Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.
***
“Me të vërtetë, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, kopshtet e xhennetit do t’i kenë vendbanime, dhe në to do të qëndrojnë përherë dhe nuk kërkojnë ta ndërrojnë me asgjë tjetër.” (El-Kehf, 107-108).
Vëllezër e motra të nderuara, muslimani gjithmonë duhet të anojë kah punët e vazhdueshme dhe të mira dhe assesi nuk duhet të kënaqet me atë që pak ka arritur. Besimtari nuk guxon të harrojë se një ditë do të ndahet nga kjo jetë, se bukuritë e kësaj jete do t’ua lë të tjerëve, dhe sa do që të ndërtojë në dunja, ato përsëri nuk mund t’i marr me vete. Andaj, muslimani kësaj jete i kushton aq rëndësi, sa për ta fituar lumturinë e amshueshme në jetën tjetër dhe nuk harrohet duke u lëshuar në kënaqësitë e kësaj bota, e të harrojë përgjegjësinë e madhe përpara Allahut xh.sh.
Duke u nisur nga jeta jonë praktike, kam kuptuar se ne, edhe në dunja, mundohemi të arijmë të më e mira, te më komodja, te më e bukura, te më e shumta, te më e vlefshmja, ndërkohë që, kur bëhet fjalë për Ahiretin, mjaftohemi me të paktën, me më të ultën, me më të thjeshtën. Ja si ndodh kjo: kur njeriu e blenë një veturë, shikon ta blej modelin më të mirë, apo se kur ndërton shtëpinë, mundohet që atë ta ndërtojë siç është më mirë, me materialin dhe stukturën më të fortë, me ulëset më komode dhe me rregullimin teknik më të ri. Kjo është sa i përkët kësaj dunjaje, po sa i përket Ahiretit, çfarë kërkojmë dhe sa punojmë për të?
Sa i përkët Ahiretit, kam kuptuar se njerëzit mjaftohen me pak. Kështu që, jo rallë herë dëgjojmë të thuhet:
“Unë do të isha i lumtur po të futesha edhe në ndonjë çosh dhe aty të jetoja pa fund.” Ose tjetri thotë: “Sikur të kisha vetëm një kasollë, do të isha i lumtur.” Kjo me të vërtetë është e çuditshme. Dunjaja është e kalueshme dhe i falim më të mirën, ndërkohë që Ahireti është i përhershëm dhe kënaqemi, qoftë edhe me shpërblimin më të vogël.
Pejgamberi ynë i dashur, Muhammedi a.s., na ka mësuar ndryshe. Ai thotë kështu: “Kur prej Allahut ta kërkoni xhennetin, kërkojeni atë më të lartin (pra më të mirin), e që është xhenneti Firdeus.” (Buhariu).
Tani dua t’ju tregoj një ngjarje që ka të bëjë me një shokë të Pejgamberit a.s., i cili është Abdurahman ibn Auvf. Pasi që Abdurahmani ka qenë një tregtar i madh, ai njëherë ishte duke u kthyer nga Shami me një karavan shumë të pasur, sa që bëri që e gjithë Medineja të ngritet në këmbë. Për një gjë të tillë pyeti nëna e besimtarëve, Hz. Aishja, të cilës i shpjeguan se kjo ndodh për shkak se është kthyer Abdurahmani nga Shami me plotë mall tregëtie. Atëherë ajo tha: “E kam dëgjuar Pejgamberin a.s., se Abdurahman ibn Auvf do të hyjë në xhennet duke u zvarritur.” Me ta dëgjuar këtë Abdurahmani r.a., shkoi te hz. Aishja r.a., për të vërtetuar lajmin. Pasi që ajo ia konfirmoi, ky sahabi i madh tha kështu: “O nanë e besimtarëve, ji dëshmitare se krejt këtë karavan e kam falë në emër të Allahut. Dhe nëse kam mundësi, do të hyjnë në xhennet duke ecur në këmbë.”
Pra, nuk u kënaq me lajmin që mori se do të hyjnë në xhennet duke u zvarritur, por vazhdoi të shtojë edhe më shumë veprat e mira, ashtu që ta merritojë që në xhennet të hyjë, të paktën, duke ecur në këmbë.
Të dashur vëllezër e motra, Xhenneti është krijuar enkas për ne dhe se nëve na është ofruar mundësia që të kënaqemi në pjesët më të bukura të tij, prandaj, le të mos mjaftohemi vetëm me punët tona të pakta, por të mundohemi kah më e mira, kah më e shumta, drejtë shkallëve më të larta në këtë botë dhe në Xhennet, inshallah.
(Breziiri)