
Grupi “Ansaru bejtil makdis”merr përgjegjësinë
Vlen të theksohet se ky vendimi qeverisë erdhi si rezultat i një shpërthimi vetëvrasës, i cili ndodhi në Drejtorinë e Sigurimit në provincën Dukhalije në deltën e lumit Nil, ku mbetën të vrarë së paku 14 veta kurse u plagosën mbi 130 të tjerë. Për këtë akt terrorist qeveria e fajësoi direkt “Vëllazërinë Myslimane”, para se të verifikojë rastin me fakte dhe argumente. Kështu që edhe pse për këtë rast përgjegjësinë e mori organizata “Mbështetësit e Shtëpisë së Shenjtë të Jerusalemit” , e cila vepron në Sinaj. Kjo organizatë në një komunikatë për media thotë: “Vëllezërit tuaj në grupimin “Mbështetësit e Shtëpisë së Shenjtë të Jerusalemit” sulmuan Drejtorinë e Sigurimit në Dukhalije, e cila është kthyer në çerdhe të blasfemisë dhe mizorisë dhe e cila ka kohë që i ka shpallur luftë Islamit dhe myslimanëve”. Ajo u bëri thirrje oficerëve të policisë dhe ushtrisë që të “marrin mësim nga ajo që panë në vëllezërit e tyre dhe të braktisin shërbimin”.
Në fund të komunikatës ajo u kërcënua se në ditët në vijim do të ndërmarrë aksione të këtilla kundër qeverisë së përkohshme të Egjiptit.
Ndërkohë që lëvizja “Vëllazëria Myslimane” në faqen e vet të internetit më 27 dhjetor 2013 doli me një komunikatë për opinion ku shpjegojnë pafajësinë e vet lidhur me veprimet e dhunshme që janë bërë apo që do të bëhen në të ardhmen.
Në komunikatën e saj përveç tjerash thuhet: “Vëllazëria Myslimane” shpall botërisht se ajo është larg çdo dhune që veprohet tash apo do të bëhet në të ardhmen. Anëtarët e saj ishin paqësor në të kaluarën, tash dhe shpresojmë do të jemi të tillë edhe në të ardhmen. Ata nuk mund ta derdhin qoftë dhe një pikë gjaku të vetme.”
Përgjegjësinë për shpërthimin e madh që ndodhi më 24 dhjetor 2013 në Drejtorinë e Sigurimit në provincën e Dughalisë në qytetin Mensura e mbajnë institucionet e sigurimit të qytetit. Aty përmendet se një gazetar kishte paralajmëruar për një shpërthim të madh, i cili ndodhi vetëm një ditë pas këtij paralajmërimi.
Në komunikatë po ashtu thuhet se sulmi në qytetin Mensura u mor si pretekst për vënien e Lëvizjes së “Vëllazërisë Myslimane” në listën e organizatave terroriste para se të bëhej çfarëdo hetimi paraprak dhe pasi që ajo e kishte gjykuar ashpër një veprim të tillë, por edhe pasi që grupimi i njohur me emrin “ Mbështetësit e Shtëpisë së Shenjtë të Jerusalemit” kishin marrë përgjegjësinë për shpërthimin e lartë përmendur”.
Qeveria në kërkim të solidaritetit
Në ndërkohë që zëvendës kryeministri i Egjiptit, Husam Isa në një prononcim për mediet egjiptiane kishte deklaruar se qeveria e vendit të tij “do ti informojë të gjitha vendet arabe nënshkruese të marrëveshjes së luftës kundër terrorizmit që “Vëllazëria Myslimane” është organizatë terroriste,ashtu siç kërkoi prej ushtrisë ta ndihmojë policinë në mbrojtje të institucioneve vitale të shtetit si dhe t’i kundërvihet veprimeve të studentëve në universitet e Egjiptit, të cilët po përkrahin Lëvizjen “Vëllazëria Myslimane”.
Në aspektin e solidaritetit me qeverinë egjiptiane, deri më tani përveç një përkrahje deklarative nga Arabia Saudite, nuk ka marrë ndonjë përkrahje qoftë brenda vet botës arabe apo asaj islame. Kështu shohim një numër i konsideruar i vendeve arabe,siç janë Jordani, Iraku, Libani, Libia, Sudani si dhe shumë vende të Gjirit ishin prononcuar kundër vendimit që kishte ndërmarrë qeveria e përkohshme në Kajro, bile shumë prej tyre e kishin quajtur hap të ngutshëm dhe jo të menduar mirë.
Mendim të ngjashëm kanë edhe qeveritë perëndimore si dhe shumë analistë të ndryshëm qofshin ata të Perëndimit apo të Lindjes. Në fillim po përmendim qëndrimin parimor të administratës amerikane që nga fillimi i puçit që u bë ndaj presidentit egjiptian, Muhamed Mursi,i cili ishte presidenti i parë i zgjedhur nga vota e lirë e popullit egjiptian që nga viti 1952.
Administrata amerikane në anën e “Vëllazërisë Myslimane”
Kështu shohim se shefi i State Departamentit amerikan, Xhon Keri, në një bisedë telefonike që kishte zhvilluar me ministrin egjiptian për Punë të Jashtme, Nebil Fehmi kishte shprehur shqetësimin e tij për vendimin e qeverisë së përkohshme të Egjiptit,të datës 25 dhjetor për shpalljen e lëvizjes së “Vëllazërisë Myslimane” organizatë terroriste.
Në të njëjtën kohë, Keri insistoi nga homologu i tij egjiptian për një zgjidhje gjithëpërfshirëse politike ku do të merrte pjesë i tërë spektri politik e vendit, ku do të respektoheshin të drejtat njerëzore të gjithë qytetarëve, me çka do të arrihej stabiliteti politik dhe ndryshimi demokratik në vend.
Në anën tjetër një përgjegjës i lartë amerikan kishte deklaruar për media se administrata e presidentit Barak Obama nuk e kishte studiuar e as nuk e kishte shqyrtuar mundësinë e klasifikimit të Lëvizjes “Vëllazëria Myslimane” si organizatë terroriste.
Të njëjtin qëndrim e kishte mbajtur edhe Forin ofisi britanik, i cili kishte kundërshtuar një hap të këtillë të qeverisë së përkohshme egjiptiane. Për çka në disa media egjiptiane një hap i këtillë kishte qenë objekt kritike.
“Independent” kthimi në kohën e diktaturave
Shtypi britanik i bënë një vështrim gjithëpërfshirës shpalljes së Lëvizjes së “Vëllazërisë Myslimane” organizatë terroriste nga ana e qeverisë së përkohshme egjiptiane. Kështu shohim të përditshmen britanike “Independent”, e cila në artikullin e saj me titullin: “Me shpalljen e “Vëllazërisë Myslimane” organizatë terroriste, gjenerali Sisi po vazhdon me diktaturat e më hershme në Egjipt”. Në fillim të shkrimit të tij analisti britanik, Robert Fisk, shkruan: “Nuk dua ta frikësoj askënd, mirëpo pyetja që mund të shtrohet është se a do ta bëjë gjeneral Abdul Fetah Sisi me shokët e tij gjeneralë ekzekutimin e ish-presidentit, Muhamed Mursit dhe shokëve të tij?” Ai në këtë përgjigjet si vijon: “Në momentin kur në Lindjen e Mesme një organizatë shpallet terroriste, atëherë ty të lejohet që të vendosësh rreth qafës së anëtarëve të saj litarin e vdekjes.” Ai pastaj shton, meqenëse veprimet luftarake janë bërë të ngjashme me ato të al-Kaides në Sinaj si dhe ndodhia e shpërthimit të autobusit në Kajro, ky akt po konsiderohet komplot i “Vëllazërisë Myslimane”, në këtë mënyrë pra mundet Sisi me shokët e tij ta likuidojnë Lëvizjen që ka një jetë të gjatë prej 85 vjetësh me çfarëdo mjeti që ata dëshirojnë. Ajo çka po ndodh sot në Egjipt është e ngjashme me vërsuljen që Xhemal Abdu Naseri ua kishte bërë “Vëllezërve Myslimanë” në vitin 1954 pas një përpjekje atentati të dështuar që një anëtar i kësaj Lëvizje kishte bërë kundër tij.
Analisti, Robert Fisk, vazhdon : Gjenerali Sisi do të dështoj në likuidimin e “Vëllazërisë Myslimane”, kurse njëri i prej shkaqeve kryesore të këtij dështimi është atë që e kishin kuptuar presidentët e mëhershëm të Egjiptit: Abdu Naseri, Sadati dhe Mubaraku, se “Vëllezërit” janë lëvizje e korruptuar politikisht, por ata pranojnë bisedime me regjimin ushtarak dhe kthimin në ligjshmëri.
Fisku pastaj vazhdon, Mursi ishte ai që negocioi me Mubarakun, në ndërkohë që bandat e regjimit të tij po vranin demonstruesit në sheshin Tahrir. Mursi ishte ai që emëroi Abdul Fetah Sisin ministër të mbrojtjes.
Ai po ashtu pohon se në një të afërme të afërt secili individ që përkrah “Vëllazërinë Myslimane” llogaritet “terrorist” që mund të vritet. Kjo është e njëjta metodë që ka përdorur Sadati me armiqtë e tij islamikë, gjithashtu kjo ishte metoda që Naseri kishte përdorur ndaj tyre.
Në fund Fisku pyet: Çka po donë Sisi prej Mursit, kur xhaxhai i vet ka qenë në lidershipin e “Vëllazërisë Myslimane” prej më tepër se gjysmë shekulli? Çka mund të thotë ai për klasën e mesme liberale, për të rinjtë dhe punëtorët, islamikët, të varfëritë dhe intelektualët, të cilët të gjithë së bashku protestuan për rrëzimin e regjimit të Mubarakut?
Ai pastaj thotë se shumë njerëz i kanë duartrokitur Sisit për eliminimin e “Vëllezërve” dhe pastrimin e Egjiptit nga ‘shtypja’ e “Vëllezërve”.
Robert Fisku e përfundon artikullin e tij duke shtruar këtë pyetje: A donë Egjipti të kthehet në periudhën e Xhemal Abdu Naserit, Sadatit dhe Mubarakut?