
Të gjithë ata që vrasin civilë të pafajshëm bien ndesh me mësimet islame. Sipas Islamit, joluftëtarët, gratë, fëmijët, pleqtë, priftërinjtë dhe kishat janë të mbrojtura dhe luftimi destruktiv ekonomik, nuk lejohet. Enesi ka transmetuar se i Dërguari i Zotit, Muhammedi a.s. ka thënë:
“Shko në emër të Allahut, duke besuar në Allahun dhe duke ndjekur fenë e të Dërguarit të Allahut. Mos vrit ndonjë plak në moshë të shtyrë, ose fëmijë të vogël, ose grua...bëj gjëra të drejta dhe vepro mirë, ngase Allahu i Madhërishëm i do ata që veprojnë mirë.” Transmeton Ebu Davudi.
Islami e mbron nderin dhe dinjitetin e njeriut, madje ai këtë e ka ngritur deri në shkallën e shenjtërisë. Abdullah ibn Umeri një ditë, deri sa po e shikonte Qabenë, tha: “Sa e madhëruar je dhe sa e madhëruar që është shenjtëria jote, mirëpo besimtari është më i shenjtë se ti!”
Muhammedi a.s., pak para se të vdiste, në haxhin lamtumirës në kodrën e Arafatit, para më shumë se njëqind mijë besimtarëve, në vendin, muajin dhe ditën e shenjtë, i tha këto fjalë:
“Pasuria juaj, nderi juaj dhe gjaku juaj, janë të shenjta si shenjtëria e kësaj dite, në këtë muaj dhe në këtë vend.”(transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Përbindëshi i ashtuquajtur “Shteti Islamik”
Grupi, që e quan veten “Shteti Islamik”, kur hyn në një qytet iu ofron banorëve të qytetit që të pranojnë autoritetin e halifit të vetëshpallur. Nëse e pranojnë autoritetin e tij, atëherë ata duhet t’i binden, që do të thotë se duhet t’i përgjigjen thirrjes së tij për xhihad! Nëse ndodh që të refuzojnë dhe të mos shprehin bindje (beja-zotim) dhe qyteti pushtohet me forcë, atëherë djemtë e rinj mund të vriten, kurse gratë dhe fëmijët shiten si skllevër. Përveç nëse komandantët lokalë ose halifi vendos që t’ua kursejë jetën dhe t’i lërë që të largohen, pa pronat e tyre, jashtë territorit që ata kanë nën kontroll.
Ata shënojnë dyer e të krishterëve me shkronjën n (nasrani-i krishterë). Ky veprim rievokuon yllin me të cilin shënoheshin hebrenjtë nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore.
Shteti Islamik i Irakut dhe i Sirisë ISIS është një organizatë paraushtarake që me agresivitetin e saj po mbjell makth dhe tmerr tek njerëzit e pafajshëm në Irak. Sipas disa analistëve ata janë formacion i agjencive të huaja. Sipas disave të Iranit, sipas disa të tjerëve të Arabisë Saudisë dhe sipas Edward Snowden, një ish-punonjës i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së SHBA-së (NSA), ata janë produkt i agjencive sekrete të Izraelit, SHBA-së dhe Britanisë. Udhëheqësi i ISIS-it, Ebu Beker El Bagdadi, i cili kohët e fundit e ka shpallur veten si halif i muslimanëve, sipas Snowden, ka marrë trajnim ushtarak nga agjencitë e këtyre tri vendeve. Të vërtetën rreth këtij formacioni duhet t’ia lëmë kohës.
Brutaliteti dhe egërsia që ushtron ky përbindësh, i vetëquajtur më parë si Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit (ISIL), kurse tani si Shteti Islamik (IS), jo vetëm ndaj minoriteteve irakiane dhe siriane nga radha e të krishterëve arabë dhe jezidijëve, por edhe ndaj kurdëve dhe fiseve arabe sunnite që refuzojnë t’u binden apo nënshtrohen atyre, të ngjeth mishin dhe ka rrezik të lërë një njollë në historinë e Islamit të pastër, në emër të cilit ata thirren padrejtësisht.
Interpretimi i tyre i teksteve islame është i ngushtë dhe i obligueshëm për të gjithë dhe çdo person apo interpretim tjetër ose kundër ka vetëm një rrugë, të zhduket.
Këto ditë kur Izraeli ka kryer krime të rënda ndaj popullatës së pafajshme palestineze, muslimanët kanë admiruar ata hebrenj të Naturei Karta-s që kanë protestuar kundër dhunës dhe veprimeve barbare të Izraelit. Para disa viteve, shumë qytetarë në qytete evropiane, kishin protestuar kundër qeverive të tyre, kur ato kishin filluar sulmin në Irak.
Sulmi i shteteve perëndimore kundër Irakut, përveç fatkeqësive dhe pasojave katastrofike përmes vrasjeve dhe marrjes së jetës së një numri shumë të madh civilësh irakianë, do të rezultonte me shkatërrimin e vendit dhe, gjatë kohëve të fundit, me daljen në skenë edhe të organizatës terroriste ISIL. Ajo që po ndodh sot në Irak është pasojë e një lufte që e kanë quajtur të gabuar vetë amerikanët.
Qytetarët evropianë, që ishin kundër ndërhyrjes ushtarake në Irak, kishin dalë me thirrjen “jo në emrin tonë”. Sot ne do të duhej të shihnim reagime masive përgjatë rrugëve të botës muslimane, që do duhej të thërrisnin “ISIL jo në emër të Islamit”. Por kjo gjë nuk po ngjet sa dhe si duhet.
Ka kohë që një numër jo i vogël i autoriteteve muslimane fetare dhe i intelektualëve po heshtin çuditërisht. Muslimanët, njashtu sikurse u ngritën kundër dhunës dhe terrorit izraelit ndaj popullatës palestineze, do duhej të ngriheshin në mbrojtje të krishterëve dhe jezidijëve në Irak, fëmijët e të cilëve shiten si skllevër, kurse vetë ata dëbohen nga vatrat e tyre në të cilën kanë jetuar që nga koha e hershme islame.
Ata kishin jetuar nën sundimin e halifëve të drejtë, shokëve të Pejgamberit a.s., deri tek ata osmanë, por nuk ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe as fëmijët e tyre nuk ishin shitur si skllevër. Sigurisht se këta halifë ishin muslimanë shumë më të mirë se Ebu Beker El Bagdadi, i vetëshpallur “halif i drejtë”. Shumë analistë vlerësojnë se është e tmerrshme dhe heshtja dhe indiferenca e atyre që kanë ndihmuar në formimin e një formacioni të tillë.
Kush është përgjegjës për atë që po ndodh në Irak dhe Siri?
Formacioni “Shteti Islamik” nuk do të ekzistonte nëse do të intervenohej me kohë në Siri, para së gjithash, nëse shtetet regjionale nuk do ta përçanin opozitën siriane për qëllimet dhe interesat e tyre. Kjo situatë nuk do të ekzistonte sikur Siria të mos bëhej poligon i përplasjes për dominim mes Rusisë dhe Perëndimit.
Tashmë Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë (ISIS) dhe krahu zyrtar i Al Kaidës në Siri: “Xhebhetu El Nusra” janë shpallur organizata terroriste, ndërkaq Ushtria Çlirimtare e Sirisë (FSA) ka mbetur nën hije dhe e lënë pas dore nga Perëndimi, që e kishte mbështetur në fillim.
Shkatërrimi i shtetit të Irakut dhe institucioneve të tij ka qenë me pasoja të pariparueshme për të gjithë.Shpërbërja e ushtrisë irakiane dhe lënia e Irakut në duart e paramilitarëve shiitë ka rezultuar në dhunë të ushtruar prej tyre, që me çdo formë dhe mjet janë munduar për ta shtypur kryengritjen sunite kundër qeverisë qendrore në Irak. Mbështetja e këtyre paramilitarëve nga Irani, nga regjimi i Basharit, nga Hizbullahi i Libanit dhe disa shtete perëndimore ka mundësuar dominimin e vazhdueshëm shiit, në dëm të sunive, që nga rënia e Sadamit. Prandaj, tërheqja nga Iraku, pa i zgjidhur problemet e tij, ka qenë një taktikë e gabuar që ka mundësuar daljen dhe formimin e militantëve radikalë të “Shtetit Islamik”.
Si të veprohet me ISIS-in?
Vetëm sulmi formal amerikan, me disa projektilë mbi caqe të caktuara të grupit të Shtetit Islamik, mund ta forcojë pozitën e tyre, sepse ndjenja antiamerikane është shumë e pranishme në të gjithë botën arabe. Nëse nuk do të ketë veprim sistematik ushtarak me aleatët seriozë në terren, dhe jo vetëm nga radhët e kurdëve dhe shiitëve të Irakut, por para së gjithash nga fiset sunite, të cilat do të zëvendësojnë trupat tokësore amerikane, sulmet ajrore nuk mund të kenë një ndikim serioz.
Shtetet muslimane nuk duhet të vëzhgojnë por duhet të marrin pjesë aktive dhe të mos lejojnë krimet monstruoze të këtyre militantëve që thirren në Islam. Por, gjithashtu nuk duhet të lejohen as krimet e paramilitarëve shiitë kundër popullatës sunite.
Prandaj, çelësi për të zgjidhur nyjën gordiane në Bagdad, është që të formohet një qeveri e përbashkët, që do të përfshinte edhe sunitët dhe kurdët e Irakut, të cilët përsëri do të merrnin kontrollin e ushtrisë irakiane, duke e shndërruar nga një ushtri sektare në një ushtri kombëtare. Amerikanët me armatosjen e forcave kurde kundër ISIS mbase nuk do të kundërshtojnë edhe shpalljen e pavarësisë së Kurdistanit!