Këto ditë, derisa shumë njerëz ende e festonin Bajramin e Madh, nëpër mediat elektronike u shpërndanë ca foto nga një skenë makabre në Siri, ku një shqiptar nga Kaçaniku ia pret kokën një të riu atje dhe, madje çmendurisht, pozon për Facebook. Natyrisht, nuk reshtën pastaj edhe gjykimet e të gjithë njerëzve të arsyeshëm, se bëhet fjalë për një akt që asnjë fe e asnjë kod tjetër moral nuk e lejon, por edhe se kjo skenë e dëmton rëndë edhe imazhin tonë si shqiptar në botë. Dhe, kur njeriu e pranon këtë si veprim të ligë, e gjykon si veprim çnjerëzor dhe e distancon nga besimi fetar islam – që edhe me robërit e luftës nuk lejon sjellje të këtillë, pastaj si njerëz që nuk duhet të merremi vetëm me pasojat, por para së gjithash me shkaqet, detyrimisht na shtrohen pyetje që si shoqëri duhet t’u përgjigjemi: ku u edukuan ata njerëz që të arrijnë në këtë shkallë?; si u bë që këso njerëz të lindin edhe në ambientin shqiptar?; a kemi të tillë ende që mund të jetojnë dhe veprojnë në qytetet shqiptare?; kush i motivon dhe stimulon këto veprime?; a po përdoren këto veprime për ta satanizuar edhe Islamin, si fe, dhe myslimanët shqiptarë që me shumicë i përkasin këtij besimi?; pse disa media shqipe u japin kaq shumë hapësirë ekstremistëve dhe ekstremizmit, ndërsa janë fare pak të interesuara për promovimin e frymës paqësore?; cili është antipodi i këtij ekstremizmi ndër shqiptarët, që e stimulon këtë veprim ekstrem në Siri, Irak e gjetiu?....Megjithëse hapësira e këtij këndi nuk mjafton për t’u përgjigjur në të gjitha këto pyetje në detaje, së paku shkurtazi do të orvatemi të shpjegojmë se, duke pasur parasysh se shumica e atyre që sot janë në Siri e Irak janë edukuar fetarisht nga teologë shqiptarë, ky veprim është alarm për shtetet shqiptare, Shqipërinë e Kosovën (politikanët shqiptarë në Maqedoni ende nuk ia kanë haberin kësaj pune, ndërsa Bashkësia Islame e Maqedonisë është krejt “out”, sepse ka punë me problemin e ngritur nga Stejt Departamenti rreth keqpërdorimit të vizave të haxhit), që përfundimisht të mos sillen sikur shohin ndonjë film horor, por të merren seriozisht me rregullimin e çështjes së fesë atje. Vërtet shteti shekullar nënkupton që ai të jetë i ndarë nga feja, por kjo nuk nënkupton që nuk duhet t’i organizojë edhe kushtet e përgjithshme për funksionimin dhe mbarëvajtjen e jetës fetare. Prandaj është koha e fundit që ata të mendojnë përtej bindjeve të tyre, që mund të jenë edhe ateiste, por në interes të qytetarëve të tyre. Ta mendojnë seriozisht se cili është interpretimi i fesë te shqiptarët, të krijojnë komisione vendore dhe ndërkombëtare për përgatitjen e silabuseve të medreseve e fakulteteve teologjike, që ato të përkojnë me frymën kulturore, me historinë dhe rrethanat politike të shqiptarëve në Ballkan. Po ashtu urgjentisht duhet të sanksionohet dhe rregullohet edhe predikimi i fesë nëpër xhami e gjetiu, që po ashtu të kihen në konsideratë këto parametra. Në këtë drejtim miratimi i një ligji për çështjet fetare do ta sanksiononte më mirë qëndrimin e shtetit ndaj interpretimeve që mund ta dëmtojnë indin shqiptar. Ndërkaq, kur shpjegojmë se si ndodhi që kaq shumë shqiptarë ranë në grackë të ekstremizmit, do të duhet të themi përsëri se fajin e kanë shtetet. Ndonëse në Maqedoni këtij shteti herë-herë i konvenojnë grupime të tilla (natyrisht, politikanët shqiptarë te ne s’i lënë as të marrin erë në këto tema), Shqipëria e Kosova, si vende që ende nuk e kanë marrë veten, qoftë nga trandja e tranzicionit dhe e ’97-tës, në Shqipëri, ose nga lufta, në Kosovë, do të duhet të jenë më serioze me rininë e tyre. Ajo rini që nuk ka perspektivë punësimi, karriere e arsimimi, shumë lehtë bie në grackën e ekstremizmit. Ndërsa në këtë drejtim ne e dimë se ambienti shqiptar është më shumë se i volitshëm. Një pyetje që po ashtu meriton vëmendje është edhe ajo se kush e motivon ekstremizmin dhe kujt i shërben ky ekstremizëm. Këtu duhet thënë shkoqur se ekstremizmi nuk lind vetvetiu. Shpjegimet sociologjike thonë se ekstremizmi, përveç varfërisë, papunësisë e gjendjes së rënduar sociale, vjen edhe si pasojë e një ekstremizmi tjetër në anën tjetër të polit. Tashmë janë bërë disa vite që shqiptarët myslimanë në mjediset shqiptare sikur janë shpallë “fajtorë” që janë myslimanë. Nuk ka mbetur gazetar, shkrimtar, politikan e, madje, edhe artist, që nuk ka përfituar nga kjo. Të gjithë që donin e që duan të shpallen “shqiptarë të mirë” këtë e bëjnë përmes akuzës se faji i mospërparimit të shoqërive tona qenka përkatësia jonë islame etj. Këto elemente irritimi kanë ardhur gjithnjë duke u rritur dhe kështu e kanë fuqizuar polarizimin ndërfetar te shqiptarët. Fjala bie, edhe Prishtina edhe Tirana nuk përtojnë të ndërtojnë kisha e katedrale të mëdha në qendër të tyre, ndërsa kur vjen puna e xhamisë, aq shumë hezitojnë, aq shumë “probleme dokumentacioni” dalin, edhe pse Tirana dhe Prishtina janë qytete me shumicë absolute myslimane. Krejt kjo u ka dhënë forcave ekstremiste në anën tjetër, që duke krijuar dhe ushqyer një bindje se “elitat tona janë antiislame”, ka mundësuar mobilizimin e tyre karshi tyre. Shto këtu edhe mediat, sidomos ato elektronike, që thuaja çdo ditë i frikësojnë njerëzit nga “gogoli me mjekër”, që postojnë video të ndonjë hoxhe provincial që jep fetfa pa lidhje, duke e satanizuar kështu fenë – se ky është Islami, ka bërë që ekstremistët të trimërohen për ta mbrojtur “dinin e Allahut”. A thua si u bë që nëpër media nuk gjenden askund mbi 90 për qind e hoxhallarëve joesktremistë, paqësorë, të kulturuar, atdhetarë etj., ndërsa kaq shpejt e shpesh kemi paraqitje të hoxhallarëve përmes të cilëve synohet të aludohet në rrezikun nga Islami, kemi kaq shpesh njerëz që paskan qëndrim ndryshe për disa figure historike shqiptare etj.?! Vërtet për t’u habitur, apo?!Në shoqëri serioze dhe shtete serioze do të duhej që shteti, shoqëria dhe, veçmas, mediat të kenë kujdes për fjalën publike. Ata duhet ta dinë se fjala në publik ka peshë dhe se ajo e përcakton orientimin e shoqërisë. Në këtë mënyrë, nëse ato u japin aq shumë hapësirë ekstremistëve, t’i quajmë antimyslimanë ose shekullaristë agresivë, që atë qëndrim akuzues ndaj islamit e myslimanëve e shesin në emër të shqiptarisë, do të duhet ta dinë mirë se ashtu më së paku i kanë shërbyer shqiptarisë. Ata duhet ta mbajnë mend se ekstremizmi gjithnjë prodhon ekstremizëm. Sepse, ashtu vetëm e kanë ushqyer ekstremizmin mysliman, që sot po shfaqet në pamje makabre. Dhe, kur pastaj të na vijë fenomeni i djaloshit nga Kaçaniku, le të mos qajnë si gra për atë që e kanë humbur si burra. Menaxhimi me institucionet është punë më serioze seç e kanë kuptuar disa shqiptarë dhe fjala në publik është punë edhe më serioze seç e kanë kuptuar disa gazetarë, shkrimtarë e studiues shqiptarë.