
1. “Kënga e Jemenit” është një këngë që sot sigurisht pak të rinj e dinë dhe e kanë dëgjuar, ndërsa aq më pak ia dinë historinë asaj. Ndërkaq, ata që e dinë historinë e përmbajtjes së saj, nuk ka mundësi ta dëgjojnë e mos të mallëngjehen. Ajo është një baladë që një ushtar shqiptar në formë vajtimi ia drejton nënës së tij nga Jemeni, ku kishte qenë i mobilizuar nga ushtria e rregullt osmane në shek. XIX për ta shuar një kryengritje. Ajo këngë rrëfen dhimbjen e shumë shqiptarëve që shkonin e nuk ktheheshin më ose që ktheheshin pleq, siç kemi plot rrëfime nëpër ambientet tona. E ngjashme me të është edhe kënga “Vijnë vaporet bregut detit”, ku po ashtu të rinjtë shqiptarë qajnë se nuset e tyre mbase nuk do t’i presin pas shtatë vjetëve.
2. Në fillim të shek. XX, më saktë në vitet 1914-1918, u zhvillua Lufta e Parë Botërore, ku Perandoria Osmane ishte në anën e Gjermanisë. Kjo ishte arsyeja që ushtritë aleate të Francës, Anglisë, por edhe Rusisë, t’ia mësyjnë shtetit osman, i cili – po të mos ishte rezistenca që e organizoi Mustafa Kemal Ataturku – sot do të ishte një shtet i vockël në Azi të Vogël. Ndërkaq, ndër betejat më të lavdishme të kësaj rezistence ishte ajo që u zhvillua në zonën e Çanakalasë. Aty thuhet të kenë vdekur më shumë se 200 mijë ushtarë.
Dhe, sot kur e viziton qendrën memoriale në Çanakala, sheh se ndër emrat e të rënëve aty, ka plot shqiptarë nga Shkupi, Tetova, Prizreni, Shkodra, Prishtina etj. E pastaj të vjen ndër mend “Kënga e Çanakalasë”, që po ashtu flet për një dhimbje të një ushtari të ri, i cili shkon në luftë dhe “ende pa i dalë shpirti kërkon varrin”. Ndërsa në Çanakala nuk ka asnjë varr, sepse gjithë ai truall është varrezë. Dallimi mes pjesëmarrjes në Jemen dhe në Çanakala ishte se në këtë të fundit shqiptarët morën pjesë vullnetarisht. Ajo që i dallon shqiptarët e Jemenit nga këta të Çanakalasë është edhe ajo se këta të fundit iu përgjigjën thirrjes për luftë të shenjtë (xhihad), duke besuar se aty po mbrohej kalifati. Natyrisht, ata nuk kishin informacion të saktë se Perandoria tashmë kishte përfunduar, se Sulltani kishte mbetur një relikt që rrinte në Stamboll, se po ndërtohej një shtet i ri kombëtar turk dhe nuk kishin informacion se cila ishte dobia shqiptare e pjesëmarrjes në atë kasaphane. Ndërkohë, derisa në trojet shqiptare ushtritë ballkanike greke, serbe dhe bullgare po bënin kërdinë, shqiptarët bërtisnin “Allahu ekber!” në Çanakala.
3. Këto ditë është bërë krejt normale që thuaja secilën javë të marrim një lajm se ndonjë i ri shqiptar ka rënë në frontin e Sirisë ose të Irakut në një luftë të “secilit kundër secilit”, edhe ai i motivuar nga thirrja për luftë të shenjtë dhe nga interpretimi i kësaj thirrje nga ndonjë hoxhë xhahil shqiptar në trojet tona. Për fat, deri tash nuk kemi ndonjë këngë që ta përcjellë këtë dhimbje të nënave shqiptare, që ashtu si dikur nga Jemeni, pastaj nga Çanakalaja, më vonë edhe nga Jugosllavia e Titos, e tash nga Siria e Iraku, marrin lajmin se djali i tyre është vrarë. Ndonëse ka dallim ndërmjet pjesëmarrjes në Jemen dhe në Jugosllavi, që ishin ushtri të rregullta, dhe pjesëmarrjes në Çanakala e Siri, që janë pjesëmarrje vullnetare, dhimbja e nënës gjithnjë është e njëjtë. Nëna vajton njësoj, nëna dashuron njësoj.
4. Kur i kundron njeriu këto gjëra, ndonëse shikuar në kontekstin e tyre mund të duken edhe të arsyeshme, siç duket beteja në Çanakala, kujtoj se e përbashkëta e tyre është mungesa e informacionit. Ose, thënë ndryshe, manipulimi dhe indoktrinimi i të rinjve, duke i motivuar të marrin pjesë në fronte të këtilla. Derisa shqiptarët që iu përgjigjën kushtrimit për luftë të shenjtë në Çanakala edhe mund të arsyetohen, sepse ishte një botë me analfabetizëm thuaja të plotë, me informacione aq të pakta dhe aq vështirë të përcjella, është krejt e pajustifikueshme që në këtë kohë të zhvillimit marramendës të shkencës, teknologjisë, por edhe të teologjisë, të rinjtë tanë ende të manipulohen kaq lehtë.
Shqiptarët edhe në Çanakala nuk do të shkonin nëse do ta dinin se lufta e shenjtë ose xhihadi (në kuptimin etimologjik – përpjekja për avancimin e të mirës) për ta ishte në trojet e tyre për ta mbrojtur pragun e shtëpisë dhe familjet shqiptare nga ushtritë ballkanike, po as në Siri e Irak sot nuk do të shkonin derisa lufta e shenjtë, pra përpjekja jonë, për më shumë liri, për më shumë barazi, për më shumë drejtësi, për më shumë mirëqenie sociale, arsimore, shkencore, kulturore, urbane, sportive, është pikërisht në shtëpitë tona. Derisa ne si komb jemi në një luftë të papërfunduar me Serbinë dhe ajo akoma nuk ka hequr dorë nga gllabërimi i trojeve tona, derisa ne kemi territore ende të pushtuara nga Greqia në Çamëri, derisa ne jetojmë në këso padrejtësie në Maqedoni, derisa ne jetojmë në këso kushte të tmerrshme në lagjet tona dhe fëmijët tanë edukohen ashtu siç nuk duhet, përpjekja më e madhe është pikërisht në shtëpi. Ashtu siç ka thënë edhe Profeti Muhamed kur u kthye nga një luftë se “Po kthehemi nga beteja e vogël në një betejë të madhe”. Por, gjithnjë gjendet një hoxhë xhahil që përpjekjes së vogël i jep përparësi para përpjekjes së madhe, e i cili në fakt nuk e ka kuptuar as të voglën e as të madhen, por e ka përpunuar mirë teknikën e manipulimit për t’i bindur të rinjtë tanë se rënia në “tokën e Shamit” qenka shteg për të kaluar në xhenet.
5. Filozofi serb Gjuro Shushniq në një libër të botuar qysh në Jugosllavi me titull “Peshkatarët e shpirtrave njerëzorë” (që së shpejti do të botohet edhe në gjuhën shqipe) flet pikërisht për atë se si manipulohen masat, si indoktrinohen njerëzit me ideologji dhe pastaj mobilizohen për ndërmarrje edhe luftarake. Dhe, kur e lexon atë libër, ke përshtypjen se ai po flet për disa njerëz të lagjeve shqiptare, që rekrutojnë të rinj për të dërguar nëpër beteja të ndryshme nëpër botë.
Megjithëse ka një shekull ndërmjet, për fat të keq ne shumë pak kemi ndryshuar.