Kush ka të drejtë të bëjë ixhtihad

 

 

 

 

Zhvillimi permanent i shoqërisë njerëzore sjell ndryshime pothuajse në të gjitha poret e jetës, saqë çështjet, dukuritë e fenomenet e reja që paraqiten në shoqëri janë gati të panumërueshme. Një dinamikë e këtillë e paraqitjes së dukurive të reja paraqitet si sfidë madhore përballë Sheriatit Islam duke marrë parasysh faktin që ai domosdoshmërisht duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe t’i ofrojë shoqërisë islame zgjidhje për të gjitha çështjet bashkëkohore, përkatësisht të ofrojë qëndrimin zyrtar islam ndaj këtyre çështjeve. Thënë më shkurt,  të caktojë dispozitat përkatëse të sheriatit për çështjet në fjalë. Këtu na del në pah rëndësia e ixhtihadit si institucion,  duke qenë ai forma e nxjerrjes së dispozitave sheriatike nga burimet e tij.

Sot, po të hapësh mjetet elektronike, portale të ndryshme, do të hasim shkrime, qasje, vlerësime në të cilat çdokush i jep të drejtë vetes që për një problematikë të thotë se është haram apo hallall, pa qenë i kualifikuar në atë lëmë.  Më e keqja është se këta njerëz gjithmonë kanë sjellë huti në mesin e popullatës me qëndrimet e tyre të pabaza,  prandaj në këtë shkrim do të përpiqemi të ofrojmë një pasqyrë relativisht të detajuar rreth kushteve të personit që duhet të nxjerrë një dispozitë.

 

Kushtet e muxhtehidit 

 

Nëse i shohim mendimet e usulistëve për kushtet që duhet t’i plotësoj muxhtehidi, do të hasim në atë se usulistët nuk kanë një qëndrim të përbashkët për kushtet e muxhtehidit, por ky mospajtim ndërmjet usulistëve është më shumë formal se sa real, ngase në thelb janë unikë për kushtet që duhet plotësuar muxhtehidi. Në bazë të kushteve që i kushtëzojnë usulistët për personin që dëshiron të merret me ixhtihad, mund të konkludojmë se personi që i plotëson këto kushte mund të konsiderohet muxhtehid,  përndryshe jo.

Kushtet e Sheriatit ndahen në kushtet e personit fizik (të përgjithshme) dhe në kushtet e personit në kuptimin shkencor (të veçanta).

 

Kushtet e përgjithshme

 

Në mënyrë të përgjithshme po paraqesim kushtet e përgjithshme që duhet t’i plotësojë muxhtehidi, dhe konkretisht:

1) Islami konsiderohet si një kusht për pranimin e mendimit këshillëdhënës të muxhtehidit. Imam Gazaliu thotë: është kusht i pashmangshëm.

2) Të jetë i mençur, që do të thotë t’i kuptojë gjërat drejtë;

3) Të jetë i lirë dhe

4) Të jetë i drejtë.

 

Kushtet e veçanta

 

Sa i përket kushteve të personit në kuptimin shkencor, në gjithë literaturën që trajton tematikën e ixhtihadit  pothuajse të gjithë dijetarët i vënë këto kushte:

Të njohë Kuranin Fisnik, imtësitë e ajeteve ligjore; ajetet e përgjithshme, pastaj ajetet specifike; ajetet shfuqizuese, pastaj ato të shfuqizuara; ajetet e përcaktuara, pastaj ato të papërcaktuara; ajetet e qarta dhe jo të qarta, dhe çështjet të cilat kanë të bëjnë me ajetet ligjore. Mjafton të dijë ajetet të cilat kanë të bëjnë me ligjet e Sheriatit, e që janë 500 ajete, ose së paku të dijë se ku gjenden ato ajete në Kuran.  Ky është minimumi. Duhet t’i dijë hadithet deklarative, vepruese dhe miratuese, që të dijë shkencën e tekstit të hadithit, të dijë hadithet që kanë të bëjnë me ligjet e Sheriatit. Andaj nuk lejohet që në fushëveprimin e ixhtihadit të përdoret vetëm një hadith, kurse hadithet që kanë të bëjnë me atë temë të lihen anash. Nuk obligohet që t’i dijë të gjitha hadithet përmendsh,  por të dijë vendin se ku gjenden. Gjithashtu, duhet të njihet në hollësi shkenca e Usuli Fikhut. Kjo është domosdoshmëri e muxhtehidit (myftiut). Pra, duhet të dijë Burimet e Sheriatit për të cilat janë pajtuar dijetarët, siç janë: Kurani, Hadithi, Ixhmai dhe Kijasi; dhe kushtet për të cilat nuk janë pajtuar dijetarët, por që janë burime dytësore të Sheriatit, siç janë: Istihsani, Meslehatul murseli, Urfi, Istis’habi etj. Pastaj duhet t’i dijë kushtet e argumentimit të këtyre argumenteve, siç janë: tregueshmëria e urdhërorit, ndaluesit, të përgjithshmes, specifikes, përcaktorit – jo përcaktorit etj.  Imam Raziu në librin “Mahsul” thotë: “Shkenca më e rëndësishme e muxhtehidit (myftiut) është shkenca e Usuli Fikhut.”  Imam Gazaliu thotë: “Shkencat më të rëndësishme të ixhtihadit janë: Hadithi, gjuha dhe Usuli Fikhu.”

 

Dispozitat islame i përcakton Sheriati

 

Personi i cili jep fetva gjithsesi duhet të ketë njohuri mbi çështjet për të cilat janë dakorduar dijetarët (Ixhmai); së paku duhet t’i njohë ato çështje për të cilat jep fetva,  me qëllim që të mos bie në kundërshtim me mendimin e Ixhmait. Po ashtu, duhet ta njohë gjuhën arabe, sepse Kurani dhe hadithet janë në gjuhën arabe (nuk lejohet ixhtihadi prej ajeteve dhe haditheve të përkthyera).  Muxhtehidi duhet t’i dijë sekretet e gjuhës arabe, përdorimin e llojllojshmërisë së fjalëve, duhet të dijë qëllimin dhe kuptimin e fjalëve të gjuhës arabe. Veç kësaj, duhet të ketë njohuri edhe mbi çështjet kryesore të sheriatit

Islam, e që në renditje janë:

a) Çështjet e patjetërsueshme;

b) Çështjet e nevojshme; dhe

c) Çështjet e dobishme.

Pa dyshim që fetvaxhiu duhet t’i njohë  rrethanat e kohës dhe të vendit. Muxhtehidi nuk duhet të jetë i mbyllur nga shoqëria ku jeton, sepse nëse është i vetizoluar, nuk mund t’i njohë problemet e shoqërisë.

Pas gjithë këtyre kushteve të paraqitura, shtrohet pyetja: A kanë disa njerëz të drejtë morale dhe njerëzore të flasin mbi dispozitat islame? Po, por vetëm ata që i plotësojnë kushtet e më sipër përmendura. Të tjerët, vetëm se janë të lindur për huti, përçarje, shpifje dhe devalvim!

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme