
Diskrepancë
Në muajin Nëntor të vitit 2011, një hulumtim i qendrës Gani Bobi, i prezantuar gjatë Forum 2015, do na mësonte në fjalët e Shkëlzen Maliqit se “Ekstremizmi fetar nuk paraqet shqetësim për kosovarët; brengë kryesore e tyre janë papunësia dhe varfëria”. Në Janar të këtij viti, Shpend Maxhuni, drejtor i Policisë së Kosovës, në një intervistë për KTV rikonfirmoi se radikalizmi fetar në Kosovë nuk ishte edhe aq i rrezikshëm sa bëhej bujë dhe në të njëjtën intervistë ai pati thënë se Policia e Kosovës ndjek me kujdes aktivitetet e rrymave të ndryshme ekstremiste. Në të njëjtin muaj, zëvendës Ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, pati konsideruar për gazetën Zëri se “Radikalizmi fetar është problemi numër një dhe rreziku më i madh për interesat nacionale në afat të gjatë”, ndërkaq në Nëntor të 2013-s Ministra e Selimit, nga c’raportonte gazeta Zëri, pati botuar dokumentin “Sfidat e Sigurisë dhe Rreziqet” ku rreziku i radikalizmit fetar ishte në rendin e dytë pas strukturave ilegale në veri të Kosovës. Në vazhdimësi, deri tek deklarata e Shpend Maxhunit në Janar të këtij viti, opinioni i institucioneve mbi rrezikun e radikalizmi/ekstremizmit fetar ka osciluar dhe ka dëshmuar inkonsistencë dhe kontradiktë të vazhdueshme, midis “radikalizmit fetar” si një rrezik i hiperbolizuar deri tek rreziku numër një i shtetit…
Vetëm disa muaj më vonë, më 11 Gusht 2014 Policia e Kosovës arreston mbi 40 persona të dyshuar për terrorizëm, gjegjësisht dy jave pas publikimit të raportit të Departamentit të Shtetit për Liritë Fetare në vitin 2013 (28 Korrik 2014), i cili me të drejtë vinte në pah karakteristika të zymta të diskursit fetar të disa klerikëve muslimanë, dhe dy javë para raportimit që Kosova do të bëjë pranë Këshillit të Sigurimit në OKB. Më 11 Gusht 2014, Kosova i shpalli luftë terrorizmit dhe radikalizmit islamik dhe iu bashkua veprimisht “Boshtit të së Mirës” në një botë të cilën George W Bush e pati çarë në dysh.
Të përfytyruarit e radikalizmit
Ç’është radikalizmi islamik për shtetarët tanë dhe si përfytyrohet ai nga instancat e ndryshme të Shtetit të Kosovës dhe kohëpaskohe në opinion? Kjo është pyetje që do kërkojë hapsirë më të gjerë, por megjithatë do të veçoj disa raste që pasqyrojnë atë se si përfytyrohet radikalizmi islamik në Kosovë që të kuptohet thellësia e konfozionit që mbizotëron edhe në planin konceptual mbi “radikalizmin islamik” dhe që reflektohet në naivitetin praktik në raport me të dhe me tërë diskursin e “sigurisë kombëtare”.
Ditë më parë, Ministri Enver Hoxhaj, siç raportohej nga indeksonline.com tha: “Në vazhdimësi kam mbrojtur interesin shtetëror të Kosovës, duke u pozicionuar qartë për temën e radikalizmit fetar që nga vendimi, si i ish Ministër i Arsimit, për ndalimin e bartjes së shamisë në shkolla, parandalimin e mësimit fetar në shkolla dhe qëndrimin e hershëm për ta mbështetur një pako ligjore që e sanksionon pjesëmarrjen në luftëra jashtë Kosovës. Mbetem i palëkundur në përkushtimin tim për shtetin evropian dhe laik të Kosovës”. Ndërkaq Adem Demaçi, në Korrik e pati esencializuar çështjen e radikalizmit islamik tek “mjekrat”. Mjekërbartja është shenjë e radikalizmit islamik në përfytyrimin e radikalizmt.
Ndërsa për Demaçin, mjekra konsiston në shenjën determinuese të subjektit “radikalist”, për Ministrin e Punëve të Jashtme, lufta ndaj “radikalizmit islamik” shpërfaqet edhe me ndalesën që ky i kishte bërë bartjes së shamisë nëpër shkolla pëmes udhëzmit adminstrativ sa ishte Ministër i Edukimit në Kosovë, por edhe në parandalimin e mësimit fetar apo mbi fenë në shkolla. Në një perspektivë të tillë, ata të cilët mendojnë apo guxojnë të mendojnë se çështja e shamisë nëpër shkolla duhet zgjedhur ndryshe nga ajo se si e mendon z. Hoxhaj, dhe ata të cilët kanë përqasje tjetër nga ajo e tij rreth çështjes së mësimit për/mbi/rreth fesë në shkollat publike, qofshin këta ateistë, agnostikë, liberaë, ultra-liberaë, sekularistë etj, të gjithë mund të cilësohen lehtësisht si “radikalistë fetarë”. Meqë ministri i ka hapur luftë këtyre opinoneve dhe qendrimeve që esencialisht në përfytyrimin e tij janë pronë e “radikalistëve fetarë”, ai i ka kategorizuar ato si qendrime ekskluzive të “radikalizmit fetar” dhe cilido që të jetë argumenti i juaj, liberal apo konservator, në përfytyrimin e Hoxhajt ju jeni, “radikal fetar”.
Një përfytyrim i tillë ekziston edhe tek opinionistët e disa gazetave. Kështu Arbana Xharra në shkrimin e saj “Çarjet në fe alarmojnë kosovarët” në vitin 2012, ngjashëm me ministrin Hoxhaj gati dy vjet më vonë, do konsideronte se kërkimi i më shumë të drejtave për komunitetin musliman bëhej disi vetëm nga ata që ndjekin “islam më strikt”, nga “radikalët”, “fanatikët” etj. Ngjashëm edhe Dafina Zherka, në një shkrim në Tetor të 2013-s për Kosovo 2.0 do bënte ndarjen vizore mes “besimtarëve” që qenkan për lejimin shamisë, dhe “laikëve” që qenkan kundër lejimit, kinse të qenit për lejmin e shamisë e pamundëson të qenit “laik” dhe anasjelltas. Është krijuar përshtypja se të qenit laik dhe të qenit për lejmin e shamisë në shkollat publike qenka oksimoron, ndërkaq është pikërisht e kundërta që në planin teorik i ofrohet më shumë një oksimoroni: të qenit laik dhe të qenit kundër lejmit të shamisë në shkolla.
Kjo dihotomi dhe polarizim i dhunshëm e i qëllimshëm e bën krejt të parëndësishëm besimin tuaj personal, qëndrimin tuaj politik e botëkuptimor dhe mënyrën se si ju e definoni vetveten. Qofshit ateistë, agnostikë, ithtarë të Nuwaubianismit, apo lexues të pasionuar të Niçes, ultraliberalë apo utilitaristë si Peter Singer-i, krejt kjo do të jetë irrelevante përpara përfytyrimit të ndërtuar rreth fjalës “radikal islamik” në Kosovë. Kur ju dilni përtej kornizës së krijuar mbi “radikalizmin islamik” dhe përfytyrimit të tij nga z. Hoxhaj apo z.Demaçi e të tjerë, ju do të shpalleni si bartës të “radikalizmit islamik” apo kolaboracionistë, ose kushedi edhe besimtarë e jo-laike. I tillë në fakt ka qenë ‘fati’ i Lëvizjes Vetvendosje, së cilës opinonet më të nuancuara nga Qeveria e të tjerë, i kanë kushtuar damkosjen për “flirtim”,”rreshtim”, “çiftëzim” me “radikalizmin islamik”.
Nëse ndodh që edhe ju të ndani një mendim më të nuancuar nga Qeveria mbi çështje të ngjashme, mendim për të cilin nuk keni asnjë referencë dogmatike, por e keni ndërtuar mbi permisa liberale edhe ju do konsideroheni flirtues, të rreshtuar, të çiftëzuar me “radikalizmin islamik”, si “mbështetës” i tij, apo edhe si “radikal islamik”. Madje në një perspektivë të tillë dihotomike, “radikalizmi islamik” na del të jetë alarmant në Kosovë kur konsiderohet se në Kosovë 42.3% e të anketuarve nga qendra hulumtuese Gani Bobi janë “për lejimin e shamsë në shkolla”.
“Radikalizmi islamik” në Kosovë del përtej definicioneve më të kujdesshme që i bëhen atij në qarqet akademike dhe shndërrohet në një “shenjim të zbrazet” (“empty signifier”), në një term i cili mund të mbushet me përfytyrime nga më të çuditshmet dhe me të cilin mund të akuzohet potencialisht secili qytetar i Kosovës, në momentn kur ai nuk ka përputhshmëri me përfytyrimin që i bëhet termit nga disa funksionarë të lartë të Shtetit, disa opinonistë, e figura të tjera të opinonit publik.
Kredibiliteti dhe ideologjia e “luftës ndaj terrorizmit”
Më 11 Gusht Shteti i Kosovës u zgjua i determinuar që t’i tregojë botës se ai i takon anës së mirë të saj, e jo anës së zymtë, se tashmë Kosova ishte pjesë aktive e “luftës kundër terrorizmit” global dhe se ajo nuk ka qenë e nuk është pjesë e “Boshtit të së Keqes”, por që është pjesë e “Boshtit të së Mirës”. Në një aksion të ndërmarrë nga Policia e Kosovës së Shpend Maxhunit, “terrorizmi islamik” u shndërrua papritmas në problemin dhe rrezikun kryesor të Kosovës. Nga Janari në Tetor, mes dy deklaratave të Shpend Maxhunit, duket se “terroristët” shqiptarë janë shumuar më shumë se kërpudhat dhe se për tetë muaj, në gjunjët e Kosovës është rritur një Goliath.
E pyetur, në Prill të 2014-s, se a ka Kosova kapacitete për të luftuar terrorizmin, ambasadorja amerikane në Kosovë, znj. Jacobson, nuk u përgjigj në mënyrë afirmative, por tha se kapacitetet e Kosovës po përmirësohen dita-ditës. Kosova realisht, jo vetëm që nuk ka kapacitete për të luftuar terrorizmin, por ajo nuk ka dëshmuar as edhe efikastet në parandalmin e radikalizmit të çfarëdoshëm në hapsirën e saj, e cila është dukshëm hapsirë ku ka disponim të dhunës, e shprehur kryesisht në diskurs. Në vazhdimësi, në 5 vitet e fundit, Policia e Kosovës është shpërfaqur në analiza të ndryshme jo vetëm si e padenjë për tu marrë me çështje “më pak serioze” sesa “terrorizmi”. Që nga krimet e pasluftës, deri tek krimet e viteve që i kemi afër nga pas, nga evaporimi i çuditshëm i drogës nga zyrat e policisë së Kosovës, nga mungesa e efikasitetit të Policisë karshi veprave penale të Xhabir Zharkut, e Gani Gecit, e krimeve të llojllojshme, është e dyshimtë që kjo polici të ketë besushmërinë e qytetarëve në një ndërmarrje edhe më madhore, atë të “luftës ndaj terrorizmit”.
Në debatin e organizuar nga Instituti Riinvest në Korrik të vitit 2013, studjuesit e ndryshëm patën ofruar gjetjet e tyre rreth mungesës së efikasitetit dhe korrupsionit të Policisë së Kosovës. Ajo është akuzuar për vjedhje brenda institucionit dhe kredibiliteti i saj është vënë seriozisht në pikëpyetje përgjatë trajektores së saj. Në studimin e botuar në Prill të këtij vitit nga KIPRED, Policia e Kosovës dhe prokuroria kritikohet për mungesë efikasiteti dhe parregullesi procedurale. Edhe studime të tjera kanë vënë në pah mangësitë e prokurorisë dhe mungesën e efikasitetit të saj. Në një klimë ku të dhënat dhe studimet mbi punën e policisë dhe gjyqësorit dëshmojnë për mungesë profesionalizmi dhe parregullsi është e vështire të merret pa skepticizëm edhe ndërmarrja e fundit e “luftës ndaj terrorizmit” më 11 Gusht 2014. Ecuria e arrestimeve të fundit është një dëshmi tjetër e parregullsisë dhe e jo-profesonalizmt të organeve të Shtetit.
Pornografia e “luftës kundër terrorizmit”
Në esenë e tij “War Porn”, Jean Boudrillard bën një analzë të shkëlqyer të imazheve spektakolare në burgun Abou Gharib. Termi që ka skulptuar Boudrillard tashmë ka dalë përtej teatrit me erosin në luftën kundër terrorizmit. Pornografia e luftës kundër terrorizmit është spektakolarizimi i ndërmarrjeve anti-terroriste. Policia e Kosovës në ditën e arrestimeve kishte vendosur të performonte. Performimi i saj në spektaklin e luftës kundër terrorit ndodhi në teatrin e madh të sheshit Nënë Tereza në Prishtinë, në teatrin e jetës së përditshme të qytetarit të Kosovës.
Defilimi i Policisë së Kosovës në shesh, me të dyshuarit e prangosur, ishte spektakli i madh i “luftës kundër terrorizmit”. Siç ndodh në teatër, spektakli mëtohej të ishte një afirmim i asaj që mungon. Por ajo që është mbase më e rëndësishme është se, përveç klimës së krijuar nga mediat mbi fajësinë apriori të personave të dyshuar, gjë që konsiston në shkelje të Kodit të Mediave të Shtypura (pika V), spektakli i Policisë me të dyshuarit për terrorizëm ka dy efekte të rëndësishme: gjenerimi i një ndjesise të të qenit në luftë që u bëhet qytetarëve; dhe apriori etiketimi vizual i personave, të cilët më vonë mund të shpallen të pafajshëm.
Dramaturgjia e fuqisë dhe e pushtetit ka synuar dhe vazhdon të synojë që përmes krijimit të klimës së frikës të legjitimojë krijimin e mekanizmave orwellianë, për të cilët shteti ka gjithnjë nevojë. Kjo dramaturgji e pushtetit krijon pretekst. Ky pretekst mund të përdoret arbitrarsht në ushtrimin e bio-politikave që mund të kufizojnë liritë e çdo qytetarit. “Lufta kundër terrorizmit” dhe krijimi i një klime të frikës përmes spektaklit të saj, i jep mundësinë pushtetit që të mbajë gjendjen e jashtzakonshme në vazhdimësi perpetuale. Ndërkaq, spektakli me të dyshuart domosdo do të stigmatizojë ata të cilët do të shpallen të pafajshëm (!?). A do t’ua heqë më pas etiketën “terroristë” shpallja të pafajshëm e ndokujt prej tyre nga gjykata? Klima e krijuar mbi fajësinë apriori të të dyshuarve, jo vetëm do i anatemojë ata vetë, por ajo mund të jetë barrë e rëndë edhe për familjet e tyre dhe mardhëniet e tyre sociale ku stigma zë vend.
Ajo që ideologjia e “luftës kundër terrorizmit” dhe spektaklet e saja kanë prodhuar dhe prodhojnë është atmosfera e frikës dhe krijimi i një kulture të frikës. Një McCarthizëm i ri. Përveç kësaj, racializimi i “radikalëve islamikë” apo i të dyshuarve për terrorizëm i hap dyert, jo vetëm anatëmimit, por edhe kufizimit të lirive fundamentale të qytetarit. Kjo mund të çojë drejt politikave të përgjimit dhe profilizimit të “radikalëve islamikë” potencialë, siç përfytyrohen nga Qeveria e Kosoves, dhe një politikë e tillë, e ngritur mbi imagjinare të ngjashme do të cënonte potencialisht liritë e secilit qytetar në Kosovë.
Thënë ndryshe, ideologjia e “lufës kundër terrorit” mund të jetë terrorizuese. Siç vë në dukje Davd Keen në librin e tij Endless War, “lufta kundër terrorizmit” sikurse dikur “komunizmi”, “droga” etj “paraqesin një aplikim të ri të doktrinës së vjetër të luftës së pafundme” (Endless War, 68) dhe në terma orwellianë, një luftë e tillë ka për qëllim “që të ruaj strukturën reale të shoqërisë si të paprekshme”.
Radikalizmat
Organet e Shtetit të Kosovës, përtej mungesës së tyre të kredibilitetit që ngrihet mbi dëshmitë e parregullsive dhe jo-efikasitetit të tyre, për vite me rradhë kanë injoruar ekzistencën sado margjinale të radikalizmave të lloj-llojshëm në shoqërinë tonë. Radikalizmi, si shprehje e disponimit për dhunë, është evident në Kosovë dhe të rrahurat e tij mund të dëgjohen më së miri në mediat sociale, por edhe në prononcime të ndryshme.
Kosova është tokë pjellore për gjenerim radikalizmash nga më të ndryshmet, qofshin ato radikalizma ultranaconaliste, ndërfisnore, fetare, sekulare e të tjerë. Por Qeveria e Kosovës që prej përfundimit të luftës nuk ka konceptualizuar asnjë poltikë të qartë me të cilën do të parandaloheshin radikalizma të tillë dhe në vazhdimësi ajo ka injoruar aktorët e ndryshëm socialë të cilët mund të jenë kontribues në procesin e parandalimt të tyre. Jo vetëm kaq, por shpesh, qeveria i ka kontribuar krijimit të një klime polarizuese e madje armiqësore me këta aktorë, pa kontributin e të cilëve nuk do mund të konsiderohet asnjë politikë parandalimi. Me armiqësimin e tyre vetëm sa mund ti kontribuohet rritjes se radikalizmave.
Në planin e radikalizmave fetarë në vitet e fundit, Qeveria e Kosoves ka preferuar më shumë organizimet ceremoniale të dialogut ndërfetar që kanë më shume cilësi të një karnevali sesa të një përpjekjeje të thellë për hapje dritaresh për dialog dhe angazhim më të thellë me çështjet e radikalizmit. Përfundimisht, në klimën e mosbesimit dhe polarizimit të krijuar, Qeveria e Kosovës do ta ketë edhe më të vështirë të krijojë politika të qendrueshme dhe efikase për parandalimin e radikalizmave. Për të bërë këtë, në një anë ajo do duhej të forcojë organet e saja të gjyqësisë dhe policisë, ndërsa në anën tjetër ajo do duhej të angazhohej sinqerisht me aktorë të ndryshëm nga shoqëria civile, të rikonstruktojë besueshmërinë me ta përmes ndërmarrjeve të përbashkëta dhe paanësisë, si dhe të ndërtojë politika të ndjeshme që nuk janë shprehje dramaturgjie e pushtetit dhe fuqisë, por preokupim dhe konsideratë ndaj qytetarëve.
Kosova do të duhej të merret me çështjet e radikalizmit dhe terrorizmit potencial e zhveshur nga doktrinat ideologjike të “luftës kundër terrorizmit”, të cilat janë dëshmuar se mund të jenë kundërproduktive. Funksionalizmi i “luftës kundër terrorizmit” gjeneron reaksion dhe retorika e tij shkakton ç’rregullim të rendit shoqëror. Vetëm me një përqasje të kujdesshme e cila merr në konsideratë qytetarin dhe kompleksitetin e fenomeneve mund të sqarohen mënyrat më të mira për të zgjidhur probleme të komplikuara të papersonifikueshme.