Filozofia e medreseve në sistemin arsimor të Shqipërisë

1. Familja shqiptare tradicionalisht është karakterizuar nga lidhje të shumëllojshme ekonomike, shpirtërore, emocionale, përgjegjësie të ndërsjellë ndërmjet gjithë anëtarëve të saj, veçanërisht ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Familja shqiptare si një strukturë shoqërore solide ka funksionuar deri në fund të shekullit XX. Për gjatë viteve 1991-2000 mjaft sociologëve të huaj, u kanë bërë përshtypje të veçantë lidhjet e ngushta, përkushtimi i veçantë, deri në vetësakrifikim i anëtarëve të familjes shqiptare për njëri-tjetrin, veçanërisht i prindërve për fëmijët. Mjaft emigrantë shqiptarë, kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë ekonomikisht me shuma të konsiderueshme financiare, jo vetëm prindërit, vëllezërit dhe motrat e tyre, që jetojnë në hapësirën shqiptare, por herë-herë edhe kushërinj të tyre të afërt. Mjaft prindër shqiptarë të rinj, të moshës së mesme ose dhe në prag të pensionimit, braktisin karrierën e tyre profesionale, politike dhe shoqërore, atë të mjekut mjaft të kualifikuar, të pedagogut në universitet, ose të punonjësit kërkimor-shkencor, të drejtuesit të organizatave jofitimprurëse dhe emigrojnë në vende të tjerë, kryesisht në vendet e Perëndimit, ku kryejnë punë fizike të rëndomta. Përvoja tregon se në shumicën e rasteve motivi kryesor, që e nxit këtë kategori prindërish të bëjnë një sakrificë të tillë është dëshira e zjarrtë për t’u siguruar fëmijëve të tyre një të ardhme sa më të mirë dhe sa më të sigurt, veçanërisht dëshira për të arsimuar fëmijët e tyre në universitetet më prestigjioze të Perëndimit.

2. Aspekte të metodës së studimit

Por veçanërisht gjatë dhjetëvjeçarit të fundit konstatohet një farë dobësimi i marrëdhënieve midis anëtarëve të familjes shqiptare. Është rritur numri i akteve të dhunës brenda familjes shqiptare, janë rritur dhe janë ashpërsuar konfliktet e shumëllojshme ndërmjet prindërve dhe fëmijëve, ndërmjet vëllezërve dhe motrave dhe ndërmjet vëllezërve të grupmoshave të ndryshme etj. Një faktor  që ka nxitur dukuri të tilla ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe dhuna që emetohet nga ekranet e televizionit, veçanërisht dhuna e filmave artistikë. Për të zbuluar se si ndikojnë filmat televizivë me dhunë në marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve të familjes shqiptare të ditëve tona kemi realizuar një studim-anketim me të rinj adoleshentë të qytetit të Tiranës në muajin maj 2012.

Janë anketuar 1244 nxënës. Pyetësori përmbante 20 pyetje: 3 të lira dhe 17 të strukturuara, të cilat ofronin rreth 110 alternativa përgjigjesh më të mundshme. Anketat u plotësuan nga nxënës të shkollave të zonës qendrore të Tiranës, si: Shkolla e Mesme “Petro Nini Luarasi” dhe ajo “Qemal Stafa” dhe nga nxënës adoleshentë  të shkollave  nëntëvjeçare “Fan Noli” dhe  “Dora D’Istria”. Anketa u plotësua dhe nga nxënës adoleshentë të shkollave në periferi të Tiranës, si: shkolla e mesme “Myslym Keta” dhe shkolla nëntëvjeçare “Shyqyri Peza” në lagjen “Kombinat”, ku janë përqendruar më shumë nxënës të ardhur me familjet e tyre nga qytetet dhe krahinat jugore të Shqipërisë, ndërsa në shkollën e mesme “Eqrem Çabej” mësojnë më shumë nxënës të ardhur me familjet e tyre për gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, kryesisht nga qytetet dhe krahinat veriore të Republikës së Shqipërisë.

 Kolegji “Mehmet Akif” dhe “Medreseja” e Tiranës u përzgjodhën, jo vetëm se kanë nxënës të klasave të teta e të nënta nga gjithë hapësira shqiptare, por edhe ngaqë kanë kohën e pasmësimit të programuar sipas standardeve të disiplinës së kolegjit. Ndërsa Shkolla e Mesme Artistike “Jordan Misja” u përzgjodh si shkollë artistike me traditë të konsoliduar, ku mësojnë nxënës të talentuar nga gjithë Republika e Shqipërisë. Nxënësit e kësaj shkolle jo vetëm janë më të lidhur me forma të ndryshme të artit, por edhe janë karakterizuar më parë e karakterizohen aktualisht nga një frymë liberale.

 I përzgjedhur sipas kritereve të tilla ky kampion përfaqëson në një shkallë të konsiderueshme nxënësit e klasave të teta e të nënta të shkollave nëntëvjeçare dhe të shkollave të mesme të Republikës së Shqipërisë. Në këtë kumtesë do të paraqesim disa nga rezultatet kryesore të këtij studimi-anketimi të plotësuara dhe me opinione të grumbulluara përmes intervistave dhe bisedave të lira me nxënës, prindër dhe mësues.

Kështu në Medresenë e Tiranës është ndjeshëm më e ulët (rreth 12.0 për qind), në krahasim me atë të gjimnazeve, pesha specifike e nxënësve adoleshentë, që konfliktohen me nënën. Morali i shëndoshë edhe me përmbajtje fetare, që shndërrohet e praktikohet nga mësuesit dhe nxënësit medresistë shërben si faktor i rëndësishëm për shoqërizimin e nxënësve adoleshentë me modelet e sjelljes humane më të fisme, jo vetëm në marrëdhënie me nënën e pjesëtarët e tjerë të familjes, por edhe me gjithë të tjerët.

Kështu disa elementë të mekanizmave shoqërues, që realizohen nëpërmjet moralit fetar dhe disiplinës së medreseve, mund të praktikohet edhe në shkollat e mesme të përgjithshme të Shqipërisë, me qëllim që të neutralizohen ndikimet çoroditëse të filmave televizivë me akte dhune, të programeve të tejngarkuara me vulgaritete.[1]

“Lartësimi ose rënia poshtë e një kombi varen nga shpirti dhe vetëdija me të cilat do të pajisen brezat e tij, nga arsimi dhe edukata që do të marrin. Në kundërshtim me faktin që kombet me brezat e rinj të përgatitur mirë, janë të paracaktuar të përparojnë paprerë, regresi i kombeve që i nënvleftësojnë ata, është i pashmangshëm!..”,- thotë mendimtari Gylen. (Gylen (a), 2003: 153)

3. Filozofia e medreseve të Shqipërisë

Filozofia e medreseve të Shqipërisë, edukimin e ka parë nga tri kënde të gërshetuara mes vete: human-psikologjik, nacional-social dhe universal. Por, duke e trajtuar në rrjedhë historike këtë proces, shohim se edukimi dhe arsimi në botën islame kishte kohë shumë të gjatë nën ndikimin e mendimit perëndimor. Duhet kthyer vëmendja në faktin se teokratizmi mesjetar perëndimor u riformulua me periudhën e Rilindjes, kur krahas stimulimit për plotësimin e nevojave materiale, lind edhe kërkesa për studime shkencore, duke krijuar kështu edhe një konflikt mes shkencës dhe kishës. Pikërisht ky konflikt në mes fesë dhe shkencës ka bërë që një pjesë e botës sonë të përfundojë në materializëm dhe komunizëm. Kjo ndarje bëri që të ketë luftëra dhe konflikte të gjera botërore, si edhe konflikte të mëdha ekonomike.[2]

Qasja kritike e mendimtarëve myslimanë për lëvizjen iluministe të shek. XVIII, konsiston, pasi në një epokë të tillë, njerëzit shiheshin vetëm si entitete materiale apo fizike. Esenca e konfliktit shkencor dhe arsimor, konceptohet duke ndërtuar sistemin e mendimit kritik, që njeriu nuk është i krijuar vetëm nga trupi dhe mendja, por ka ndjenja dhe shpirt. Pikërisht ndjenja dhe shpirti i japin një identitet esencial dhe human secilit njeri, në këtë kontekst, edhe dijetarit.

Po kështu, në vrojtimet lidhur me raportin mes edukimit dhe procesit provokues të ideologjizimit, mund të veçojmë se pikërisht edukimi i drejtë ngre perfeksionin e botës njerëzore, e cila në fakt përmes këtij perfeksioni edhe dallon nga ajo shtazore. Pra, është fjala për arsyen dhe jo për instinktin. Në këtë aspekt njeriu e ka të kushtëzuar mësimin e gjithçkaje në këtë botë duke nisur nga rregullat më të thjeshta të jetës.[3]

Në fakt konflikti ndërmjet shkencës dhe fesë përgjatë gjithë historisë së njerëzimit është përjetuar vetëm në periudhën e Mesjetës:

“Nuk është e mundur të vërejmë një konflikt të tillë në Greqinë e Lashtë apo në qytetërimet e lashta egjiptiane, indiane, kineze apo të Mesopotamisë. …ekzistojnë arsye antropologjike, sociologjike dhe historike për këtë fakt. Ne mund të vërejmë për shembull në literaturën sanskritishte se të gjitha shkencat, që nga astronomia, deri tek astrologjia dhe matematika, ..janë përballur me një ndërthurje të fesë dhe të shkencës. Edhe tek qytetërimi kinez u vërejt e njëjta gjë. Konfucizmi nuk ishte edhe aq një sistem fetar, por më shumë konsistonte në një kod vlerash strikte morale. Kështu që nuk mund të flasim për një konflikt ndërmjet kësaj disipline vlerash dhe shkencës. Fetë e lashta egjiptiane dhe mesopotame përmbanin gjithashtu retorikë mitologjike. Shkenca në këto qytetërime, duke përfshirë degët e astronomisë dhe mjekësisë, nuk arriti në një nivel plotësisht empirik apo racional të saj.[4]

Vlerësimi i Islamit mbi Zbulesën si një kategori e veçantë e dijes, e bën atë mjaft të dallueshëm nga qëndrimet e tjera që ekzistojnë në kulturat e ndryshme.

Sot shohim se, në themelin e të gjitha problemeve globale qëndron faktori njeri. Pra të gjitha problemet fillojnë te njeriu e mbarojnë me të. Kështu për një rend shoqëror funksional apo të mesëm, forma më efektive është edukimi.Edukimi nëpërmjet të mësuarit dhe mësimdhënies, cilësohen edhe si dy misione hyjnore.

Edukimi dhe arsimi përbëjnë një temë jetike në jetën individuale dhe në jetën e shoqërive. Së pari, në planin individual, një njeri mbetet i tillë në raport të drejtë me mirësinë që ushqen në vetvete. Thuajse kushdo e kupton dhe e vlerëson rëndësinë e edukimit trupor të njeriut, por të paktë janë ata që e kuptojnë dhe e vlerësojnë edukimin moral, ideal e sentimental të njeriut. Së dyti, ekzekutimi i çdo elementi negativ brenda një kombi, nuk është një rrugë efikase për shpëtimin e tij. Shërbimi më efikas që mund t’i bëhet një kombi është edukimi i brezave me një frymë të lartë vlerash morale universale dhe me ndjenja të vërteta kombëtare. Ndaj edhe investimet që bëhen për zhvillimin dhe ngritjen e brezave, janë një pasuri pafund, që jep frytet e saj pa ndalesë.[5]

Në filozofinë e medreseve shkolla është vendi ku jepet mësim dhe edukatë. Aty mësohet gjithçka në lidhje me jetën. Në fakt, edhe jeta vetë është një shkollë. Vetëm se ne mund ta mësojmë jetën vetëm në sajë të shkollës.

Shkolla është institucioni që hedh dritë mbi ngjarjet jetësore dhe u jep nxënësve mundësinë të kuptojnë atë që ndodh rreth tyre. Njëkohësisht shkolla hap rrugën për të mësuar në një mënyrë shumë të shpejtë lëndën dhe ngjarjen, duke e përgatitur njeriun mendërisht, duke parashtruar drejtimin e tij dhe duke e mësuar të gjejë uniken në mes të tërësisë. Një shkollë e mirë i jep nxënësve dimension shpirtëror dhe i jep shtysë ndjenjës, një vend ku fëmija përfiton formën e vet të vërtetë. Edukimi që jepet në shkollë përfshin të gjithë jetën e njeriut. Njeriu gjatë gjithë jetës zbaton e përsërit mësimet që merr në shkollë, virtytet e aftësitë e fituara në shkollë janë udhërrëfyesi i tij në rrugën drejt urtësisë dhe shifra që hap kodet e komplikuara të ekzistencës.

Një vlerë të madhe në shoqëri kanë dhe mësuesit. Mësuesi është një udhërrëfyes i përsosur, që i jep formë gjithë jetës së njeriut. Ndikimi i mësuesit mbi individin është shumë më i madh se ndikimi i prindërve apo i shoqërisë. Në një shkollë të mirë, mësuesi është ai që mbjell e që ruan farën e pastër e të pafajshme. Sikurse është përgjegjësia e tij që të kujdeset për mirësinë e mbrojtjen, ashtu është detyrë e tij edhe të bëhet shembull me sjelljen e vet ndaj ngjarjeve të ndryshme dhe ndaj gjetjes së qëllimit në jetë prej individëve.[6]

Librat që i jepen nxënësve në shkolla, qofshin libra të lëndës, qofshin romane a poezi, duhet të jenë të tillë që të arrijnë të zhvillojnë vullnetin, t’i japin forcë mendjes, vendosmëri shpirtit dhe shkëndijë shpresës. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë të rrisim një gjeneratë të aftë e të vendosur në idealet e veta.

Kështu, që në periudhën e hershme të jetës shkollore, nxënësit i duhen mësuar së pari gjuha, ideali, besimi, morali e karakteri, pastaj duhet synuar ndërtimi i një personaliteti të shëndoshë mbi këto themele. Qëllimi i mësimit duhet të jetë përgatitja intelektuale e sociale në përshtatje me kohën e vendin ku jeton dhe shtytja e tij drejt një revolucionarizimi të dijes, më saktë, drejt një mënyre të menduari, që nxit zhvillimin e lulëzimin në çdo fushë. Pasi të arrihen këto perspektiva, duhet përgatitur specializimi i nxënësit për art, shkencë, bujqësi, financë apo teknikë. E gjitha kjo është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin në paqe të shoqërisë, me moralin e besimin e saj, me sukseset në fushat e ndryshme të shkencës, artit e teknikës, si dhe me përpjekjen për të zënë vendin e duhur në arenën ndërkombëtare.[7]

Institutet moderne të arsimimit i ngjajnë fabrikave, që bëjnë prodhim me shumicë në sistemin e tregut global. Vetëm se në këto institucione janë lënë pas dore vlerat intelektuale e morale, siç janë kthjelltësia e të menduarit, pasuria shpirtërore e larmia kulturore.

Duke e zbërthyer më shumë këtë çështje, kur flitet për “moralin“ dhe “vlerat shpirtërore”, dy koncepte që disa mund t’i cilësojnë thjesht “fe”, njerëzit që janë të ndjeshëm në lidhje me laicizmin, mund ta trajtojnë këtë terminologji, si një kërcënim ndaj sistemit laik aktual. Në metodologjinë e sistemit arsimor të medreseve, morali nuk konsiston vetëm në kuptimin e ngushtë të doktrinës fetare, por ai përfshin edhe moralin e lartë, ekuilibrin shpirtëror dhe logjikën e sinqertë.

Një model edukimi që përfshin edhe aktivitetet shkencore, edhe formimin e karakterit të nxënësit edhe ndërgjegjësim social, por edhe konsolidimin moral e shpirtëror të nxënësit, mund të cilësohet si shumë idealist, madje utopik nga shumë kritikë. Megjithatë, mund të pohojmë se me gjithë ndryshimet e niveleve nga shkolla në shkollë, modeli edukativ i medreseve ka gjetur zbatim në vendin tonë dhe këto ideale kanë marrë jetë në to.

Imitimi i verbër i traditës dhe i trashëgimisë kulturore, i bazuar mbi riprodhimin përmendësh, në vend të të kuptuarit të saktë, përbën problemin rrënjësor që ka sjellë këtë ndryshim negativ dhe prapambetje të botës islame. Edukimi në botën myslimane i ka detyruar brezat e fundit ta ndajnë jetën e tyre kulturore dhe teknologjike nga identiteti i tyre historik, duke bërë kështu që subkoshienca e tyre të rrethohet nga ndikimi perëndimor. Imitimi i verbër dhe memorizimi i thatë i traditave, mund të vërehet në perceptimin e vlerave islame, ashtu si në rastin e perceptimit të qytetërimit perëndimor.

Medresetë dikur ishin institucione të pavarura edukative, që nuk i nënshtroheshin kontrollit shtetëror. Të gjitha ato ishin të themeluara nga fondacione të ndryshme (vakëfe). Familjet e pasura i pajisnin ato me bazë materiale për të mirën e shoqërisë, pa pasur asnjë lloj interesi.

Meqenëse medreseja ishte një institucion i pavarur nga kontrolli dhe ndërhyrja e shtetit, ajo ishte konturuar sipas karakteristikave mbizotëruese shoqërore dhe fetare. Kjo është arsyeja përse ajo ishte e fuqishme kur shoqëria osmane shfaqej e shëndetshme dhe e gjallë.

Impakti shoqëror i medreseve ishte më i gjerë sesa ai i shkollave laike. Për shumë shekuj me radhë, ai ndihmoi në krijimin e marrëdhënieve relativisht harmonike mes familjes, fqinjëve dhe shoqërisë. Kështu medreseja siguronte një këndvështrim të kuptueshëm për shoqërinë nëpërmjet edukimit të saj të integruar shoqëror, fetar dhe kulturor.

Për sistemin arsimor të Komunitetit Mysliman sot, ndarja e të menduarit fetar nga shkencat natyrore shkon kundër frymës së Kur’anit, sepse Kur’ani e rekomandon qartë lidhjen e fesë me shkencat natyrore.

Pjesët që flasin për qiejt dhe tokën – me fjalë të tjera, të dukshmen dhe të padukshmen- përbëjnë afërsisht një të tretën e Kur’anit. Megjithëse Kur’ani u lexua, Libri i Natyrës u la mënjanë. Askush nuk u kujdes që të dy librat bashkarisht të merreshin si bazë për shkencat natyrore, si: fizika, kimia, matematika dhe astrofizika. Leximi i gjërave dhe i dukurive në univers, i ngjan leximit të një libri dhe përbën gjysmën e detyrimeve të një besimtari…[8]

Sistemi edukativ i medreseve, hapi rrugën për një epokë të re, duke ribashkuar sistemin edukativ bashkëkohor me sistemin klasik të medreseve të dikurshme. Kështu mund të vërehet se nuk ekziston ndonjë mospërputhje, apo përplasje dialektike ndërmjet shkencave natyrore dhe vlerave, qofshin ato fetare, etike, sociale apo individuale. Këto lloj përplasjesh mund të shpien në shkatërrimin e personalitetit dhe të strukturës shoqërore. Medresetë sot bashkojnë mendjen dhe zemrën nëpërmjet përqendrimit në një objektiv, që merr parasysh mënyrën sesi duhen integruar dija dhe edukimi te njerëzit dhe te jeta sociale përkundrejt diçkaje, që i drejtohet vetëm trurit, botës së jashtme dhe objekteve të pajeta. Në këtë sens, dija përbën mençuri dhe dashuri. Ai i bën thirrje kësaj “kulture të zemrës dhe të ndërgjegjes”.

Njerëzimi nuk përbëhet vetëm prej zemrës dhe ndërgjegjes. Edukimi duhet të synojë dimensionin material të njerëzimit, po aq sa synon edhe dimensionin shpirtëror, në mënyrë që të arrijë unitetin.

Edukimi dhe arsimimi krijojnë mundësinë e një konkurrence aktive dhe kreative në shoqëri. Njeriu i arsimuar kërkohet të jetë i aftësuar për të përballuar standardet bashkëkohore për t’u bërë pjesë e një tregu global të dijes, në të cilin dominon cilësia dhe konkurrenca.

Modeli perfekt i dimensionit shpirtëror-intelektual dhe fizik realizohet pikërisht përmes arsimimit dhe edukimit të vazhdueshëm kreativ. Mësimi u shërben njerëzve për të ndërtuar baraspeshë të drejtë me botën përreth, pasi aftësitë njerëzore janë arsyeja, zemërimi dhe lakmia. Nëse duam të jemi të arsyeshëm ne duhet të mësojmë për të kuptuar botën përreth, dhe po kështu edhe vetveten. Zemërimi kërkohet të frenohet përmes vetëpërmbajtjes dhe vlerave të tjera të larta. Po kështu edhe lakminë njeriu e mund, në mënyrë që të mbajë dëshirat në kuadër të realiteteve njerëzore. Kënaqësia shpirtërore pra është e mundur të mbërrihet përmes dijeve. Dijeve për shkencën dhe për Zotin.

Medresetë e Shqipërisë sot, u bënë të rëndësishme në këto dy dekada, në dy aspekte: së pari në pikëpamjen e aspektit të tyre social dhe së dyti nga pikëpamja e cilësisë së shkollimit. Ato e reflektuan interesin në lidhje me edukimin kudo, si në qarqet ku i mbështesnin, ashtu dhe në ata që i kritikonin ato. Në një kuptim, këto medrese kontribuuan në përhapjen e edukimit tek organizatat joqeveritare, duke e shndërruar arsimin në pronë të segmenteve më të gjera të shoqërisë. Menjëherë pas historive të suksesit të këtyre shkollave, atyre nisi t’u kushtohej një vëmendje e gjerë nga publiku dhe njerëzit të cilët dëshironin dhe shfaqnin interes të madh në projektet arsimore.

Në ditët tona, programe të veçanta edukative në media, si dhe tema të veçanta në lajme, që kanë të bëjnë me edukimin, janë shndërruar në një praktikë të zakonshme. Edukimi përbën një element në rritje në sektorin privat dhe çdo ditë e më tepër po merr rëndësi përherë e më të madhe.

Edukimi përbën një maratonë të gjatë. Ai kërkon punë dhe përpjekje të mëdha. Suksesi i këtyre shkollave bazohet në altruizmin dhe idealizmin e tyre. Qindra njerëz shërbejnë në këto institucione me një entuziazëm të pareshtur. Ata punojnë me një ndjenjë kënaqësie dhe dëshmojnë idenë e shpirtrave të përkushtuar ndaj njerëzimit. Një konturim harmonik i punësimit dhe i mjedisit mësimdhënës, përbën një çështje mjaft kuptimplotë për këto shkolla.

Sot çështja e edukimit përkufizohet dhe konsiderohet si problemi më i madh i të gjithë botës. Gjatë dy shekujve të fundit, edukimi dhe mendimi shkencor modern i kanë kthyer të gjitha marrëdhëniet njerëzore, sociale dhe ideologjike në objekte profane. Një nga gjërat e reja të sjella nga medresetë është edhe kujdesi për unitetin harmonik të mendjes dhe të zemrës. Këto shkolla e trajtojnë mendjen dhe zemrën njëkohësisht, si qendra të informacionit dhe të mendimit dhe ofrojnë një sistem, që i sheh njerëzit si qenie në një lidhje harmonike me universin dhe shoqërinë. Këto shkolla punojnë për të krijuar individë model, me besim tek vetja dhe e ardhmja, në paqe me personalitetin e tyre, të mbushur me respekt për traditat dhe për identitetin e tyre shoqëror, të hapur ndaj mendimit shkencor modern, novatorizmit dhe ndryshimit. Kjo është arsyeja përse aty ku janë hapur këto shkolla, ato përfaqësojnë një zë të ri në edukim dhe një model të shkëlqyer të studentëve të suksesshëm. Programi arsimor i këtyre shkollave ka përcaktuar një metodë progresiste matematike dhe një formë të re eksperimentale logjike.

Medresetë gjithashtu kanë risjellë marrëdhënie të ngrohta dhe pozitive ndërmjet familjeve, lagjeve dha bashkësive, duke ia përshtatur këto marrëdhënie kushteve moderne. Ato kanë rindërtuar të dikurshmin “njeri të shoqërisë”, që është vetësakrifikues dhe totalisht i devotshëm ndaj vendit të tij dhe njerëzimit dhe i cili është hero i dashurisë dhe afeksionit. Në këtë epokë të shekullit XXI, në të cilën mbizotëron interesi personal, egoizmi dhe materializmi, kjo përbën një dukuri të shënuar. Në një kohë që dominohet nga interesi material dhe nga kulti i individit, kjo formë e re e arsimit po i përgatit studentët që ta duan profesionin e mësuesit mbi gjithë profesionet e tjera.

Nëpërmjet ndërgjegjësimit të njerëzve, të cilët janë të qëndrueshëm për sa i përket vlerave të tyre morale, njerëzore dhe sociale dhe të cilët janë në gjendje ta mirëpresin të ndryshmen, këto shkolla, kanë themeluar një infrastrukturë të përshtatshme për dialogun e ardhshëm ndërqytetërues. Një qenie njerëzore e cila është harmonike me gjithë aspektet e saj të ndryshme kulturore, përbën elementin më themelor të kulturës së pajtimit. Ideja që një person të jetë i hapur ndaj ideve të ndryshme kulturore, sigurisht nuk ka kuptimin e luhatjes apo të largimit nga origjina vetjake. Si dialogu ashtu edhe pajtimi lidhen me një spektër më të gjerë dhe të zakonshëm të hapësirës sociale, që i lejon njerëzit të jetojnë bashkarisht përmes respektit reciprok, pa mohuar themelet e ekzistencës së secilit prej tyre. Në të kundërt, ai nuk përbën një aktivitet me pjesëmarrje të plotë. Në këtë aspekt, përpunimi ekonomik dhe social sikurse edhe asimilimi kulturor janë në kundërshtim me qëllimin e dialogut dhe të pajtimit.

Në sistemin edukativ të këtyre shkollave, një person shihet si pjesëmarrës aktiv në proceset sociale. Shkollat i përkasin një modeli, që vendos balancën ndërmjet botës materiale dhe shpirtërore, pa e zvogëluar ndonjërën në dëm të tjetrës, në mënyrë që të ndërtojë një model aktiv, i tillë që është në gjendje të mbartë përgjegjësinë e dialogut kulturor dhe shoqëror.

 

4. Mësuesi

Në filozofinë e medreseve, mësuesi është tejet i rëndësishëm për arsye se ai përgatit individin dhe shoqërinë e së ardhmes. Prishja e sistemit edukativ së pari preku mësuesit. Meqenëse ata e humbën cilësinë dhe ndikimin e tyre shoqëror, bashkë me ta ra edhe cilësia e njerëzve.

Dhe në fakt, mësuesit janë edhe përçues të vlerave të një shoqërie të virtytshme, edhe shembuj të individëve të devotshëm të cilët aspirojnë për dialog dhe tolerancë.

Mësuesi në përgjithësi, qoftë nëna, babai, apo të vjetrit, mësuesi përmes konceptesh, apo përmes shembujsh, është saktësisht ndihmësi, që i ndihmon njeriut të perceptojë drejt dhe kështu t’i kapërcejë keqperceptimet. Edukimi është i vetmi proces i shpëtimit, sepse edhe sipas formulës sokratike, “dija është virtyt”[9].

Në filozofinë e medreseve, mësuesi që nga lindja e deri në vdekje, përbën një mjeshtër të bekuar që i jep jetë botës nëpërmjet formësimit të jetës së njerëzve. Nuk ka të barabartë me të mbi tokë, për sa i përket udhëheqjes së popullit drejt fatit të tij, rishikimin e etikës dhe karakteristikave të tij.

Dhe në fakt ndikimi i mësuesve mbi individët e tejkalon ndikimin e prindërve dhe të shoqërisë mbi ta. Mësuesi është ai, i cili gatuan nënën, babain dhe të gjithë anëtarët e shoqërisë së të ardhmes. Në qoftë se ai nuk përfshihet në gatimin e ndonjë pjese të brumit të individit, atëherë ky individ mbetet tërë jetën i paformuar.

Mësuesi është si një mjeshtër, në duart e të cilit, metalet pastrohen, duke u shndërruar në ar të pastër dhe argjend të shndritshëm. Në këto duar mistike, edhe gjërat më të papërpunuara dhe më të paçmueshme, shndërrohen në diamante të vlefshme. Asnjë fabrikë nuk mund të punojë aq shpejt dhe aq sistematikisht sa mësuesi. Askush përveç mësuesit nuk mund t’u rrëfejë gjerësinë e spektrit emocional njerëzve rreth tij dhe të bëhet pjesë e ekzistencës së tyre.

5. Shkolla

Shkolla duhet të konsiderohet si një vend që ndërthur përvojat e ndryshme të njerëzimit brenda një njësie të vetme, ndaj, në këtë mënyrë, shkolla përbën një vend që e mbron njerëzimin nga çrregullimet e ndryshme mendore dhe praktike. Kjo pamje, pasqyron kësisoj tablonë e shkollës në filozofinë e medreseve.

Shkolla është një vend që i bën mësuesit dhe nxënësit subjekte të një transformimi të madh kimik. Është një laborator që i përgatit ata të zgjidhin çdo problem të njerëzimit dhe të qytetërimit. Shkolla është një institucion që bën të mundur edhe formimin e fëmijës ashtu dhe të mësuesit dhe që i jep formë mjedisit social dhe ekologjik.

Shkolla në fakt përbën një shtëpi që ka për detyrë shfaqjen e çdo gjëje joharmonike në shkollën e universit. Ajo përbën një shtëpi, që u ofron studentëve mundësinë e të studiuarit në çdo kohë, është një shtëpi që flet edhe kur hesht. Për këtë arsye, megjithëse duket sikur zë një vend të vogël në jetën e një njeriu, përbën megjithatë një shtëpi simbolike, e cila mbizotëron mbi kohën dhe i detyron të gjitha përjetimet ta dëgjojnë atë. Çdo nxënës që e ndjek shkollën me vëmendjen e nxënësit të devotshëm, do ta artikulojë mësimin e marrë në shkollë gjatë gjithë jetës.

Sistemi më i mirë edukativ është një shkollë, që e vë theksin njëkohësisht në ndodhitë e jashtme, ashtu dhe në dijet e brendshme. Në këtë shkollë, mësuesi përbën një udhëheqës të jashtëm. Megjithatë, për ata të cilët nuk dinë si të mësojnë nga ajo, mësuesit duhet të shërbejnë si ndërmjetës që lidhin së bashku jetën dhe vetveten dhe të cilët shpjegojnë dallimin e errësirës nga drita.

Nëpërmjet fitimit të zemrave të studentëve çdo ditë, nëpërmjet mjeteve të ndryshme, duke përballuar çdo dhembje dhe kokëçarje, si dhe duke lënë gjurmë të pashlyeshme në mendjet e tyre, si nëpërmjet mësimeve, ashtu edhe nëpërmjet sjelljes së tij, mësuesi zë një vend të tillë që nuk mund të zëvendësohet me asgjë tjetër dhe me asnjë person tjetër. Është kjo arsyeja përse nxënësit mësojnë diçka edhe falë metodave lehtësuese të Perëndimit, asnjë qëllim i shkencës nuk mund të mësohet dhe asnjë objektiv nuk mund të arrihet nëse vetë mësuesi nuk jep shembuj të virtytit. Këto elemente mund të shpjegohen vetëm prej një mësuesi të tillë, fytyra e të cilit shndrit nga e vërteta, vështrimi i të cilit është pafundësisht i thellë dhe i cili zbukuron gjithçka që jep nga zemra e tij. Mësuesi i Rusoit ishte ndërgjegjja. Për Kantin ishte ndërthurja e ndërgjegjes dhe e arsyes. Në shkollën e Mevlana Rumiut dhe Junus Emresë, mësuesi është Profeti.

Sa i bekuar është mësuesi i cili është i përkushtuar ndaj nxënësve, i cili i ndjek ata hap pas hapi, në çdo stacion të jetës së tyre dhe i cili ndjehet i ekzaltuar kur ata ngrihen në nivelet e larta njerëzore. Vetëm një mësues i tillë është në gjendje t’u tregojë atyre të vërtetat absolute nëpërmjet lenteve të shkencës, shpesh i ngarkuar si rrufe, por i aftë të ndriçojë zemrat e studentëve të tij dhe të zbutë shpirtrat e tyre![10]

Konkluzione

Mbase në një të ardhme të afërt, në sajë të këtyre mësuesve të medreseve, që nuk kursyen vetveten me qëllim që të tjerët të jetojnë, mendja dhe shpirti do të përqafojnë njëri-tjetrin përsëri. Ndërgjegjja dhe logjika do të plotësojnë thellësitë e njëra-tjetrës dhe gjithçka do të gjejë mundësinë për të shprehur bukurinë që e karakterizon përmes gjuhës së saj, njerëzit do të pendohen që kanë luftuar njëri-tjetrin për asgjë, atmosfera e paqes që nuk ekzistonte më parë në treg, në shkollë dhe në vatrat familjare, do të jetë vendosur dhe erërat e lumturisë do të fryjnë, pastërtia morale nuk do të jetë dhunuar, ndershmëria nuk do të jetë nëpërkëmbur, zemrat gjithmonë do të rrahin me respekt dhe vlerësim, asnjëri nuk do t’i ketë zili të tjerët për pasurinë ose reputacionin e tyre, i fuqishmi do të sillet drejtësisht me të dobëtin, i varfri dhe i dobëti do të kenë mundësinë që të jetojnë njerëzisht, askush nuk do të jetë ndaluar me forcë vetëm për dyshime, banesat dhe vendet e punës nuk do të jenë sulmuar, gjaku i askujt nuk do të derdhet dhe i dobëti nuk do të qajë, çdokush do të dojë njerëzimin.

 

 

Literatura kryesore

Abertrombie, Nicholas; Longhurst, Brian: Audiences. A. Sociological Theory of Performance and Imagination, Sage, London 1998.

-Backer, Martin;Petley, Julian: Effects. The Media -Violence, Debate, Routledge, London 1997

-Dervishi Zyhdi: Adoleshentët, bashkëjetesë me demonët e konflikteve, Shtëpia Botuese “Emal”, Tiranë 2009.

-Frashëri, Pandi M: Familja shqiptare, Botues Ismail Mal Osmani, Tiranë 1944.

-Gauntlett, David: Media, Gender and Identity, Routledge, London 2002.

-Gylen, Fethullah (a): Kriteret ose Dritat e Rrugës – ese, gjykime, aforizma, Prizmi, Tiranë, 2003.

-Gylen, Fethulah (b): Nga fara te lisi, Prizmi, Tiranë, 2008.

-Instituti i Kulturës Popullore: Fjalë të urta të popullit shqiptar, Botuar nga Akademia e Shkencave e RPSSH, Tiranë 1983.

-Maigret, Eric: Sociologjia e komunikimit dhe e mediave, Botimet “Papirus”, Tiranë 2010.

-Silvestone, Roger: Television and Everyday Life, Routledge, London 1994.

-Wimmes, Roger D., Dominiek Joseph R. Mass Media Research, Wodsmorth Publishing Company, Belmont 1987.

[1] Dervishi, Zyhdi & Kruja, Genti, “Një vështrim sociologjik mbi problemet familjare tek të rinjtë e shkollave të Tiranës”, revista Zani i Naltë, nr. 2, fq. 66-67.

[2] Gylen, “Dashuri dhe tolerancë”, Prizmi, Tiranë, 2004: 279.

[3] Berisha, Dr. Ibrahim, simpozium: “Këndvështrim i diversitetit fetar, kulturor dhe shoqëror në Ballkan nga perspektiva globale”, Tiranë 25-26 Mars 2011.

[4]Irfan Yılmaz dhe al., Yeni Bir Bakış Açısıyla Ilim ve Din, Izmir: Nil Yayınları, 1998:16.

[5] Gylen, F., “Kriteret ose Dritat e Rrugës”, Prizmi, Tiranë, 2003: 151, 152, 158, 160.

[6] “Sizinti”, Tetor, Dhjetor, 1979.

[7] Po aty, 128.

[8]Gylen, “Statuja e Shpirtrave Tanë”, (në turqisht), f. 41; Shih gjithashtu: Can, f. 71-89; Işığın Gőründüğü Ufuk, f. 71; Fasıldan Fasıla, Vol. 3, f. 198-199, 122; www. herkul.org/Kırık Testi/ “Devlet Kutsanmamalı ama…”, 5.09.2004.

[9] Faruki, Ismail, “Islami dhe Krishterimi, Konflikt apo Dialog”, Erasmus, Tiranë, 2009: 48.

[10]Gülen, Çağ ve Nesil, f. 110-114; Buhranlar Anaforunda Insan, f. 101.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme