Kuba më 2014 - Palestina në 2017

Pas më shumë se gjysmë shekulli urrejtje dhe organizim atentatesh, nën moton “të gjithë jemi amerikanë” u arrit pajtimi midis SHBA-ve dhe Kubës. Kujtojmë se Kuba ishte vendi i cili shkaktoi ankthin trembëdhjetë ditor të shpërthimit të një lufte të mundshme bërthamore midis dy fuqive botërore në fillim të viteve të gjashtëdhjeta. Ajo që e bën të madhe këtë paqe është regjimi i pandryshuar kubanez i cili pranoi paqe me SHBA-të të cilat për dhjetëra herë kishin tentuar ta vrisnin liderin kubanez Fidel Kasrtron! 

Ky përafrim, a thua mund të dërgojë mesazh paqeje ose të paktën ulje tensionesh në Lindjen e Mesme, vendet e të cilit do të dorëzojnë në OKB një draft projektrezolutë për paqe të përhershme midis palestinezëve dhe izraelitëve në Këshillin e Sigurimit i cili mendohet të përfundojë realizimi tij më 2017-të. Kjo lëvizje e re brenda shteteve anëtare të OKB-së, erdhi menjëherë pasi parlamenti i Bashkimit Evropian i dha një mesazh të qartë qeverisë izraelite që të heqë dorë një herë e mirë nga pushtimet e mëtutjeshme të tokave palestineze. Për të treguar seriozitetin e këtij mesazhi, parlamenti i BE-së ndaloi së njohuri Hamasin si organizatë terroriste.

Çfarë kërkojnë arabët

Arabët në veçanti, dhe bota islame në përgjithësi, mendoj se do të kishin qenë ende në gjumë të thellë sikur të mos ngacmoheshin nga hegjemonizmi izraelit. Pas disa betejave të përgjakshme të filluara nga viti 1948-1973, arabët përfundimisht u kthjellën dhe kuptuan se izraelitët nuk ishin vetëm, por mbrapa tyre qëndronin fuqitë më të mëdha të botës! I pari që vendosi të bashkëpunojë me shtetet aleate të Izraelit ishte Enver el Sadati i cili në një farë mënyre mund të thuhet se ndoqi politikën e Konrad Adenauerin i cili me qëllim të shpëtimit të gjermanëve jashtë Gjermanisë Perëndimore, zgjodhi afrimin me BRSS-në. Shtetet perëndimore fillimisht iu frikësuan këtij afrimi, mirëpo e ardhmja tregoi se ai kishte pasur të drejtë. Pas disa dekadash, edhe arabët filluan ta justifikojnë hapin e guximshëm të Sadatit.

Arabët sikur duan të harrojnë çdo gjë nga e kaluara me Izraelin, vetëm e vetëm të arrihet paqja e përhershme me ta. Kërkesat e tyre janë shumë modeste dhe të pranueshme për shumicën dërmuese të shteteve të botës të përfaqësuara në OKB, përveç qëndrimit kokëfortë të Izraelit dhe premtimit të SHBA-ve që do t’i qëndronte besnik Izraelit në të mirë e në të keqe. Përkrahja e SHBA-ve është dëshmuar në disa raste kur kanë përdorur veton pran Këshillit të Sigurimit.

Pse nuk kemi paqe?

Me përjashtim të pak shteteve islame, dhe pak organizatave çlirimtare palestineze, arabët në përgjithësi si dhe qeveria aktuale palestineze nuk kërkojnë largimin e popullit izraelit nga shteti tyre. Ata gjithashtu nuk kërkojnë që Kudsi (Jerusalemi) të mos jetë kryeqyteti i tyre. Ata nëpërmes përfaqësuesit palestinez në OKB, Rijad Mensur përcollën vullnetin e tyre për paqe të përhershme, treguan se e duan Kudsin të jetë kryeqytet i përbashkët i të dy kombeve, duan  largimin e kolonëve nga tokat e pushtuara në vitin 1967-të, duan gjithashtu që qeveria izraelite të mos i konsiderojë palestinezët si qytetarë të rendit të dytë, si dhe t’i respektojnë rezolutat ndërkombëtare të dala nga OKB-ja.

Për sa mësuam nga lajmet e përditshme, si duket edhe kësaj radhe qëndrimi i qeverisë izraelite nuk do që të lëviz nga parimet e tyre kokëforta. Natanjahu, sërish kërkoi nga sekretari i shtetit të SHBA-ve, Xhon Kerri, që të bëjë të pamundurën që arabët  të mos t’ia dalin ta përmbyllin draftin sa për ta dorëzuar në Këshillin e Sigurimit, sepse “qenka shumë i dëmshëm për Izraelin”! Edhe sikur arabët të arrijnë që ta dorëzojnë këtë projektrezolutë në Këshillin e Sigurimit, sipas asaj që po shihet, edhe tani SHBA-ja pritet ta përdorë fuqinë e Vetos së Saj në këtë Këshill dhe i gjithë mundi i shteteve anëtare të OKB-së të shkojë huq.

Të gjitha parametrat tregojnë se një paqe e tillë tani për tani nuk do të mund të ndodhë, dhe atë, për shkak të qëndrimit të palëkundur të izraelitëve se na “qenkan populli i zgjedhur i perëndisë”!? Nëse dikush mund të thotë se edhe ndër arabë, edhe ndër muslimanë në botë, ka të atillë që nuk e duan këtë paqe, themi se numri tyre është shumë i vogël dhe, sikur nuk dua të besoj se, po erdhi ajo ditë, kur SHBA-të dhe Izraeli do të jepnin shenja të njëmendta paqeje këto shtete të mos pranonin kompromisin.

A mund të ndodhë paqja?

Për sa i përket muslimanëve them se po, sepse parimi tyre ka qenë dhe mbetet në fuqi për sa kohë që do të ketë besimtarë që besojnë në Islamin (PAQEN). Në luftën e fundit pesëdhjetë ditore midis Hamasit dhe Izraelit, u dëshmua se ushtarët e Hamasit i përmbahen parimeve të muslimanit, e jo të arabit. Ata dëshmuan se nuk duan të vrasin civilë, prandaj prej tyre (civilëve hebrenj) kërkuan të mos dalin në vende të hapura (tregje, stacione transporti, stadiume e tj). Nga 67 hebrenjë që u vranë, vetëm dy ishin civilë.

Të mos harrojmë, muslimanët trashëgojnë veprat e pejgambereve dhe liderëve të tyre të dëshmuar. Kështu kishte vepruar shumë kohë më parë, pejgamberi i All-llahut, Aleksandri i Madh (Dhulkarnejni), i cili kishte hyrë në Kuds (Jerusalem) paqësisht, më vonë po në këtë qytetet kanë shembullin e Kalifit Umer, të cilit iu dorëzuan çelsat e qytetit nga vetë hebrenjtë, dhe përfundimisht kështu kishte vepruar edhe Salahudin Ejubi i cili ushtrisë perëndimore (krishterëve të Evropës) ia siguroi rrugën nga Kudsi për në detin e hapur.

Nëse amerikanët e arritën paqen pas gjysmë shekulli me kubanezët falë një njeriu që ishte autoritet dhe kishte legjitimitet (duke qenë se ishte edhe i krishterë edhe argjentinas), i dëgjohej fjala, dhe respektohej nga të dy palët (si nga SHBA-të ashtu edhe nga kubanezët), them se edhe monoteistëve në Lindjen e Mesme ju duhet një njeri i përmasave të tilla, të këtë autoritetin dhe legjitimitetin sikur ndër muslimanë, ashtu edhe ndër hebrenj e krishterë.

Mendoj se problemi vazhdon të mbetet tek politikanët që abuzojnë me besimtarët e biblës, duke i shfrytëzuar ekstremistët e këtyre dy religjioneve të cilët besojnë se janë parapërgatitësit e ditës së Madhe të Mesias, i cili do të vjen pas përfundimit të Luftës së Madhe të Armagedonit (pikërisht në Palestinë). Besoj fuqishëm se besimtarët e sinqertë nuk e duan luftën, por paqen. Kjo më bën të besoj se një ditë jo fort të largët, sikurse Papa ashtu edhe Kryerabini hebrenj do të kërkojnë nga sionistët dhe politikanët çoroditës të ndërpresin çdo zgjidhje me dhunë  të problemit në këtë rajon të nxehtë. 

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme