Në të vërtetë, sipas shumë analistëve, ajo periudhë mund të quhet koha “e përhapjes” së lëvizjeve islame për arsye se rritje do të thotë ngritje në ide, në organizim, në edukimin e anëtarëve, por ajo që ndodhi, në të vërtetë ishte vetëm rritje numerike e anëtarësisë në mungesë të sjelljes së çfarëdo risie. Kështu, mund të thuhet se lëvizjet islame mbetën në atë që mund të quhen “slogane”, duke u mjaftuar me promovimin e sloganeve, të cilat ishin tërheqëse për turmat e popullatës, siç ishin: “Islami fe dhe shtet”, “Islami është zgjidhje”, “Nuk kandryshim për ligjin e Allahut” etj..
Natyra e organizimit të islamit politik ishte e tillë, ku ushtrimi i kritikës apo vetëkritikës ka qenë i vështirë nga frika e përçarjes a e dobësimit të unitetit. Edhe pse kritika dhe vetëkritika është forma më e mirë e demokratizimit të brendshëm, e cila duhet të mbizotërojë në çdo sistem politik, kjo është ajo që mund të shpjegojë më së miri përse polemikat brenda grupimeve islame çojnë zakonisht në përçarje. Me gjithë qëllimin e përbashkët apo shenjtërinë e tij, të shumtën e rasteve polemikat çojnë në ndarje dhe fragmentarizëm. Prandaj mund të thuhet se ballafaqimi i parë i islamikëve me vetveten e tyre me objektivitet dhe me guxim, është paraqitur në një libër të përbashkët, të cilin e botoi dhe e redaktoi Abdullah Nefisi. Ky libër, botimi i parë i të cilit doli në vitin 1989, në Kajro, në hartimin e të cilit morën pjesë një numër i themeluesve dhe prijësve të lëvizjeve islame bashkëkohore, përfaqësues të shumicës së vendeve arabe. Në momentin kur realiteti dhe kushtet e zhvillimit u imponuan atyre nevojën e rishqyrtimit apo shtimit të risive në fjalimin e tyre politik, islamikët preferuan termin “rishqyrtim” ndaj termit “kritik”, për arsye se ky i fundit do të thotë “pranimi i gabimit”, ndërsa “rishqyrtimi” në përmbajtjen e tij është diverisfikimi nga konstantat sipas mendimi të tyre.
Zbehet popullariteti i lëvizjeve islame
Këtë islamikët e kanë për qëllim kur ata flasin për rishqyrtimet. Mirëpo ata në rishqyrtimet e tyre u morën me esencën e idesë dhe të thirrjes, kur të gjitha lëvizjet e islamit politik përafërsisht ndryshuan emrat e tyre duke hequr çfarëdo shenje që ka të bëjë me emrin islam. Prandaj tash e tutje nuk dëgjojmë emërtimet tradicionale islame si: “Vëllezërit Muslimanë”, “Fronti Islamik”, qoftë edhe “Trendi islamik” etj.. Mirëpo, përsëriten emërtime bashkëkohore, të cilat janë të preferuara në shoqërinë ndërkombëtare si: “Liri dhe drejtësi”, “Zhvillim dhe barazi” etj.. Emrat e partive islame pas revolucionit të pranverës arabe u përdorënpa epitetet “islam” e “musliman”. Gjendja aktuale e lëvizjeve të islamit politik, vërteton se ato janë zmbrapsur shumë nga pozitat e tyre të mëparshme. Kjo nënkupton edhe zvogëlimin e popullaritetit dhe ndikimit të tyre në popullatë. Ndërkohë që shumë prej islamikëve besojnë për rikthimin e imazhit të tyre të mëparshëm si luftëtarë të persekutuar, të cilët meritojnë përkrahjen e popullatës, gjendja tash për tash është krejtësisht ndryshe. Ashtu siç deklaronin islamikët në të kaluarën: “i provuam socialistët, nacionalistët, arabët, por të gjithë dështuan”. Të njëjtin slogan po e përsërisin sot të tjerët për ta: “I provuam ‘Vëllezërit Muslimanë’, por ata dështuan”!. Si duket, ata e kanë kuptuar situatën në të cilën
gjenden, prandaj shohim sot se ata po zgjerojnë bashkëpunimin me të huajt. Dhe këtë, shumë analistë arabë e shohin si kundërthënie ideologjike para se të jetë qëndrim politik”.
Kjo është periudhë vendimtare në historinë e Lëvizjeve islame, të cilën studiuesit e shkencave politike po e quajnë “periudha pasislamike”, që do të thotë tejkalim i së kaluarës së këtyre lëvizjeve. Kjo kërkon autokritikë të ashpër dhe të sinqertë, duke tejkaluar logjikën arsyetuese të shumë islamikëve. Ky mund të jetë treni i fundit për islamikët, nëse dëshirojnë të mbijetojnë, përndryshe ato do të hyjnë në histori si lëvizje të dështuara në politikë, meqenëse për herë të parë në histori atyre iu dha shansi të tregonin aftësinë e tyre, siç ndodhi në Egjipt, Tunizi, Libi, etj..