Po bisedoja një ditë me një mik për arsimin modern dhe rolin e tij të mbrapshtë në makinizimin e njeriut, për shndërrimin e njeriut në një pjesë mekanike të botës, për pashpirtmërinë që sjell ky lloj arsimi, për atë se çfarë studion shkenca dhe çfarë dije promovon shkolla, të vërtetën absolute apo të vërtetën empirike, gjithë kjo duke u bazuar në kritikat që së fundi ndeshen në literaturën botërore në lidhje me këtë temë. Prof. Nasri dhe prof. Chittick-u nga SHBA-të janë dy partizanë të flaktë për kthimin e arsimit në binarë të humanes, të njerëzores, të lumturisë njerëzore e kështu me radhë. Dhe, natyrisht, këto debate, përveç kënaqësisë, ta krijojnë edhe ndjesinë e keqardhjes për katandinë ku futet njerëzimi përmes një arsimi të planifikuar mirë për t'u shërbyer ideologjive, shteteve, diktaturave etj. Megjithëse ky lloj i debatit do të vlente edhe për ambientin tonë, sigurisht më i rëndësishëm se ky tashmë është bërë veprimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama. Ai para do ditëve vendosi të mbyllë disa universitete në Shqipëri dhe shumë të tjera të pezullojë. Është ky hapi më radikal në aspekt të arsimit, që ka marrë dikush në cilëndo periudhë të shtetit shqiptar. Dhe, ndonëse pati kritika të shumta, që nga ato se ka qenë subjektiv në listën e përzgjedhur, e deri te ato se këtë e ka bërë për të përfituar pikë si "politikan i kthesave të mëdha", që kujtoj se ka hapësirë të diskutohet, ajo që duhet të përshëndetet nga secili shqiptar është se përfundimisht një politikan shqiptar ka marrë guximin ta ndalë kontrabandën në arsim. Siç e dimë, që nga privatizimi i arsimit të lartë, në shumë raste ai u bë një formë legale e shitjes së diplomave. Dhe, kështu si kërpudhat pas shiut, na mbinë mijëra shqiptarë të diplomuar anekënd trojeve tona, madje - që ishte më e keqja - përmes kësaj rruge thuaja çdo të dytën ditë në lagjen tonë ngrihej nga gjumi një doktor shkence. Se cila do të jetë rrjedha e këtij veprimi në Shqipëri, sa do ta kthjellojë ai mendjen shqiptare që ta kuptojë më seriozisht arsimin, këtë pritet ta shohim në kohën që vijon, ndërsa ajo që në këtë rast na lindi si temë është se si qëndrojmë ne shqiptarët e Maqedonisë në këtë drejtim. Ashtu si dihet, pas mbylljes së Universitetit të Prishtinës, në mungesë të një universiteti shqiptar ose, duke pasur një universitet në Tetovë me shumë pikëpyetje për zyrtarizmin e tij, shumë shqiptarë ia mësyn Shqipërisë dhe shumica e tyre sot janë intelektualë të vendit tonë. S'do mend se në mesin e tyre ka mjaft të mirë, veçmas disa gazetarë, por edhe mjekë e të tjerë, pra nuk dua të bëj asnjë përgjithësim, por e vërteta është se pastaj aq shumë u devalvua kjo punë, sa të krijohet përshtypja se nuk mbeti çoban pa u bërë doktor shkence. Filluam të habitemi kur shihnim dikë, për të cilin e kishim ditur se nuk e ka tetëvjeçaren e plotë, i cili sapo kishte doktoruar dhe shfaqte ambicie për punë në universitet. Duke pasur plot sosh në mjedisin tonë dhe duke e shfrytëzuar mekanizmin e politikës, e sidomos atë të luftës së vitit 2001, një ditë u gdhimë me aq shumë doktorë shkencash, sa asnjë universitet nuk ishte në gjendje t'i përfshijë në procesin mësimor. Por, "për fat të mirë", te ne ka shpesh zgjedhje dhe ata gjenden disi që "ta fusin një këmbë brenda". E përsëris edhe një herë se nuk jam tifoz i përgjithësimeve, por nëse dëshironi ta verifikoni këtë e keni fare lehtë - merrni lexoni diçka nga këta "doktorë shkencash" dhe do të pajtoheni katërçipërisht. Një "doktor shkence" që mban mësim në një universitet te ne vjedh tekste nëpër internet dhe ato pastaj me mburrje i boton si tekste të tij autoriale dhe nuk e di i shkreti se motori Google e zbulon fare lehtë mendjelehtësinë e tij. Një tjetër e përkthen keq një libër nga serbishtja e maqedonishtja dhe e shpall libër të vetin dhe i detyron studentët ta blejnë me çmim shumë të lartë, se ndryshe nuk marrin notë kaluese dhe nuk bëhen "shkencëtarë" si ai, ndërsa i mjeri nuk e di se përmes forenzikës së gjuhës shumë lehtë verifikohet autorësia e librit. E të mos flasim për nivelin gjuhësor të këtyre teksteve, që është për t'u vajtuar me gra Zajazi. Një tjetër ditën kur fillon të mbajë mësim në universitet fillon të kërkojë libër për atë lëndë, sepse nuk ia ka hiç idenë asaj lënde. Megjithatë, shumë nga këta, për shkak të parave që i kanë, kanë mundësi të vishen bukur, të krijojnë një look të këndshëm, të mbajnë syze dhe të duken tamam intelektualë dhe si të tillë t'i shiten opinionit si shkencëtarë, analistë, studiues etj. Dhe, këtë jua them me plot bindje. Kur të keni mundësi të bashkëpunoni me ata, përveç neverisë, do t'u vije keq prej studentëve të tyre se çfarë gjurme janë të detyruar të ndjekin. E, gjurmët - për fat - i shohim tashmë. Shumë sosh janë bërë mësues e arsimtarë të shkollave tona dhe pesë pare nuk i japin. Ani se fëmija shqiptar i joni vjen në fakultet pa njohuri elementare leximi, ani se fëmija shqiptar i joni nuk mësohet kurrë të shkruajë si duhet, ani se fëmija jonë shqiptar gjatë gjithë shkollimit nuk lexon asnjë libër! Me rëndësi është diploma. Dhe, kur jemi te diplomat, për fat të keq, edhe në Maqedoni disa universitete janë bërë gati kioskë për shitje diplomash. Megjithëse këtë e bëjnë në mënyrë të sofistikuar dhe, që t'i mbulojnë gjurmët dhe ta mbrojnë veten, diplomat e para ua japin hedie politikanëve në pushtet, i bëjnë doktorë ata, e pastaj janë rehat. Në kohën kur shqiptari i Maqedonisë ka nevojë për një arsim që do ta bëjë konkurrentë me moshatarët e tij në Maqedoni dhe më gjerë, në kohën kur shqiptari i Maqedonisë ka nevojë për sistem arsimor që e fuqizon edukatën dhe shkathtësitë jetësore për të riun shqiptar, në kohën kur shqiptari i Maqedonisë ka nevojë për dituri, e jo për diplomë, në kohën kur shqiptari i Maqedonisë ka nevojë që përmes arsimit ta projektojë të ardhmen e tij, e jo të mendojë për kontranbandimin e tij në shoqëri përmes ndonjë partie, në kohën kur shqiptari i Maqedonisë ka nevojë ta shqyrtojë dëmin e dobinë e arsimit modern, ne e kemi një arsim që - duam ta pranojmë ose jo - është një proces që na prodhon plot bilmeza, plot injorantë, plot analfabetë, plot e plot, dhe të gjithë ata na i fut në skenë, qoftë si politikanë, qoftë si profesorë, administratorë etj., ndërsa ne si shoqëri heshtim dhe pajtohemi kaq lehtë me këtë katandi. Prandaj kujtoj se, megjithëse është vështirë, ne kemi nevojë mbase më shumë se Shqipëria për një veprim edhe më radikal në fushën e arsimit. Ne duhet të gjejmë mekanizma që ta zbulojmë sa më shpejt këtë kancer në trupin tonë, ta detektojmë ku gjendet dhe ta heqim nga trupi. Se ndryshe rrezikojmë që gjithë trupi të infektohet dhe të vdesë. Natyrisht, kjo nuk bëhet pikërisht me njerëz që janë ndër blerësit e shitësit më të njohur të këtyre diplomave, disa nga të cilët sot e kanë zaptuar skenën tonë politike e arsimore. Për këtë kujtoj se mbase edhe neve na duhet një Edi Ramë. E për diskutimet për dëmin e arsimit modern, për ne ka kohë. Të mësohemi një herë të lexojmë e të shkruajmë mirë!