Që nga ardhja e Islamit në këto hapësira, muslimanët e këtyre vendeve kanë ruajtur një dashuri dhe respekt të madh ndaj Pejgamberit a.s dhe familjes së tij të pastër Ehlul Bejt. Muret e xhamive janë të zbukuruara me emrat e Aliut dhe dy djemve të tij Hasanit dhe Husejnit. Gjithashtu, ka edhe shumë vargje, sidomos janë të njohura vargjet e shejhve sufi. Gjithashtu edhe mevludi, përveç vargjeve për profetin ka edhe vargjet për Fatimen r.a, vargje këto që shumë dëgjues i bën të nxjerrin lot. Megjithatë muslimanët e këtyre trojeve asnjëherë nuk e kanë tepruar në dashuri ndaj Ehlu Bejtit duke u përshkruar atë që nuk u takon dhe që është në kundërshtim me parimet islame. Vitet e fundit muslimanët e këtyre trojeve janë duke u përball me goditje nga mësime dhe sekte të ndryshme të cilat mundohen të na imponojnë dhe të shtypin traditën e kuptimit dhe praktikimit të Islamit të bazuar në mësimet e Ehli Sunetit dhe xhematit. Njëra nga këto mësime është edhe doktrina shiite e cila në vetë përmban një dashuri të tepruar ndaj Ehlu Bejtit. Nga ana tjetër theksimi i vlerave të Ehlu Bejtit dhe transmetimeve që kanë të bëjnë me ta, konsiderohen pranim i shiizmit. Edhe një qasje e tillë është e tepruar. Me këtë rast dëshirojmë të tregojmë disa gjëra të rëndësishme në lidhje me Ehlu Bejtin.
Dashuria ndaj Ehlu Bejtit është pjesë e Imanit
Dashuria ndaj Familjes fisnike Ehlu Bejtit të Pejgamberit a. s është pjesë e fesë tonë. Ajo është fryt e dashurisë tonë ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, është shenjë e plotësimit dhe sinqeritetit të imanit si dhe pastërtisë dhe devotshmërisë se zemrës.
Allahu i Madhërishëm thotë: “Thuaju: “Për këtë nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi tjetër prej jush, përveç respektit (për mua) për hir të farefisnisë (që kemi). (Shura, 23). Në komentet e Kuranit mund të hasim mendimin se ky ajet ka të bëj me dashurinë dhe kujdesin ndaj familjes dhe pasardhësve të pejgamberit a.s dhe ky qëndrim lidhet me disa tabiin siç është Seid ibn Xhubejri dhe Imam Zejnul Abidin, r.h
Shumë hadithe tregojnë vlerën e Ehli Bejtit dhe nxisin për dashuri ndaj tyre, ndërsa ndalojnë urrejtjen dhe armiqësinë ndaj tyre. Këtu do t’i përmendim vetëm disa:
Transmetohet nga Erkami r.a se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Jua lë dy gjëra madhështore. Njëra është libri i Allahut. Në të do të gjeni të gjitha udhëzimet dhe dritat, andaj përbëjuni fortë Librit të Allahut. Pastaj tha: “ua lë edhe familjen time! Ua përkujtojë Allahun në lidhje me familjen time! këtë e përsëriti tre herë. (Muslimi).
Transmetohet nga ibn Abbasi r.a se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Duajeni Allahun për shkak të begative që ua ofron, më doni mua për hir të dashurisë ndaj Allahut dhe duajeni familjen time për hir të dashurisë ndaj meje.” (Tirmidhiu, Hakimi).
Transmetohet se Ibn Abbasi r.a i është ankuar të Dërguarit të Allahut për raportin e disa kurejshive ndaj tij, andaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s tha: “Pasha Atë i cili e ka në dorë shpirtin tim, nuk do të hyjë imani në zemrën e ndonjë njeriu derisa nuk ju do juve për hir të Allahut dhe të dërguarit të Tij. Pastaj tha: O ju njerëz, kush e zemëron xhaxhain tim është njëjtë sikur më ka zemëruar mua sepse xhaxhai është në vend të babait.” (Tirmidhiu).
Krahas këtyre haditheve që flasin në mënyrë të përgjithshme për vlerën e familjes së pejgamberit a,s, në librat e haditheve mund të gjenden numër i madh i haditheve që flasin për vlerën e disa anëtarëve të familjes fisnike në veçanti për të cilët nuk jemi në gjendje të flasim këtu. Ajo çka është me rëndësi këto hadithe nuk lënë hapësirë për dyshim sa i përket vlerës së familjes fisnike të pejgamberit a.s, domosdoshmërisë dhe respektit ndaj tyre, si dhe ndalimin e çfarëdo nënçmimi dhe zemërimi të tyre.
Edhe gratë e pejgamberit a.s i takojnë Ehlu Bejtit
Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve muslimanë, gratë e pejgamberit a.s bashkë me vajzën e tij Fatimen, dhëndrin Aliun dhe nipërit Hasanin dhe Husejnin, Zoti qoftë i kënaqur me ta, e përbëjnë Ehli Bejtin. Në një përfundim të këtillë kanë ardhur në bazë të ajeteve kuranore ku përmendet fjala “ehl” në kuptim të familjes . Në fakt, kur shikohen këto ajete shumë qartë shihet dhe kuptohet se fjala “ehl” nënkupton edhe gratë. Njëri prej këtyre ajeteve gjendet në tregimin e Ibrahimit a.s ku përmendet dialogu mes melekut dhe gruas së Ibrahimit a.s. I Madhërishmi thotë: “Ajo tha: “Ah! E mjera unë! A mos vallë, kështu plakë do të lind unë, ndërkohë që edhe burri im është plak! Me të vërtetë, kjo është diçka e jashtëzakonshme!” Ato (engjëjt) thanë: “A mos vallë, po çuditesh me urdhrin e Allahut? Mëshira e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi ju – familjen e të dërguarit. Me të vërtetë, Ai është i Falënderuar dhe i Lavdëruar!”. (Hud, 72-73). Duke komentuar këtë ajet Imam Kurtubi thotë: Ky ajet tregon se fjalët Ehlul Bejt kanë të bëjnë edhe me gruan, çka nënkupton se edhe gratë e pejgamberëve janë Ehlul Bejt. Andaj, Aisheja dhe gratë tjera të pejgamberit a,s i takojnë Ehlul Bejtit që përmenden në ajetin “T’ju pastroj plotësisht.” (Kurtubi 2006:11/170). Ky qëndrim vërtetohet edhe me ajetin për Ehlu Bejtin e pejgamberit a.s ku thuhet: “O Familje e Profetit, në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastroj plotësisht. (Ahzab, 33).
Nëse shikojmë kontekstin në të cilin gjendet ky ajet, do të shohim se në ajetet para këtij flitet për gratë e pejgamberit a.s dhe se i Madhërishmi në dy ajetet paraprake pikërisht atyre ju thotë: O gratë e të Dërguarit.”
“O gratë e të Dërguarit! Ato prej jush që bëjnë ndonjë turp të hapur, do të kenë ndëshkim të dyfishtë; kjo për Allahun është lehtë. Ndërsa atyre prej jush që binden ndaj Allahut e të dërguarit të Tij dhe bëjnë vepra të mira, Ne do t’u japim shpërblim të dyfishtë e u kemi përgatitur begati të mëdha. O gratë e të Dërguarit! Ju nuk jeni si gratë e tjera. Nëse i frikësoheni Allahut, mos flisni me përkëdheli, që të mos ju dëshirojë ai që ka zemër epshore, por flisni drejt dhe në mënyrë të ndershme! Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes! Faleni namazin, jepni zeqatin dhe bindjuni Allahut e të Dërguarit të Tij!O Familje e Profetit, në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastroj plotësisht.(Ahzab, 30 – 33).
Ibn Kethiri këtë ajet e merr si argument se gratë e pejgamberit i takojnë Ehlu Bejtit dhe regjistron një transmetim nga Ibn Abbasi r.a se ky ajet është shpallur ekskluzivisht për gratë e pejgamberit. Nëse me këto fjalë të ibn Abbasit mendohet se gratë e pejgamberit janë shkak i shpalljes së këtyre ajeteve, atëherë kjo është e vërtetë, konsideron ibn Kethiri, mirëpo, nëse me fjalët e ibn Abbasit mendohet se vetëm gratë e pejgamberit janë Ehlu Bejt, atëherë këtë e kundërshtojnë transmetime të shumta ku përmendet Aliu, Fatimja, Hasani dhe Husejni r.a si Ehlu Bejt. (Ibn Kethr, 2000:11/152-153) Transmetimet për të cilat flet Ibn Kethiri janë të verzioneve të ndryshme të hadithit të vërtetë i njohur si “haditithi i “kisas”: “Një ditë Pejgamberi a. s. e tuboi Aliun, Fatimen, el-Hasanin dhe Huseinin, i mbuloi me pelerinë (kisa) me të cilën vetë dinte të mbulohet kur shkonte në gjumë, dhe e theksoi lutjen: Allahu im, kjo është familja ime. Largo nga ta mëkatet dhe pastroji plotësisht.” Ky hadith është nga argumentet kryesore të atyre që konsiderojnë se vetëm Aliu, Fatimja, Hasani dhe Husejni r.a janë anëtarë të Ehlu Bejtit dhe se vetëm për këta ka të bëj ajeti i sures Ahzab. Megjithatë, ky hadith, respektivisht veprimi i të Dërguarit të Allahut nuk nënkupton kufizimin e Ehlu Bejtit vetëm tek këta persona, sepse në një transmetim tjetër të këtij hadithi të cilin e regjistron Imam Ahmedi qëndron se më vonë Ummu Seleme ka pyetur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s: “Vallë, unë, a nuk jam nga familja jote? Ndërsa i Dërguari s.a.v.s i tha: “Gjithsesi. Futu nën pelerinë. Gjithashtu, në një transmetim që e regjistron Taberani me sened të mirë qëndron se i dërguari i Allahut s.a.v.s në një rast e mbuloi Abbasin r.a dhe fëmijët e tij dhe tha: “Zoti im, ky është mbrojtur unë me këtë pelerinë.
Imamul Huda Ebu Mensur El-Maturidi, konsideron se ky ajet tregon atë se gratë e pejgamberit a.s janë Ehlu Bejt dhe në komentin e ajetit 33 të sures Ahzab thotë: “Disa konsiderojnë se nuk ekziston lidhje mes këtij ajeti dhe ajeteve paraprake, sepse ajetet paraprake kanë të bëjnë me gratë e pejgamberit a.s ndërsa ky ajet me Ehlu Bejtin. Ky është qëndrimi i rafidive (shiave). Pastaj thotë: “Qëndrimi ynë se ky ajet është i lidhur me ajetet paraprake. Mund t’u referohet edhe grave edhe fëmijëve të tij që janë përmendur, sepse termi ehlu bejt përdoret për të gjithë ata, apo edhe mund t’u referohet ekskluzivisht grave. Në asnjë rast nuk mund të konkludohet se ky ajet i përjashton gratë nga Ehlu Bejti.” ( Maturidi, 2005:8/382-383)
Imam Fahrudin Er-Razi konsideron se qëndrimi më i drejtë është ai se Ehlu Bejtit i takojnë gratë e pejgamberit a.s, fëmijët e tij, Aliu, Hasani dhe Husejni r.a. (Er-Razi, 1981: 25/210)
Andaj, dashuria e sinqertë ndaj Ehlu Bejtit nënkuptohet dashuria ndaj të gjithë anëtarëve.
Vetëm pejgamberet janë të pagabueshëm
Ibn Ebi ‘Asim në ES-Sunnetu me sened të mirë regjistron se Aliu r.a ka thënë: “për shkak meje do të vuajnë dy grupe njerëzish: njëri për shkak të dashurisë së tepruar, ndërsa të dytët për shkak të urrejtjes.” Këto fjalë të Aliut r.a u vërtetuan qysh sa ishte ai gjallë. Në njërën anë ishin ata që e ngritën shumë lartë mbi sahabët tjerë, apo edhe mbi pejgamberet, kishte edhe fanatik që i dhanë cilësi hyjnore. Ngjashëm vepruan edhe me anëtarët tjerë të ehu bejtit. Nga ana tjetër mes kundërshtarëve të tij kishte prej atyre që e ofendoni dhe e mallkonin, ndërsa havarixhët e shpallën qafir dhe në fund e vranë. Ehlu Suneti dhe xhemati i kundërshtuan ashpër të dy grupet
Nëse lëshohemi në mësimet shiite, do të shohim se anëtarëve të Ehlu Bejtit (mes të cilëve nuk i numërojnë gratë e pejgamberit a.s ) u përshkruan disa cilësi që nuk i kanë as pejgamberet e as melekët, mes tjerash u përshkruhet edhe pagabueshmëria. Mes argumenteve që i përdorin më së shumti për këtë është edhe ajeti 33 i sures Ahzab ku Allahu thotë: “O Familje e Profetit, në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papatsrëtinë dhe t’ju pastroj plotësisht.”
Sipas mësimeve të Ehli sunetit, pagabueshmëria është cilësi të cilën e posedojnë vetëm pejgamberët. Imam Ebu Hanife thotë se pas përfundimit të pejgamberisë nuk ekzistojnë njerëz të pagabueshëm. Është gabim dhe humbje e madhe t’u përshkruhet pagabueshmëria dikujt tjetër përveç pejgamberëve.
Sa i përket ajetit të sures Ahzab, dijetarët e Ehli Sunetit konsiderojnë se ajeti në fjalë sqaron kuptimin e urdhrave dhe ndalesave të përmendura më parë, respektivisht dëshiron të ruaj nderin dhe dinjitetin e Ehlu Bjetit. (Ebu Suudi, 1971:4/417)
Imam Alusi në shqyrtimin e tij të komentimit shiit të këtij ajeti thotë se pikërisht ky ajet tregon të kundërtën. Sepse, nëse dikush është vetvetiu i pastër dhe i ruajtur nga gabimet, atëherë për çka është dobia e pastrimit të tij? Çfarë do të pastrohet? Pastaj, nëse me këtë ajet nënkuptohet pagabueshmëria e Ehlu bejtit, atëherë të gjithë sahabët janë të pagabueshëm sepse për ta thuhet: “...Por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush, që të jeni falënderues. (El-Maide, 6) (Alusi, 1985: 22/18)
Pra, kur është në pyetje dashuria dhe respekti ndaj Ehlu Bejtit, qëndrimi ynë është i njëjtë me atë që e kemi ndaj sahabëve të pejgamberit a.s. për këtë Imam Tahavi duke transmetuar qëndrimet e të parëve tanë, imam Ebu Hanifes dhe nxënësve të tij, thotë: Ne i duam sahabët, nuk e teprojmë në dashuri ndaj asnjërit prej tyre, nuk e mohojmë asnjërin prej tyre, nuk i duam ata që i urrejnë ato, dhe i përmendim vetëm për të mirë. Konsiderojmë se dashuria ndaj tyre është fe, besim dhe bamirësi, ndërsa urrejtja ndaj tyre është pabesim, dyfytyrësi dhe padrejtësi.”
Literatura
1. Alusi (1985), Ruhul-Meani, Bejrut: Dar Ihjaut-turasil-arebijj
2. Ebus-su’ud (1971), Tefsiru Ebis-su’ud, Rijad, Mektebetur-rijadil-hadise
3. ER-Razi (1981), Mefatihul-gajb, Bejrut, Darul-Fikr
4. Ibn Kesir (2000), Tefsirul-kur’anil-azim, Džize: Muessesetu Kurtube
5. Kurtubi (2006), El-Džami’u li ahkamil-Kur’an, Bejrut: Muessesetur-risale
6. Maturidi (2005), Te’vilatu ehlis-sunne, Bejrut:Darul-kutubil-ilmijje
Përktheu: Arsim Dauti (Breziiri)