Gjurmë shkrimesh dhe gjurmime ndodhish

image

 

Falja dhe ritualet e tjera të Bajramit kaluan disi përzishëm

Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit ummeti mysliman ishte përgjakur e fyer rëndë kudo. Në fillim të Ramazanit shumë shqiptarë dolën në demonstrata politike në rrugët e Shkupit kundër monstruozitetit politik të procesit gjyqësor “Monstra” dhe për të shprehur zemërimin e tyre për keqtrajtimin e përhershëm kombëtar e fetar në FYROM. Besimtarët myslimanë mbanin në duar edhe pankarta me ajete kuranore. Me thirrjet “Allahu Ekber” ata shprehnin dëshpërim që shpresa u kishte mbetur te Zoti për të dalë nga gjendja e tyre e rëndë, që e krahasonin me atë të palestinezëve në trojet e pushtuara nga Izraeli. Sot për sot shqiptarët në FYROM nuk e pësojnë si palestinezët në Gaza, por trajtimi i tyre në përgjithësi nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga ai që u bëhet palestinezëve në Bregun Perëndimor të lumit Jordan. Ditën e Fitër Bajramit bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë u mbush si asnjëherë tjetër me besimtarë që faleshin mbi pluhurin e rrugës. Thirrja “Allahu Ekber” ishte gjithashtu lutje dhe protestë, sepse myslimanizmi në Shqipëri nuk po trajtohet me të njëjtën vëmendje si besimet e tjera. Për një çerek shekulli autoritetet shtetërore shpërfillin të drejtën e kërkesën e myslimanëve për ngritjen e xhamisë së madhe të domosdoshme në Tiranë, ndërsa katedralet katolike dhe ortodokse janë ngritur prej kohësh edhe pse asnjëherë nuk mbushen me njerëz që luten. Pak para fillimit të Ramazanit pushtetarë e politikanë të lartë të Shqipërisë nderuan me përulësi “ceremonitë e bekimit” të katedrales ortodokse, që i organizonte greku Janullatos, ndonëse ato ceremoni u kthyen në provokime të rënda antishqiptare nga primati i Kishës Serbe, i ftuar dhe i ardhur enkas për këtë qëllim. Pa u shuar zhurma për këtë ngjarje, nisi buja përgatitore për vizitën e Papës, të planifikuar për në muajin shtator.

Klerikët e huaj (madje edhe ata antishqiptarë) nderohen, hafizët shqiptarë që e kanë shkrirë myslimanizmin me nacionalizmin harrohen. Në shkrimin tim në “Shenja” (muaji gusht) parashtrova pikëpamjen se thirrjet “Allahu Ekber” dhe disa simbole fetare që u shfaqën në mitingun e Shkupit nuk duheshin vështruar si negative e dëmprurëse për çështjen tonë kombëtare. Shqiptarët e kanë detyrim kombëtar e fetar ta mbrojnë identitetin e tyre të plotë, siç u krijua historikisht, si “komb me shumicë myslimane në Europë” (Nathalie Clayer “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”, Tiranë, 2009). Mirëpo, këtë tipar identitar me shumë vlerë përpiqen ta zhvleftësojnë disa intelektualë të çoroditur e politikanë batakçinj shqiptarë, që mbyllin sytë para faktit se çdo komb e shtet në Perëndim e në Lindje përpiqet që identitetin ta mbështesë sa më fort mbi një besim fetar të vetëm ose mbi atë të shumicës së popullsisë. Këta batakçinj intelektualë e politikë përpiqen të fshehin para botës realitetet fetare të kombit, hiqen të turpëruar e të pafat që shumica e shqiptarëve janë myslimanë. Ata sajojnë e nxisin kundërvënie armiqësore midis nacionalizmit shqiptar dhe myslimanizmit. Kjo dukuri e keqe u vu re edhe në një sërë deklaratash politike e shkrimesh publicistike pas ngjarjeve në Shkup në fillim të Ramazanit. Për fat të keq edhe intelektualë që kanë mbrojtur vlerat kombëtare në fushat e historisë, kulturës, gjuhës e traditave, lëshuan e përqafuan tezën e gabuar se “shqiptarët në Maqedoni po sulmohen vetëm për përkatësinë e tyre etnike dhe nuk u keqtrajtokan e fyekan për shkak se ndjekin besimin islam. Edhe në këtë rast të vërtetën e mbrojti më mirë një rumune me origjinë shqiptare, znj. Mona Agrigoraoiei, që ndjek me mjaft kujdes zhvillimet rreth çështjes kombëtare shqiptare dhe mbështet nacionalizmin shqiptar. Ajo demaskoi “një zë serb në publicistikën shqiptare”, shkrim me titull provokues “Gabimi strategjik i protestave shqiptare në Mqedoni dhe si duhet ndrequr”, i botuar në një gazetë shqiptare, ku u kërkohej demonstruesve në Shkup të shtronin kurrizin para dhunës e të mos i nxirrnin telashe FYROM-it, sepse kështu qenka strategjia e Perëndimit.  

Përpjekjet për t’i vendosur në raporte përjashtuese patriotizmin e nacionalizmin shqiptar me lidhjet shpirtërore islame janë të hershme. Është një debat që tashmë duhej të quhej i mbyllur, pasi këto probleme i kanë ndriçuar plotësisht, drejt e me kohë nga ana teorike politike e teologjike, hafizë mendjendritur e luftëtarë të shquar për lirinë e pavarësinë e atdheut, si Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Ali Kraja. Në poezinë e mrekullueshme “Myslimanizma e nacionalizma” (1923) Hafiz Ali Korça qortonte fort si ata që nacionalizmin nuk e gjykonin mirë, duke u nisur nga fanatizmi fetar dhe ata që i quanin atdhetarë shqiptarë vetëm nacionalistët dhe përjashtonin fetarët. Hafizi theksonte se “I madhi Pejgameri, Nur i gjithësisë/ Nder të madh e njihte kombësinë e vet/ Që këtë e thotë dhe Kurani vetë”. Mendimin e tij Hafizi e gdhendte në vargjet: “Nasijonalist jamë, po fetar si duhet/. Le të thonë bota si u thuhet”. “Patriotizma në Tiranë” është vepër e mirëfilltë politike me shumë përmbajtje e Hafiz Ibrahim Dalliut, të cilën ai e shkroi për të kundërshtuar shpotitë e Mit’hat Frashërit se tiranasit nuk ishin atdhetarë, meqenëse i pengonte fanatizmi fetar mysliman. Në studimin mbi mendimin e Hafiz Ali Krajës “A duhet feja. A e pengon bashkimin kombëtar”, (Shkup 1999) Ismail Bardhi ka dhënë përcaktimin e qartë se: “Religjioni nuk mund ta zëvendësojë kombin, por as kombi nuk mund ta zëvendësojë religjionin. Heqja dorë nga religjioni në emër të kombit do të ishte dalje nga horizonti historik dhe ai aktual religjioz e kulturor fetar-islam. Por edhe heqja dorë nga kombi në emër të religjionit…do të thoshte dalje nga bota reale në botën e utopisë”. Të dyja këto prirje të dëmshme janë ende të pranishme. Në të dyja vihet re kufizimi dhe prapambetja e mendimit intelektual. Imam Vehbi Ismaili e ka zgjidhur fare lehtë nyjën kur e ka cilësuar Hafiz Ali Korçën: “njeri idealist si në pikëpamje fetare, ashtu dhe kombëtare, i cili gjithmonë ka vënë përpara interesat kombëtare e fetare mbi ato të vetat personale” (Parathënie e librit “Hafiz Ali Korça”, SHBA, 1995).

 

Liria dhe demokracia, ëndërr edhe për popujt jomyslimanë 

Në një nga fjalimet e fundit presidenti i SHBA-së, Obama, shpalli se “të gjithë njerëzit duhet të jenë të lirë”. Edhe Franklin Ruzvelti më 6 janar 1941 shpalli katër liri: liria e mendimit, liria e fesë, liria ekonomike dhe liria nga frika… Kjo afirmon filozofinë sipas së cilës njeriu, pra individi, del në plan të parë si subjekt i lirë që mund të mendojë e të veprojë sipas bindjeve të veta, pa frikën se ato do të inkriminohen dhe do të demaskohen” (Milazim Krasniqi, “Fjala” nr. 9/1990). Do të ishte një zhvillim fatlum për njerëzimin sikur fjalët e presidentit famëmadh amerikan më 1941 “Freedom from Fear” të ishin bërë sot realitet. Në kohën kur në Kosovën e robëruar citoheshin me shumë shpresë këto, në vendin e Statujës së Lirisë dilte në qarkullin vëllimi i parë i veprës së Orlando Patersonit “Freedom in the Making of Western Culture” (Liria në zhvillimin e kulturës perëndimore), të cilën botuesit ia rekalmonin lexuesit kështu: … (është) një qëmtim i fillesave dhe i zhvillimit të vlerave më të çmuara në qytetërimin perëndimor. Ky libër vjen pikërisht në çastin kur shembja e komunizmit në Lindje është bërë nxitje për të rishqyrtuar kuptimin e lirisë. Pse dhe si liria e pati zanafillën në Perëndim?. Pse vetëm në Perëndim? Dhe pse ajo siguroi epërsi si vlera më e lartë perëndimore?”. Kurse në Moskë, ku po shembej komunizmi, revista “Temps Nouveaux” nr. 33, viti 1990, botonte këto mendime të filozofit Jaspers: “liria e individit është e mundur vetëm kur ajo ekziston në të njëjtën kohë me lirinë e të tjerëve… Liria kur i jepet papritmas një populli, që nuk është përgatitur për një gjë të tillë nëpërmjet vetë-edukimit, mund të kalojë në ohlokraci (pushtet të turmës) dhe të përfundojë pastaj në tirani, sepse bën që pushteti të bjerë në duart e një klike, e cila del rastësisht ngaqë popullsia nuk e di përse po voton”. Pak a shumë kështu ka ngjarë në Shqipëri pas përmbysjes së rrëmujshme të komunizmit. Veçse këtu klika që u ka zënë frymën lirisë e demokracisë nuk doli rastësisht. Ajo u sajua in extremis me elementë të përzgjedhur nga kreu i regjimit komunist që po shembej. Ai përcaktoi misionet dhe ndau rolet politike. Të përzgjedhurit e tij u treguan qysh në fillim tejet të paskrupullt në manipulimin e opinionit publik dhe një masë populli u largua nga kutitë e votimit, që fatin e zgjedhjeve sot ta vendosin militantët fanatikë.

 

Shqiptarët janë të dënuar me utopi të përhershme

Kohët e fundit presidenti rus Putin dekoroi një sërë personalitetesh në kuadrin e fushatës së tij për forcimin e frymës nacionaliste në Rusi. U dekorua edhe mendimtari Fazil Iskander, që në kohën e agonisë së sistemit sovjetik shkroi një ese mbresëlënëse mbi “njeriun e ideologjizuar dhe dështimin e ideologjisë” (“Ogonjok” nr. 11/1990). Ai nënvizonte se “populli nuk duhet të jetojë me qëllimin e largët, sepse qëllimi i largët shërben si justifikim për batakçillëkun e afërt… Kulti i së ardhmes është i dëmshëm për njeriun”. Për fat të keq, shqiptarët prej shumë kohësh po jetojnë me iluzionet e të mirave që do t’u vinë nga ndjekja e qëllimit të largët: ndërtimit të socializmit, në kohën e diktaturës komuniste, dhe integrimit europian, në kohën e demokracisë. Prej qëllimit të parë u zhgënjyen dhimbshëm. Por, prej të dytit?!.

Në ditët e Ramazanit u shfaq shëmtueshëm “kultura e vandalizmit” (egërsia njerëzore, sipas pagëzimit nga antropologu amerikan R. Arbrey, “Shenja” korrik 2014). Gaza palestineze, një kamp gjigand përqendrimi e shfarosjeje i modelit nazist, u bë sërish objekt bombardimesh pa kufi dhe sulmesh tokësore masive nga ushtria israelite. Janë masakruar pa dallim burra, gra, pleq e fëmijë me justifikimin se këto ishin reprezalje të rëndomta kundër hedhjes së disa raketave në drejtim të Izraelit dhe se siguria e Izraelit e përligj që të rrënohet gjithçka mbi tokën e nëntokën e Gazës, që palestinezëve të mos u mbetet as mundësia më e vogël për rezistencë. Luftën e drejtë për një çështje të drejtë të palestinezëve “bota e qytetëruar”e ka braktisur sot më shumë se kurrë në mëshirën e më të fortit. Prandaj Izraeli nuk la t’i kalonte rasti që ia krijuan situatat e rënda në Lindjen e Mesme e Ukrainë për të nisur fushatën masakruese të radhës kundër popullit palestinez, që tashmë edhe vdekjen po e pret si shpëtim. Kësaj gjëme të re i paraprinë luftërat shumëvjeçare në Lindjen e Mesme e në Gjirin Persik, kaosi që solli “pranvera arabe” në Afrikën Veriore e në Siri dhe, së fundmi, “mësymja e rrufeshme ushtarake”, që ndërmorën forcat e armatosura të vetëemërtuara “Kalifati Islamik” nga Veriu i Irakut drejt Jugut.. Lufta civile shkatërruese 3-vjeçare në Siri duket sikur ka dalë nga vëmendja e politikës së madhe ndërkombëtare, e cila po merret më shumë me manovra politike e diplomatike rreth luftës civile në Ukrainë. Perëndimi dhe Rusia tashmë po bëjnë “duelë me bedelë”. Në botë flitet me frikë jo vetëm për pasojat që po sjell Lufta e Dytë e Ftohtë, por dhe për rrezikun e një konflagracioni më të madh. Në emisionin e lajmeve të datës 01.08.2014 TV Rossija njoftoi se presidentët Obama e Putin gjatë një bisede telefonike kishin qenë të një mendjeje se marrëdhëniet e krijuara për shkak të zhvillimeve në Ukrainë nuk ishin në interes të dy vendeve. Por, Ukraina e pagoi çmimin e rëndë.

Në librin e tij “Lufta e katërt botërore. Një përleshje e gjatë me islamofashizmin” (World War IV. The struggle Against Islamofascism”, 2007) politologu neokonservator amerikan dhe zëdhënës i njohur i sionizmit agresiv, Norman Podhoretz, nuk kishte parashikuar që në qendër të Europës të krijohej një vatër e tillë e rrezikshme. Ai e përfytyronte një “Luftë të Katërt Botërore” si mësymje të të gjithëve kundër “fondamentalizmit e terrorizmit islamik”, tezë e ushqyer nga gjithë neokonservatorët qysh nga fillimi i viteve 1990 dhe sidomos pas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit 2001 në Amerikë. Por, ngjarjet në Ukrainë i kanë ngatërruar shumë skemat e njohura të zhvillimeve ballafaquese ndërkombëtare. Pikërisht mbi qiellin e Ukrainës Lindore, ku masakrohet pa mëshirë popullsia civile me bombardime të egra, “kultura e vandalizmit” prodhoi edhe tragjedinë e rrëzimit të një avioni civil malajzian (edhe ky nga një vend mysliman) që mori jetën e 298 pasagjerëve të pafajshëm. Mund të mos merret vesh kurrë e vërteta mbi shkaqet e fajtorët e kësaj ndodhie të tmerrshme. “Kultura e vandalizmit” shoqërohet edhe me “kulturën e hipokrizisë” diplomatike e propagandistike.

 

Bota ka ndryshuar qysh nga koha kur u shpall “Rendi i ri” njëpolar

Për mirë apo për keq?! Në vitin 2008 gjatë një seminari në Stamboll, të organizuar nga shoqata IHH, më është dashur t’i referohesha librit të politologut francez Alexandre Adler “Le Raport dë la CIA. Comment sera le monde en 2020”, ku analizohej një studim i bërë nga Këshilli Kombëtar i Zbulimit në CIA në vitin 2003 mbi katër skenarë se si mund të dukej bota në vitin 2020. 1-Një botë e Pax Americana. 2- Një botë e Davosit, mondializimit ekonomik 3. Një botë e një Kalifati të ri, siç e përfytyronte Bin Ladeni 4- Një botë multipolare e mbërthyer nga një frikë ciklike. Pas 6 vitesh më i besueshëm duket skenari i katërt. Pax Americana e ka humbur shumë dinamikën e vet, edhe pse për mjaft kohë SHBA do të mbeten ende fuqia më e madhe në botë, sidomos ushtarakisht (Richard N. Haas “Foreign Policy Begins at Home”, 2013). Por, Rusia po ngulmon shumë ta zërë pozitën e superfuqisë që kishte ish-BS-ja. Kjo po e nervozon mjaft politikën e SHBA-ve, që përpiqet t’i zhvendosë tensionet sa më pranë Rusisë. “Bota e Davosit” duket si e marrë fund pas sanksioneve ekonomike që Perëndimi po shtrin edhe mbi Rusinë dhe që rusët i shohin më tepër si hapa të Perëndimit për t’u rikthyer tek politikat e proteksionizmit ekonomik. Skenari i një bote të mbizotëruar nga një “Kalifat Islamik” duket më “zbavitës” se në kohën kur ishte gjallë Bin Ladeni, edhe pse po bëhet një zhurmë e madhe rreth mësymjes ushtarake të komanduar nga Al-Bagdadi në Irak, që kërcënon se do ta shtrijë Kalifatin e tij deri në Spanjë. Megjithatë, propagandistët rusë dhe ndonjë “analist” shqiptar këtë skenar e kanë marrë me “seriozitet të madh”. Më qesharake është gazeta e Tiranës që përpiqet t’u fusë frikën shqiptarëve se po nuk hapën mirë sytë para rrezikut islamik, mund t’i përpijë “Kalifati i Al-Bagdadit”. Skenari i katërt ka marrë një fizionomi më të qartë, më të strukturuar, sidomos pas takimit në Brazil (në mbyllje të kampionatit botëror të futbollit) midis liderëve të 5 shteteve të BRIKS-it (Rusia, Kina, India, Brazili dhe Afrika e Jugut). Këto shtete e kanë shpallur projektin për një pol të veçantë financiar e bankar si kundërpeshë e polit perëndimor në ekonominë globale. Kriza në Ukrainë e përshpejtoi forcimin e bashkëpunimit ruso-kinez jo vetëm në fushën e ekonomisë, por edhe në atë ushtarake. Vëzhguesit e baraspeshave në marrëdhëniet ndërkombëtare i ndjekin me shqetësim zhvillimet e tilla, sepse mendojnë që “…sistemet multipolare mbajnë më shumë ngarkesa lufte se sistemet dypolare, pasi ato përfshijnë shtete të fuqishme që janë edhe hegjemonë potencialë” (John. J. Mearsheimer “The Tragedy of Great Powers politics”, 2014, f.5). 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme