ISIS-i dhe islamofobia

image

 

 

Kur muslimanët bëjnë vërejtje se fajësimi i Islamit për Shtetin Islam të Irakut dhe Shamit (ISIS) çon në islamofobi, kjo është kundërshtuar si shmangie e komentit kritik dhe e vetëkritikës. Ndërsa është e vërtetë se muslimanëve u duhet të bëjnë shumë mbi mendimin kritik dhe të vënë rregull në shtëpinë e tyre, fakti është se ISIS-i dhe të ngjashmit me të manipulojnë politikën globale, dhe ligjërimet islamofobike marrin më shumë terren e sigurojnë rekrutë të rinj. Apeli i tyre, me sa ekziston midis një miliardë e gjysmë muslimanëve të botës, ka marrë jetë jo aq shumë nga ajo çka ata besojnë, por, më saktë, nga çka hedhin poshtë. 

Këtu ne jemi përballur me një rreth vicioz: ideologët e ISIS-it dhe këmbësit e tyre i dënojnë hapur padrejtësisë që i shohin si shkelje të të drejtave të tyre. Ata kryejnë akte të tmerrshme barbarizmi në emër të kërkimit të drejtësisë, por përfundojnë duke kërkuar shpagim. Ata përdorin gjuhë fetare për t’i përligjur veprimet e bëra. Dhe kjo pavarësisht faktit se shumica dërrmuese e muslimanëve i hedhin poshtë ligjërimet dhe justifikimet e tyre.

Kjo i bën ca në Perëndim ta lidhin Islamin me ekstremizmin dhe terrorizmin. Ata e shpërfillin faktin se terrorizmi është një fenomen global i përdorur nga individë, grupe dhe shtete të ndryshme, pa marrë parasysh racën, fenë apo kulturën. Islamofobët e shfrytëzojnë ISIS-in për ta barazuar Islamin me terrorizmin, dhe i paraqesin muslimanët si të dyshimtë. Ata u bëjnë thirrje qeverive të tyre të marrin masa të ashpra, e madje të bëjnë luftë kundër qytetarëve muslimanë dhe komuniteteve emigrante. Në emër të çrrënjosjes së radikalizmit, bëjnë tamam lojën e grupeve si ISIS-i. Në thelb, një formë ekstremizmi ushqen tjetrën. 

Ky rreth vicioz ekstremizmash dhe fobish të ndërsjellta krijon atë që unë e quaj “tokenizëm musliman”, ku muslimanëve u kërkohet t’u përgjigjen pyetjeve mbi ISIS-in kur marrja në pyetje e tillë nuk pritet për njerëzit e besimeve të tjera. Më dëmshëm, udhëheqësit, akademikët, dijetarët, profesionistët, e madje artistët muslimanë janë ftuar të flasin vetëm mbi “çështje të nxehta muslimane”, pra, mbi ekstremizmin, radikalizmin, terrorizmin, etj. Supozimi i nëntëshëm në raste të këtilla është se muslimanët nuk mund të flasin për çështje të tjera, të tilla si ndryshimi i klimës, artet, ulja e varfërisë, misionet hapësinore apo lufta kundër ebolës.   

Industria e islamofobisë e shpërfill në mënyrë të volitshme përsëri faktin se ISIS-i ka vrarë më shumë muslimanë se jomuslimanë, ka shkatërruar qytete në vendet muslimane më tepër se ç’ka sulmuar objektiva perëndimore, dhe ka krijuar një klimë frike dhe diskriminimi kundër muslimanëve të zakonshëm anekënd botës.

Tasnim Nazeer, një gazetare e pavarur fituese çmimesh, autore, poete, dhe një muslimane britanike, përjetoi në mënyrë jo të habitshme një akt ngacmimi publik prej një qytetari të rëndomtë në Gllasgou. “Kurrë nuk kam përjetuar një incident paragjykimi për të qenit muslimane deri tani vonë, kur po ecja nëpër qytetin e Gllasgout”, thotë ajo. “Një njeri m’u afrua në mes të qendrës së ngarkuar të qytetit duke përdorur një gjuhë të pistë dhe duke më kërkuar të lyp ndjesë për veprimet e ISIS-it.” Në një kohë që Nazeer-i është kritike e hapur e ISIS-it, ajo prapëseprapë është trajtuar si disi përgjegjëse për veprimet e ISIS-it. 

Muslimanët në Francë po ashtu ankohen me të drejtë se janë viktima të ISIS-it dhe islamofobisë. Por dënimi prej tyre i ISIS-it, el-Kaedës, dhe grupeve të ngjashme, ka humbur në zhurmën e injorancës, paragjykimit dhe fanatizmit. 

Ka mësime për t’u nxënë nga antisemitizmi. Historia e zezë e antisemitizmit ka krijuar me të drejtë një kulturë dhe etikë dallimi, me të cilën kërkohet të bëhet ndarja midis veprimeve individuale dhe identitetit kolektiv hebre. Për shembull, politikat e shtetit të Izraelit nuk mund t’u atribuohen individëve dhe bashkësive hebreje rreth e qark botës, e as duhet t’u atribuohen atyre. 

New York Times botoi një raport të hollësishëm mbi valët e reja të antisemitizmit në Europë pas luftës së fundit izraelite në Gaza. Morali i historisë është se nuk mund t’i fajësoni dhe, në këtë mënyrë, t’i urreni hebrenjtë për veprimet e shtetit izraelit. 

Raporti vinte në dukje se, “...ka gjithashtu shqetësim mbi atë që disa e shohin si një tendenciozitet tinëzar antihebre “më të butë”, që ata frikësohen se po depërton pa bërë zë në prirjen e përgjithshme europiane dhe po minon njëzëshmërinë e pas luftës për ta shkulur nga rrënjët antisemitizmin.” 

Çfarë ngjet kur muslimanët kërkojnë të njëjtin dallim, e presin një ndarje të qartë midis veprimeve të ISIS-it dhe besimit të përgjithshëm të pjesës më të madhe të muslimanëve? Në të shumtën e herëve, çdo ndjenjë e duhur dallimi është zëvendësuar me përgjithësime e stereotipizime që do të hidheshin menjëherë tutje po të përdoreshin për besime e bashkësi të tjera.

Nga furia e Anders Behring Breivik-ut më 22 korrik 2011, që u mori jetën 78 njerëzve në Oslo dhe Utoja, në Norvegji, te filmi rrengshor, i bërë lirë, “Pafajësia e muslimanëve”, i vitit 2012, i cili shkaktoi protesta dhe vdekje në mbarë botën, individët dhe grupet islamofobike kërkojnë ta përflasin besimin musliman e të shpifin për të. Në këto veprime është vënë gishti më pas nga ekstremistët, për ta paraqitur tërë botën perëndimore si islamofobike. 

Një ndreqëse e rëndësishme e kësaj do të qe të pranohej se ISIS-i dhe simotrat e tij i bëjnë vetë muslimanët viktima të shtrembërimit doktrinar dhe ekstremizmit në njërën anë, e të islamofobisë dhe të stereotipizimit kolektiv në anën tjetër. Në vend të fajësimit të njëri-tjetrit, muslimanët dhe jomuslimanët kanë një interes të përbashkët në prishjen e këtij rrethi vicioz. 

 

*Autori mban titullin e ambasadorit në kabinetin e Presidentit të Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan. 

Përktheu: Bujar M. Hoxha   

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme