Cogito, Gaza sum

image 

Sot është e shtunë, 26 korrik 2014. Në sulmin tashmë dyjavor izraelit ndaj palestinezëve në Gaza, deri më sot janë vrarë mbi 800 civilë, ndër të cilët rreth 200 fëmijë, ndërsa ndër 5.000 të plagosurit, po ashtu nja 1.500 janë fëmijë. Po i jap këto shifra pa saktësim, sepse vrasja atje po vazhdon çdo minutë. Madje, edhe në këtë çast. 

Dhe, me gjithë këto të dhëna alarmante, përsëri bota hesht. Heshtin së pari vendet fqinje arabe të Palestinës, që megjithëse notojnë në luksin më të madh të kësaj dynjaje, në këtë rast janë rreshtuar me Izraelin, sepse qenkan kundër Hamasit, të cilin e konsiderojnë pjesë të Vëllazërisë Myslimane. Ani se Izraeli në luftë kundër Hamasit po vret kaq shumë civilë e fëmijë! Po hesht pastaj komuniteti ndërkombëtar, i a.q. demokratik e civilizues, që në emër të civilizimit ka bërë rrëmujë kur dhe ku ia ka dashur qejfi. Kështu SHBA-të mjaftohen me thirrje për armëpushim, OKB-ja reagon me gjysmë goje, por nuk guxon të ndërmarrë asgjë më shumë, BE-ja bëhet sikur nuk dëgjon e nuk sheh, ndërsa NATO-ja, që “i shpëtoi” afganët e irakianët nga “tiranët” e tyre, në raport me Palestinën sikur nuk ekziston fare.  

Megjithëse ne shqiptarët kemi hallet tona dhe ende nuk jemi çliruar nga “izraelitët” tanë, në vend që së paku shpirtërisht e deklarativisht të shprehemi se me kë jemi ne, edhe ne po heshtim. Na është imponuar një bindje se të gjithë ata që e gjykojnë sulmin e Izraelit në Gaza janë antihebrenj dhe, rrjedhimisht, antiamerikanë. S’di kush e instaloi këtë, por kushdo që ta ketë bërë, e ka shumë gabim. 

Pa gjykuar në baza fetare, se ne jemi me shumicë myslimanë dhe se na dhimbsen për këtë arsye, madje as me premisa politike – se prej kujt kemi shpresë më shumë për kauzën tonë në Ballkan, kujtoj se ne shqiptarët duhet të deklarohemi vetëm nga parime njerëzore, thjesht humane, se nuk jemi me agresorin, porse jemi me viktimën. Natyrisht, ne nuk mund të bëjmë asgjë më shumë: as ta ndalim luftën, as të veprojmë diçka në planin diplomatik. Por, të solidarizohesh me Gazën, sot është vetëm humanizëm dhe asgjë tjetër. Të solidarizohesh me prindërit e atyre fëmijëve që i bartin të vdekur në duar fëmijët e tyre, kjo nuk është antiamerikanizëm, po vetëm humanizëm. Ta kundërshton sulmin izraelit në Gaza, kjo nuk është antihebraizëm, por kundërshtim i politikës gjenocidale të shtetit të Izraelit. Ashtu siç na dhimbsen dhe e vuajmë dhimbjen hebraike në Luftën e Dytë Botërore, njësoj duhet ta vuajmë dhe të jemi me ata që sot po e pësojnë njësoj si hebrenjtë atëbotë, por kësaj radhe nga një shtet hebre. Në të vërtetë, tashmë edhe vetë hebrenjtë konservatorë religjiozë janë kundër Izraelit dhe janë bashkuar në favor të kauzës palestineze. Prandaj edhe ne nuk duhet të kemi drojë, as të turpërohemi, por ta themi troç: nuk jemi kundër kombit hebre, por jemi kundër shtetit terrorist të Izraelit. Për arsyet e njëjta që kemi qenë dhe jemi kundër Hitlerit, sot jemi edhe kundër Netanjahut. Për arsyet e njëjta që na mbushen sytë me lot sa herë që e shohim filmin “Pianisti”, po për ato arsye na mbushen sytë me lot kur shohim sot skena të ngjashme edhe në Gaza. Njësoj siç jam ndjerë kur e kam vizituar Qendrën e Holokaustit në Shkup, njësoj ndjehem kur i shoh ato foto e video nga masakrat izraelite në Gaza. Madje, si popull që para pak vitesh e kemi vuajtur një eksod, ndërsa edhe sot vazhdojmë t’i zbulojmë varrezat masive, ne në shenjë solidarizimi duhet të jemi sot me Gazën.   

Megjithëse ka plot arsyetime që duan ta legjitimojnë sulmin izraelit, gjoja si sulm kundër Hamasit, ndërsa në këtë kurth kanë rënë edhe plot shqiptarë – disa këtë e kanë pranuar për arsye kameleoni, pa u marrë me detajet, neve na flasin faktet – janë vrarë më se 200 fëmijë dhe mbi 1.500 të tjerë janë plagosur. Le të jenë ata çfarëdo kombi a feje, për neve janë shpirtra njerëzish, fëmijë, dhe kjo na mjafton që të jemi me ata. 

Pas Luftës së Dytë Botërore në Europë e Amerikë u shpërnda një poezi e Martin Niemöller-it (1892–1984), që kur parafrazohet, i bie se derisa “unë heshtja kur të tjerët i vranë, nuk mbeti kush të më mbrojë mua kur më erdhi rendi”. Prandaj si qenie njerëzore sot duhet të deklarohemi me kë jemi ne. Është kjo si ajo dilema hamletiane “Të rrosh a të mos rrosh”. Me fjalë të tjera, i bie të deklarohesh si ai buburreci në kohën e Ibrahimit/Abrahamit, i cili edhe pse e dinte se nuk mund ta shuajë zjarrin që ishte ndezur për ta djegur Babanë e Monoteizmit, përsëri me kovë në dorë hidhte ujë, së paku për të dëshmuar se në kohën kur ndizej ai zjarr, ai ishte në anën e Ibrahimit/Abrahamit. Për këtë arsye edhe ne sot duhet të deklarohemi se a jemi me ujkun apo jemi me qengjin? A jemi me agresorin apo me viktimën? A jemi me terroristin apo me të terrorizuarin. A jemi me Hitlerin apo me hebrenjtë e Treblinkës? A jemi me vrasësit e Netanjahut apo me fëmijët e civilët palestinezë? Ndonëse kjo nuk çon shumë peshë në peshoren e diplomacisë botërore, madje si shqiptarë diku mund të na bëjë edhe dëm në aspekt politik, përsëri nga aspekti thjesht njerëzor, por edhe nga bindjet intelektuale e qytetare, ne duhet të përcaktohemi haptazi dhe të jemi në anën e atyre që pa të drejtë sot po vriten e po bëhen kurbane. 

Në këtë frymë urtia e njohur e Dekartit “Cogito, ergo sum”, që në zbërthimin filozofik do të thotë se njeriu është qenie inteligjente, që mund të mendojë, prandaj është njeri, ndërsa të menduarit e bën të jetë i ekzistueshëm, kujtoj se kjo më së miri i përshtatet gjendjes së Gazës: Cogito, Gaza sum – Mendoj, pra jam Gaza. E zbërthyer kjo i bie se fakti që mund mendoj, më bën njeri dhe fakti që jam njeri, më bën të jem Gaza. Sepse të jesh njeri nuk mund të mos e përkrahësh sot Gazën. Ndërsa kjo asocon edhe një ekzistencë që kurrë nuk do të shuhet, siç është Gaza. 

Prandaj, le të më quajnë si të duan, por unë jam me Gazën, sepse unë mendoj dhe unë jam njeri. Cogito, Gaza sum!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme