Kur dëshmojnë të vdekurit

image

 

Diçka shumë shqetësuese dhe ngjethëse po ngjet anekënd ish-Jugosllavisë dhe shumica e njerëzve në Perëndim qëndrojnë lumturisht të painformuar dhe të paditur. Mbetjet e përthinjura të të dashurve të munguar prej kohësh po dalin në sipërfaqe prej poshtë tokës me një përqindje alarmuese, si t’u jetë kërkuar nga një fuqi e lartë të dëshmojnë për krimet e papërshkrueshme të së shkuarës. Luftërat dhe gjenocidet bashkëshoqëruese të kohës së Millosheviqit mund të kenë marrë fund fatmirësisht, së paku tani për tani, por llogaria e një dekade tmerri është ende në vijim e sipër. 

Një sërë varresh masive, të planifikuara dikur nxitimthi, të gërmuara e të maskuara në mënyrë të ngatërruar, po identifikohen e po hapen tashmë gradualisht, nxitur nga një përzierje e rastësishme e dëshmive të dëshmitarëve gjatë, të shtypur e të frenuar, e presionit të jashtëm politik dhe e provave të dala rishtas. Edhe përmbytja e paparë e kohëve të fundit ka shpërfaqur eshtra dhe kafka të fshehura prej vitesh nga masakra thuajse të harruara. 

Për shumicën prej nesh skenarët e varreve të tilla masive janë lënda për makthet tona më të këqija. Por, për anëtarët e familjeve të brengosura këto zbulime dhe zhvarrime ofrojnë fije shprese të përtëritura për një ribashkim të pritur gjatë, të hidhur e të ëmbël, me familjarët e dashur që mungojnë qyshkur. Në këtë kontekst, dua të them se varret masive janë “dhurata” sureale që vazhdojnë të japin. 

Varret e fundit masive nuk janë kurrsesi të reja në kuptimin historik të fjalës. Vendndodhja e madhe në Bosnjën veriperëndimore, për shembull, është lokalizuar në fshatin Tomashica, dhe daton mbase nga viti 1992 apo 1993. Ajo gjendet shumë pranë Prijedorit, një prej qendrave kryesore të kampeve të përqendrimit të tipit nazist dhe të vrasjeve në masë të organizuara nga forcat serbe në fillim të viteve 1990-të, të ushqyera e të financuara prej regjimit të Millosheviqit nga Beogradi, në fushatën e tij monomaniake për një Serbi të Madhe. 

Nga vendndodhja e Tomashicës, një gropë e gjerë, si zgafelle, rreth nëntë metra e thellë dhe që mbulon një sipërfaqe prej pesë mijë metra katrorë, janë zhvarrosur deri tani gati 430 viktima. Ky varr masiv, ashtu si qindra të tjerë në territorin boshnjak, ka në të viktima të njësive serbe, të cilat vranë mijëra boshnjakë (muslimanë boshnjakë) dhe, gjithashtu, kroatë boshnjakë me shpresën e krijimit të një rajoni të “pastër etnikisht”. 

Besohet se vendndodhja e Tomashicës ka pasur në fillim mbetjet e 1.000 meshkujve, femrave dhe fëmijëve, duke lënë të kuptohet se disa prej trupave ishin nxjerrë më vonë dhe qenë lëvizur, gjë e cila i vështirëson përpjekjet për t’i identifikuar të vdekurit. Ekipet e mjekësisë ligjore zbuluan po ashtu plumba brenda varrit, gjë që tregon se Tomashica shërbeu edhe si vend ekzekutimi. 

Janë zbuluar hollësi thellësisht shqetësuese për mënyrën se si trupat erdhën në Tomashica. Sipas një hetimi të fundit, nga kampet famëkeqe të përqendrimit në Trnopolje dhe Omarska, të kontrolluar e administruar nga serbët, ishin marrë të burgosur dhe qenë detyruar të shkarkojnë trupa nga kamionët dhe t’i hidhnin në varr. Ata ishin qëlluar në vend pas mbarimit të detyrës. 

Varri i Tomashicës u gjet i mbuluar nga një sërë kodrinash artificiale, nën të cilat u zbulua një shtresë tjetër “dheu”, e përbërë nga mbetje të grumbulluara tokësore. Trupat e parë u gjendën diku në thellësinë shtatë metra. Për shkak të përmbajtjes specifike të dheut, procesi natyror i dekompozimit ishte shtyrë në mënyrë domethënëse dhe disa kufoma u gjendën në një gjendje çuditërisht të mumifikuar. Duhma e të vdekurve filloi të përhapej në tërë zonën, pasi varri u nxor në dritë. 

Sipas zyrtarëve boshnjakë, vendndodhja u identifikua së pari në prillin e shkuar nga dy ish-ushtarë serbo-boshnjakë, të cilët ndihmuan për të përcaktuar vendin e saktë të varrit. Njëri prej personave, që siç duket vuante sëmbimet e fajit dhe pendimit, u hodh më pas nga një urë duke gjetur vdekjen; një tjetër viktimë e pakuptimtë e vrasjeve masive dhe gjenocideve. 

Ironikisht, në të njëjtën kohë që nga vendndodhja e Timoshicës po nxirren qindra kufoma të fshehura prej kohësh, një tjetër vendndodhje varri masiv i shumëpritur, 650 km në juglindje, po sjell një zhvarrosje tërësisht më vete, por ngushtësisht të lidhur. Kjo vendndodhje në Rudnicë gjendet pranë qytetit të Rashkës, në pjesën më jugore të rajonit të Sanxhakut, të populluar në mënyrë mbizotëruese nga boshnjakët, jo rastësisht pak kilometra nga kufiri i Serbisë me Kosovën, e pavarur që nga shkurti i vitit 2008. 

Nga vendndodhja e Rudnicës janë zhvarrosur mbetjet e rreth 50 njerëzve, të gjithë shqiptarë të Kosovës, gjer në përgatitjen e këtij shkrimi, por është e sigurt se shumë më tepër do të dalin në sipërfaqe. Besohet se prej vendndodhjes do të dalin nga 250 deri në 500 trupa. Ndryshe zhvarrimeve të shkuara brenda Serbisë, kjo nismë po mbikëqyret nga zyrtarë të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, EULEX-it (Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit) dhe përfaqësues shqiptarë të Kosovës. E gjitha kjo nënkupton jo më marifete, jo më errësime. Por, me gjithë transparencën në dukje, asnjë mjet informimi i pavarur nuk është lejuar në vendndodhje. 

Historia e kësaj vendndodhjeje të veçantë, në të vërtetë një kompleksi vendndodhjesh, është tërheqëse, e veçanërisht e ndjeshme, për këtë autor. Rezulton se për vendin dihej nga zyrtarët e NATO-s që në vitin 1999, gjatë ose pak pas ndërhyrjes së armatosur të NATOS-s, që i dha fund forcërisht shtypjes brutale nga Millosheviqi të shqiptarëve etnikë të Kosovës.

Rreth 800.000 civilë shqiptarë u nxorën nga shtëpitë e tyre në atë kohë dhe u detyruan të merrnin arratinë. Ishte një periudhë vrasjesh masive dhe përdhunimesh sistematike në një shkallë lemeritëse, me përfshirjen e njësive të armatosura serbe, “paramilitarëve”, policisë, civilëve solidarë dhe forcave shtetërore të sigurisë. Në një moment të caktuar ishte dhënë urdhri nga Beogradi për t’i nxjerrë kufomat shqiptare nga varret masive të krijuara me të shpejtë brenda Kosovës për t’i mbartur në kamionë frigoriferikë për në Serbi. Për të punuar vajtën njësi të forcave speciale serbe.                                      

Këto autokolona makabre me kufoma kaluan matanë kufirit dhe në një shumësi destinacionesh të posaçme; ca u zhytën në lumenj ose liqene, të tjera i shkarkuan ngarkesat e tyre njerëzore në furrat e industrializuara, si në kompleksin industrial në Maçkatica, në varret masive të bëra shpejt e shpejt, si ato në terrenet e përgatitjes së policisë pranë Beogradit ose në vende si ky në Rudnica. Gjatë dekadës së shkuar janë kthyer gradualisht në Kosovë mbetjet e thuajse 1.000 meshkujve, femrave dhe fëmijëve. Në atë grup kishte dhe foshnje, ca ende me biberon në gojë. 

Regjimet e njëpasnjëshme në Beograd ia dolën që prej vitit 1999 që ta mbajnë vendndodhjen e varrit të Rudnicës të pangacmuar dhe të pakontrolluar. Episodi më i rëndë i fshehjes ngjau në vitin 2010, pasi BBC-ja dhe burime të tjera, të spikatura lajmesh, e bënë të njohur disi me hollësi vendin e dyshuar, duke e përshkruar si “një ndërtesë të vogël që qëndron direkt mbi trupat; themelet e saj u ngritën qëllimisht për të fshehur vendndodhjen”. 

Kolegu im shqiptar dhe unë shkruam muajin pasues një artikull, të titulluar “Të vdekurit dëshmojnë”, duke dhënë me imtësi veçori specifike të varrit masiv dhe duke kërkuar që të nisë menjëherë zhvarrimi i duhur, i mbikëqyrur ndërkombëtarisht. Në vend të kësaj, autoritetet serbe dërguan ekipin e tyre të “ekspertëve”, që në dukje ndërmori marrjen e kampioneve të dheut pranë ndërtesës dhe deklaroi me të shpejtë rezultatet “negative” për lëndë organike. 

Organi alternativ i shtypit, Peshçanik, jep një version paksa ndryshe të ngjarjeve. Ata pretendojnë se, pas pseudoanalizës së dheut, u paraqit një studim nga Fakulteti i Inxhinierisë Civile në Beograd, i cili “provonte gjoja jashtë çdo dyshimi se në atë vend nuk ka trupa”. Media e linjës së përgjithshme e Beogradit, e njohur si lajkatuese, trumbetoi shpejt ngadhënjimin e propagandës: “U nxorën”, deklaroi ajo, “vetëm gënjeshtra masive.”

Duke e njohur mënyrën e të vepruarit më pak se të paanshme e të sinqertë të Serbisë, kolegu im dhe unë qemë të vendosur të mos i linim gjërat të përfundonin këtu. Ne vijuam t’ua bëjmë të njohur çështjen tonë zyrtarëve të ndryshëm të EULEX-it në Kosovë, e më pas gazetarëve të tjerë, së pari në Beograd dhe më pas në Kosovë. Asnjë nuk u duk posaçërisht i interesuar ose i nxitur nga raportet ose lutjet tona.  

Në fund e ngritëm çështjen tonë drejtpërdrejt në Beograd, duke shfrytëzuar një ftesë fatlume për kolegun tim nga një gazetar dashamirës serb. Në verën e vitit 2011 morëm pjesë në një konferencë shtypi në qendrën e re mbresëlënëse mediatike të Beogradit, të përqendruar te ekipi i negociatave të diskutueshme të Serbisë me Prishtinën. Në një skenë të paharrueshme tërë dramë, ngjashëm me ato kinematografike, pasi guxuam të paraqesim një kopje të raportit tonë më të fundit mbi krimet e luftës, duzina gazetarësh të grumbulluar filluan të na trajtojnë si lebrozë rrezikshmërisht infektues. 

Një pjesëmarrëse, ndoshta një nacionaliste serbe e vijës së ashpër, u ngrit menjëherë për të na denoncuar: “Ata janë parë së fundi me një irredentist shqiptar”, deklaroi ajo në serbisht, duke treguar me gisht nga ne të dy. (Ne sapo kishim ardhur nga një seri takimesh me politikanë shqiptarë në Preshevë) 

Papritmas u krijua përshtypja sikur sapo ishim denoncuar në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Serbe. Nuk është e nevojshme të thuhet se kopjet e raportit tonë nuk u morën kurrë nga ndonjë prej gazetarëve apo politikanëve të mbledhur. Miku gazetar i kolegut tim u zhduk në mënyrë misterioze. Mësimi i nxënë: tregimi i së vërtetës për të shkuarën e trazuar të Serbisë nuk ka për t’ju popullarizuar juve në Beograd. 

Nuk kam dyshim se zyrtarët e EULEX-it mund të kishin ushtruar presion më të fortë, më të fuqishëm, mbi zyrtarët e Beogradit; mjetet e informimit në Serbi ose Kosovë mund të kishin nisur po ashtu fushata informative publike të përshtatshme. Në vend të kësaj, ne u përballëm me një apati të gjerë, gati-gati me një pajtim moral. E gjeta veten të zënë në kurth në një lloj makthi të Alisës përmes pasqyrës së Ballkanit. Pas zbulimit të majit 2010 u deshën tre vite e gjysmë që të fillojë më në fund një zhgroposje serioze në Rashkë. 

Por, tërë historia nuk mbaron këtu. Sipas Peshçanikut, përpara se zhvarrimi të nisë vërtet, autoritetet serbe u kërkojnë autoriteteve kosovare 300.000 euro, rreth 400.000 dollarë, për “mbulimin financiar” të hetimit, duke përfshirë fondet për shkatërrimin e ndërtesës së ndërtuar për maskimin e varrit masiv. Kësaj i thonë “të vret e nuk të qan”. Me shpenzimet e parapaguara dhe me presionet e shtuara, domethënëse, të bëra gradualisht nga BE-ja, Serbia qe më në fund gati për të vepruar. Në nëntor të vitit 2013 nisi të vijojë procesi aktual i zhvarrimit. 

Pikërisht në kohën që po kryheshin ende zhvarrimet në Tomashicë dhe në Rashkë, ngjau një tjetër zbulim i papritur dhe shqetësues, këtë herë në Bosnjën lindore. Përmbytjet e papara të kohëve të fundit kishin zbuluar një tjetër varr masiv të fshehtë, që kishte në të mbetjet e së paku gjashtë njerëzve, duke përfshirë katër trupa të plotë, duart e të cilëve u gjendën të lidhura pas kurrizit të tyre. Edhe një herë besohet se këto viktima janë boshnjakë, këtë herë nga rrethi i qytetit të Dobojit, pjesë e një kërkimi të gjatë të grupit të civilëve të masakruar. 

Në përgjithësi, rreth 100.000 njerëz vdiqën në luftën e Bosnjës dhe shumica që qenë në shënjestër ishin civilët boshnjakë. Vetëm në Srebrenicë u kapën e u therën si kafshë 8.000 burra e djem boshnjakë. Edhe Tribunali i Hagës, gjithmonë i kujdesshëm, e klasifikoi zyrtarisht Srebrenicën si një gjenocid. Mijëra boshnjakë janë të humbur dhe shumë nuk kanë për t’u gjetur kurrë. 

13.000 shqiptarë etnikë u vranë në Kosovë në vitet 1998-1999, bashkë me 1.000 anëtarë të grupeve të tjera etnike. Rreth 1.700 persona janë ende të humbur, kryesisht shqiptarë etnikë, por gjithashtu serbë, romë dhe pjesëtarë të grupeve të tjera etnike të pakicave. Të gjithë të dashurit e tyre të mbijetuar ende presin një lloj mbylljeje; çdo familje ka të drejtën për një funeral të denjë dhe të respektueshëm, edhe nëse po varrosin vetëm mbetje skeletore të degraduara prej shumë kohësh dhe copëza kockash. 

Me gjithë këto zbulime dhe zhvarrosje varresh masive në dukje të pafundme, do të dukej e pamundur që dikush të pretendonte akoma se gjatë viteve të ’90-ta nuk ngjau asnjë gjenocid që kishte në shënjestër boshnjakët ose shqiptarët etnikë në Kosovë. Pirgjet e provave fizike, të kufomave dhe skeleteve të copëzuara, për të mos përmendur dëshmitë nga gjyqet e shumta për krime lufte, janë absolutisht dërrmuese dhe të papërballueshme. 

Sigurisht që pjesëtarët e të gjitha grupeve etnike vuajtën tmerrësisht dhe krime të izoluara u kryen nga të tëra palët. “Asnjë palë”, na këmbëngulte një i mbijetuar boshnjak i një kampi përqendrimi, “nuk i ka plotësisht duart e pastra”. Por, kjo nuk e fshin gjenocidin bazë, as që u mundëson bërësve të krimeve një lloj lejekalimi moral. Kurrë!

Një grup kolegësh dhe unë, mjaft të zhgënjyer nga mohimi në dukje i pafund i gjenocidit, kemi filluar herët përgatitjet paraprake për krijimin e një qendre të posaçme të paqes në kryeqytetin boshnjak, në Sarajevë, kushtuar dokumentacionit të pasur mbi gjenocidet e shkuara, dhe për parandalimin e gjenocidit anekënd botës. Ne mendojmë t’i vëmë qendrës emrin e Ana Frankut, një figurë e dashur botërisht dhe një simbol i fuqishëm i rezistencës ndaj tiranisë. Për familjen time, hebrenj polakë të përndjekur dhe të vrarë nga nazistët gjatë Holokaustit, akti ngulmues i përkujtimit dhe i luftës për të ndaluar në të ardhmen tmerre të tilla ka një rezonancë të fuqishme. 

Për njerëzit në tërë botën, aq shumë të prekur pashlyeshmërisht nga të këqijat binjake të gjenocidit dhe të mohimit të gjenocidit, një qendër edukimi paqeje në Sarajevën shumëkulturore mund të jetë dhurata më e madhe nga të gjitha. 

*Robert Leonard Rope është anëtar i këshillit të Institutit për Kërkimin e Gjenocidit, Kanada

 

Përktheu: 

Bujar M. Hoxha   

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme