
Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.
***
ادْعُ إِلَىٰ سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ ۖ وَجَادِلْهُم بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ ۚ إِنَّ رَبَّكَ هُوَ أَعْلَمُ بِمَن ضَلَّ عَن سَبِيلِهِ ۖ وَهُوَ أَعْلَمُ بِالْمُهْتَدِينَ
“Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi, këshillë të mirë dhe polemizo me atë që është më e mira.” (Nahl, 125)
Të nderuar vëllezër e motra, sot dua të them disa fjalë në lidhje me zhvillimet më të reja që po ndodhin në skenën botërore dhe të asaj midis nesh. Në radhë të parë si individë, e më pastaj si popull, jemi dëshmitarë të shumë ngjarjeve të cilat dëshmojnë për faktin se bota nuk jeton akoma në paqe. Paqja është arritur të firmoset vetëm në letër, por në realitet njerëzimi nuk e ndjen atë.
Nëse tokën do ta shikonim si një letër, mbi sipërfaqe të saj do të shohim: armiqësi, dhunë, vrasje, gjak, plaçkitje, vuajtje, dredhi, mashtrim, shpërdorim, etj., e paqen, faljen, dashurinë, vëllazërinë, mëshirën, lumturinë, drejtësinë, s’di me sa vështirësi do të mund t’i shohim diku, krahas krejt asaj fushe tjetër të errët mbi faqen e tokës së bekuar.
Kam lexuar diku se një këshilltar i Hitlerit ka thënë: Nëse dëshirojmë që gënjeshtra të besohet nga njerëzit, medoemos ajo duhet të jetë një gënjeshtër e madhe, ashtu që, në mos e besofshin të plotë, të paktën do të thonë, aty me siguri se ka diçka të vërtetë. Lufta që sot bëhet në emër të terrorizmit është një gënjeshtër e madhe që sot shumë kush e beson, por edhe pretendimi se sot bota jeton në paqe më mirë se kurdoherë tjetër, është, gjithashtu, një gënjeshtër e madhe. Paqja është sinonim i lumturisë, e lumturinë nuk e gjejmë dot tek njerëzit.
Njerëzit janë në luftë me vetveten, familjen, shoqërinë, shtetin dhe më gjerë. Atëherë, të dashur xhemat, si të punohet për të arritur te paqja e vërtetë? Nga pozicioni ynë prej besimtari themi: paqe midis njerëzve nuk do të ketë, përderisa nuk do të ketë paqe mis njeriut dhe Zotit. Islami promovon paqen univerzale, dhe atë e paraqet në çdo adhurim të tijin.
Jemi në kohën e haxhit dhe ky element më së shumti vihet në pah pikërisht në ceremonitë e tij. Haxhi është konferenca më e madhe e paqes që njihet në historinë e njerëzimit, që ka si kryefjalë “Paqen”; paqe me Zotin, me veten, me njerëzit madje edhe me kafshët e deri tek insektet.
Vetë Muhammedi a.s., është simbol i paqes dhe për këtë flasin mjaftë ndodhi nga jeta e tij e ndritshme. Historia ka shënuar rastin kur ai në kulmin e fuqisë dhe fitores së tij, në momentet kur ai dhe sahabët e tij ngadhënjimtarë hynë në qytetin e bekuar të Mekkes, në qytetin ku ai dhe sahabët e tij përjetuan torturat më të mëdha nga idhujtarët mekkas, Muhammedi s.a.v.s., ndonëse i fuqishëm, me mëshirën, mirësinë, butësinë dhe tolerancën e tij, qëndroi para Qabesë duke thënë fjalët të cilat historia i shënoi me shkronja të arta: “Ç’mendoni, ç’do të bëj unë tani me ju…? Shkoni, të gjithë jeni të lirë!”
Për fund, me rastin e ditës së Paqes, e cila isha para disa ditësh, do t’i themi vetes dhe botës dy porosi të dy pejgamberëve të Zotit. Porosia e parë ka të bëjë me deklaratën e Isait a.s., i cili iu drejtua ekzekutuesve romakë dhe ushtarëve të egër të Qesarit, duke u thënë: “Pastroni gjakun nga shpatat tuaja në bregun e detit të dashurisë, mos vritni, por dashuroni.” Kurse porosia tjetër ka të bëjë me fjalët e arta të pejgamberit tonë të dashur, Muhammedit a.s., i cili ka thënë: “Mos i ndërpritni marrëdhëniet ndërmjet vete, mos ia ktheni shpinën njëri tjetrit, mos e urreni njeri tjetrin, dhe mos keni zili për njëri tjetrin. Bëhuni robër të Allahut dhe vëllezër.” (Imam Buhariu.)
Le të pajtohemi me njëri tjetrin dhe le t’i pastrojmë armët dhe shpirtrat nga baruti dhe urrejtja. Mjaftë më me dhunë; mjaftë më me luftëra dhe urrejtje. Është koha të sjellim paqen, drejtësinë, dashurinë, faljen dhe jetën mbi tokë. Pa e ndezur dritën vetë ne, errësira nuk ka për të ikur prej nesh.
(Breziiri)