Shkrimi i këtij të dytit, Sylejman Aliut, ish-redaktorit komunist që shquhet për sharjet që në vazhdimësi ua bën disa intelektualëve të Prishtinës, në rubrikat e tij të rezervuara vetëm për këto qëllime, është botuar tani vonë. Këto shkrime panagjirike për Ismail Kadarenë, nuk i bëjnë nder atij e as gazetave, të cilat i botojnë. Sikur të ishin botuar në Kosovë, unë as që do të merresha fare me to. Por për lexuesin e Shqipërisë shtetërore kam dëshirë të dëshmojë se nuk do të hesht as para autoritetit të I. Kadaresë, në të gjitha rastet kur ai e ka gabim, në mënyrë të veçantë kur janë në pyetje punët e mëdha siç është Kosova dhe çështja kombëtare shqiptare…. Shkrimi z. Avxhiut, siç e thashë, kishte një varg “akuzash” kundër meje që në reagimin tim me titull “Identitetit shqiptar i Ismail Kadaresë” paskam marrë guxim t’i bëj vërejtje Ismail Kadaresë, i cili në një intervistë i kishte shprehur qëndrimet e veta lidhur “Programin e Ahtisarit” për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Autori më akuzonte se e kam fyer Kadarenë, pse nuk jam pajtuar me mendimet e tij, por nuk e theksonte drejtpërdrejt asnjë shprehje fyese sepse te tilla nuk ka teksti im. Në qoftë se dikush fyhet, kur i thuhet e vërteta, atëherë kjo është punë tjetër. Në anën tjetër, “letra” (në ndonjë variant ai shkrimin e ka titulluar “Letra e mosmirënjohjes”) e z. Avxhiu, që donte t’ia bënte argatin e plotë Ismali Kadaresë, përmban më shumë se njëzet herë epitetet fyese për mua, duke filluar që nga më të thjeshtat për mosdije, etikë, e deri te tradhtia kombëtare dhe “puna e serbit” etj. Sikur kjo “letër”, me të gjitha këto fyerje, të botohej diku në Amerikë, apo në ndonjë vend të qytetëruar të botës së Perëndimit, do të kisha mundësi që ta padis z. Avxhiu dhe të kërkoja edhe dëmshpërblimin përkatës, por te ne shqiptarët të gjitha janë të lejueshme. Mund të të shajë njeriu si të dojë dhe kur të dojë publikisht me anë të shtypit dhe kurrgjë kurkujt, e bafsh me shëndet! Duke u nisur nga pasaktësia e tij lidhur me kronologjinë e Konferencës së Rambujesë dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, mund të konstatohet fare lehtë se Avxhiu është një gazetar që ka mangësi të njohurive elementare. Prandaj, nuk do të merrem fare me “marifetet” e mjerueshme të mjerimit të z. Avxhiu dhe të gazetarisë shqiptare ku ka redaktor çfarë është ai, por do të flas përsëri për Ismail Kadarenë dhe identitetin e tij shqiptar. Para se ta bëj këtë, për lexuesit e gazetës, mendoj se është i domosdoshëm edhe një sqarim: Nuk e di pse në këtë letër trajtohem si drejtor i Institutit Albanologjik (pos për ta përgojuar pa të drejtë institucionin, për punën e të cilit as “avxhinjtë” e as arixhinjtë nuk kanë haber!), kur unë reagimin tim nuk e kam nënshkruar as si drejtor e as si bartës i ndonjë titulli apo grade shkencore?! Letra është shkruar me emër e me mbiemër, sepse për intervistën e Ismail Kadaresë kam reaguar si lexues i rëndomtë i saj. Të theksoj kalimthi se për romanet e I. Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Kronikë në gurë” unë kam shkruar para 28 vjetëve dhe studiuesit e letërsisë e din mirë se çfarë ka qenë vlerësimi im për këto vepra. Duke trajtuar mendimet qe Ismail Kadare i ka shprehur në intervistën e tij, unë nuk pata asnjë qëllim që ta mohojë identitetin shqiptar të shkrimtarit tonë, por e theksova mu atë, duke i parë tek ai veçoritë thelbësore të psikologjisë së shqiptarit të kohës sonë. Për të mos i përsëritur ato që i kam thënë në shkrimin tim të mëparshëm do t’ia kujtoj lexuesit se unë e qortova Ismailin, sepse ai në Programin e Ahtisarit shihte se po “krijohej shteti i dytë shqiptar”, siç thoshte ai ”rast që vjen një herë në njëmijë vjet”. E vërteta është se Kosova si protektorat i pashpallur i UNMIK-ut, sepse ende është në fuqi Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara që e trajton “territor të Serbisë”, pas miratimit eventual të një rezolute të re në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të jetë sërish protektorat i pashpallur, me afat të pakufizuar, i Bashkësisë Evropiane dhe brenda këtij territori do të veprojnë komunat etnike serbe me lidhje të veçanta me Serbinë. Brenda Kosovës do të veprojë e pashpallur zyrtarisht një “republika serpska” si në Bosnje. Derisa I. Kadareja entuziazmohej si shumë shqiptarë naivë, edhe nga radhët e politikanëve mendjeshkurtër, unë e theksova qartë se pa të drejtën e vetëvendosjes, pastaj me vendimmarrje të Parlamentit të Kosovës me “votën e dyfishtë”, me konsensusin e domosdoshëm për shumë çështje vitale me deputetet e minoriteteve (me vetë Serbinë), kjo kreaturë shtetërorë shqiptaro-serbe nuk do të mund të funksiononte. Aq më tepër kur komunat serbe sipas Dokumentit të Ahtisarit do të kenë pavarësi ekonomike, në fushën e gjyqësisë, në polici, në arsim, në shëndetësi etj., ato, edhe në qoftë se marrin pjesë me përfaqësuesit e tyre në organet qendrore të Kosovës, vijnë aty vetëm për të sjellë pengesa dhe për t’i shfrytëzuar fondet e përbashkëta. Derisa Ismail Kadareja, duke u bazuar në oportunitetin politik të qarqeve të caktuara shqiptare dhe evropiane, i jepte përkrahje të plotë Grupit të Unitetit, i cili kishte pranuar shumë kompromise lidhur me të ashtuquajturin “decentralizim dhe mbrojtje të trashëgimisë kulturore e fetare serbe”, duke ua lënë komunave serbe dhe kishave ortodokse, që qeverisen drejtpërdrejt nga Beogradit, gati tridhjetë për qind të territorit të Kosovës, unë kërkoja që të përkrahet lëvizja “Vetëvendosja” e udhëhequr nga Albin Kurti, e cila përfaqëson interesat e përgjithshme të popullit shqiptar dhe ka mbështetje të plotë në të drejtën e përgjithshme (universale) të popujve për vetëvendosje në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Unë kam bindje të plotë se këtë të drejtë, më në fund, si të gjithë popujt e botës herët a vonë do ta gëzojë edhe populli shqiptar, i cili do të vendosë vetë se si do ta ndërtojë Shqipërinë e Vërtetë, e jo një, dy, apo më shumë “shtete shqiptare”, siç flet me entuziazëm naiv Ismail Kadareja (?!). Duke i trajtuar këto çështje si njohës i mirë i rrethanave të Kosovës si territor historikisht dhe aktualisht shqiptar dhe i historisë së saj më të re, si njeri që jam jetësisht i lidhur me fatin e saj, e jo si politikan pragmatist, unë konstatova se Ismail Kadareja i shikon gjërat në prizmin e ngushtë të oportunitetit politik të kohës dhe nuk ka vizion për ardhmërinë, ose të paktën, këtë vizion nuk do ta shprehë në shkrimet e këtilla. Andaj, pa pasur qëllim tjetër, në fund të kësaj letre, e këshillova në mënyrë përkatëse, madje duke cilësuar edhe “Ismail, i dashur” që të mos gabojë, të mos flas për qejfin e politikës ditore. Më në fund të gjithë e din, pos z. Avxhiu, se edhe Ismail Kadareja, si njeri që është, mund të bëjë edhe gabime, prandaj edhe mund të qortohet publikisht sepse gabimet e tij kanë pasoja më të mëdha dhe më të dëmshme sesa të politikanëve. Vërejtja kryesore në letrën time ishte se Ismail Kadare e ka vlerësuar gabimisht Dokumentin e Ahtisarit. Nuk është kjo hera e parë që ai bën gabime të këtilla, të qëllimshme ose të paqëllimshme (?!). Të gjithë ata që e kanë përcjellë aktivitetin e tij politik e din mirë se Ismaili në disa raste edhe vetë i ka parë gabimet e veta dhe ka bërë përpjekje t’i korrigjojë. Do t’i përmendi vetëm telegrafikisht disa nga rastet e këtilla: Ismail Kadareja e ka paraqitur vlerësime kontradiktore për figurën e Ibrahim Rugovës; ai e ka vlerësuar gabimisht Konferencën e Rambujesë; për vlerësimet kontradiktore të Ismail Kadaresë për UÇK-në është botuar një libër i tërë (Shpëtim Golemi “UÇK-ja dhe Kadareja”, Prishtinë 2004); Ismaili ka dhënë edhe vlerësime të ndryshueshme për Jakov Xoxën, Arshi Pipën, për Adem Demaçin e pastaj, tash së voni, edhe për Rexhep Qosjen; dikur moti ai në plenumet e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë e kishte vlerësuar lart metodën e realizmit socialist, por më vonë është distancuar nga qëndrimet e tij të mëparshme. Më në fund, do ta themi edhe një të vërtetë se Ismail Kadareja, duke qenë kontradiktor dhe i ndryshueshëm, madje edhe i paqëndrueshëm në aspekte të veçanta karakterologjike, ka bërë edhe ndryshime e plotësime të mëvonshme në shumë nga veprat e tij. Disa nga këto vepra që nga zanafilla kanë pasur edhe nga dy e më shumë versione, prandaj është bukur e çuditshme se si një krijues me luhatje të këtilla, ka mundur ta ruajë vazhdimësinë e plotë në krijimtarinë e vet. Kjo, mbase, do të jetë një nga çështjet me të cilën do të merren studiuesit e ardhshëm të veprës së tij dhe do t’ia caktojnë vendin e merituar midis vlerave të trashëgimisë letrare të popullit tonë, e jo pragmatizmi politik në shkrimet publicistike të Ismail Kadaresë, që është dukuri kalimtare, por mund të ketë edhe efekte afatgjata negative.