PAVARËSIA E KOSOVËS - NJË FAT I RI I NJERIUT TË ZAKONSHËM

Pavarësia e Kosovës po bëhet realitet, edhe pse kanë mbetur ende shumë pengesa në rrugën e pavarësimit të saj të plotë (ndër to edhe rreziku i shkëputjes së pjesës veriore). Por pavarësia e saj nga Serbia po bëhet edhe zyrtarisht realitet, e kjo pavarësi është kërkuar edhe me gjakun e njerëzve të vet më të mirë të këtij vendi, me gjakun e shenjtëruar të dëshmorëve.

Mbetet të bëhen në të ardhmen analiza se sa ka ndikuar gjeopolitika e rikomponimit të Ballkanit në pavarësimin e Kosovës. Mbetet të shihet se si do të funksionojë Ballkani si pjesë e Evropës, tash që po mbyllet vatra më tektonike e krizës. Mbetet që të bëhen edhe shumë analiza se si vetë Kosova do ta gjejë veten dhe vendin e vet në Ballkanin e rikonfiguruar edhe me pavarësinë e saj.

Vetëm një aspekt i pavarësisë së Kosovës është tashmë i qartë: fati i njeriut të zakonshëm në këto hapësira. Ky fat do të ndryshojë plotësisht. Ky tekst edhe po shkruhet për ta shpalosur pikërisht këtë fat të ri të njeriut shqiptar në Kosovën e pavarur.
- Shqiptari në Kosovën e pavarur më nuk do të jetë qytetar i rendit të dytë, sikundër ka qenë në Serbinë e Parë, në Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, në Jugosllavinë e AVNOJ-it dhe në Jugosllavinë e Millosheviqit.
- Shqiptarët e Kosovës më nuk do të jetë fajtor kujdestar për t’u zbrazur mbi të hidhërimi i qeverive të karaxhorgjeviqëve, të pashiqëve, të stojadinoviqëve, të lotiqëve, të drazhiqëve, të rankoviqëve, të milloshevëve e liderëve të tjerë gjakatarë, që urrejtjen ndaj shqiptarëve e patën busullë të politikave të veta nacionaliste dhe raciste.
- Shqiptarët e Kosovës më nuk do të paguajnë taksat e tatimet në shtetin e huaj, i cili taksat e tyre i ka përdorur për të prodhuar armë, ose për t’i blerë ato që nuk i ka pasur (disa nga helmet kimike, të përdorura kundër nxënësve shqiptarë në vitin 1990, fjala vjen) me të cilat ka ushtruar terror e dhunë mbi ta.
- Shqiptarët e Kosovës më nuk do të detyrohen të flasin serbisht në komunë, në gjyqe, në zyra të vendit, në shkollë, në autobus, sepse tash e tutje do të jenë një popull lirë, i cili gjuhë zyrtare të parë e ka gjuhën e vet. Natyrisht, kjo nuk na jep asnjë të drejtë që eventualisht të nënçmojnë ndonjë gjuhë të komuniteteve që bashkëjetojnë me ne.
- Shqiptarët e Kosovës më nuk do të detyrohen t’i dërgojnë djemtë e vet në ushtrinë e huaj dhe të presin një vjet në ankth se mos u kthehen në arkivole, sikundër u ka ndodhur në të kaluarën.
- Shqiptarët e Kosovës më nuk e kanë rrugën për në Beograd si rrugë që i dërgon në Evropë, sepse tash të gjitha rrugët nisen nga Prishtina, e jo nga Beogradi. - Shqiptarët e Kosovës më nuk kanë nevojë t’u japin ryshfete administratorëve të Serbisë, të cilin vinin në Kosovë dhe pasuroheshin për pak vite shërbim, pa pasur nevojë të shkonin në Perëndim, sepse Kosovën e kishin bërë “Perëndim të egër”. Të plaçkitjeve.
- Shqiptarët e Kosovës më nuk kanë nevojë të ushqehen me prodhime nga Serbia, (nëse nuk duan), po mund të zgjedhin se nga cilat shtete të blejnë me paratë e veta.
- Shqiptarët e Kosovës më nuk kanë shtrëngime që të punojnë për agjenturat serbe, në dëm të vetes së vet e të popullit të vet, sepse tash janë popull i lirë e i pavarur.

Për të gjitha këto favore që i kanë fituar shqiptarët e Kosovës me pavarësinë e vendit të vet, duhet të jemi të gjithë të lumtur dhe krenarë. Duhet ta falënderojmë Zotin që na ka shpërblyer me këtë pavarësi. Duhet ta falënderojmë të gjitha ata burra dhe ato gra guximtare të kombit tonë, që luftuan për lirinë e këtij vendi, shumë prej të cilëve e dhanë edhe jetën e vet. Secili qytetar i lirë i Kosovës duhet të shkojë deri në Marinë, të paktën aty, e të lexojë një nga një emrat e dëshmorëve të kësaj pavarësie, që nga Adem Jashari (i cili për simbolikë mban emrin e njeriut të parë, babait të njerëzimit) e deri te dëshmori i fundit. Duhet t’i falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj në NATO, që luftuan për lirinë e Kosovës. Ata aviatorë që bombarduan makinerinë gjakatare të Serbisë në vitin 1999, janë heronj të denjë edhe të Kosovës. Vendimmarrësi i asaj ndërmarrjeje, Bill Klintoni, mbetet hero i lirisë së Kosovës. Por, pavarësia e një vendi sjellë edhe përgjegjësi të reja të tij dhe të shtetasve. Njerëzit e lirë kanë më shumë përgjegjësi se robërit. Prandaj si qytetarë të lirë të një shteti të pavarur duhet të dimë ta menaxhojnë pavarësinë e vendit tonë. Duhet të ndërtojmë një shoqëri të njerëzve të lirë e të barabartë para ligjit, një shoqëri efikase e të moralshme, një shoqëri që konkuron me botën e qytetëruar në demokraci, në solidaritet e në paqe. Secili qytetarë i këtij vendi duhet të ndjehet përgjegjës për fatet e Kosovës së shumëvuajtur. Secili qytetar i Kosovës duhet të kontribuojë për zhvillimin dhe përparimin e këtij vendi, të cilit në fund të shekullit XX, pas një katastrofe të lemerishme, megjithatë, i ndriti fati. Me një fjalë, pavarësia e Kosovës do të sjellë një fat më të mirë për të gjithë qytetarët e këtij vendi, nëse e shfrytëzojmë si duhet shansin jetësor që po na jepet në dorë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme