Me paragjykime e ngarkesa s'shkruhet historia







“Epoka e re”: Zoti profesor, gjenerata e vjetër dhe e mesme ju njohin si veprimtar, përkthyes dhe si intelektual atdhetar, i cili jeton dhe punon në Jordani, por gjenerata e re nuk ju njeh. Ju lutem na thoni diçka rreth biografisë suaj.




Muhamet Mufaku-Arnauti: Kam lindur në Damask në vitin 1952 në një familje kosovare të shpërngulur nën presion në ato kushte të njohura të Jugosllavisë së vjetër. Babai (Ahmed Gega) doli prej Pejës me motrën e babën e vet, kurse nëna (Hanife Blakaj) doli prej Vrellës së Istogut vetëm me një vëlla e motër më të vegjël. Pra, gati krejt familja mbeti në Kosovë. Vëllai i babagjyshit ishte kaçak i njohur në atë zonë (Nezir Blakaj), por me vdekjen e tij babagjyshit iu shtrëngua rrethi dhe u detyrua të shpërngulej njëherë në Turqi e më vonë (për shkak të plisit) në Damask të Sirisë. Kur u linda më 1952, shqiptarët aty kishin themeluar një lagje të veten në veri të Damaskut (Mëhalla e Arnautëve), ndaj jam rritur në një familje të madhe që ma kompensonte mungesën e familjes, e cila mbeti në Kosovë.

Babai ka mbajtur lidhjet me Kosovë. Kishte korrespodencë më të afërm. Ai kishte ruajtur pasaportën me shpresë se do të kthehej. Kjo dëshirë e tij ndikoi në formimin tim.

Shumica dërrmuese e kosovarëve që arritën në Siri ishin nga vise rurale, pra të gjithë analfabetë, pasi regjimi në Jugosllavinë e vjetër nuk lejonte kurrfarë shkollimi në gjuhën shqipe. Unë isha gjenerata e parë që vijoi mësimet universitare, pasi kisha kureshtje të madhe për histori. Ajo më bëri të interesohesha herët për Kosovën dhe historinë e shqiptarëve. Ndërkohë, me këto motive, erdha në Kosove dy herë si student në vitin 1972 e 1973, kurse në vitin 1974 u vendosa, pasi jam pranuar si lektor në Degën e Orientalistikës, e cila ishte themeluar atëherë.

Paralelisht me punën, kam vazhduar studimet e larta e jam doktoruar dy herë, njëherë në Filologji në vitin 1981, herën tjetër në letërsi në vitin 1986. 





“Epoka e re”: Si ju pritën në Siri atëherë dhe çfarë ndryshoi pastaj, meqë familja juaj shkoi në Jordani?



Muhamet Mufaku-Arnauti: Në të vërtetë, ashtu sipas tregimeve të prindërve, sirianët i pritën mirë shqiptarët, që erdhën valë-valë pas luftërave ballkanike 1912-1913. Atëherë shtypi sirian botonte lajme për masakrat që u bëheshin shqiptarëve në këto treva, ndaj gjeten një mirëkuptim dhe pritje të mirë derisa u vendosën aty-këtu dhe ndërtuan tri mëhalla arnaute, një në veri të Damaskut, dy në jug të Damaskut. Mirëpo me ardhjen e partisë Baas në pushtet në vitin 1963, ndryshuan gjërat. Kriteret ideologjike kishin përparësi dhe kjo nuk vlente për ne si pakicë e vogël (atëherë nja tre mijë, kurse tani mbi shtatë mijë). Si pasojë e saj, rinia arnaute u dezorientua, humbi shpresat në perspektivë dhe shumë pak vazhduan shkollimin universitar ose të lartë.  Për mua vlente një motiv tjetër, lidhja e fortë me Kosovën, e cila u thellua shumë pasi erdha këtu për vizitë në vitet 1972 e 1973, sepse nuk arrita dot të ndahem prej Kosovës edhe kur nuk jam këtu.



“Epoka e re”: Po me studime tuaja si kaluat, sidomos në Kosovë?



Muhamet Mufaku-Arnauti: Nuk ishte lehtë të vazhdohej shkollimi në një ambient që nuk ka lidhje me shkollim. Babai mburrej se ikte vazhdimisht prej shkollës në Pejë nga frika se po bëhej “shka”. Gjenerata ime ndjente një përgjegjësi që të dëshmonte se shqiptarët janë zotë për shkollim dhe krijim. Edhe pse në Mëhallën e shqiptarëve kemi pasur një jetë të thjeshtë, sepse varfëria na bashkonte, qëlloi afër mëhallës një shkollë bamirëse që na ndihmoi ta vazhdojmë shkollimin. Po ashtu, na ndihmoi fryma e asaj kohe, sepse ka pasur pak studentë në Universitetin e Damaskut. Shkollimi i lartë nuk paraqiste barrë për familje, sepse ishte falas. 

Edhe kur isha në Prishtinë kam kaluar mirë, pasi për shkollimin e lartë nuk paguhej, së paku deri në vitin 1981. Në të vërtetë, atëherë erdha në Prishtinë me pasaportën siriane dhe u paraqita për nënshtetësi në bazë të pasaportës së babës, por atëherë e pashë diskriminimin kundër shqiptarëve, ngase kriteri i origjinës vlente për serbët, por nuk vlente për shqiptarët, pasi kompetencat për nënshtetësi kishin mbetur në Beograd pas vitit 1974. Megjithatë, kurrë nuk e kam ndjerë veten të huaj në Kosovë. Pas vitit 1981 u ndryshua gjendja dhe jam trajtuar si “i huaj” për doktoraturën e dytë në vitin 1986. 

Sa më kujtohet. i kam paguar atëherë nja 5 milionë dinarë. Atëherë kisha të ardhura të mira nga librat që i botoja në Kosovë dhe jashtë. Sikurse të parët e mi, edhe unë jam larguar nën presion nga Kosova në vitin 1987. Njëherë kisha ofertë të punoja si bashkëpunëtor në “Enciklopedinë e madhe arabe”, e cila u projektua atëherë në Damask. Në atë cilësi kam vizituar Shqipërinë për herë të parë në vitin 1988. Në vitin 1989 kam kaluar në Jordani, pasi kam pasur ofertë të punoja aty në Degën e Historisë. Aty shkova përkohësisht, duke përcjellë gjendjen në Kosovë e Jugosllavinë në rënie, por mbeta deri tani!

Për 25 vjet kam punuar në tri universitete, kurse tani dy vjet jam në Degën e Shkencave Humane në një universitet të Amanit. Për këto vjet kam ligjëruar Historinë e Re, Historinë e Botës, Historinë e Evropës, Historinë e Perandorisë Osmane, kurse tani ligjëroj Historinë e Civilizimit Islam. Atëherë, kur shkova në Jordani, vendi kishte reputacion të mirë për punë në universitete. Me të vërtetë ndihem i privilegjuar pse kam shkuar atje. Kuptohet, në Jordani kishin një parim të mirë: profesori duhet të ketë të ardhura të mira që të punojë mirë e mos të merret me asgjë tjetër. Sa për të ardhurat, ato dallohen sipas titujve. Për një profesor të rangut tim ato sillen afër 2 500 euro. 




“Epoka e re”: Pasi e përmendet Perandorinë Osmane, na u kujtua se e keni lexuar një kumtesë në sesionin “Shqiptarët në Perandorinë Osmane”, e cila është mbajtur në kuadër të Javës së Albanologjisë.



Muhamet Mufaku-Arnauti: Po, po merrem me historinë e Perandorisë Osmane, sidomos me ato që kanë të bëjnë me Ballkanin e shqiptarët. Ndërkohë, jam marr në mënyrë intensive me historinë e institucionit të Vakufit dhe roli i tij në historinë ekonomiko-shoqërore, e cila duket mirë në Ballkan. Në këtë kuadër është edhe kumtesa ime “Roli i Vakufit në ngritjen e qytezave të reja në viset shqiptare gjatë sundimit osman: Korça, Kaçaniku, Kavaja, Peqini e Gjakova si shembuj”.

Më erdhi mirë që Instituti Albanologjik e mori për këtë sesion një temë të tillë (Shqiptarët në Perandorinë Osmane), sepse edhe në Jordani kemi paragjykime të kundërta në dy taborët: ata që me fanatizëm e mbrojnë Perandorinë Osmane dhe ata nuk shohin asgjë pozitive në Perandorinë Osmane. Edhe në këtë sesion kishte qëndrime të kundërta në lidhje me Perandorinë Osmane. Historia nuk shkruhet me paragjykime as me ngarkesa ideologjike, ndaj kemi nevojë për këso konferencash që t’i zbusim këto paragjykime e ta kemi një qasje më objektive, jo vetëm ndaj historisë osmane, por edhe ndaj historisë sonë kombëtare. 




“Epoka e re”: Kontributi juaj në shqip?



Muhamet Mufaku-Arnauti: Sa isha në Prishtinë kam punuar e botuar më shumë në shqip, por kur kam shkuar në Jordani është dashur të shkruaj e të botoj më shumë në arabisht, sepse atëherë ishte beteja e madhe për Kosovë në medie dhe në botën e librit. Kështu kam botuar pesë libra për Kosovën brenda viteve 1988-2009 që plotësonin nevojat e kohës, si dhe një seri studimesh në revistat shkencore. Tani me kohë kam vendosur që nga viti 2014 të punoj më shumë në shqip. Kam shpresë se deri në maj 2015 do ta përfundoj monografinë “Nga historia e shqiptarëve të Egjiptit” për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. 



RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme