NDËRGJEGJJA (VICDAN) – VEPRA MË E RE E SAMI FRASHËRIT

Sami Frashëri

Sami Frashëri

 

Veprën të cilën sot e kemi në dorë, gjendet në fondin e librave të Samiut në Arkivin e Shtetit Shqiptar. Ky fond, shumicën e së cilës e përbjnë fotokopjet e veprave të pabotuara të Samiut, është në gjendje që të bëhet një burim i rëndësishëm për hulumtuesit.

Ne në këtë prezantim do të përpiqemi të ndalemi pak mbi veprën teatrale Ndërgjegjja të Samiut. Kjo vepër këtyre ditëve është përgatitur për botim nga Prof. Dr. Irfan Morina, profesor i gjuhës e letërsisë turke në Universitetin e Prishtinës, dhe është botuar në Shkup nga shtëpia botuese Logos-a.

Vepra Ndërgjegjja për herë të parë botohet në gjuhën shqipe dhe lexuesit iu prezantua në panairin e librit të organizuar në javëne parë të muajit qershor në Prishtinë. Pas një jave del edhe boitimi në gjuhën turke. Si bazë për punimin tonë, ne do të marrim botimin në gjuhën turke. Por do të mundohemi të vëmë në pah edhe dallimet që bien në sy në mes të dy botimeve.
Libri është lidhur me kore kartoni ngjyrë gështenjë. Në pjesën e poshtme të librit gjendet një shirit me ngjyrë të zezë. Në mes të kores së librit shihet një fotografi e njërës derë hyrëse të pallatit Al-hamra, që përfaqëson civilizimin islam në Spanjë. Në pjesën e sipërme është shënuar me shkronja të mëdha “Ndërgjegjja”. Menjëherë, poshtë emrit është shkruar “Dramë në pesë akte”. Po ashtu në pjesën e jashtme të kores së librit është shënuar edhe emri i autorit Sami Frashëri. Pasi janë dhënë disa informata të shkurtëra në lidhje me librin në pjesën e prapme të kores së librit, është dhënë vend dialogut të Fatimes, njërës prej kryeheroinave të veprës Ndërgjegjja. Në pjesën e brendshme të kores së librit gjithashtu është shënuar edhe emri i Prof. Dr. Irfan Morina, i cili ka përgatitur veprën për botim.

Vepra përbëhet nga parafjala, biografia e Sami Frashërit, hyrja, teksti, (turqisht-osmanisht), përfundimi dhe fjalori i fjalëve të përdorura.
Autori që kishte përgatitur vepën për botim, në parathënien e librit flet rreth librave që gjenden në fondin e librave të Samiut në Arkivin e Shtetit Shqiptar dhe ndalet tek arsyet përse vepra Ndërgjegjja nuk ishte botuar më parë. Pastaj duke dhënë biografinë e Sami Frashërit, lexuesin e informon shkurt për jetën, veprat letrare dhe personalitetin e tij letrar. Parathënia e veprës së botuar në gjuhën shqipe mban nënshkrimin e Xhevat Lloshit. Këtu ai flet edhe për një vepër-dramë që i shtohet trashëgimisë letrare të Sami Frashërit.

Hyrja mban firmën e Prof. Dr. Irfan Morina dhe Salih Okumuş. Autorët në këtë pjesë që mban titullin Ndërgjegjja, flasin shkurtimisht në lidhje me veprën dhe për agonin e atyre që kanë mbetur mes shpëtimit të jetës dhe shpëtimit të atdheut. Pastaj autorët ndalen në analizën e veprës. Së pari është dhënë një përmbledhje e përmbajtjes. Me pas jepen të dhëna historike mbi Spanjën dhe tregohet fillimi i periudhës dhe procesit të pushtimit të Granadës. Ndalohet pak në sqarimin e karakteristikave dhe personaliteteve të personazheve në vepër, karakteristikat e kohës, vendit, gjuhës dhe formulimeve gjuhësore të veprës. Përmbledhja e kësaj pjese është përdorur edhe në botimin shqip të veprës. Këto të dhëna lexuesit ia ofron Raif Morina si përkthyes.

Pjesa tekstuale e veprës përbëhet nga dy pjesë. Teksti i pjesës së parë jepet me shkronja latine, pastaj duke shtuar tekste osmane kjo pjesë plotësohet.
Teksti i veprës Ndërgjegjja në osmanisht përbehet nga pesë akte, 20 skena, e dhënë në 140 faqe. Faqja e fundit është jo e plotë dhe nuk dihet edhe data e shkrimit të veprës. Këtu vlen të përmendet se kam hasur në disa gabime të vogla shtypi, të leximit dhe renditjes. Por për shkak të rëndësisë së veprës dhe botimit për herë të parë, nuk jam ndalur në sqarimin e tyre. Do të ishte më mirë dhe më e përshtatshme që trajtimi i tyre të bëhet në një punim tjetër.
Veprës është shtuar edhe një fjalorth me fjalët të cilat janë përdorur në vepër, e kuptimi i të cilëve sot mund të paraqet vështirësi për lexuesin. Shpresojmë që ky fjalorth të ofrojë lehtësi të madhe lexuesve.
Pas këtyre sqarimeve tani do të ndalemi tek përmbajtja e veprës Ndërgjegjja. Ndërgjegjja është një vepër teatrale. Ngjarja është marrë nga historia e Andaluzisë. Tema ka të bëjë me dashurinë ndaj atdheut dhe lirisë. Ngjarjet zhvillohen rreth përpjekjeve të rezistencës ndaj pushtimit spannjoll të Andaluzisë, të një vajze trime, atdhedashëse dhe dashurisë së një djali ndaj saj. Në qendër të temës vendoset dashuria e Ridvanit dhe Fatimes, kështu caktohet rrjedhja e ngjarjeve e vendosur në kontekst të zhvillimeve historike.

Më 711 Andalusia themelohet nga berberët. Më 756 sundimi i dinastisë emevite zëvendësohet me sundimin e dinastisë abaside, ndërsa një princ i dinastisë emevite shkon në Spanjë dhe themelon mbretërinë e Kordobës. Kjo mbretëri jeton në pasuri dhe mirëqenie për 250 vite. Me martesën e mbretëreshës së Kastiljes me princin Ferdinand, trashëgimtar i mbretërisë fqinje të Aragonës, tokat nën sundimin e muslimanëve dalngadalë fillojnë të hyjnë nën kontrollin e mbretërisë së Kastiljes. Në këtë gjendje muslimanët e Spanjës kërkojnë ndihmë nga mbretëria e Murabitëve, të cilët tashmë kishin shtrirë sundimin e tyre në tërë Afrikën veriore. Për një kohë të shkurtër Murabitët arrijnë të bashkangjesin mbretërisë së tyre të gjitha tokat e Andalusisë përveç mbretërisë së Zaragosës.
Në shek. XII, Andalusia ndahet në dysh nga një tjetër grup fetar, Muvahitët. Në betejën e Las Navas dode Toloso të zhvilluar më 1212, forca e muslimanëve bie edhe më shumë. Më 1248 mbreti Ferdinandi i III pushton Sevilen, dhe kufitë e mbretërisë së tij shtrihen deri tek kufijtë e mbretërisë së Granadës, e cila tashmë kishte hyrë nën mbrojtjen e mbretërve spanjoll, duke tradhëtuar Muvahitët. Më 1492 bie edhe mbretëria e Granadës e cila ishte edhe kështjella e fundit e muslimanëve në Spanjë.
Ndërgjegjja është një vepër teatrale me karakter historik. Ngjarjet zhvillohen në qytetin e Granadës në fund të shek.XV dhe kanë të bëjnë me pushtimin e mbretërisë së fundit të Andaluzisë islame nga spanjollët. Por në qendër të tregimit vendoset dashuria mes dy personazheve dhe ngjarjet marrin formë më shumë rreth tyre. Tema kryesore e tregimit është dashuria ndaj atdheut.

Tregimi fillon me të bëmat e mbretit të kaluar. Mbreti duke harruar të kaluarën e vet bashkëpunon me armiqtë dhe u shërben atyre. Por fundi i tij nuk është i mirë dhe detyrohet të ik në Tunizi. Për shkak të veprave të veta sytë i verbërohen. Mbreti i ri Ebu Abdullah E’s-Safir nuk ndryshonte nga ai. Jetonte në luks dhe qejfe. Tregoi një qeverisje të dobët dhe populli nuk ishte i kënaqur me të. Pakënaqësitë në rritje ndaj qeverisjes së tij u bënë shkak i një lufte të mbrendshme civile. Duke e vlerësuar këtë gjendje si një rast të mirë armiku sulmon. Kështu edhe mbretëria e Granadës, kështjella e fundit e cila ishte në dorën e muslimanëve në kohën e mbretit E’s-Safir, bie në duart e spanjollëve. Skenat e luftës nuk janë shumë të dukshme, ato zhvillohen në prapavijë të tregimit. Për luftën informohemi nga tregimet e atyre të cilët shkojnë e vijnë nga fronti i luftës. Qëllimi kryesor i autorit është të shpalos negativitetet që solli lufta në jetët e muslimanëve, të cilët përpiqeshin të rezistojnë dhe të mbrojnë atdheun e tyre.
Granada pushtohet nga armiku. Në qytet bëhen padrejtësitë dhe fillon të sundojnë parregullsia dhe korrupsioni. Në një situate të tillë, heronjtë e veprës Ridvani dhe Fatimja vendosin që të ikin në ndonjë vend musliman si Tunisi, Algjeria, Egjipti, Buhara dhe Stambolli. Ridvani i thotë Fatimes se Osmanlinjtë ishin duke dridhur botën dhe flamuri i tyre valonte afër mureve të Vjenës. Në të vërtetë ajo çka dëshirohet të theksohet këtu në njërën anë është gjeografia e gjërë islame dhe në anën tjetër dëshirohet të theksohet forca e osmanëve në atë kohë. Në atë kohë në krye të Granadës ishte mbreti E’s-Safir. Ridvani është i mendimit se ky njeri ishte një i shkujdesur. Qeveritarët sikur Ebu Abdullah E’z-Zağal duke harruar krenarinë dhe dinjitetin e të parëve të tyre, kishin punuar kundër interesave të fesë dhe atdheut, pastaj kishin ikur në Tunisi. Mbreti i Tunisit si denim për tradhtitë e bëra nga E’z-Zağal, urdhëron që sytë e tij të verbohen. Dikur ishte ulur në fron, në pallatin Al-hamra ndërsa tash jetonte duke lypur rrugëve të Tunizisë. Ridvani fundin e Es-Safirit e sheh të njëjtë.

Mbreti Ferdinand dhe mbretëresha Elizabeta dërgojnë një përfaqësues të tyre tek Es-Safir dhe kërkojnë që ai të dorëzohet tek ata dhe të dorëzojë Granadën. Në një këshillim në këshillin mbretëror, derisa Es-Safir ishte gati duke e pranuar dorëzimin, Musa bin Ebu’l-Gazan e kundërshton këtë veprim. Duke e parë qëndrimin e tij të paepur edhe këshilltarët e tjerë, thanë që janë të gatshëm të vdesin për atdhe. Besimi dhe shpresa për shpëtimin e atdheut rritet. Por brenda shoqërisë kishte edhe të atillë që nuk mendonin ashtu.

Mbreti i Kastiljes, Aragonit, Portugalisë, Lionit, Napolit, Sicilisë, Gjermanisë, Papa dhe e gjithë Europa dëshironin që arabët të dilnin nga Spanja. Por Granadës nuk i vie asnjë ndihmë. Ushtarët e mbretit Ferdinand duke mundur popullatën përreth, kishin rrethuar kalanë e Granadës. Es-Safiri para se të dorëzonte qytetin, nënshkroi një marrëveshje me mbretin dhe mbretëreshën. Sipas kësaj marrëveshjeje, popullata e Granadës nuk do të pësonte asnjë dëm sa i përket pronës, jetës, moralit dhe dinjitetit njerëzor. Por ata nuk e respektojnë këtë marrëveshje. Ushtarët e mbretit hynë në qytet dhe pushtuan atë duke mos lënë gur mbi gur. Muslimanët ballafaqohen me një shtypje dhe padrejtësi të mëdha. Përkundër asaj kur arabët e kishin pushtuar Spanjën nuk kishin cenuar jetën, pronën dhe ndërgjegjen e askujt. Tashti muslimanët duke lënë prapa pronat dhe pasuritë e tyre, ishin duke bërë planet e braktisjes dhe ikjes nga vendi. Ata që nuk ikën ishin të detyruar të ndërronin emrat dhe fenë e tyre. Ndërsa ata që refuzonin vriteshin. Dijetarët më të mire të shekullit ishin robëruar dhe të prangosur ishin dërguar në Romë. Me qindra virgjëresha duke u marrur me dhunë nga nënat e tyre, dërgohen si dhurata mbretërve të Europës. Biblotekat vihen në zjarr. Derisa dikur muslimanët adhurimet dhe ritualet i kryenin në xhamitë e Granadës, tani ato ishin shëndërruar në kisha që mbusheshin me të krishterë. Deri dje zëri i ezanit lartësohej nga minaret, të njëjtat minare sikur ishin përkulur zërit të këmbanës. Muslimanët duke u detyruar apo duke i mashtruar me premtime të ndryshme, detyrohen të ndërrojnë emrat dhe fenë e tyre. Sipas vendimit të inkuizicionit, shpallet se ata musliman të cilët ishin konvertuar në të krishterë, në rast të kthimit të tyre përsëri në Islam, do të hidhen në zjarr. Kësaj i thuhet “ihrak-ı bi’n-nar”.
Përveç planit historik i cili vendoset në prapavijë të veprës Ndërgjegja, po ashtu ajo reflekton epokën nga pikpamja e vendit dhe hapësirës. Në qendër të aspektit vendor gjendet Granada, qyteti i fundit në duart e muslimanëve dhe pallati mbretëror Al-hamra. Pamjet dhe peisazhet e vendeve nuk marrin shumë pjesë në vepër. Arsyeja më e rëndësishme e kësaj buron nga të qenit një vepër teatrale. Edhe pse jepen disa karaktreistika të qytetit, hollësit nuk gjenden. Edhe ashtu pamjet në përgjithësi përbëhen më shumë nga hapësirat e mbyllura të kishave, shtëpiave, dhomave, manastireve dhe burgjeve. Por në pjesët e tregimit të ngjarjeve haset edhe në hapësirat e jashtme, jo të mbyllura si rrugët, lagjet, qyteti, pylli e të ngjashme. Këtu pika më e rëndësishme që na tërheq vëmendjen është të ndodhurit në një vend bashkë, të ndërtesave që u takojnë muslimanëve dhe ndërtesave që u takojnë të krishterëve.Po ashtu edhe në hapësirat e brendshme të ndërtesave jepen mobilet, rrobat, sendet tradicionale dhe kulturore të përdorura nga muslimanët dhe të krishterët.

Vepra Ndërgjegjja edhe pse është një vepër teatrale, numri i personazheve në të nuk mund të konsiderohet i vogël. Ridvani dhe Fatimja janë heronjtë e vërtetë të tregimit. Por zinxhiri i ngjarjeve që zhvillohen rreth dashurisë së tyre pasurohet edhe me heronjë të tjerë. Në mesin e personazheve gjenden: Ridvani, Fatimja, Hasani, Leonora, Don Pedro, Rafael, Amru, Kardinali, priftërinjtë, murgeshat,ushtarët dhe populli. Edhe pse historia e tregimit vendoset në prapavijë, në kuadër të personazheve shtohen edhe personalitete të vërteta historike sic janë mbretërit Ebu Abdullah Ez-Zağal, Ebu Abdullah Es-Safir, komandantët: Musa bin Ebu’l-Gazan, Musa bin Nasır, mbretëresha e Kastiljes Elizabetta dhe Arçiduka e Austrisë Ferdinandi. Gjuha e përdorur në veprën Ndërgjegjja, shprehjet dhe formulimet gjuhësore bëhen një prej pikave më karakteristike dhe përcaktuese të veprës.
Kur të analizojmë me kujdes veprën nga fillimi deri në fund, mund të shohim se autori gjatë tregimit ka përfituar nga përdorimi i disa elementeve teknike gjuhësore. Në kuadër të këtyre teknikave përshkruese na tërheqin vëmendjen teknikat si: letra, të kthyerit prapa në kohë, përmbledhja, narracioni, dialogu, monologu, rrjedha e informacionit dhe përshkrimi i vendit dhe hapësirës. Të gjitha këto në këtë vepër përdoren më shumë në formë të busollës. Rrëfyesi ndonjëherë nga koha në të cilën gjendet kthehet prapa në kohë dhe kujton ngjarjet që kanë ndodhur, por edhe ndonjëherë i përmbledh ngjarjet që tregohen në vepër në pika të shkurtëra. Shkrimtari shfrytëzon këtë teknikë, posaçërisht me rastin e përshkrimit të jetës së heronjëve dhe ngjarjeve edhe jo aç të rëndësishme në të kaluarën. Edhe ashtu nuk është e mundur që të tregohen të gjitha ngjarjet bashkë me hollësitë e tyre. Ridvani tregon se çfarë u kishte ndodhur qeveritarëve të shtetit të cilët kishin tradhtuar vendin e tyre një kohë, duke mos hyrë në hollësira por përdorur teknikën e përmbledhjes.

Në fund dëshiroj që përzemërsisht të falënderoj zotëri Irfan Morinën, i cili arriti të nxjerr në dritë një vepër të pabotuar më parë, të një turkologu të pashoq siç është Sami Frashëri dhe shtëpinë botuese Logos-a që me botimin e kësaj vepre të çmuar kontribuoi në pasurimin e jetës sonë kulturore.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme