e ndjejnë veten tejet të diskriminuar nga kombi maqedonas, madje edhe të poshtëruar. Ky gjykim ishte dëshmi se ky shtet edhe gjykatat i ka vënë në shërbim të etnisë maqedonase dhe shtetit një-etnik maqedonas, ndërsa shqiptarët i përdor sa herë që i duhen për ta arsyetuar veten para botës se sa element i rrezikshëm qenkemi ne dhe sa dashamirë të paqes në botë qenkan ata. 
Nga këto protesta u lexua qartë mosbesimi i shqiptarëve në institucionet e këtij shteti. Ato ishin mesazh për maqedonasit, për shqiptarët e politikës, por edhe për ndërkombëtarët që sorollaten e shesin mend ndër ne, se nëse ky shtet vazhdon t’i keqpërdorë institucionet e shtetit për nevoja të veta etnike, politike e partiake, kjo revoltë shqiptare gjithnjë e më shumë do të rritet.
Përveç kësaj, këto protesta u dhanë një leksion politikanëve shqiptarë. Ato na mësuan edhe se sa të papërfaqësuar ndjehen shqiptarët në këtë vend. Fakti që shqiptarët kanë përfaqësues të tyre që lejojnë që shqiptarët të gjykohen për terrorizëm dhe ministri i Drejtësisë (që edhe kësaj radhe është shqiptar) të bën me shenjë kah dera e Gjykatës së Apelit (ku po ashtu presin maqedonas të tjerë), nënkupton se forma e vetme e shprehjes së pakënaqësisë ka mbetur protesta në rrugë. Kur nuk ke mbrojtje tjetër, kjo të mbetet zgjidhja e vetme!
Nga këto protesta u lexua edhe mesazhi se edhe votat, që gjatë zgjedhjeve shkuan për partitë shqiptare, nuk ishin reale. Protestat ishin mesazh i krizës sociale që mbretëron në Maqedoni. Ato flasin për faktin se shqiptarët e Maqedonisë, të cilëve aktivistët partiakë para ua blinin votat për 500 ose 1.000 denarë, tash janë buzë greminës. Aty ka pasur plot shqiptarë që kanë dalë vetëm në shenjë revolte pikërisht ndaj atyre aktivistëve që para dy-tre muajve i kanë mashtruar, i kanë shantazhuar dhe i kanë blerë me aq pak para, ndërsa tash as që ua qajnë hallin. Ndërkaq në një gjendje kaq të lartë të papunësisë dhe varfërisë, shqiptarët e kanë pësuar më shumë dhe këto protesta ishin manifestim edhe i revoltës sociale shqiptare. Në të vërtetë, nëse politikanët shqiptarë kanë pak mend, nga këto protesta do të duhej ta lexonin më saktë këtë mesazh dhe mos ta vazhdojnë më këtë traditë. Sepse, një popull që synon ta nënçmosh deri në animalitet (gjendje të kafshës), që ashtu ta blesh më lirë, një ditë mund të të kafshojë edhe vetë ty.
Këto protesta ishin edhe një mësim se shqiptarët e Maqedonisë janë popull i mirë, i sinqertë, megjithëse herë-herë edhe i manipulueshëm për shkak të kësaj, por popull që e do lirinë, drejtësinë dhe barazinë. Fotografia që bëri xhiron e botës, ku një nëne shqiptare qëndron para një polici të armatosur me duar të kryqëzuara në shenjë të thirrjes “Kuku për ne!”, ishin dëshmia më mbresëlënëse e këtyre protestave që flet se nëna shqiptare në Maqedoni është lodhur nga ata që ia keqpërdorin bijtë e saj dhe asaj vetëm lotët i kanë ngelur që ta shprehë këtë mospajtim.
Marrë në përgjithësi, këto protesta mund të krahasohen me protestat studentore të viteve të ’60-ta në Evropë. Natyrisht, këtu mungojnë organizatat studentore, që janë të rrokura keq nga partitë, por mesazhet janë mjaft humane, njerëzore dhe universale. Thjesht, ato na thanë se njeriut shqiptar në Maqedoni i mungon liria, i mungon vetërealizimi njerëzor e kombëtar. Ai ndjehet i diskriminuar në aspektin kombëtar, politik, ekonomik, arsimor, kulturor, fetar, sportiv etj. Atij i duket se ia kanë vënë saçin mbi kokë dhe nuk i kanë lënë asnjë rrugë: ose t’u bëjë temena partive ose të ikë nga ky vend! Prandaj një i ri që rritet me ideale dhe me çiltërsi shpirtërore e ka vështirë ta përballojë këtë gjendje. Sepse ajo e shfytyron, e animalizon dhe e bën të parëndësishëm. Sigurisht për këtë nuk i kanë fajet vetëm maqedonasit. Madje, ata mund të kenë më pak faj.
Ashtu si në protestat studentore të të ’60-tave, edhe nga këto protesta – me gjithë keqpërdorimet e të ligjve, të shërbimeve dhe të ekstremistëve të ndryshëm – për ata që duan të kuptojnë, mund të lexohen qartë mesazhet më njerëzore, njësoj si ato të viteve të ’60-ta, si: “Mendoje atë që e dëshiron dhe jetoje jetën tënde!” ose ai slogani i studentëve britanikë “Çka duam? Gjithçka! Kur? Menjëherë”.
Mbase vonë, por kam përshtypje se shqiptarët e Maqedonisë përfundimisht kanë filluar të zgjohen dhe ta kuptojnë hilenë që ua bëjnë të vetët dhe të tjerët. Nëse me këtë konstatim ia kam qëlluar, më mjafton vetëm kjo.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme