Boll!

image

 Njëra nga detyrat më të vështira të njeriut në jetë është ruajtja e baraspeshës mes teprisë dhe mangësisë, ajo që në popullorçe e quajmë boll. Në traditën tonë gojore ka plot fjalë të urta që e afirmojnë këtë virtyt dhe që në një mënyrë sikur na stimulojmë që të mos e teprojmë. Madje, urtësia popullore ka shkuar deri atje sa të udhëzojë që as e mira të mos teprohet, sepse ndonjëherë edhe të mirat e shumta e prishin baraspeshën. Është një vijë e hollë, që populli është munduar ta ruajë pa ndonjë zbërthim e elaborim akademik. Prandaj nderin më të madh që ia bën njeriu vetes është kur e njeh mirë veten dhe kur di t'i thotë vetes "Boll!". Nëse njeriu i huq këto dyja, krejt tjetra pastaj është huq. Po i qasemi kësaj teme, sepse në realitetin tonë ndeshemi çdo ditë dhe në çdo anë me njerëz që nuk e dinë se kur është boll, që kujtojnë se ata vazhdimisht përtërihen, rinohen dhe çdo ditë e të re janë më të freskët. Ata mund të jenë deputetë katër-pesë mandate, mund të jenë ministra në secilën përbërje qeveritare, mund të jenë këshilltarë politikë me secilin pushtet, mund të jenë figura publike në çdo periudhë dhe përsëri të mendojnë se nuk e kanë bërë boll. Përveç monotonisë së rëndomtë që ta shkaktojnë ato fytyra, sepse sa herë ta hapësh televizorin ata e kanë okupuar ekranin, ata kanë aq vetëbesim sa fillojnë të mendojnë për veten se po të mes jenë ata, bëhet hataja dhe vdes shqiptaria. Hashim Thaçi në Kosovë ka filluar të mendojë se pa të Kosova mund të vdesë dhe se detyrimisht ai duhet të jetë kryeministër. Njësoj mendojnë edhe këta shokët e Hashimit te ne: edhe ata besojnë se po të mos jenë ata deputetë, ministra, zëvendëskryeministra e drejtorë, për neve nuk do të lindë dielli. Ata kujtojnë se janë të pazëvendësueshëm. Sali Berisha ende nuk e kupton se ka perënduar epoka e tij dhe ai duhet të krijojë hapësirë që të shihet edhe Lul Basha. Siç e mendon veten edhe "pleqësia" e PDK-së, e BDI-së, por edhe e PDSH-së në Maqedoni, ndërsa po kjo frymë i mban edhe shqiptarët e Luginës, edhe shqiptarët e Malit të Zi e gjithkund ku mbin fara jonë. Nëse kjo shprehet me terma të psikiatrisë, sigurisht do të ishte ndonjë mani a fobi, ndërsa në fjalor të politikës ata quhen "njerëz të konsumuar". Shqiptarët e Maqedonisë e kanë konsumuar e stërkonsumuar më Musa Xhaferin dhe e dinë se çfarë (s')mund të ofrojë ai. Në fakt, askush më nuk pret asgjë prej tij. Po ashtu e kanë konsumuar Abdilhaqim Ademin, Fatmir Besimin, Talat Xhaferin, madje është për t'u pyetur se pse liderë duheshka të jenë vetëm Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi: mos ata dy nëna i ka lindur për të qenë liderët tanë dhe ne të gjithë jemi lindur për të qenë shërbëtorë të tyre? Për fat të keq ata që nuk e dinë se kur është boll janë të paskrupullt edhe me arrogancën e prepotencën e tyre. Ata mund të pasurohen sa të duan derisa fqinjët e tyre vazhdojnë të jetojnë në varfëri e skamje të skajshme, ata mund të jetojnë në saraje, ndërsa shqiptarët ta vajtojnë kur bie shi, sepse i mbulojnë ujërat e zeza, ata mund të vozisin makina super të shtrenjta, ndërsa shqiptari jonë të ecë mëhallëve tona nëpër baltën që e kanë shkaktuar rrugët e paasfaltuara, ata mund të bëjnë pushime plazhi edhe dimrit (nëpër vende tropikale), ndërsa shqiptari jonë rri "pranë detit i palarë". Dhe, përsëri nuk e kanë të qartë se kur është boll. Sa herë që vijnë zgjedhjet, ata përsëri flasin për "misionin e ri", flasim se si "bashkë ndërtojmë" (mbase mendojnë në ndërtimin e jetës së tyre luksoze), flasin për "interesat madhore të kombit", flasin për "rëndësinë historike" që kanë fitoret e tyre, flasin për gjithçka, pos për temën se sa të tepërt janë bërë dhe sa nuk e kuptojnë se kur është boll. Nisur nga kjo, që të mos vijë puna të të tërheqin zvarrë ose, nga zyra e liderit, ministrit e deputetit, të shkohet drejt në qelinë e burgut, njeriu duhet t'ia vë vetes një kandar se deri ku është huduti. Secili duhet ta dijë se kur është boll. Prandaj liderët e mëdhenj të botës, veçmas ata të botës perëndimore, ku megjithatë ka njëfarë demokracie, në të shumtën e rasteve janë model i mirë për t'u marrë shembull se kur është boll. Zhak Shiraku e mësoi se është bërë boll dhe sot nuk është më në skenë, Xhorxh Robertsoni e mori vesh se është bërë boll dhe sot nuk është më në skenë. Toni Bleri e mori vesh se është bërë boll dhe sot nuk është më në skenë. Havier Sollana e mori vesh se është bërë boll dhe sot nuk është më në skenë. Helmut Koli legjendar e mori vesh se është bërë boll dhe u tërhoq. Alija Izetbegoviqi e mori vesh se është bërë boll dhe u tërhoq disa vite para vdekjes. Këtë mësim e kanë marrë edhe shumë të tjerë, por jo edhe këta tanët. Natyrisht, këtë mësim nuk e ka marrë as Putini, Lukashenko, Kim Jong Un-i e shumë diktatorë arabë e afrikanë. Siç duket, edhe këtyre tanëve u ka pëlqyer ky modeli i fundit, mbase për shkak të shkollës ideologjike që e kanë trasuar bashkërisht ose për arsye se baballarët e tyre ideologjikë, që nga Stalini, Tito, Zhivkovi, Çaushesku e, sidomos, Enveri, i kanë mësuar se "nuk duhet tradhtuar idealet e revolucionit" dhe se me çdo kusht deri në vdekje duhet të mbeten në pushtet. Prandaj, që të japim shembullin se kur bëhet boll, po ia filloj unë i pari - le të jetë kjo kolumna ime e fundit në këtë cikël shkrimesh për gazetën "Koha", që kështu të jap shembullin personal se megjithatë mund t'i themi vetes "boll!". Se ka edhe të tjerë që mund e dinë të shkruajnë, bile shumë më mirë. Le të mbetet shija e mirë mes nesh se të shtunën kemi lexuar diçka që mbase ka qenë e mirë, por që megjithatë diku duhet të jetë BOLL. /koha.mk/

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme