
Ne sot gjejmë një formacion hoxhallarësh që marrin primatin dhe eksluzivitetin e interpretimit të Islamit dhe e vendosin veten e tyre në pozitë të gardianëve të drejtimit të Ehlu sunnetit dhe xhematit. Veten e tyre e konsiderojnë “grupi i ndihmuar dhe i shpëtuar”, prandaj, ata që pajtohen me ta dhe shejhat e tyre janë në Rrugë të drejtë, e ata që nuk pajtohen me mendimet e tyre dhe të shejhave të tyre edhe pse janë shumica absolute e ummetit i konsiderojnë të humbur, dervish, bidatci, përcarës, shpifës, mëkatarë etj. Këta sipas tyre janë banorë të zjarrit!!!
Ky formacion vepron ashtu sikur kishte vepruar harixhiti Ebu Hamza kur i ishte drejtuar shokut të tij: “Askush pos neve dy nuk do të hyj në xhenet! – Subhanallah! Në xhenetin gjerësia e të cilit është sa qiejt dhe Toka, do të hyjnë vetëm dy veta!? Atëherë qoftë i yti! Sigurisht se ky nuk është ai Xhennet që Allahu i Madhërishëm i ka premtuar robërve të Tij – i frikësuar i përgjigjet miku.
Mendjelehtët që luajnë me zjarrin!
Ka hoxhallarë që thirren në disa prej shejhave të tyre tashmë të njohur (Ibn Tejmije, Ibn Kajimi, Abdul Vehabi, Ibn Bazi, Albani, Uthejmini). Këta hoxhallarë dhe xhematet e tyre për gjithë muslimanët e botës me akide eshari dhe maturidi përdorin shprehje pezhorative sikurse janë bidatqi, dervish, të humbur, me besim të devijuar etj!!!
Kur njeriu shfleton web faqet, youtubet dhe faqet e facebook, befasohet nga një liri e plotë dhe gatishgmëri e papërgjegjshme për ti akuzuar kolosët dhe alimat e këtij ummeti dhe gjithë ummetit për devijim në besim!
Se sa i rrezikshëm dhe shqetësues është ky lloj predikimi dhe klasifikimi përjashtues mjafton të shohësh ithtarët e këtyre hoxhallarëve në internet, në rastin më të butë gjen ofendime dhe sharje të ulta që këta ia bëjnë maturidive dhe esharive. Në rastin më ekstrem, ky vlerësim i këtillë hap rrugë për akuzim me dalje nga islami (irtidad) dhe pse jo edhe për veprime të dhunshme.
Më shumë se 98 % e ummetit të Muhammedit a.s. janë me akide eshari dhe maturidi. Akidja maturidite dhe esharite studjohet në gjithë universitetet e botës islame, në universitetin Ez’her, në Turqi, Pakistan, Indonezi, Indi dhe në të gjitha shtetet arabe e muslimane.
Por kjo nuk ka kurrfarë domethënie për ta. Këta mendjelehtë esharitët dhe maturiditët i konsiderojnë grupacione të devijuara (!!!) sikurse xhehemijtë.
Ia zënë për të madhe Mehmet Fatihut që ishte hanefi-maturidi. Ndonëse Pejgamberi a.s. kishte treguar për të duke thënë: ”Vërtetë do ta çlironi Konstantinopolin (Stambollin), vërtetë sundues i mrekullueshëm do të jetë sunduesi i tij (Mehmet Sulltan Fatihi), dhe ushtri e lavdëruar është ajo ushtri”!
Por ata kanë mbyllur veshtë me pambuk dhe kanë flakur gjykimin e arsyeshëm, prandaj e gjithë kjo s’ka rëndësi, sepse vetëm ata janë në besim të drejtë dhe vetëm ata e posedojnë të vërtetën! Xhenneti është vetëm për ta!
Sulmet ndaj maturidive dhe esharive vijnë edhe nga të rinjë të sinqertë. Këta të rinjë entuziastë kanë rënë pre e disa hoxhallarëve fitnexhi që harrojnë se në Islam ka pluralitet mendimesh dhe interpretimesh të cilat deri sa nuk dalin jashtë kornizes islame duhet të respektohen dhe të nderohen detyrimisht madje edhe atëherë kur një mendim i tillë nuk pajtohet me mendimin që mbrojmë ne. Ihtilafi eshtë i ligjshëm në Islam prandaj edhe respekti dhe vlerësimi i dijetarëve eshtë i detyrueshëm.
Sulmet e tyre ndaj medhhebeve
Këta “mendjendritur” hoxhallarë e shpjegojne Islamin jashtë medhhebeve të pranuara sunnite. Dhe këtë e bëjnë duke u thirrur kinse në inerpretimin burimor të Islamit. Këto pretendime të këtyre hoxhallarëve janë hileqare. Kjo sepse interpretimin burimor të Islamit ulematë dhe kolosat e kesaj feje e kanë bërë me kohë dhe inerpretimet burimore na janë përcjelur gjeneratë pas gjenerate permes dijetareve dhe ulemave besnik të gjithë ummetit. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Dija do të bartet prej të besueshmeve në çdo brez - ata do ta pastrojnë atë prej transformimeve të bëra prej atyre që i kalojnë kufijtë, prej pretendimeve të rreme të gënjeshtarëve, dhe prej interpretimeve të gabuara të paditurëve”.
Hallkat e zingjirit të transmetuesve të këtyre interpretimeve dhe shpjegimeve nuk janë shkëputur. I Dërguari i Allahut na tregon se ummeti vazhdimisht do të jetë në Rrugën e Drejtë.
Pejgamberi a.s. thotë: “Ummeti im kurrë nuk do të pajtohet për të devijuar (dalalet), në qoftë se ju shihni kundërshtime të mendimeve mes jush, atëherë pasoni shumicën”, (hadith sahih).
Gjatë historisë islame shumica absolute e ummetit të Muhammedit a.s. i është përmbajtur në fikh katër medhhebeve: shkollës së Imam Ebu Hanifes, Imam Malikut, Imam Shafiut dhe Imam Ahmedit. Kurse në akaid kanë ndjekur Imam Eshariun dhe Imam Maturidiun.
Prandaj të nderuar besimtarë duhet të ruhemi dhe të kemi kujdes që të mos ofendojmë dhe shpifim ndaj ulemave dhe hoxhallarëve me fyerje, lëndime dhe akuza, sepse ata janë miqtë e Allahut (Evlijaullah). Dëshmi për këtë është ajo që transmeton Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Allahu i Madhërishëm ka thënë: Kush i bën keq (mikut Tim) i shpall luftë atij.” (Buhari).
Imam Neveviu transmeton se Ebu Hanife dhe Shafiu r.a. kanë thënë: “Nëse ulematë nuk janë miq të Allahut, atehërë Allahu nuk do të kishte miq”.
Prandaj, kujdes o besimtar, sepse gjuha e ultë dhe ofenduese që përdoret kundër dijetarëve dhe kolosëve të këtij ummeti dhe pjesës absolute të umetit të Muhammedit a.s. shkakton vdekjen e zemrës, para vdekjes së pronarit të saj.
Qëllimi i këtij shkrimi eshtë në mbrojtje të kolosëve dhe ulemave të këtij ummetit, trashëgimtarëve të pejgamberëve që janë zëri dhe zemra e ummetit dhe që pulsonjë me dije dhe besim.
Dijetarët e facebookut
Sot është një situatë vërtet e mjerë. Për ironi kemi ‘mufti’, ‘muxhtehidë’ e ‘alima’ të facebookut. Ata hedhin poshtë cdo gjë. Me një guxim të paparë sulmojnë dhe shpifin ndaj dijetarëve me epitete të ulta, i përshkruajnë atyre përshkrimet më të shëmtuara, për shkak se imamët dhe alimat e këtij ummeti janë në kundërshtim me opinionin e shejhave që kanë përzgjedhur këta hoxhallarë si dhe dhe xhematet e tyre.
Në cdo shkencë respektohen specalistët dhe ekspertët e lëmive përkatëse. Në mjekësi psh ndëgjohet dhe respektohet mendimi i mjekut. Kështu ndodh edhe me shkenca të tjera. Ndërkaq kur vjen puna te feja islame secili bëhet dijetar, muxhtehid e mufti. Mjafton marrja e nje diplome nga bota arabe … Kemi raste kur disa sapo fillojnë të vijnë në xhami, apo të ndjekin ndonjë kurs fetar, pavarësisht se mund të jenë pa kurrfarë formimi dhe shkollimi, i klasifikojnë njerëzit në të humbur dhe të shpëtuar.
Të gjithë këta na paraqiten të ditur madje edhe më të ditur se Imamët dhe muxhtehidët e këtij ummeti.
Për ta nuk ka nevojë për shkollat juridike (medhhebet), hedhin poshtë interpetimet e dijetarëve kolosë të këtij ummeti për 1400 vjet dhe kërkojnë që cdo gjë të filloj nga e para. Nuk pranojnë vecse mendimet e shejhave të tyre, sepse cfarëdo vec mësimeve të shejhave të tyre eshtë gabim dhe mbrapsht.
Sipas pretenduesve të këtij formacioni duhet të pastrohet akidja e devijuar e këtij ummeti!!! Duhet të largohen bidatet dhe devijimet e medhhebeve përgjatë këtyre 14 shekujsh!!! Duhet ti kthehemi Kur’anit dhe sunnetit por jo sipas Imamëve të medhhebeve por sipas shejhave të këtyre hoxhallarëve.
Marrja direkt nga Kur’ani dhe sunneti
Prandaj ky formacion hoxhallarësh kërkojnë që të mos pasohet medhhebi sepse duhet të marrim direkt nga Kur’ani dhe sunneti. Kjo do të thotë se secili prej xhematlinjëve edhe prej hoxhallarëve të arrijnë shkallën e muxhtehidit. Një kërkesë sa e pamundshme aq edhe absurde. Këta punojnë të bëhen sa më të popullarizuar, qëllimi i tyre është të marrin sa më shumë like në internet.
Ata punojnë për interesa personale dhe për rritjen e ndikimit të tyre në shoqëri, respektivisht tek rinia. E përbashkëta e këtyre hoxhallarëve është se ngarendin për të zënë sa më shumë pika. Punojnë të marrin sa më shumë pozicione për tu fuqizuar.
Shtrohet pyetja se sa i ndihmonë shoqërisë dhe vecmas rinisë sonë ky interpretim eksluziv i cili në fund të fundit po hedh poshtë interpretimin e islamit bërë qysh prej më shumë se 1300 vejtësh kurse në trojet tona qysh prej 600 vjetësh.
Por kjo për ta s’ka rëndësi. Relevant është motivi i cili con deri te kjo. Pavarësisht se ky motiv na paraqitet si fisnik dhe fetar ai është përfitim personal dhe në disa raste grupor.
Në aspektin fetar tendenca e disa hoxhallarëve për ti paraqitur si interpretime burimore dhe legjitime vetëm shpjegimet e tyre është kontraproduktive. Me zhargonin popullor do thoja është shpjegim dhe interpretim tallava. Ndërkaq, në planin praktik është për keqardhje, joadekuat dhe jo profesional .
Kjo, sepse është e qartë se mëse dy miliardë muslimanë nuk mund të behen muxhtehidë! As qindra mijëra hoxhallarë në botë nuk mund të arrijnë shkallën e ixhtihadit, shkallë të cilën e kishte arritur një numër shumë i vogël sahabësh dhe dijetarësh kolosë gjatë këtyre katëmbëdhjetë shekush. Numri i tyre mund të numrohet me gishta.
Të gjithë sahabet nuk jepnin fetva
Meqenëse shkalla e ixhtihadit është shumë e vështirë për tu arritur të gjithë sahabet nuk jepnin fetva por shkonin të merrnin mendimin nga Ebu Bekri, Umeri, Uthmani, Aliu, Ibn Abasi, Abdullah ibn Mesudi etj, (Allahu qoftë i kënaqur me ta) për kuptimin e ndonjë ajeti kur’anor, hadithi apo dispozite islame. Prandaj nuk është e rastësishme që gratë muhaxhire dhe ensare i drejtoheshin h. Aishes për cështje që kishin të bënin me dispozita rreth femrave. Veprimi i sahabëve të respektuar dhe as’habeve të nderuara ishte krejt ndryshe nga pretendimi i disa hoxhallarëve dhe tifozëve të tyre që thonë se duhet të marrim cdo gjë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Kur’ani dhe sunneti. Nuk e mendoj se ka musliman me mendje të shëndoshë që të thotë se hoxhallarët apo muslimanët e sotëm mund janë më të ditur dhe më të aftë se ata sahabinjë që konsultoheshin dhe merrnnin shpjegimet e sahabëve të mëdhenj rreth ceshtjeve të ndryshme fetare dhe nuk bënin ixhtihad të pavarur.
Të fillojmë cdo gjë nga fillimi!
Ka edhe një përpjekje tjetër që po shkaktoh huti tek besimtarët. Pretendohet se medhhebet nuk janë plotësisht në frymën e Kur’anit dhe sunnetit. Prandaj sipas tyre nuk duhet të merret vetëm mendimi i një shkolle në rastin tonë i shkollës hanefite por mund të marrim nga të gjitha shkollat pa kurrfarë kriteresh, ashtu si mendojmë se është më së miri.
Këta hoxhallarë kanë si referen stereotipin e shejhave të tyre që dihet se ku fillon por nuk dihet se ku përfundon. Vetëm Allahu e di se sa dëm po shkaktojnë dhe mund të shkatojnë këta hoxhallarë që kërkojnë të hiqen medhhebet. Kjo do të thotë se ummmeti për 1400 vjet në cdo gjë ka qenë gabim prandaj ne duhet të fillojmë cdo gjë nga fillimi. Të heqesh medhhebet dtth sikur të të heqesh shenjat e komunikacionit dhe sinjalizimet në autostradë duke i lënë secilit të ngasë makinën sipas dëshires dhe tekave të tij. Mund të marrim me mend se cfarë do të ndodhte në autostradat e botës nëse do të veprohej kështu. Kjo gjë sot po ndodh nëpër pjesët e botës islame. Janë larguar referencat dhe autoritetet e këtij ummeti, cdo gjë po fillon nga e para dhe secili sipas qejfit po i shpjegon ajetet dhe hadithet e Muhammedit a.s.
Islami na është përcjellur i pastër dhe burimor
Imamët e këtij ummeti nuk duhet të jenë fokusi i diskutimit apo hezitimit. Pejgamberi a.s. e ka lënë islamin në duar të sigurta. Në cdo gjeneratë ka patur ulema e alima të cilët e kanë drejtuar masën dhe e kanë ruajtur atë nga devijimi.Pejgamberi a.s. thotë ”Në çdo 100 vjet Allahu do t´i dërgoje këtij umeti një ripërtëritës të Fesë së Tij.”
Prandaj islami na është bartur dhe transmetuar i pastër dhe burimor gjenerat pas xhenerate. Nuk ka hallka të këputura në zingjirin e gjatë 14 shekullor të alimave tanë.
Vetëm muxhtehidët mund të nxjerrin konkluzione dhe të marrin vendime duke u bazuar në burimet e islamit. Dhe këtë mund ta bëjnë vetëm ata. Prandaj kur flasim për imamët themelues të medhhebeve duhet të kuptojmë se ata kanë qenë njerëz të zgjedhur dhe të pajisur me dije nga ana e Allahut xh.sh. Ata kanë qenë trashëgues të denjë e besnik të dijës së Pejgamberit a.s.
Pejgamberi a.s. ka thënë: ”Ulematë janë trashëgimtarët e pejgamberëve”. Pejgamberi gjithashtu ka thënë: ”Nëse muxhtehidi ia qëllon ka dy shpërblime, ndërkaq nëse nuk ia qëllon ka një shpërblim”. (Buhariu).
Për rrjedhojë, duhet të jemi të kujdeshëm kur flasim për imamët dhe kolosët e këtij ummeti. Pasimi i medhehbit jo vetëm që është i lejuar por edhe i obligueshëm sepse ne jemi të thirrur të respektojmë hierarkinë edhe në dije. Secili medhheb mbështet në argumente fetare. Ndërkaq ata që nuk kanë dije të mjaftueshme duhet të jenë të kujdesshëm që të mos rrezikojnë për në zjarr, Zoti na ruajt.
Dhënia e fetvave është nxjerrur në legjistacion publik
Si mundemi ardhmërinë e Ummetit tanë t’ia lëmë njerëzve të cilët sjellin fetva për gjërat që në mesin e kolosëve të dijes ishin kontestuese.
Dhënia e fetfave është nxjerrur në legjistacion publik, prandaj hoxhallarë të shumtë japin fetfa madje edhe për cështje shumë të rënda e të rëndësishme.
Sahabet kur pyeteshin për dhënine e ndonjë fetfaje i jepnin përparësi tjetrit dhe kështu i shmangeshin dhënies së fetfasë nga kujdesi dhe frika e përgjegjësia ndaj Allahut xh.sh.
Në kohën e h. Umerit jetonte një njeri me emrin Sagib b. Asi që jepte fetfa sipas “tekeve” duke i ngatërruar argumentet pa pasur njohuri të nevojshme. Umeri e kishte thirrur këtë njeri, e kishtë shtrirë me fytyrë për toke dhe kishte filluar ta godiste me shkop derisa ai kishte humbur vetëdijen. Kur kishte ardhur në vete kishte thënë: U gdhimë dhe agoi cdo gjë në pushtetin e Allahut.
Kur e kishte pyetur h. Umeri se si po ndihej, ai ishte përgjigjur:
“Më kaloi ajo që e ndieja më herët dhe tani me lejen e Allahut jam shëruar”. Athua vallë si do vepronte Umeri r.a. me këta hoxhallarë që janë prekur nga deliri i madhështisë, fodullëku e qibri dhe po bëjnë përcarje e fitne, dhe këtë, me gjasmë, në emër të shpjegimeve origjinale të islamit. Allahu e bëftë hajër.