***
Të dashur vëllezër e motra në ajetin që e lexova më lartë, Allahu i Madhërishëm në suren El-Bekare, ajeti 63, na jep një porosi shumë të fuqishme: “Atë që ua kemi dhënë, mbajeni me forcë”. (Bekare: 63).
Kjo porosi u është thënë pejgamberëve dhe popujve që jetuan përpara Muhammedit a.s., dhe përpara Ummetit të tij, por që vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë e skalitur në faqet e bukura të Librit tonë të Madh, Kur’anit famëlartë.
Por çfarë, në të vertetë, nënkuptojnë këto fjalë të arta hyjnore? Nëse pak do të shikojmë të kaluarën e afërt tonën, do të shohim se kishim shumë gjëra që sot nuk i kemi. Por, ka edhe diçka tjetër që më parë nuk e kishim, e që sot, shiqir Zotit, e kemi. Pra, jeta me kaderin e Allahut është e tillë, ajo të ofron shumë gjera të mira, mirëpo të merr edhe shumë të tjera, ndoshta edhe shumë të vlefshme. Nëse do ta kuptonim drejt ajetin e Kur’anit, se “atë që ua kemi dhënë, mbajeni me forcë”, do të mësojmë se gjërat na bien nga dora ateherë kur nuk i shtrëngojmë mirë dhe kur fillojmë të mos ua dimë vlerën.
Ja, pra, kështu ndodh edhe me Muhammedin tonë, Pejgamberin e Allahut, s.a.v.s. Sa më shumë që të udhëzohemi përmes tij, aq më afër tij jemi. Sa më i pranishëm të jetë ai në jetën tonë, aq më të pranishme do ta kemi edhe simpatinë e tij, në një ditë kur do të varemi për shefatin e tij.
Vëllezër, a e dini këtë se të gjithë pejgamberët i janë lutur Allahut që t’u mundësojë që të bëhen pasues të Muhammedit a.s. dhe a e dini pse? Kjo, për shkak se ata e kanë ditur vërtetë shkallën e lartë dhe vlerën e madhe të Pejgamberit tonë te Allahu xh.sh.
Atëherë, a jemi edhe ne të vetëdijshëm për nderin që na është dhënë e të jemi pjesë e Ummetit të Muhammedit a.s.? Të këshillohemi dhe të udhëzohemi me jetën e tij?
Kam parë shumë herë në jetë se si disa prindër, kur betohen, betohen në emër të fëmijës së vet. Pse e bëjnë këtë? E bëjnë, për shkak se i duan shumë. Po ja, edhe Allahu në Kur’anin famëlartë betohet kështu:
“Pasha jetën tënde (Muhammed), s’ka dyshim se ata (populli i Lutit) ishin të humbur në dehjen e tyre.” (El-Hixhër, 72).
Në një transmetin thuhet se një ditë shkon Xhebraili te Muhammedi a.s. dhe i thotë: “Allahu të thotë, a e di ti se si e kam lartësar emrin tënd? Muhammedi a.s. ia kthen: Jo, këtë e di vetëm Allahu. Melaiqja thotë: Allahu po të thotë: E kam ngrit emrin tënd në atë mënyrë që, kur Unë të përmendem, përmendesh edhe ti, dhe, për ta bërë të plotë imanit e besimtarit, kam kërkuar të përmendemi të dy së bashku.”
Të nderuar vëllezër e motra, dua ta vë theksin te ajeti i parë që e përmenda. Si thoshte Allahu xh.sh? O besimtarë, atë që ua kemi dhënë, mbajeni me forcë? Po ne, çfarë mund të veçojmë në këtë rast? Çfarë do të duhej të mbanim me forcë?
Me forcë do të duhej ta mbanin shpirtin e tij, sjelljen e tij, jetën e tij. Në këtë kohë, o sot e kurrë, bota ka nevojë të mësojë për mëshirën, paqen dhe dashurinë e Muhammedit a.s. që kishte për jetën dhe njerëzit.
A e dimë se vetë Shpallja e Kur’anit ka filluar me përqafim. Kur erdhi Xhibrili t’ia sjellë Kur’anin Muhammedit a.s., ai e përqafoi tre herë atë. Po a e dimë se si vdiq i bekuari, a.s.? Ai nuk vdiq as në beteja, as në namaz, as duke e mbajtur Kur’anin në duar. Ai vdiq, duke qënë i mbështetur në kraharorin e gruas së tij, hz. Aishes, duke i falë respekt e dashuri, ai vdiq në gjirin e familjes së tij.
Ai e donte jetën, e donte njeriun dhe e çmonte lartë lirinë. Ai, asnjëherë, nuk është hakmarrë për vetveten e tij.
Dhe, për fund, i themi vetes dhe botës se ne nuk është se e duam Muhammedin a.s., se ai na çon të vrasim njerëz, por e duam se ai vërtetë i dashti njerëzit dhe është shpëtues i njerëzimit, është rahmeten lil alemine, mëshirë për të gjitha botët: Mëshirë për muslimanët, mëshirë për të krishterët, mëshirë për të gjithë njerëzit, si dhe mëshirë për jetën e çdo gjallese.
(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 09.01.2015, nga imami i xhamisë, Hfz. Mehas Alija)
(Islampress)