
Përgjigje:
Falënderimi qoftë për Allahun, ndërsa salavati, paqja e mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut ..
Sistemi ekonomik në Islam bazohet në luftën kundër kamatës, të cilën e konsideron ndër mëkatet e mëdha e cila i zhdukë bekimin e Allahut individit dhe shoqërisë, pastaj shkakton të këqija në këtë botë dhe në botën tjetër. Këtë e konfirmojnë tekstet e shkruara në Kur’an dhe në Sunnet, pastaj konsenzusi (ixhma’) i mbarë ummetit. Për këtë mund t’i lexojmë fjalët e Allahut të Madhërishëm ku thuhet:
“Allahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën, Allahu nuk e do asnjë besëprerë dhe mëkatar” (el-Bekare, 276)
“O ju që besuat, keni frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk heqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në konflikt me Allahun dhe të dërguarin e Tij…”(el-Bekare: 278-279))
Dhe fjalët e të dërguarit të Tij, i cili thotë: “Në qoftë se shfaqet prostitucioni dhe kamata në një fshat, atëherë ata vetvetes ia kanë sjellë dënimin e Allahut”. (Transmeton el-Hakimi dhe thotë se është me isnad të saktë…)
Është traditë (sunnet) e Islamit që në legjislacionet dhe udhëzimet e tij ta urdhërojë muslimanin për ta penguar mëkatin, e nëse nuk mundet, atëherë ta ndalë dorën e tij – së paku – nga pjesëmarrja në të, me fjalë a me vepër, së këndejmi ka ndaluar çdo aspekt të fenomenit të bashkëpunimit në mëkat dhe armiqësi, dhe çdo ndihmues në mëkat e ka bërë partner me kryerësin e mëkatit, pa marrë parasysh se a ka qenë ajo ndihmë materiale, edukative, me vepër apo me fjalë.
Për krimin e vrasjes, I Dërguari i Allahut savs thotë: “Nëse banorët e qiellit dhe banorët e tokës marrin pjesë në gjakun e një besimtari, do t’i përfshij Allahu në zjarr.” (Transmeton et-Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është hasen).
Për alkoolin, I Dërguari i Allahut savs thotë: “E ka mallkuar Allahu alkoolin, atë i cili e pi (konsumon), atë që e shërben, atë që e kullon (shtrydh rrushin, destilon), atë për kend prodhohet, atë që e bartë, atë që i dërgohet…” (Transmeton Ebu Davudi dhe Ibni Maxhe).
Në krimin e mitmarrjes, I Dërguari i Allahut savs, ka mallkua: “mitdhënësin, mitmarrësin dhe ndërmjetësuesin mes tyre” Siç ka transmetuar Ibni Hibani dhe Hakimi.
Kurse në lidhje me kamatën tregon Xhabir bin Abdullah se i Dërguari i Allahut savs, “ka mallkuar atë që e konsumon kamatën, atë që jep kamatën dhe dy dëshmitarët” – dhe ka thënë: “Ata janë të barabartë”. Transmeton Muslimi. Gjithashtu transmeton Ibni Mesudi, se i Dërguari i Allahut savs, “Ka mallkuar atë që konsumon kamatën, atë që e paguan kamatën, dy dëshmitarët dhe shkruesin e saj”. Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Ibni Maxhe dhe Tirmidhiu. (Është klasifikuar si sahih nga Ibn Hibbani dhe Hakimi). Kurse En-Nesaiju e transmeton me fjalët: “Ai që konsumon kamatën, ai që e jep kamatën dhe dy dëshmitarër – nëse ata kanë dituri për këtë – janë të mallkuar deri në Ditën e gjykimit, me gjuhën e Muhamedit paqja e Allahut qoftë mbi të.”
Këto hadithe të vërteta të qarta e vrasin ndërgjegjen e njerëzve fetarë të cilët punojnë në banka apo në kompani në të cilat puna e tyre nuk shpëton pa marrë pjesë në shkrimin e kamatës dhe në përfitimin e kamatës.
Megjithatë, pozita e kamatës nuk është e lidhur vetëm me një nëpunës në bankë apo në kompani, por ajo hyn në përbërje të sistemit tonë ekonomik dhe në krejt sistemin tonë financiar, dhe fatkeqësia u bë e përgjithshme siç ka parashikuar i Dërguari i Allahut savs “Do tu vjen njerëzve një kohë kur nuk do të mbetët asnjë prej tyre pa e konsumuar kamatën, ndërsa edhe ai i cili nuk e konsumon atë, do të goditet (përfshihet) nga pluhuri i saj”. Transmeton Ebu Davudi dhe Ibni Maxhe.
Një situatë e tillë nuk ndryshon as nuk e pakëson ndalimin e pranimit të punës së një punëtori në bankë ose në kompani, por këtë e ndryshën bindja e popullit – i cili e ka marrë në dorë të vet fatin e tij dhe sundimin e tij – duke prishur sistemin e importuar nga kapitalizmi eksploatues, dhe duke u përpjekur për ndryshimin e tij gradualisht dhe me durim, duke iu shmangur shokut ekonomik i sili do tu sillte fatkeqësi vendeve dhe popujve. Islami nuk e refuzon këtë gradualitet në trajtimin e këtij problemi të rëndë, sepse ai pratikoi një mënyrë të tillë në fillim të ndalimit të kamatës, dhe gjithashtu praktikoi këtë mënyrë në ndalimin e alkoolit, etj. Me rëndësi është bindja dhe vullneti, nëse konfirmohet vendosmëria, atëherë qartësohet rruga.
Është detyrë e secilit musliman fanatik që të punojë me zemrën e tij, me gjuhën e tij dhe me energjinë e tij, përmes mënyrave të ligjshme për reformimin e sistemit tonë ekonomik, derisa të bëhet kompatibil me mësimet e Islamit, dhe kjo ditë nuk është shumë larg, sepse në botë ka shtete që numërojnë me qindra milionë që nuk e marrin sistemin e kamatës, ato janë vendet komuniste. Nëse ne do të ndalonim çdo musliman që të mos punojë në banka, atëherë jomuslimanët nga çifutët dhe të tjerë do ta merrnin kontrollin mbi punët në bankave dhe të ngjashme, e me këtë edhe mbi Islamin, mbi pjesëtarët e tij dhe mbi krejt çka kanë.
Puna e bankave nuk është e tëra me kamatë, shumica e saj është e lejuar, e mirë dhe e pandaluar, siç është ndërmjetësi, depozitat, etj. Pjesa më e vogël është haram, atëherë s’ka gajle që të pranoj të punoj muslimani – duke mos qenë i kënaqur (i pajtimit) me të – deri sa të ndryshohet situata financiare në një pozitë që e kënaq fenë e tij dhe ndërgjegjen e tij, dhe gjatë kësaj kohe puna e tij duhet të jetë e përpiktë dhe korrekte ndaj vetvetes, ndaj Krijuesit të tij, e poashtu ashtu edhe ndaj popullit të tij, duke pritur shpërblim për qëllimin e tij të mirë, sepse “… vepra e secilit person shpërblehet të bazë të qëllimit tij.”
Para se ta përfundojmë këtë fetvanë tonë, mos të harrojmë nevojën për të jetuar, ose nevojën e cila zbret – te dijetarët – në statusin e domosdoshmërisë, e cila e detyron shtruesin e kësaj pyetjeje për të pranuar këtë punë si mjet për jetese dhe furnizim. Allahu i Plotfuqishëm thotë:
“ … E kush shtrëngohet (të hajë nga këto) duke mos pasur për qëllim shijën dhe duke mos tepruar, për të nuk është mëkat. Vërtetë Allahu falë, është mëshirues.” (El-Bekare:173)
Fetvaja e Jusuf El-Kardavit
Nga gjuha arabe: Miftar Ajdini
(Breziiri)