Dilemat e Pazgjidhura Ballkanike - Maqedonia

 

 

Hyrje

Shumica e popujve të Evropës veriperëndimore për hir të përparimit dhe zhvillimit të përgjithshëm shoqëror pranuan kompromiset përkundër krenarisë së tyre kombëtare dhe arritën të pajtohen duke hapur kufijtë. Mirëpo kjo mendësi sikur nuk po arrihet të kuptohet tek popujt e Ballkanit. Sikur populli shqiptarë të zgjonte interesa më të mëdha gjeopolitike e strategjike në rajon, mendoj se kjo amulli dhe degjenerim historik do të mbyllej.

Për dallim nga e kaluara jo fort e largët, që nga shekulli XIX-të metodologjia e hulumtimeve shkencore ka filluar t’i zbërthejë më në detaje fenomenet e të gjitha fushave shkencore. Duket qartë se rreth Republikës së Maqedonisë janë disa çështje të hapura, të cila sot e shumë shekuj fqinjët nuk arrijnë të kuptohen. Digjitalizimi ka lehtësuar edhe më shumë hulumtimet në fushën e paleontologjisë, antropologjisë, etnologjisë, gjuhësisë, sistemeve të ndryshme duke filluar nga shpelleologjia deri tek bankat e të dhënave të informatizuara e tj dhe të gjitha këto japin shpresë se edhe ky rajon do të stabilizohet një ditë.

Përveç kësaj mënyre të hulumtimit na është lehtësuar edhe kërkimi nëpër bibliotekat e shumta nëpër botë, prandaj asnjë institucion nuk mund të përgënjeshtrojë sot me kaq lehtësi të dhënat rreth një vendi ose një populli, me përjashtim të atyre institucioneve që për një kohë të shkurtër i është dhënë mundësia të ushtrojnë dhunë kundrejt të dhënave faktike. Mbase kjo do të ishte arsyeja kryesore se, Qeveria e sotme e Maqedonisë nën drejtimin e Nikolla Gruefskit në çdo formë po i pengon integrimet e Republikës së Maqedonisë.

Grekët pretendojnë se janë djepi i qytetërimit evropian. Në mënyrë verbale shumica e politikanëve dhe shkencëtarëve në dy shekujt e fundit e pohojnë një gjë të tillë, sepse nuk kanë ekzistuar teza të tjera alternative. Si duket, shekulli XX-të i trimëroi edhe më shumë pas shpërbërjes së perandorisë Osmane. Mirëpo, kur fuqia veriatlantike në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar u mor më seriozisht me këtë hapësirë gjeografike, mësoi se atje paska një fosile të gjallë e harruar ndër shekuj ( shqiptarët).

 

  • Historik i shkurtër

 

1.0.         Maqedonia antike

Pyetjes se kush janë banorët më të hershëm në Ballkan, shumë profesorë perëndimorë në BE e SHBA kanë filluar t’i pranojnë argumentet e Matthieu Aref  i cili thotë: “Të gjithë autorët e lashtë, ndër të cilët Homeri, Hesodi, Hekate i Miletit, Akusilaos, Herodoti, Tuqiditi ose Efosi, na bëjnë të ditur shkurtimisht, por mjaftueshëm, se, përpara mbërritjes së grekëve, vendi që do të bëhej Greqi ka qenë i banuar nga Pellazgët”.[1] S’do mend të thuhet se përgjatë historisë kanë ndodhur shumë asimilime, mirëpo zbulimet arkeologjike, antrogjeografike, shkenca e gjuhësisë dhe disiplina të tjera shkencore (kultura, arti, doket dhe zakonet) kanë vërtetuar lidhjen e pellazgëve me shqiptarët e sotëm.  

Përkundër mendimit të shumë dijetarëve të sotëm se, Maqedonia është vetëm emër territori e jo etnie ose fisi, shkencëtarët më eminent të bazuar tek historianët e lashtë dhe shkencat e sipër theksuar kanë vërtetuar se ka ekzistuar fisi maqedonas. Mathieu, ky autor i dy librave voluminoze të antikitetit vazhdon të thotë se, “pjesa më e madhe e specialistëve nuk kanë vendosur aspak “lidhje” midis popujve të shumtë të një familje të vetme të madhe etno-gjuhësore: Pellazgët, Legenët, Ligurët, Karianët, Lidianët, Misianët, Moskët, Frigjianët, trojanët, Dardanianët, Thrakët, Etruskët, Ilirët, Epirotët, Maqedonasit apo Shqiptarët e sotëm, dega e fundit pellazge që ka mbijetuar në Evropë”.[2]

Se ka ekzistuar fisi maqedonas flet edhe “gjuha e Aleksandrit të Madh i cili “përkrah gjuhës greke (lingua franka[3] e epokës), nuk rreshti së foluri gjuhën e tij amtare (nëna e tij Olimpia ishte një princeshë epirote) dhe atë të babait (maqedonishten).[4] Autori vazhdon të thotë:“Kokëfortësia e disa autorëve për të refuzuar çdo përqasje midis thrako-frigjianes, etruskishtes, ilirishtes, epirotishtes, maqedonishtes (maqedonishtja e lashtë nuk ka të bëjë fare me idiomën që flitet sot dhe që është vetëm një përzierje e përkryer e shumë gjuhëve, ndër të cilat serbishtja, bullgarishtja, turqishtja apo trakishtja e lashtë me zanafillë pellazge) dhe shqipes së sotme.[5]

Përpjekjet për të rikthyer kombin maqedonas në saje të emrit të territorit, në këtë kohë është një anomali e pushtetit aktual sepse “Kombet antike evropiane, janë krijuar mbi bazën e këtij substrakti pellazgo-ilir, nga lëvizjet e fiseve të njëjta etnikisht brenda këtij territori, gjatë epokës së bronzit, por edhe të hekurit.[6]                      

1.1.            Maqedonia e sotme

Ideja e parë për rithemelimin e shtetit të ri Maqedonas pas më shumë se dy mileniume lindi në Selanik më 1893, kur u themelua nga xhon turqit, grekët, bullgarët dhe serbët “lëvizja e parë politike” (ORBO) Organizata Revolucionare e Brendshme Maqedonase (sllavisht-VMRO).[7] Këto objektiva filluan të ngjallen kur kjo organizatë arriti të shtrihet edhe ndër shqiptarë e vlleh nga rrethina e Krushevës, dhe më 2 gusht 1903 shpalli Republikën e Krushevës. Pas dymbëdhjetë ditë kryengritje, ndërhyrja e shtetit osman shleu çdo aspiratë të tyre.

Luftërat Ballkanike dhe menjëherë Lufta e parë Botërore nuk i solli ndonjë risi popujve të këtij territori, përveç vuajtjeve dhe zemërimit.[8] Më pas Traktati i Nejisë (27.11.1919) ndëshkoi rëndë Bullgarinë dhe ndau territorin e Maqedonisë në tri shtete,[9] “Maqedonia ka pasur që prej vitit 1912 një histori jashtëzakonisht të stuhishme, aq më tepër për shkak se ajo ka shërbyer si shesh betejash si për luftërat ballkanike, ashtu edhe për njërin prej episodeve më të famshëm të Luftës së Parë Botërore të njohur me emrin “Fushata e Maqedonisë”.[10] Pas mbarimit të (LPB) shoqërinë bullgare Rothchildi e përshkruan kështu: “Po karakteri i ashpër dhe hakmarrës i kushteve të Nejisë e la Bullgarinë jo vetëm si një shtet të inatosur rivendikues, të izoluar dhe armiqësor ndaj fqinjëve të saj, por edhe si një shoqëri të zemëruar”.[11] Mbretëria e SKS (serbëve, kroatëve dhe sllovenëve) nuk ua njohu kombësinë as bullgareve e as maqedonasve.[12] Më 2 gusht 1944 Maqedonia u përfshi si njësia e gjashtë federative e Jugosllavisë titiste. Qeveria e parë u themelua më Prill 1945, pastaj më 8 shtator 1991, kjo Republikë u shkëput nga kjo federatë, për t’u njohur më vonë edhe nga OKB-ja si shtet i pavarur dhe sovran, por me emrin ish Republika Jugosllave e Maqedonisë. Përveç problemeve të brendshme të pa zgjidhura me shqiptarët dhe pakicat tjera, për t’u integruar në organizatat rajonale, kontinentale dhe globale, ky shtet duhet ta zgjidh kontestin e hapur edhe me Greqinë dhe me Bullgarinë. 

  • Dilemat

Problemet e akumuluara përgjatë historisë në këtë hapësirë gjeografike kanë ngritur disa dilema, si në rrafshin e politikës së jashtme e të brendshme, ashtu edhe në atë socio-ekonomik, ku të gjitha së bashku përbëjnë një problem shumë serioz. Shumë analistët politikë shprehen se në parim asnjë lëvizje e brendshme nuk e do luftën për t’i zgjidhur kontestet, mirëpo ngërçi politik i shkaktuar nga vetë politikbërësit e brendshëm janë kërcënuesi kryesor për falimentimin e mundshëm të këtij shteti, që, tani ekzistimi i tij është shumë i rëndësishëm për shkak të gjeopoilikës globale.

Vetë themeluesit e parë të lëvizjes VMRO e kanë detektuar këtë problem madhor, prandaj frytet e Kryengritjes në Ilindenit (1903) nuk do t’i shfrytëzonin për ta emëruar vendin Republika e Maqedonisë, por e quajtën Republika e Krushevës, sepse tek ta dominoi realpolitika përkundër dëshirave të VMRO-së për një jetë më të mirë. Pas një kohe relativisht të shkurtër, më 1913 ky territor ra nën sundimin e serbëve, mirëpo, të habit fakti se gjatë gjithë këtij pushtimi (1913-1944) kemi pasur një heshtje të plotë nga kjo lëvizje. Gjatë regjimit monist VMRO ka dalë në skenë, por jo si lëvizje me ambicie politike. Çuditërisht, kësaj heshtje nuk i është kushtuar vëmendje të madhe deri në ditët tona të sotme. Ndërsa kjo kohë, si duket, duhet të jetë njëri prej çelësave shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e kësaj dileme që ka shkaktuar ngërçin e sotëm gjeopolitik!

Nëse i referohemi aleancës serbo-bullgare e iniciuar nga ministri i jashtëm rus, Sazonov: “Serbia do të merrte të gjitha territoret në veri dhe në perëndim të Maleve të Sharrit, që do të thoshte sanxhakun e Novi Pazarit dhe pjesën veriperëndimoret të Maqedonisë; pjesa e Bullgarisë do të ishte territori në lindje të Maleve të Rodopit dhe lumit Stumica; ndërsa territori ndërmjet këtyre zonave do t’i lihej arbitrimit të carit”.[13] Duket qartë se kemi të bëjmë me një territor të ndërmjemë i cili tani është nën influencën e SHBA-ve.

Republika e Maqedonisë është krijuar si rezultat i interesave politike të brendshme të RSFJ-së më 1945, ku sipas analizës së politikanit dhe sigurisht edhe ideologut të kësaj federate (Tito), popujt shtet formues të kësaj republike do të ishin maqedonasit dhe shqiptarët. Gjatë kësaj periudhe kohore, sllavomaqedonasit shfrytëzuan Luftën e Ftohtë, dhe hë për hë arritën ta konsolidojnë etnitetin e tyre kombëtar duke e zgjidhur gradualisht edhe problemin e gjuhës. Në anën tjetër shqiptarët nuk ishin sllav e as krishtero-ortodoks, dhe, të drejtat e tyre zbeheshin ditë e më shumë, që ato tua merrnin tërësisht në kohën e gjenocidit serb të Sllobodan Millosheviqit.

Sot, shumë intelektualë të huaj si dhe vetë maqedonasit me në krye ish kryeministrin e R. së Maqedonisë Lupço Georgevski, i cili nëpër mediet vendore rreth identitetit të popullit të vet kërkon të reflektohet një histori më pozitive dhe realiste. “Unë them se krahu më i madh pro-bullgar që ishte në DPMNE, sot u bënë maqedonas antikë. Nuk e di se a bëhet fjalë për karakterin e njerëzve, ose vërtet i ka bindur dikush se janë maqedonas antikë, por unë jam i mendimit se Maqedonia ende ka qëndrime ndaj Bullgarisë që bazohen në skemat e vjetra komuniste. Ne sikur po jetojmë 20 vite në demokraci, por disa gjëra kanë mbetur në kodin tonë nga ana e Jugosllavisë komuniste, ende nuk mundemi t’i tretim dhe nuk jemi në gjendje të mendojmë me një diapazon më të gjerë demokratik”.[14]  

Në kontest me këtë sa më sipër u tha, kujtojmë sërish Mathieu-n i cili në librin e tij “Mikenët=Pellazgët”, na sjell 118 emrat e popujve apo fiseve dhe etnonimeve të përmendura nga Herodoti (të nxjerra me shumë kujdes nga “Anketa”. Njëzet e pesë (25) kanë të bëjnë me etninë greke dhe nëntëdhjetë e tre (93) etni të dala nga grupi pellazg...Në territorin e Maqedonisë kanë jetuar Eordët, Botianët, Pelagonët dhe Pierët.”

2.0.         Aktualiteti  ( faktori i jashtëm) 

Gjendja e sotme do të kuptohej pasi të nxirren në pah problemet e faktorit të jashtëm dhe të brendshëm. Me faktorin e jashtëm nuk do të merremi gjatë kohë për shkak se shumë është shkruar e thënë dhe çështja është në proces. Ky problem ekziston që nga themelimi i këtij shteti. Maqedonia për t’u integruar në struktura rajonale e ndërkombëtare ka hasur në pengesa të mëdha, çuditërisht, jo nga shteti shqiptar por nga fqinjët e saj krishtero-ortodoks që i përkasin të njëjtit besim fetar.

  • Greqia nuk ka probleme fetare, problemi i saj është gjeopolitik. Emri Maqedonia e pengon për shkak të provincës së saj veriore që është me të njëjtin emër, e që kap një sipërfaqe prej 34,177 km2, gjë që, kjo sipërfaqe tregon se ky territor është më i madh se vetë shteti i sotëm i Maqedonisë i cili përfshin një sipërfaqe prej 25.713 km2.
  • Bullgaria gjithashtu nuk ka probleme fetare, problemi saj është i karakterit etno-kulturor. Bullgaria e sotme nuk e konteston në asnjë mënyrë këtë shtet, sikur t’ishte multietnike, por prejardhjen e gjuhës dhe etnicitetin e saj. Bullgarët pretendojnë se maqedonishtja është dialekt i bullgarishtes.
  • Serbia, është e habitshme se si ky shtet i cili kohëve të fundit ishte shumë i zëshëm për humbjet e territoreve të saj, të mos flasë edhe për pak minuta për humbjen e Maqedonisë (Vardarska Banovinën)! Ajo nuk ka të ngritur asnjë problem me këtë shtet fqinj, me përjashtim kontestin fetar. Serbia nuk ia njeh autoqefalinë e kishës maqedonase, me përjashtim të një “grupi skizmatik i udhëhequr nga peshkopi i shkarkuar nga detyra në KOM, Jovan Vranishovski, njihet nga Kisha ortodokse Serbe si kryepeshkopatë”.[15]

Përkundër kërcënimeve kulturore dhe gjuhësore nga ana e shtetit Bullgar, dhe kontestit të emrit nga ana e Greqisë, si dhe ngërçit politik e socio-kulturor që ka krijuar kjo qeveri, lë shumë pikëpyetje për ardhmërinë e këtij vendi. Me vendosjen e përmendores së car Dushanit në qendër të qytetit, dhe pyetësorit për referendum i cili iu ishte kërkuar banorëve të Maqedonisë (1991) sikur jep indikacionet për marrëdhënie shumë më të mira seç mendohet me Serbinë.[16]

2.1.            Faktori brendshëm

Kur një rregullim i brendshëm shtetëror mëton të arrijë një synim, vetë shkakton ngërçe politike, tkurrë procese, pengon projekte e tj. Nëse nuk janë këto, atëherë kemi të bëjmë me qeveri shtetesh të cilat udhëhiqet nga klane banditësh, pa elitë politike dhe pa elitë ekonomike. Faktori brendshëm është gjeneratori më i rëndësishëm që reflekton zhvillime pozitive ose negative në një vend, dhe si rezultat i padrejtësive nga ana e oligarkëve, ose ideologëve të tyre vjen deri të shpërbërja e shtetit ose shkëputjeve ndaj tyre. Shembuj të këtyre zhvillimeve kemi politikat hegjemoniste serbe të cilat paralizuan federatën jugosllave, mirëpo kjo i kushtoi me humbjen e të gjitha republikave dhe Kosovën. Ngjashëm kemi edhe me Timorit Lindor, një entitet prej 0.5 milion banorë të shkëputej nga Indonezia 200 milion banorësh. Kështu ndodhi edhe me Sudanit Jugor.

Këto shembuj do të duhej t’ishin argumente edhe për këtë qeveri të Maqedonisë, mirëpo ngërçi i shkaktuar nuk mund të kuptohet ndryshe përveç dëshirës për spastrim etnik të heshtur[17] ose ndarje. Këtu diçka po çalon, gjithçka është alogjike dhe anormale. Cila forcë e jashtme e mbështetë këtë politikë ngërçi kur ky shtet ka probleme serioze me fqinjët e vet, Greqinë, Bullgarinë dhe Serbinë!? Mbase kjo e fundit mban një sekret të cilin askush nga analistët deri tani nuk e di brendinë e marrëveshjes Gligorov-Axhiq (Janar 1992).

Kah po synon kjo Maqedoni që nuk i mban premtimet e dhëna as me faktorin ndërkombëtar, as me fqinjët e saj, e as me faktorin e brendshëm. Për të mos u zgjeruar në temë me të kaluarën e saj para vitit 2001 kur qe provokuar një konflikt i armatosur nga shqiptarët, do të provojmë me pak argumente të sjellim mangësitë e kësaj qeverie pas zotimeve të saj se do të zhvillojë një demokraci të brendshme të premtuar për të gjithë qytetarët e vendit. 

2.2.            Aktualiteti i brendshëm

Që nga tërheqja e administratës së perandorisë osmane (1912) e deri më sot, numri i banorëve të shqiptarë në Maqedoni ka qenë i manipuluar.[18] Për këtë arsye me këtë realitet janë marrë edhe institucione të huaja ndonëse edhe këto nuk mund të llogariten të sakta. Në Republikën e Maqedonisë jetojnë sllavomaqedonas, shqiptarë, bullgarë, turq, romë, serbë, boshnjakë, vllehë dhe të tjerë. Të dhënat zyrtare rreth përqindjes së këtyre etnive të vitit 2002-të [19] nuk do të duhej të vlenin në këtë kohë për shkak të dështimit të censusit të fundit 2011-të.

Mirëpo sipas BBC-së britanike dhe CIA-a amerikane, numri i shqiptarëve në këtë Republikë kalon shifrën e tetëqind e pesëdhjetëmijë (850.000) banorëve: “Një nëpunëse e Entit Statistikor, përndryshe ligjëruese në fakultetin juridik, do të theksoj se në vitin 2000 numri i popullsisë shqiptare dhe asaj maqedonase kanë qenë të barabartë. Rastësisht më ra në dorë e përditshmja “Fakti”: “Në vitin 2025, shqiptarët e Maqedonisë barazohen me maqedonasit” (6 gusht 2007).[20]

Përkundër këtyre të dhënave, Qeveria aktuale diskriminon shqiptarët dhe pakicat tjera në mënyrë të paskrupullt në të gjitha fushat e sistemit rregullativ. Këtë e vërteton edhe ish kryeministri i Maqedonisë Lupço Georgievski: “Sot, kur flasim për shqiptarët në Maqedoni, ajo që dua t’i mësoj ata maqedonas të cilët fjetën edhe gjatë formimit të Maqedonisë së pavarur, edhe gjatë luftës së vitit 2001, është fakti se shqiptarët definitivisht janë faktor, dhe jo vetëm aq. Ata janë faktor serioz në Maqedoni dhe kjo duhet të respektohet. Këtë e them sepse dikush në Maqedoni po krijon iluzion se shqiptarët janë 14 ose 15 përqind. Mirëpo, absolutisht jam i mendimit se pozita gjeostrategjike e shqiptarëve ka ndërruar”.[21] Se pozita udhëheqëse në Maqedoni diskriminon shqiptarët flasin faktet e poshtë shënuar:

  1. Simbolet e shtetit, sikur flamuri, himni ashtu edhe stema simbolizojnë vetëm kombin maqedonas, pa pasur asnjë element tjetër të shqiptare autokton dhe pakicave të tjerëve në këtë Republikë.[22]

 

  1. Sundimi i ligjit, padrejtësitë vërehet në të gjitha institucionet e shtetit, edhe pse ligji thotë diçka tjetër, veprimet praktike thotë të kundërtën. P.sh. Përdorimi i gjuhës nuk zbatohet sipas ligjit që është në fuqi,[23] as në shenjat e komunikacionit, as në ndërmarrje publike e as ato private. Nuk përdoret dygjuhësia kënaqshëm edhe me këtë ligj në fuqi.

Gjithashtu ligji nuk respektohet as nëpër gjykata. Këtë e vërtetojnë rastet e shumta të montuara nga strukturat shtetërore, sikur që kishim Rastin e vrasjeve të pakistanezëve më 2001, pastaj, Rastin e helmimeve të nxënësve të Gostivarit, pastaj, Rastin e Sopotit si dhe disa dhjetëra raste madhore janë shembulli më i mirë që vërtetojnë mos respektimin e sundimit të ligjit për shqiptarët dhe pakicat tjera jo ortodokse.

Për Rastin Sopoti ish kryeministri i Maqedonisë Buçkovski deklaron se“... është absurde dhe krejtësisht e palogjikshme të mendohet se shqiptarët e Sopotit në vitin 2003 kanë vendosur minën, në të cilën humbën jetën dy ushtarë të NATO-s”[24] Se si do të përmbyllet tani Rasti Monstra lë shumë për të dëshiruar. Profesoresha Mirjana Najçevska thekson se: “asgjë nuk habit në rastin “Monstra” pasi mënyra se si u realizua hetimi, dëshmia dhe arrestimet për këtë rast lënë hapësirë për dyshim”.[25]

 

  1. Rregullimi juridiko-kushtetues. Maqedonia qëndron mbi rregullimin etno-nacional. Më 17 nëntor 1991 në Parlamentin e Maqedonisë doli për votim kushtetuta e parë “pluraliste” e cila do të duhej të aprovohej nga deputetët e këtij parlamenti. Ajo u aprovua, por pa vullnetin e deputetëve shqiptarë.

Kjo kushtetutë prodhoi ngërçe politike, dhe pas dhjetë vitesh u detyruan për ndryshime pas përfundimit të konfliktit të armatosur. Politikanët maqedonas para mbikëqyrësve ndërkombëtar (SHBA dhe BE) u zotuan se do mbajnë premtimet e tyre.

Kjo marrëveshje do të duhej të zbatohej në përpikëri, dhe si e tillë ajo do të duhej të përmbyllej pas katër vjetësh. Tani, pas më shumë se trembëdhjetë vjet kjo marrëveshje ende nuk është mbyllur. Kjo dredhi e radhës nga pala maqedonase sikur ia ka vu kapakun e gënjeshtrave, dhe sikur po mëton që shtetin ta shpie drejtë një konflikti të ri.

 

  1. Sistemi politik në Maqedoni është dualist, pra, maqedonasit dhe të tjerët. Edhe sikur të jetë e vërtetë përqindja e sllavomaqedonasve prej 64 % nuk do të duhej që t’i mbante të gjitha pushtetet në duart e tyre, sepse një qeveri e cila kërkon me çdo kusht t’i mbajë të gjitha pushtetet tregon se diçka po fsheh. Për forcën mbështetëse sigurisht do të mësojmë në të ardhmen e afërt sepse ajo së shpejti do të detyrohet të bëhet anëtare e NATO-s dhe e BE-së.

Postet të cilat maqedonasit i konsiderojnë të pa negociuara në qeverisje janë: Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari, Ministri i Brendshëm, i Jashtëm dhe ai i Mbrojtjes[26], pastaj udhëheqësi i Armatës dhe i Sigurimit Publik, Guvernatori i Bankës, Kryegjykatësi dhe Kryeprokurori. Në të gjitha këto vende udhëheqëse të rëndësishme asnjë pjesëtar i pakicave, dhe shqiptarët nuk mund të ëndërrojnë!? Kërkohet lojaliteti, ndërsa askujt prej “pakicave” nuk ia beson këtë lojalitet!?

 

  1. Diplomaci dhe integrime. Në ato shtete ku zhvillohen politikat globale, kontinentale e rajonale nuk ka mundësi të vendoset asnjë ambasador që nuk është i përkatësisë sllavomaqedone. Në diplomacinë e jashtme, maqedonasit nuk janë të hapur. Kjo diplomaci hë për hë ka shkaktuar ngërçe rajonale, mirëpo shtetet e rajonit nuk ndjehen keq për shkak se humbësit e vërtetë në fund të fundit do të janë vetë banorët e këtij vendi sepse ekonomikisht qëndrojnë shumë më ulët se sa shtetet në rajon.

Përkundër kësaj ekonomie të dobët, qeveria aktuale me çdo kusht kërkon nga taksapaguesit e vendi të realizojnë një ëndërr me Projektin Shkupi 2014-të. Ndërsa i tëri ky projekt i ka irrituar edhe grekët edhe Bullgarët: “Çështja nëse Aleksandrovi ka qenë hero maqedonas apo bullgar dhe kush e ka miratuar ngritjen e një statuje të tij janë shndërruar në tema të nxehta në vend, duke shtyrë anash për një kohë problemet afatgjata me Greqinë lidhur me atë se cili vend “i ka në pronë” heronjtë e mëdhenj të epokës klasike, përfshirë Aleksandrin e Madh.”[27] 

 

  1. Sistemi zgjedhor, çfarëdo që të thuhet për sistemin zgjedhor do të ishte e kotë pa kuptuar realitetin rreth dështimit të censusit. Përmbyllja e rregullt e censusit do të kishte qenë peshorja reale dhe çelësi i shumë enigmave në këtë vend. Se cilat ishin arsyet e dështimit të censusit akoma nuk ka dalë për publikun, por heshtja e personaliteteve shqiptare lënë shumë për të dyshuar edhe pse një dritë të vogël e nxori profesori universitar Abdulmenaf Bexheti i cili ishte përcaktuar nga Enti Shtetëror i Statistikave të jetë nënkryetar i censusit të fundit 2011-të.

Pas dorëheqjes ai deklaroi: “Unë që një ditë para nisjes së censusit u tërhoqa për shkak se vlerësova se nuk jemi të përgatitur për të realizuar këtë operacion. Nuk kishte mirëbesim politik dhe vullnet politik për të realizuar censusin. Nuk mund të arrihet mirëbesim kur Enti Shtetëror i Statistikave dhe sektorët e saj nuk kanë asnjë shqiptarë në detyrë udhëheqëse. Unë mendoj se me këtë garniturë aktuale politike, Maqedonia nuk ka kapacitet të organizoj censusin”.[28]

Pas këtij dështimi, shefi i delegacionit Stephan Shenah, për këtë mision pran Asamblesë Parlamentare të KE-së shprehet në raportin e tij: “...është e pazakonshme prania e 1.8 milion votuesve në një vend që numëron më shumë se 2.1 milion banorë. Asambleja kërkon shqyrtimin e listave votuese dhe regjistrim të pjesërishëm, për shkak se është i rëndësishëm besimi ndaj një procesi zgjedhor”.[29] Në Maqedoni votohet mbi baza nacionale, ndërsa sistemi tanishëm zgjedhor shqiptarëve ua djeg votat.

 

  1. Marrëdhënie ndëretnike dhe shtetësia. Përkundër zërave të shumtë që vijnë nga Brukseli, kusht për anëtarësimin në BE janë edhe marrëdhëniet e mira ndëretnike. Maqedonasit vazhdojnë të diskriminojnë thuajse të gjitha pakicat, përfshirë edhe shqiptarët. Struktura demografike e qytetit të Shkupit dhe qyteteve tjera të përziera kohëve të fundit po ndryshon me të madhe. Para Luftës së Dytë Botërore, qytetarët (pa dallim etnie e feje) bashkëjetonin pa probleme, mirëpo gjatë regjimit monist është vërejtur epërsia e maqedonasve për të pushtuar Qendrat e qyteteve ku shumicë ishin shqiptarët. Pas konfliktit të armatosur 2001, sërish po vërehet ndarja mbi baza nacionale dhe fetare.

Problemet me shtetësinë lindën menjëherë pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Qytetarët e pakicave (jo ortodokse) dhe shqiptarëve iu vështirësua kthimi në vendlindje me daljen në fuqi të ligji për shtetësi (1992). Ata që kishin rrënjë më të hershme në këtë Republikë merrnin shtetësinë, por jo edhe vendbanimin. Ndërsa ata që nuk kishin rrënjë të thella në këtë Republikë deri më 25 qershor 2004 as që ju jepej shansi të aplikonin për shtetësi, dhe e tërë kjo bëhej për të zvogëluar numrin e votuesve shqiptarë dhe të pakicave të tjera.

 

  1. Arsimi, përkundër diskriminimit të madh që i është bërë popullit shqiptar në fushat e sipërtheksuar, kjo ishte evidente edhe në arsim që nga koha e sundimit mbretëror dhe atij socialist të ish Jugosllavisë. Sllavomaqedonasit mendonin se edhe pas pavarësimit do të mund ta mbanin të njëjtin status me shqiptarët. Fatkeqësisht u desh që të vriteshin, të plagoseshin e të burgoseshin protestues që shqiptarët të gëzonin të drejtën e arsimit superior, ndonëse edhe ai i mesëm ishte shumë i kufizuar.

Se diskriminimi vazhdon të jetë ende në fuqi flasin të dhëna e poshtëshënuar:

Në shkollën e mesme Cvetan Dimov në Shkup, janë 12 klasë të vitit të parë, 10 të vitit të dytë, 12 të vitit të tretë dhe 10 të vitit të katërt. Pra, gjithsej 44 klasë, dhe nga këto në 12 klasë mësohet në gjuhën maqedonase, në 28 klasë mësohet në gjuhën shqipe dhe në katër të mbeturat mësohet turqisht. E solla këtë shembull për të treguar se në këtë shkollë janë vetëm 4 nxënës maqedonas dhe 16-të nxënës rom që detyrimisht duhet të mësojnë në gjuhën maqedonase. Mirëpo klasat në gjuhën maqedonase plotësohen me shqiptarë! Personeli arsimor është i përgjysmuar midis maqedonasve dhe shqiptarëve, ndërsa në Entin e Statistikave për Arsim këto shqiptarë numërohen si nxënës maqedonas!

 

Për ta kufizuar këtë sa më shkurt do të na mjaftonte shembulli i ndarjes së buxhetit të dy shollave në Berovë dhe në Tetovë. Për shkollën fillore “Dedo I. Malesheski” të Berovës (maqedonase) për kokë të nxënësit ndahen na 53.965.000 denar ose 832 Euro, ndërsa për shkollën fillore “Sami Frashëri” të Komunës së Tetovës për kokë të nxënësit ndahen nga 15.168.614 denar ose 471 Euro. Kështu është edhe me arsimin e lartë. Për Universitetin e Tetovës për kokë të një studenti ndahen 22.873 denar ose (372 Euro), ndërsa për Universitetin “Goce Delçev” për kokë studenti ndahen nga 48.000 denar ose (780 Euro).  

 

  1. Kultura, Si arsimi edhe ky sektor diskriminon shqiptarët dhe sigurisht edhe pakicat jo ortodokse në vend. Për të treguar diskriminimin mjafton shpërndarja e buxhetit vjetor. Tabela e poshtë shënuar është argumenti më i mirë.
  2.  

Shpërndarja e buxhetit nëpër nënsektorë sipas projekteve të realizuara në denar

 

Nënsektorët

Buxheti

në total

Të tjerët së bashku me maqedonasit

Për shqiptarët

Në Teatër

65.400.000

56.000.000

9.400.000

Muzikë dhe skenografi

50.000.000

48.850.000

1.150.000

Art dhe Galeri

13.150.000

12.310.000

0.840.000

Mbr.të trashëgimisë kulturore

68.400.000

64.400.000

4.000.000

Ndërkulturor –UNESKO

68.600.000

67.720.000

0.880.000

T o t a l i

265.550.000

249.2800.000 ose = (93.88 %)

16.270.000 ose = (6.12%)

(Të dhënat janë nxjerrë nga Prof. Abdulmenaf Bexheti)

 

  1. Religjioni, përkundër privilegjit që i bëhet Kishës Ortodokse[30] (Kisha ortodokse Maqedonase, si dhe...) në praktikë shteti financon Kishat edhe nga taksapaguesit muslimanë dhe të besimeve të tjera.[31] Janë evidente në medie përurimet e objekteve publike, të shenjtërohen nga përfaqësues kishtar. Ndërsa me shumë vështirësi jepen leje ndërtimi të xhamive qofshin ato nëpër fshatra ose qytete edhe pse ato ndërtohen me vetë kontributin e qytetarëve.

Në disa qytete që është evidente spastrimi etnik i heshtur sikur në Prilep e Manastir çdo tentativë për ngritje të xhamive ose ndonjë objekt tjetër kulti me sfond islam është absurd. Bile edhe ato objekte kulti të djegur ose rrënuar gjatë konfliktit të armatosur më 2001 në këto dy qytete nuk iu është dhënë leja e rindërtimit edhe pse ato kanë vlera historike, fetare dhe kulturore. Përkundrazi, shteti tregon forcën e vet mbi disa objekte kulti me vlera islame duke vendosur edhe kryqin (në qytetin e Manastirit).

Në fund, për shkak të kufizimit të faqeve të temës kanë mbetur edhe shumë sektorë të tjerë që argumentojnë diskriminimin shtetëror që iu bëhet pakicave (jo ortodokse) dhe shqiptarëve në rrafshin sigurisë, decentralizimit, ekonomisë dhe financave, pastaj në jetën sociale dhe lirinë e shprehjes si dhe në rrafshe të tjera që kanë të bëjnë me jetën dhe përditshmërinë e banorëve të këtij vendi.

 

 

 

 

 

 

 

Përfundime

Të gjithë ne, jemi dëshmitarë se ky vit krahasuar me vitet tjera të pas Luftës së Dytë Botërore, e gjithë bota është duke përjetuar vitet e saj më të vështira. Ngjarjet e fundit në Evropën Lindore, në veçanti konflikti i armatosur në Ukrainë, pastaj lufta çoroditëse në Lindjen e Mesme e cila nuk po ndalet tash e disa vite, dhe tensionet e pa zgjidhura në Ballkan pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, duket se janë shenja ogur zeza për muajt ose vitet në vijim edhe për këtë vend. 

Për të kuptuar më mirë mentalitetin maqedonas, do të duhej një hulumtim më i gjerë i periudhës së sistemit monist të ish-Jugosllavisë. Asnjë historiografi, e as ndonjë degë tjetër shkencore, që ka të bëjë me gjenealogjinë nuk i lidh këta maqedonas me ata antikë. Përkundër kësaj, kjo qeveri insiston të realizojë një ëndërr edhe pse maqedonishtja e lashtë nuk ka të bëjë fare me idiomën e gjuhës së tyre.

Ish qeveritarët maqedonas të mbështetur në regjimin komunist, arritën të shkëputen nga federata e ish Jugosllavisë pa derdhur pikën e gjakut krahasuar me republikat tjera. Nën hijen e  kërcënimeve të pareshtura të Milosheviçit, përkundër shumë problemeve në mbarë republikat e Jugosllavisë, këta arritën të themelojnë një kushtetutë edhe pse ishte jo reale dhe aspak funksionale për shumë banorë të kësaj republike. Si e tillë, ajo vazhdoi së funksionuari deri në konfliktin e armatosur (2001) që u zhvillua midis qytetarëve shqiptarë dhe ushtrisë maqedonase.

Ky konflikt u ndërpre pasi palët u zotuan, se do të jetësojnë pikë për pikë Marrëveshjen Kornizë, e cila u mbajt në Ohër po atë vit. Mos jetësimi i plotë i kësaj Marrëveshje Kornizë, sërish ka filluar t’i hapë plagët e vjetra të para konfliktit. Parashikohet që së shpejti mund të ketë një ngërç politik të ri të brendshëm, i cili do të rezultojë me largimin e ministrave shqiptarë nga qeveria aktuale, dhe, nëse ndodh kjo, atëherë s’do mend se mund të kemi rikthimin e konfliktit të armatosur të 2001-shit. Nëse nuk do të ndodh që ministrat shqiptarë të largohen, atëherë si duket shqiptarët e pakënaqur me përfaqësuesit tyre politikë do të paraqesin alternativën tjetër e cila herë pas here ka dalë nëpër portale, e ajo është Shpallja e Republikës së Iliridës.

Përveç problemeve të brendshme të cilat janë paraqitur në këtë temë, duke filluar me problemi e: simboleve të shtetit, sundimin e ligjit, rregullimin juridiko-kushtetues, sistemin politik, diplomaci dhe integrime, sistemin zgjedhor, marrëdhënie ndëretnike dhe shtetësia, arsimi, kultura, religjioni dhe fusha të tjera, qeveria aktuale e Maqedonisë sipas të gjitha indikacioneve po tregon se është duke dështuar edhe në diplomacinë e saj rajonale dhe të asaj globale. Si e tillë, kjo nuk është duke i përfillur aspak kërkesat e dy fqinjëve të saj, atë jugor (Greqinë) dhe atë lindorë – (Bullgarinë).

Si duket kjo ka një besim të fortë në vetvete, beson fort se, një ditë do të arrijë deri tek marrëveshja rreth emrit me Greqinë, mirëpo, me këtë besim të tepruar ka filluar ta humbë edhe qytetarin e saj më të besueshëm. Mos hapja e dyerve për integrime euroatlantike dhe anëtarësim në BE, ka privuar donacione e investime kapitale, dhe kështu, kjo qeveri ka varfëruar edhe më shumë qytetarët e saj.

Përkundër armiqësisë permanente që kanë pasur serbët, bullgarët dhe grekët midis tyre për shkak të kontestimit të këtij territori, tani, ky ngërç i krijuar nga vetë maqedonasit, midis këtyre shteteve sikur po bëhet shkak i një aleance të mundshme afatgjate midis tyre. Kjo aleancë që po lind, duket qartë se mëton të dëmtojë sërish shqiptarët për shkak të faktorizimit gradual të tyre në rajon. Shqipëria përkundër faktit se ishte një lojtar i vogël, kohëve të fundit sikur ka filluar të ngrihet edhe politikisht edhe ekonomikisht. Një faktor tjetër që po faktorizon edhe më shumë shqiptarët, është Kosova e cila ka filluar t’i përmirësojnë ose më mirë të themi është duke i normalizuar marrëdhëniet e tendosura me shtetin e Serbisë.

Kur i gjithë opinioni ndërkombëtarë pret ndryshime pozitive nga Maqedonia, fatkeqësisht kjo Qeveri sikur po i përkeqëson edhe më shumë këto marrëdhënie, me ngritjen e përmendore të personaliteteve të kontestuara identitare midis vetë maqedonasve. Pastaj, ngritja e figurave të antikitetit maqedonas, dhe figura me veprimtarë bullgarë, vetëm sa po i largon edhe më shumë integrimet rajonale, kontinentale dhe ndërkombëtare.

Nëse kjo qeveri vazhdon të krijojë kriza të brendshme në dëm të shqiptarëve dhe të pakicave të tjera në vend, dhe nëse nuk shpreh vullnetin për t’i mbyllur çështjet e hapura me fqinjët, askush nuk mund ta garantojë të ardhmen e këtij shteti, për një shtet të qëndrueshëm dhe stabil, sidomos kur tani kemi ringjalljen e ambicieve të Rusisë në rikthimin e influencës së saj në shtetet e ish Bashkimit Sovjetik, e më gjerë (në rastin tonë edhe Ballkanin).

Tani së fundmi, vendimi i gjyqit të shkallës së parë me burg të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve që njihet si Rasti “Monstra”, sikur ka zgjuar vëmendjen edhe tek bashkëkombësit e tyre në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës, për çka, edhe këto dy shtete mund të bëhen armiket e saj të reja, duke qenë se vetëm me këto dy shtete Republika e Maqedonisë nuk kishte ç’ështje të hapura.

Dr. Muhamed JUSUFI

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

BIBLIOGRAFIA

  1. MATHIEU, Aref, “Shqipëria-historia e pabesueshme e një populli parahelen”, Plejad, Tiranë 2007.
  2. MATHIEU, Aref, “Mikenët=Pellazgët-Greqia ose zgjidhja e një enigme”, Plejad, Tiranë 2008.
  3. POPOVIC, Alexandre, “Islamizimi ballkanik”, Dituria, Tiranë, 2006.
  4. HORVAT, Banko, “Kosovsko pitanje”, Globus, Zagreb, 1989.
  5. SCHMIT, Oliver, Jens, “Kosova”, Koha, Prishtinë, 2012.
  6. KAPLAN, D. Robert, “Anarkia që po troket”,AIIS, Tiranë 2008.
  7. MORIN, Edgar, “Europa në mendje”, ORA, Tiranë 2001.
  8. MURAD, Hofman, “Islami në mileniumin e tretë”, Furkan, Shkup, 2007.
  9. MUSA, Musai, “Përceptimi i identitetit kombëtar dhe fetar te shqiptarët e turqisë dhe të Maqedonisë”, Logos-A, Shkup, 2006.

10.  DOJÇ, Karl, “Analiza e Marrëdhënieve Ndërkombëtare”, SHBLU, Botimi i tretë, Tiranë 1994.

11.  GOLDSTEIN, S. Joshua, “Marrëdhëniet Ndërkombëtare”, Dituria, Tiranë, 2003.

12.  HABERMAS, Jurgen, “Ah Evropë”, Asdreni, Shkup, 2011.

13.  FERAJ, Hysamedin, “Kriza e përkryer e Shqipërisë”, Eurorilindja, Tiranë 2003.

14.  FUKUYAMA, Francis, “Ndërtimi shtetit”, AIIS, Tiranë 2008.

15.  ROTHCHILD, Joseph, “Europa Lindore Qendrore midis dy luftrave botërore. Dituria, Tiranë, 2004.

16.  ALTERMATT, Urs, “Etnonacionalizmi në Evropë”, Phonetix, Tiranë, 2002.

17.  ROY, Oliver, “Globalizimi i islamit”, IDK,www.idk-al.org.

18.  RICH, Norman, “Diplomacia e Fuqive t Mëdha 1814-1914”, Toena, Tiranë, 2006

19.  TANASKOVIÇ, Darko, “Islam i mi”,Treçe dopunjejno izdanje,Partenon,Beograd,2006.

20.  CIGAR, Nirman, “Roli i orientalistëve serbë për justifikimin e gjenocidit ndaj munslimanëve në Ballkan”, Logos-A, Shkup, 2003.

21.  BARTL, Peter, “Muslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare 1878-1912”, Dituria, Tiranë 2006.

22.  Grup autorësh, “Sfidat e shekullit XXI”, IDK, UNESKO, 2000.

23.  Revista shkencore, “Vizione”, Klubi Demokratik, Shkup.

24.  Portale në gjuhën shqipe, serbe e maqedonase të ndryshme në internet.

25.  Wikipedia

 



[1] AREF, Mathieu, “SHQIPËRIA-odiseja e pabesueshme e një populli parahelen” B. Plejad, Tiranë 2007, f.13

[2] Po aty. (Gjuha shqipe na vjen nga thellësitë e antikitetit, madje qysh nga parahistoria. Ajo është një fosile e gjallë, e cila ka mbetur nga një fond gjuhësor që i përket historisë së një populli Europian parahelen. AREF: 10)

[3] Përzierje e gjuhëve greke, Spanjolle, italiane, franceze e përdorur në rajonin e Levanes

[4] AREF, Mathieu, “MIKENËT=PELLAZGËT-greqia ose zgjidhja e një enigme”B. Plejad, Tiranë 2008, f. 35

[5] AREF, Mathieu, “MIKENËT=PELLAZGËT-greqia ose zgjidhja e një enigme”B. Plejad, Tiranë 2008, f. 39

[6](http://sq.wikipedia.org/wiki/Roli_Pellazgo-Ilir_n%C3%AB_krijimin_e_kombeve_dhe_gjuh%C3%ABve_Evropiane) (shikuar: 7.7.2014)

[7] POPOVIC, Alexandre, “Islamizimi ballkanik”, Dituria, Tiranë, 2006, f.366 shkruan: “Mbas shumë dekadash turbullire të thellë (agonia e Perandorisë Osmane), revolucioni I “Turqve të Rinj”, terrori I krijuar nga komitët grekë, serbë dhe veçanarisht bullgarë të organizatës famëkeqe terroriste ORBM (“organizata revolucionare e brendshme maqedone...” ose gjuhën sllave VMRO.

[8] HORVAT, Banko, “Kosovsko pitanje”, Globus, Zagreb, 1989, “Komisioni Evropian ka konstatuar që turqit iknin nga krishterët, maqedonët iknin prej grekërve dhe turqve, grekët e turqit iknin nga bullgarët dhe shqiptarët nga serbët”.

[9] ROTHCHILD, Joseph, “Europa Lindore Qendrore midis dy luftërave botërore. Dituria, Tiranë, 2004, f. 321. (jep detajet e kësaj ndarje).

[10] POPOVIC, Alexandre, “Islamizimi ballkanik”, Dituria, Tiranë, 2006, f. 166/7

[11] ROTHCHILD, Joseph, “Europa Lindore Qendrore midis dy luftrave botërore. Dituria, Tiranë, 2004, f. 320.

[12] Bazuar në rregjistrimin e popullsisë në vitin 1921 dhe 1931 të etnive në Jugosllavi.

[13] RICH, Norman, “Diplmacia e Fuqive të mëdha 1814-1814”, Toena, Tiranë, 2006, f.426

[16] Pyetësori i referendumit: A jeni për shtet të pavarur dhe sovran të Maqedonisë me të drejtë të hyjë në aleancë me shtetet tjera të Jugosllavisë”

[17] Shumë shqiptarë dhe pjesëtarë të pakicave tjera migrojnë në Turqi, Evropë e Amerikë.

[18] Për më shumë lexo: POPOVIC, Alexandre, “Islamizimi ballkanik”, Dituria, Tiranë, 2006, f. 371.

[19] Regjistrimi i vitit 2002 nuk nxjerr asnjë banor me përkatësi bullgare! Të dhënat që na ofron portali shtetëror në Maqedoni jetojnë: Maqedonë 1.297.981 (64,18 %), Shqiptarë 509.083 (25,17 %), Turq 77.959 (3,85 %), Romë 53.879 (2,66 %), Serbë 35.939 (1,78 %), Boshnjakë 17.018 (0,84 %), Arumunë 9.695 (0,48 %), Të tjerë 20.993 (1,04 %).

[20] https://vargmal.org/lg/dan1894 (shikuar: 9.07.2014)

[21] Inervista e Lupço Georgievskit ( e përditshmja Lajm 8 korrik 2014)

[22] Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë (1991) nuk është votuar nga deputet shqiptar. Ata u mbivotuan dhe kështu ajo u aprovua me 2/3 të votave!?

[23] Krahasuar me të drejtat e pakicave në Kosovë, Maqedonia është shumë larg standarteve për të drejtat e njeriut.

[26] Në mandatin e kaluar ministëri i mbrjojtes ishte shqiptar, mirëpo para se t’ia dorëzonin detyrën bënë ndryshime fëminore duke ia hequr ministrit kompetencat mbi armatën dhe shërbimin sekret të armatës!?

[29] http://koha.net/?id=22&l=15775 (shikuar: 8.2014)

 

[30] Neni 19-të i Kushtetutëssë Maqedonisë

[31] Rreth kësaj të vërtete shiko: http://www.state.gov/documents/organization/132839.pdf (12.07.2014)

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme