Njeriu, kjo qenie e përkryer!

 

 

 

 

Njeriu është një krijesë komplekse, lind në një kohë, jeton në këtë botë dhe një ditë ikën përtej kësaj bote. Atë gjithmonë, që nga lashtësia, e kanë preokupuar pyetje te ndryshme si: Nga erdha? Përse jam këtu? Ku do të shkoj? Këto pyetje e kanë bërë që njeriu të meditojë dhe ta kërkojë zanafillën e tij.[2]

Si rezultat e kësaj kureshtjeje, e këtij kërkimi, janë paraqitur së pari ide e pastaj edhe shkenca të ndryshme, të cilat në forma të ndryshme janë munduar të gjejnë përgjigjen e këtyre enigmave. Këto pyetje, dashtë e padashtë, të çojnë në mendimin e një krijuesi, e një burimi metafizikë, të paperceptuar me shqisat tona dhe arsyeja, I Cili duket sikur na ka hedhur në fushën e veprimit, njëherit edhe në fushën e njohjes, me anë të së cilës ne do ta njohim krijuesin absolut, sikurse që thuhet në hadithin e njohur kudsij: “Isha thesar i fshehur, desha që të njihem, dhe krijova botën që të njihem“. Pasi që edhe njeriu bën pjesë në botën e krijesave, të njofturit e vetës njëherit është edhe të njofturit e Zoti, sikurse thotë Muhammedi a.s “Ai i cili njeh veten ka njoftur edhe Zotin.”[3] Nga kjo pikë njeriu filloi kërkimet për origjinën e tij paraekzistenciale.

Shumë orientalistë dhe filozofë të ndryshëm për këtë problem kanë dhënë ide dhe qëndrime pa u mbështetur në burimet hyjnore (librat e shpallur) por gjithmonë studimit të tyre i ka paraprirë shkaktari esencial dhe si i tillë problemi ngeli i pazgjidhur.

Gjatë studimit të njeriut, nga kënde të ndryshme, vërtetojmë se ai është krijesë e përbërë prej dy komponentesh, materiale dhe shpirtërore. Në pajtim me këtë fakt, njëri aspekt i njeriut është me origjinë nga absolutja dhe tjetri aspekt nga relativja. Ky aspekt, që vjen nga paraekzistenca për të shkuar drejt pafundësisë, është shpirtërorja” Hyjnorja”, kurse aspekti tjetër, ai ekzistencial, posedon veçori relative tokësore dhe për këtë arsye i nënshtrohet ndryshimit, plakjes dhe në fund mbaron përsëri në dhe, tek origjina e tij. Këto dy elemente në një trup të vetëm argumentojnë Një krijues. Duke u nisur nga parimi filozofik të eksistuarit e dy gjërave  të ndryshme argumenton Një krijues Absolut, i cili i ka krijuar të dy gjërat dhe vetë është i panevojshëm për to.[4]

            Në përpjekjet për ta kuptuar prejardhjen dhe qëllimin e Njeriut, duke u mbështetur në argumente ontologjike dhe fetare dhe duke u kthyer në thelbin e  çështjes,  ne kemi thënë: Allahu xh.sh. krijoi njeriun e parë, Ademin a.s., njëherit njeri dhe zëvendës i Zotit në tokë, pastaj atij, Ademit, ia mësoi emrat e sendeve (konceptet). Kurse nga ai njeri i parë Zoti nxori të gjithë shpirtrat që do të jetojnë deri në Ditën e Fundit.[5]

Në kontaktet e para Krijues-krijesë, Zoti xh.sh. nga ata mori zotimin e parë duke u thënë: A jam Zoti juaj?, kurse ato u përgjigjen: Po, ti je Zoti jonë. Ky zotim (el-mithak) u bë në mënyrë grupore dhe si i tillë të gjithë shpirtrat janë nga i njëjti burim.

Ky zotim, kjo besëlidhje ishte pranim i Zotit si krijues por edhe njëherit, nga pyetja të cilën bëri dhe përgjigjjen që mori në një mënyrë ndihet edhe ndjenja e falënderimit ndaj Allahut, dhe njëherit edhe të konsideruarit si pjesë e Zotit, apo në mënyrë më të thjeshtë ndihet ndjenja e borxhliut kundrejt Zotit.

Allahu xh.sh posedon emra dhe atribute. Ndër emrat e tij janë Rabb dhe Ilah. Në Kur`anin famëlartë janë përmendur të dytë, i pari (Rabb) ka kuptimin e pranimit, ndërsa i dyti (Ilah) ka kuptimin e nënshtrimit. Sa i përket emrit të parë, atë e kishte pranuar edhe shejtani, kur i drejtohet Allahut xh.sh. “Pasha Madhërinë tënde”. Por, me të refuzuar të rënit në sexhde ndaj Ademit a.s., d.m.th nënshtrimin emrit Ilah, ai u largua nga mëshira e Allahut, meqenëse pranimi dhe dorëzimi shkojnë paralel me njëri-tjetrin.

            Shpirti hyjnor, i formësuar në materie, vjen në këtë botë tanimë me ndërgjegjen e pranimit siç  thotë Muhammedi a.s.: “Çdo i posalindur lind në fitrah (natyrshmërinë e krijimit)”, mirëpo detyra e tij është konfirmimi i atij pranimi, pra nënshtrimi ndaj emrit Ilah.[6]

Allahu xh.sh. sikurse shejtanit që i kishte caktuar kusht rënien në sexhde ndaj Ademit a.s., e cila për të ishte sprovë, gjithashtu edhe njeriut i caktoi kushtin (sprovën) të cilit do t’i nënshtrohet. Kushtin të cilin Allahu xh.sh. e vendosi për neve ishte program jete, i cili është quajtur fe (din). Kjo fe për njeriun përmbante rregulla të duhura fetare dhe morale (akide ve ahlak), ndjekja e të cilave njeriun e mban në binarët e tij fundamental dhe njëherit përmes tyre kishte mundësinë e ngritjes në kurorën e krijimeve, “formën më të përsosur” (... fi ahseni takvim), ose edhe e kundërta, devijimi nga ky ligj sjell në pozitën “Më poshtë se kafshët” (... ulaike ke’l-en’ami, bel humm edal-l).

            Po ta studiojmë edhe domethënien e këtij programi pra termit fe (din) prap do të shohim lidhjen me Allahun që karakterizohet në ndjekjen e tij. Termi DIN në arabishte, vjen nga fjala DEJANE, që ka kuptimin e borxhit, por ndaj kujt ky borxh?

Allahu xh.sh. thotë: “Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit për asgjë tjetër vetëm se të më adhurojnë”. Në këtë ajet është përmendur fjala ABD që ka kuptimin rob. Nëse themi se një zotëri ka një rob, atëherë ai robi tek zotëria i tij është borxh vetëvetiu. Dhe si i tillë ai gjithmonë jeton me ndjenjën e borxhit ndaj tij, ndjenjë kjo e cila e mban atë gjithmonë besnik ndaj zotërisë. Atëherë njeriu i krijuar nga Zoti, me shpirt dhe trup, siç kemi cekur edhe më parë, me tërë eksistencën e tij ndihet borxhli ndaj Allahut xh.sh. Dhe ajo që e mban në linjë me Allahun është zëri i ndërgjegjes apo ndjenja e borxhliut, me të cilën jeton gjithmonë. Me të drejtë ka thënë Muhammedi a.s.: “Njeriu është me afër Allahut atëherë kur është në sexhde”, sepse ai me tërë eksistencën e tij i është dorëzuar Allahut. Në atë pozitë ai i kthehet Zotit të tij shpirtërisht kurse egos ia kujton se pa Allahun nuk është asgjë, sepse vetëm Allahu ka eksistencë reale.[7]

Ai është momenti kur ai  përjeton robëri (abd) të plotë ndaj Krijuesit absolut. Allahu xh.sh. e ka treguar mënyrën e afrimit dhe arritjes deri tek Ai ku thotë: “Vërtet feja (din) e vetme e pranuar tek Allahu është Islami.“. Mirëpo me kalimin e kohës ndryshuan konceptet e të kuptuarit të fesë dhe të Zotit kështu njerëzimi humbi rrugën e drejtë, njëherit humbi edhe qëllimin e tij. Kështu që sa herë që te njeriu ka sunduar elementi shpirtëror ai ka besuar Zotin pa formë, por kur te ai ka sunduar elementi shtazarak-trupor ai e ka materializuar Zotin dhe e ka pasivizuar vetëm në disa rite siç ka ndodhur te fetë popullore apo filozofike dhe pjesërisht te një pjesë e hebraikëve dhe të krishterëve.

Pasi Allahu xh.sh. e përmend fenë në kuptimin e përgjithshëm vazhdon më tej duke cekur se vetëm Islami mbetet ai i cili shpreh raportet e pastërta Zot-njeri dhe më së miri i përgjigjet asaj se çfarë kërkohet prej njeriut si zëvëndës i Zotit në tokë.

Nga e thëna vihet në pah se njeriu ka shpirtin, si pjesë e Zotit (... min ruhi...), i cili orienton edhe trupin. Trupi në vetvete përmban elemente shtazarake, të cilat janë elemente fundamentale të njeriut por këto elemente kur harmonizohen me shpirtin hyjnor, kthehen në urtësi, dije dhe fuqi, të cilat bashkarisht e  madhërojnë Allahun në fushën e tyre të veprimit. Kur arrihet kjo atëherë njeriu e arrin lumturinë në vetvete dhe atëherë e ndien Zotin nga brendia e tij. Atëherë edhe këto cilësi bëhen natyrshmëri dhe pjesë e pandarë e shpirtit. Këtij shpirti i drejtohet Allahu xh.sh. duke i thënë: “O ti shpirt i qetë” i cili njohu Zotin edhe në stadin e dynjasë. Me këtë ai arrin paqe në vetëvete dhe në shoqëri. Kjo paqe e arritur në vetvete dhe në rrethin e gjerë njëherit përbën edhe thelbin e Islamit.

 



[1] Shih me vëmendje artikullin për njeriun por edhe tërë veprën: Husein Gjozo, Islami në kohë, Shkup, 1993.

[2] Shih: Nexhat Ibrahimi, Besimi islam në dritën e njohjes racionale, në: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=2042 (qasja më 2. 6. 2014).

[3] Përkundër mendimeve se këto dy hadithe nuk kanë zinxhir të fuqishëm, kuptimi i tyre është i pranueshëm.

[4] Mustafa Mahmud, Allahu xh. sh., Prizren, 2000.

[5] Samir B., Mbi popullimin e Tokës para Ademit alejhisselam, në: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=1164 (qasja më 2.6.2014).

[6] Analizat dhe elaborimet e hollësishme rreth “fitre-s” në: El-Attas, Islami dhe shekullarizmi, Shkup, 2006.

[7] Ebu’l-A’la El-Mewdudi, Katër termat kur’anorë bazë, Shkup, 2013, fq. 91-103.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme