INTERKOMUNIKIME ARABE-BALLKANIKE GJATË MESJETËS DHE PERIUDHËS SË RE

Veprimtaria shkencore e Profesor Muhamed Mufakut-Arnautit është e nduarndryshme, andaj edhe veprat, studimet dhe artikujt shkencor i takojnë fushave të ndryshme. Opusi shkencor i Profesor Muhamedit arrin me dhjetëra vepra shkencore origjinale dhe përkthime nga fushat më të ndryshme, si historike, letrare, kulturore, publicistike etj. Profesor Arnaut në opinionin shkencor në botën arabe dhe në publicistikën arabe, karshi kontributeve shkencore autoriale në fushën e historisë, letërsisë, kulturës dhe publicistikës, është i njohur edhe me prezantimin e të arriturave shkencore nga fushat më të ndryshme në Ballkan. Ai në qarqet e publicistikës arabe është mjaft prezent me prezantimin e veprave që botohen në gjuhën shqipe dhe atë boshnjake nëpër qendrat e Ballkanit. Profesor Arnauti pavarësisht që aktualisht jeton në Aman të Jordanisë, ai asnjëherë nuk i ka shkëputur kontaktet e tija me Ballkanin. Duke qenë gjithmonë në rrjedhë të arriturave shkencore në këto treva ai arrin të informojë edhe opinionin arab me të arriturat shkencore në Ballkan.

Profesor Arnauti në fushën e Historisë së popujve të Ballkanit dhe lidhjet e tyre me botën arabe ka shkruar disa vepra dhe shumë artikuj shkencorë. Me këtë rast po përmendim vetëm veprat “Antologji e poezisë së re arabe” (1979), “Shqiptarët në botën arabe” (1990), “Lidhjet letrare shqiptare -arabe” (2009).
Po qese i hedhim një vështrim vetëm titujve të këtyre veprave të Profesor Arnautit të botuar në shqip, pa u ndalur në shumë tituj të veprave të tij të botuar në gjuhën arabe në këtë fushë, shihet qartë se Profesor Arnauti rregullisht është marrë me lidhjet arabe me shqiptarët dhe me popujt tjerë të Ballkanit.
Jam thellë i bindur se mjaftë historianë, publicistë dhe studiues të fushave tjera në botën arabe janë marrë me lidhjet arabe me Ballkanin, por e veçanta e kontributeve shkencore e Profesor Arnautit është se ai i takon dy botëve, asaj arabe dhe asaj ballkanike. Radhë ndodhë të organizohet ndonjë kongres apo konferencë shkencore në Ballkan dhe në botën arabe, e të mos prezantohet profesor Arnauti me kontribute shkencore.
Kontributet shkencore të Profesor Arnautit në gjuhën arabe janë të shumta, por ne me këtë rast për prezantim kemi zgjedhur veprën e tij Dirāsāt fī-ṣ-ṣilāṭi-la-‘arabiyeṭi-l-balḳāniyeṭi ḥilāle-t-āriḥi-l-vesīṯi vel-hdīthi të botuar në vitin 2012. Vepra është botimi shtëpisë Botuese Jadawel në Bejrut.
Përveç titullit të kësaj vepre Lidhjet arabe me Ballkanin, janë edhe tri gjëra, të cilat që në fillim të bëjnë me dije se kjo vepër fillim e mbarim ka të bëjë me lidhjet mes botës arabe dhe Ballkanit.
E para, vetë mbiemri Arnauti, të bënë të qartë se kemi të bëjmë me një autor me prejardhje shqiptare nga Kosova;
E dyta, ilustrimi i gurit të varrit në kopertinë të veprës me alfabet arab, i fotografuar nga vetë Profesor Arnauti në Xhaminë e Çarshisë në Pejë, është edhe një argument shtesë që tregon lidhjet e Ballkanit me botën arabe;
E treta, është ajo që Profesor Arnauti këtë vepër ia dedikon gjyshes së tij Azizes, e lindur në Kosovë, e cila sipas Profesor Arnautit, ka përjetuar gjithë ato transformime të pushtetit në Ballkan, Turqi dhe vendet e Shamit.
Vepra Dirāsāt fī-ṣ-ṣilāṭi-la-‘arabiyeṭi-l-balḳāniyeṭi ḥilāle-t-āriḥi-l-vesīṯi vel-hdīthi e Profesor Arnautit është e pajisur me gjithë aparaturën shkencore. Autori ka përdorë literaturë të bollshme nga shumë autorë botërorë. Ajo që e bënë të veçantë këtë vepër, është se pjesa më e madhe literaturës që ai ka përdorë është nga studiuesit e popujve të Ballkanit dhe atyre arabë. Monografia është ndarë në pesëmbëdhjetë kapituj në gjithsejtë 287 faqe.
Profesor Arnauti në parathënie të veprës Dirāsāt fī-ṣ-ṣilāṭi-la-‘arabiyeṭi-l-balḳāniyeṭi ḥilāle-t-āriḥi-l-vesīṯi vel-hdīthi na bënë me dije, se disa nga artikujt e kësaj vepre janë botuar që në vitin 2000 në Damask nga Lidhja e Shkrimtarëve arab me titull “Interkomunikime arabe-ballkanike gjatë Mesjetës dhe periudhës së re”. Profesor Arnauti me këtë rast thotë, se kjo monografi përfshinte vetëm gjashtë studime: 1) Arabët në historinë- trashëgiminë e Ballkanit; 2) Manastiret serbe në manastiret dhe vajufet e tyre në Palestinë; 3) Historiku i kalimit të kafesë nga Jemeni në Bosnjë. 4) Roli i bektashizmit në forcimin e lidhjeve shpirtërore të shqiptarëve me Irakun. 5) Një studim kontrastiv të dy përkthimeve të para të Kuranit në Ballkan; 6) Arabizmat në gjuhët e Ballkanit.
Këta artikuj të botuar që në vitin 2000, siç thotë edhe vetë Profesor Arnauti, kanë qenë vetëm një fillim i studimeve për lidhjet arabo-ballkanase, studime të cilat deri në ditët tonë nuk kanë tërhequr vëmendjen e opinionit shkencorë. Andaj, shton autori, kam vazhduar atë projekt me disa artikuj shkencorë të rinj, të cilin e kam titulluar “Dirāsāt fī-ṣ-ṣilāṭi-la-‘arabiyeṭi-l-balḳāniyeṭi ḥilāle-t-āriḥi-l-vesīṯi vel-hdīthi”. Natyrisht, në këtë projekt kam përfshirë edhe artikujt e botuar në monografinë e vitit 2000. Profesor Arnauti më tej shton, se parathënia e veprës “Dirāsāt fī-ṣ-ṣilāṭi-la-‘arabiyeṭi-l-balḳāniyeṭi ḥilāle-t-āriḥi-l-vesīṯi vel-hdīthi” mban datën 14.9.1999, periudhë e ngjarjeve shumë të rëndësishme në Ballkan, e në veçanti ndërhyrja e forcave të NAT-os kundër Serbisë për të ndalur mizoritë serbe kundër shqiptarëve të Kosovës.
Kapitulli i parë (13-23) Arabët e zinj në historinë- trashëgiminë e Ballkanit
Trashëgimia popullore e Ballkanit, e në veçanti ajo bullgare, sllave dhe shqiptare, karakterizohet me diskursin “Arapi i zi”, rreth këtij diskursi janë bërë shumë punime nga orientalistët. Me këtë rast vlen të përmendet punimi i doktoratës së orientalistit serb Rade Bozhoviç. Ky diskurs është trajtuar edhe në doktoratën e Profesor Arnautit “Lidhjet letrare shqiptare- arabe. Profesor Arnauti në këtë kapitull bënë me dije se lidhjet e fenikasve me ilirët janë të hershme. Sipas Profesor Arnautit këto lidhje janë para ardhjes së sllavëve në Ballkan. Me shtrirjen e Islamit në Sham dhe me krijimin e qendrës së dinastisë Emevite në Damask (661) lidhjet mes botës arabe dhe Bizantit sa vinë e shtohen. Me depërtimin e sllavëve, në fillim të shekullit të VII, në Ballkan krijohen edhe lidhjet e para të tyre me botën arabe nëpërmjet Konstandinopojës. Profesor Arnauti këtë kapitull e ndan në disa nënkapituj si: 1.) Ballafaqimi i arabëve me Perandorinë e Bizantine në tokë; 2.) Ballafaqimi i arabëve me Perandorinë Bizantine në Detin Egje; 3.) Ballafaqimi i arabëve me Perandorinë Bizantine në Detin Adriatik; 4.) Ballafaqimi i arabëve me Perandorinë Bizantine në Detin Mesdhe;
Pas gjithë këtyre konflikteve dhe kontakteve të ndryshme, tani na paraqitet edhe Diskursi “Arapi i zi” në krijimtarinë popullore te popujt e Ballkanit. Sipas Profesor Arnautit studimet në këtë diskurs i përkasin tri shkollave:
• Shkolla e mitologjisë, e bazuar kryesisht në elemente të mitologjisë;
• Shkolla e historisë, e bazuar në ngjarjet historike;
• Shkolla e mitologjisë dhe historisë.
Sipas Profesor Arnautit çështjet që mbeten për të studiuar dhe diskutuar rreth këtij diskursi janë: 1.) Mitologjia dhe historia; 2.) simboli /ngjyra e zezë ; 3. Armiku / kreshniku.
Kapitulli i dytë (25-40) Udhëpërshkrimi i Ebū Hāmi Al-Garnāṯī , argumentet dhe hulumtimet e tija rreth myslimanëve në Hungari gjatë shekullit XII
Sipas Profesor Arnautit, ndër autorët e parë myslimanë të shekullit XII që janë marrë me prezencën e myslimanëve në Ballkan është Al-Garnāṯī. Sipas këtij studiuesi prezenca e parë e myslimanëve në Hungari daton nga epoka e Mbretit Geza i I rë (1141-1161). Profesor Arnauti më tej shton se ky mbret kishte simpati ndaj myslimanëve dhe autori në fjalë e lavdëron këtë mbret. Sipas Al-Gavnāṯī-it myslimanët në Hungari janë dy grupe të ndryshme. Grupit të parë, e që janë me mijëra, i takojnë ata myslimanë me prejardhje jo hungareze, dhe grupi i dytë janë myslimanët me prejardhje nga Horezmi i dikurshëm, i cili atëkohë përfshinte Uzbekstanin, Taxhakistanin, Turkmensitanin dhe Iranin verior.
Profesor Arnauti në vazhdim të këtij kapitulli sjell disa dëshmi të studiuesit T. Lewicki-t, se një pjesë e këtyre myslimanëve gjatë sundimit të Mbretit Colema III të (1095-1114) në trysnin e tij detyrohen që në çdo vendbanim të myslimanëve të ndërtohen kisha dhe që vajzat myslimanëve të martohen me të krishterë. Profesor Arnauti me tej konstaton se ky presion ishte pasojë e kalimit të ushtrive të krishtera, të cilat kalonin nëpër Hungari, gjatë Kryqëzatave. Por, siç u cek edhe me lartë, pozita e myslimanëve në Hungari përmirësohet vetën ne periudhën e Mbretit Mbretit Geza i I rë (1141-1161). Mirëpo, në kohën e Mbretit Andria i II të (1205-1235) pozita e myslimanëve në Hungari përkeqësohet përsëri. Ai nëpërmjet disa urdhëresave i detyron myslimanët të heqin dorë nga feja e tyre. Mbreti Andrew i II të më 12 gusht të vitit 1232 lidh një marrëveshje me Papa Gregorin e IX ku mori përsipër që të ushtroj presion ndaj çifutëve dhe myslimanëve të Hungarisë. Profesor Arnauti, duke u mbështetur në burime shkencore të vetë studiuesve evropianë, më tej shton se një pjesë e myslimanëve, përkundër këtij presioni, ia dolën që të ruajnë identitetin e tyre islam deri në fillim të shekullit të XIV kur mbreti hungarez Robert (1308-1342) myslimanëve të Hungarisë u ofroi dy zgjidhje. Ata kishin të drejtë që të zgjedhin qoftë duke hequr dorë nga feja e tyre islame dhe të pranojnë fenë e krishtere apo të braktisin Hungarinë.
Kapitulli i tretë (41-52) Rileximi i veprës An-Nuxh’ū-z-zāḫireṭu e Ibn Tegzī Al-Berdiy: Shteti memaluk i romjëve apo Shteti i memaluk i shqiptarëve
Profesor Arnauti në këtë kapitull pohon se deri më tani ndër studiuesit bashkëkohorë ka mbretëruar mendimi se Shteti memaluk është ndarë sipas përkatësisë së mbretërve të asaj mbretërie. Pra, kjo mbretëri është emërtuar si Shtet i turqve (1250-1382) dhe Shtet i selxhukve (1382-1517). Kjo ndarje është bërë sipas përkatësisë nacionale të vetë mbretërve. Mirëpo, Profesor Arnauti pohon se, sipas të gjeturave më të reja të studiuesve më të rinj, jo domosdoshmërish gjithë mbretët e mbretërisë së parë, pra asaj turke, kanë qenë me prejardhje turke, apo asaj çerkeze kanë qenë me prejardhje çerkeze. Sipas studiuesve bashkëkohorë një pjesë e mbretërve memaluk kanë qenë me prejardhje greke, serbe, shqiptare, hungareze, italiane dhe gjermane. Dikur me diskurs romje është nënkuptuar gjithë pjesëtarët që kishin prejardhje nga Perandoria bizantine edhe pse atë perandori e përbënin pjesëtarë me prejardhje të ndryshme nga vendet evropiane. Ibn Taghribirdi (1410-1470).
Profesor Arnauti më tej sjell një tezë, se për herë të parë emri arnaut në gjuhën arabe ndërlidhet me mbretin Timur Buga (1467 – 1468), i cili ishte me prejardhje shqiptare.
Në fund të këtij kapitulli, Profesor Arnauti pohon se duke rilexuar veprën An-Nuxh’ū-z-zāḫireṭu të Ibn Tegzī Al-Berdiy, shihet qartë se prezenca e shqiptarëve në botën arabe është më e hershme se sa që është menduar gjerë me tani. Pra, më herët është menduar se vetëm gjatë periudhës së Perandorisë Osmane shqiptarët kanë qenë prezentë në botën arabe. Ibn Tegzī Al-Berdiy është i pari që në veprën e tij An-Nuxh’ū-z-zāḫireṭu përdorë fjalën arnaut dhe dëshmon për prezencën e shqiptarëve në Egjipt. Po ky autor është i pari që dëshmon për një sulltan në Perandorinë e Memalukëve me prejardhje shqiptare.
Kapitulli i katërt (53-61) Depërtimi i ‘bozës’ nga Ballkani në vendet e Levantit në fund të periudhës së Mretërisë së Memalukëve dhe në fillim të periudhës së Perandorisë Osmane.
Profesor Arnauti që në fillim të këtij kapitulli pohon se periudha mes dy perandorive, asaj memaluke dhe osmane, është një periudhë shumë e rëndësishme sa i për ketë civilizimit për vendet e Shamit. Gjatë kësaj periudhe ndryshon shumë çka, duke filluar nga ushqimi, pastaj pijet. Nga ajo periudhë fillon të përdoret edhe diskursi Kuzhinë ballkanase, e cila në fakt është një përzierje mes kuzhinës turke, perse dhe ballkanase. Në këtë periudhë paraqiten edhe dy pijet e njohura, kafja dhe boza. Me këto dy pije kemi edhe dy nocione të reja të quajtura kafehane dhe bozahane. Në këto lokale zhvillohet një jetë krejt e re me muzikë dhe këngë. Profesor Arnauti rreth depërtimit të kafes si pije në vendet e Shamit ka disa kontribute nëpër disa revista shkencore në gjuhën arabe. Ai në këtë kapitull përqendrohet në përhapjen e bozës në vendet e Shamit, dhe ndikimi i kësaj pije në jetën sociale të shoqërisë së asaj kohe gjatë periudhës mes dy perandorive asaj memaluke dhe osmane.
Kapitulli i pestë (63-74) Historia e depërtimit kafesë nga Jemeni në Bosnjë
Profesor Arnauti që në fillim të këtij kapitulli pohon se me depërtimin e Perandorisë Osmane në vendet e Gadishullit Ballkanik si gjithë vendet tjera edhe Bosnja pësoi ndryshime radikale në shumë fusha, si në atë ekonomike, politike, sociale dhe kulturore. I gjithë Ballkani gjatë kësaj periudhe filloi të komunikojë me dy kontinente tjera, me atë të Azisë dhe Afrikës. Në fillim të kësaj periudhe kemi edhe zhvillimin e hovshëm të shumë qyteteve të Ballkanit, siç janë Beogradi, Sarajeva, Sofja, Elbasani, Prizreni, Korça dhe shumë qytete tjera. I gjithë ky evolucion ndodh falë përhapjes së fesë së re në këto treva, pra fesë islame. Që në fillim të kësaj periudhe në gjitha qytetet e Ballkanit fillon ndërtimi i xhamive, medreseve, hamameve, haneve dhe objekteve tjera të infrastrukturës. Në shumë nga këto objekte të infrastrukturës fillojnë të paraqiten edhe ushqime, pije dhe tradita të reja. Nuk do mend se Islami tani kishte edhe normat e veta, siç është falja e namazit pesë herë në ditë. Me këtë çdo mysliman për t’u falë duhej të mësonte edhe disa sure të Kur’anit, pra në të njëjtën kohë fillon edhe mësimi.
Profesor Arnauti më tej shton se gjatë kësaj periudhe edhe jeta sociale ndryshon tërësisht, duke filluar nga ushqimet, pijet dhe gjithçka që ka të bëjë me te. E gjithë kjo kërkonte një infrastrukturë tjetër dhe në të njëjtën kohë ndikoi që shumë nga qytetet e Ballkanit të i përngjanin qyteteve të Orientit. Profesor Arnauti përmend rastin kur Beogradi deri në fillim të shekullit XIXtë njihej si Damasku i Evropës, apo qyteti Prusac i Bosnjës njihej me emrin Meka e Bosnjës. Rruga për në haxh prej Sarajevës nëpërmjet Stambollit, Halepit, Damaskut, Medinës deri në Meke, tani ishte ura kryesore që lidhe kulturën e vendeve të Ballkanit me Lindjen.
Në vazhdim të këtij kapitulli Profesor Arnauti shton se kafeja fillimisht ishte bërë e njohur në Jemen dhe në Gadishullin Arabik, e prej atje në Damask dhe në Halep. Kafeja në Stamboll për herë të parë paraqitet në vitin 1554. Këtë vit një qytetar nga Damasku dhe një tjetër nga Halepi hapën kafenetë e para në Stamboll. Sipas historianit turk Peçevi, këto kafene frekuentoheshin nga shkrimtarë, intelektualë, gjykatës, profesorë dhe zyrtarë të lartë të administratës së Perandorisë Osmane. Pra, me këtë kafeneja ndryshoi tërësisht jetës kulturore dhe sociale në kryeqendrën e Perandorisë Osmane. Profesor Arnauti shton se përhapja e Kafeneve në kryeqendër medoemos ndikoi që kjo dukuri të përhapej edhe në qendrat tjera të kësaj perandorie. Ai më tej pohon se kafja në Bosnjë ka depërtuar kah mesi i shekullit të XVII. Edhe vetë historiani Peçevi, i cili ka shkruar rreth përhapjes së kafesë ka qenë me prejardhje boshnjake. Sipas këtij historiani Sarajeva që në vitin 1592 kishte një kafehane mjaft mirë të rregulluar. Ai në vazhdim përshkruan atë kafe duke pohuar se për secilën shtresë të shoqërisë ekzistonte kënd i veçantë. Kënd të veçantë kishte për gjykatës, për dijetarë, për elitë, për profesorë dhe kështu me radhë. Profesor Arnauti më tej shton se kah mesi i shekullit të XVII edhe disa udhëpërshkrues evropianë e vizitojnë Bosnjën dhe shkruajnë për prezencën e kafeneve në Bosnjë. Profesor Arnauti në fund të këtij kapitulli bënë me dija se kafeja më e pëlqyer ndër boshnjakët ka qenë kafeja e cila importohej nga Aleksandria.
Kapitulli i gjashtë (75-89) Kontribute rreth manastireve dhe vakëfeve serbe në Palestinë gjatë shekullit të parë të sundimit të Perandorisë Osmane (1516-1616)
Profesor Arnauti që në fillim të këtij kapitulli ofron të dhëna që nga viti 496 të historianit Mexhīru-d-Din Al-Hanbeliy rreth manastireve dhe vakëfeve serbe gjatë shekullit të parë të sundimit të Perandorisë Osmane (1516-1616). Ky historian, sipas Profesor Arnautit, ofron të dhëna rreth aktiviteteve serbe në vendet e shenjta në Palestinë gjatë kësaj periudhe. Në të njëjtën kohë këto aktivitete dëshmojnë për lidhjet mes serbëve dhe palestinezëve. Profesor Arnauti më tej shton se kulti i Sveti Savës në historinë religjioze të serbëve ndërlidhet edhe me lidhjet serbe me vendet e shenjta në Palestinë. Kjo lidhje prezantohet nëpërmjet dy vizitave të tij të gjata në Lindje të Mesme, në Siri, në Palestinë dhe në Egjipt. Ai gjatë këtyre vizitave në Lindje të Mesme ngriti disa manastire për të ngjallë kureshtjen e serbëve për t’i vizituar këto vende të shenjta. Dy vizitat e Sveti Savës në vendet e shenjta në Palestinë, lanë gjurmë të pashlyeshme në lidhjet mes serbëve dhe Palestinës. Ky prift serb, pas kthimit nga Palestina, bëri agjitacion në mbarë Serbinë e asaj kohe për vizitë në vendet e shenjta të krishtera në Palestinë. Manastiret që ai i kishte ndërtuar gjatë qëndrimit atje ishin edhe një shtytje shtesë që serbët t’i vizitonin Palestinën. Profesor Arnauti në vazhdim shton se nama e këtyre manastireve tek popullata vendase ishte aq madhe sa që një nga portat e qytetit të Jerusalemit u quajt “Porta e manastirit serb”. Manastirin e tretë Sveti Sava e ndërtoi në Akre, që në vizitën e parë (1229) në Lindjen e Mesme. Ky manastir, pas dëbimit të të krishterëve në fund të vitit 1291, me gjithë infrastrukturën tjetër të krishtere, u shkatërrua në kohën e sundimit të Sulltanit Memaluk Eshref Halil.
Profesor Arnauti në vazhdim të këtij kapitulli na sjell të tri ri dokumente shtesë në të cilat bëhet fjalë për manastiret dhe vakëfet serbe në Palestinë.
Kapitulli i shtatë (99-116) Paraqitja e arabëve të Ulqinit si urë lidhëse mes bregdetit shqiptarë dhe bregdetit të Afrikës veriore gjatë sundimit Perandorisë Osmane.
Profesor Arnauti pohon se në Ulqin sot e kësaj dite jetojnë një numër i popullatës të cilët karakterizohen me ngjyrën e tyre zeshkane dhe quhen arabë. Prezenca e këtyre arabëve në Ulqin, sipas Profesor Arnautit, është ndërlidhet me historinë e ndritshme të Ulqinit. Ulqini gjatë shekujve XVII dhe XVIII ka qenë Kryeqendër e piraterisë. Gjatë kësaj periudhe aktivitetet e ulqinakëve shtriheshin deri në Detin Mesdhe dhe i frekuentonin Algjerinë, Tripolin e Libisë, Tunizinë. Edhe këto vende të Afrikës Veriore merreshin me pirateri dhe bënin tregti me skllevër. Edhe këta arapë të Ulqinin ishin sjellë nga këto vende qoftë për të shërbyer në flotën detare apo nëpër shtëpitë e fisnikërisë së qytetit të Ulqinit. Profesor Arnauti më tej shton se edhe në ditët tona në Ulqin dhe rrethinë kemi mjaft toponime që ndërlidhen me arapët e Ulqinit.
Kapitulli në fjalë i kësaj vepre të Profesor Arnautit bënë fjalë në pika të shkurtra për historikun e qytetit të Ulqinin para periudhës së sundimit të Perandorisë Osmane dhe gjatë sajë, për strukturën etnike të Ulqinit para vendosjes së popullatës sllave në këto treve, për islamizimin e popullatës së Ulqinit me rrethinë, për rolin që pati porti i Ulqinit në komunikimin e kësaj pjese të Ballkanit me vendet e Afrikës Verore.
Profesor Arnautit në vazhdim sjell rrëfimin, i cili rrëfehet në qytetin e Ulqinit me rrethinë, rreth arritjes së katërqind piratëve arabë në këtë qytet, pas sundimit të këtyre trojeve nga Perandoria Osmane. Ai më tej shton se me arritjen e këtyre piratëve filloi të lulëzojë edhe pirateria në këtë pjesë të Ballkanit. Në traditën gojore shqiptare, gjithë arabët përshkruhen nëpërmjet ngjyrës së zezë dhe ekziston bindja se çdo arab është i zi dhe gjithë arabët janë të zinj.
Në vazhdim të këtij kapitulli, Profesor Arnauti flet rreth rolit që kanë pasur portet shqiptare, e në mesin e tyre edhe porti i Ulqinit, në eksportin e mallrave të trevave ballkanike në Afrikën Veriore dhe importin e mallrave nga Afrika Veriore në Ballkan dhe me tutje. Profesor Arnauti citon burime shkencore, të cilat dëshmojnë për një gjallëri të lëvizjeve të anijeve të ulqinakëve në tregti me portin e Aleksandrisë. Me këtë lulëzim të tregtisë, prodhimet shqiptare nga brendia e Shqipërisë filluan të eksportohen për në Maltë, në Tripoli, në Tunizi dhe në Aleksandri.
Profesor Arnauti me tej shton se, arabët e Ulqinit ishin personeli më i dëshiruar për të shërbyer në anijet që lundronin për në qytetet e Afrikës Veriore.
Rreth origjinës së arabëve të Ulqinit, Profesor Arnauti sjell disa rrëfime gojore dhe folklorike të regjistruara nga antropologu Alekesandër Lopashiç, i cili shpjegon se të parët e arabëve të Ulqinit janë blerë si robër në Algjeri, Tunizi, Tripoli, Port Saidi ,dhe se prejardhja e tyre është nga Sahara Jugore duke filluar nga Çadi e deri në Jug të Sudanit. Profesor Arnauti, duke u mbështetur në studimet e më hershme, bënë me dije se këta robër, që ishin sjellë nga Afrika e mesme, gjatë qëndrimit në portet e Afrikës Veriore kishin mësuar arabishten. Ai citon antropologun Alekesandër Lopashiç, i cili kah mesi i shekullit XX regjistron disa shprehje dhe ca fjali arabe gjatë komunikimit me këta arab të Ulqinit.
Profesor Arnauti në vazhdim sjell disa të dhëna për prezencën e emrave të përveshëm dhe toponimeve që karakterizohem me emrin arab. Ai më tej përmend toponimin fusha e arapit, varret e arapëve. Apo kemi mbiemri Arapi, mbiemër të cilin e bartin shumë nga pasardhësit e tyre në Ulqin dhe në vendet përreth Ulqinit. Në veri të Shqipërisë Profesor Arnauti përmend fshatin Arapaj, i cili gjendet te Kodrat e Arapit. Prezenca e arabëve të Ulqinit me rrethinë vërehet edhe në folklorin e këtyre trojeve.
Sipas studiuesit Nail Draga, të cilin e citon Profesor Arnauti, numri i arabëve në fund të sundimit të Perandorisë Osmane kishte arritur diku rreth njëqind familje, e që ishte gati 10% nga popullsia e përgjithshme e Ulqinit.
Në vazhdim të këtij kapitulli, Profesor Arnauti flet për fatin e këtyre arabëve pasi që Ulqini, sipas traktatit të Shën Stefanit (3.3.1878) dhe Kongresit të Berlinit (13.7.1878), Ulqini me disa qytete tjera iu dhanë Malit të Zi. Një pjesë e këtyre familjeve me prejardhje arabe vendosën të shpërngulen për në veri të qyteteve të Shqipërisë, si në Durrës, Lezhë dhe qytete tjera. Disa të tjera vazhduan dhe migruan në Stamboll. Profesor Arnauti në fund të kapitullit ofron të dhënat e antropologut Alekesandër Lopashiç, i cili e vizitoi Ulqinin gjatë periudhës kur Ulqini ishte pjesë e Republikës Jugosllave, duke deklaruar se numri i arabëve të Ulqinit kishte rënë në dhjetëra banorë të Ulqinit.
Profesor Arnauti në fund të këtij kapitulli prezanton tri fotografi me ulqinakë me pjesëtarë të këtij komuniteti arab që ende jeton në Ulqin.
Kapitulli i tetë (117-144) “Depërtimi i tarikatit Sa’di nga vendet e Shamit në Ballkan dhe prezenca e këtij tarikati në Ballkan”.
Në fillim të kapitullit të tetë, Profesor Arnauti flet për historikun e tesavufit në përgjithësi, duke përmendur personalitete më meritorë të tesavufit siç janë Ibrahim bin Xhunej (vdiq më 162 h.) dhe Abdu-rr-Rrahman bin Ahmed Ebu Seleyman Ad-Darani (vdiq më 205 h.). Autori më tej vazhdon me themeluesit e tarikateve më të njohura të sofizmit në Irak, Turqi dhe Egjipt. Profesor Arnauti përmend tarikatin kaderij, i themeluar në Bagdad, themelues i së cilit është shejh Abdu-l-Kadir Al-Xheylani (vdiq më 561 h.). Ai më tej vazhdon me tarikatin rufaij, i themeluar në Vasit nga Ahmet Ar-Rufaiy (vdiq më 645 h.). Më pas autori flet për tarikatin mevlevi, tarikat i cili identifikohet me Mevlanën, Xxhelaludin Ar-Rūmi (vdiq më 672 h.) dhe për tarikatin albedeviy, i themeluar në Tanta nga Ahmed Al-Bedeviy (vdiq më 675 h).
Tarikati Sa’dij i themeluar nga Shejh Sa’du-d-Dīn Al-xhebāvī, në krahasim me tarikatet tjera, si ai Nakshibendij, Shadhilij, Helvetij, të cilët në vendet e Shamit kanë depërtuar nga vendet përreth, sipas Profesor Arnautit, është tarikati më i vjetër i njohur në botën islame dhe i pari që është themeluar në Sham. Nga Shami ky tarikat është përhapur në Egjipt, e nga aty në Libi, Sudan, Turqi dhe vendet tjera. Nga Shami u jepeshin ixhazetname shehlerëve ,të cilët e përhapnin këtë tarikat në Turqi dhe në Ballkan.
Profesor Arnauti më tej vazhdon duke dhënë detaje rreth këtij tarikati, qoftë në aspektin historik qoftë në parimet e këtij tarikati. Sa i për ketë përhapjes së tarikatit Sa’di në Turqi, Profesor Arnauti pohon se ky tarikat në Turqi është përhapur në fillim të shekullit të XII të . Në përhapjen e këtij tarikati në Turqi rol vendimtarë kanë pasur Shejh Ibrahim As-Shāmī Ebū-l-Vefā dhe Shejh Abdu-s-Selām As-Shejbānī. Sipas Profesor Arnautit në fund të shekullit të XVIII të në Stamboll kishte katër zavije të tarikatit Sa’di. Meritor për përhapjen e tarikatit Sa’di në Ballkan është Shejh Sulejman Bin Husejn, i cili në poezinë e tij identifikohet si “Axhiz”, e që më vonë do të njihet me emrin Axhiz Baba. Sipas të dhënave që sjell Profesor Arnauti, në këtë kapitull shihet se Axhiz Baba është me prejardhje nga familja Bushati e Shkodrës. Axhiz Baba pasi që kishte përfunduar medresenë në vendlindje, kishte udhëtuar për në kryeqendër të Perandorisë Osmane për të ndjekur mësimet në një nga medresetë e Stambollit. Pasi kishte përfunduar mësimet në atë medrese, qëndroi edhe një kohë në Stamboll për të përfituar përvojë në udhëheqjen e këtij tarikati. Ai atje u njoh me Shejh Ibrahimin dhe nga ai mor ixhazetname. Profesor Arnauti më tej shton se Sheh Ibrahimi kërkoi nga Sheh Sylejmani që ky i fundit të përhap tarikatin Sa’dij në Ballkan. Sheh Sylejmani gjatë kthimit në vendlindje me tre djemtë e tij u ndal në Gjakovë, e cila atëkohë ishte një qendër e njohur tregtare dhe islame në rajon. Ai atje hasi në përkrahje të Murat Agës, i biri i Adem Pashës, mytesarif i vilajetit të Shkodrës me rrethinë. Ky pasha ndërtoi, në kuadër të vakëfit të tij të vitit 1732, ndërtoi teqenë e tarikatit Sa’di dhe Medresenë e Madhe. Kjo teqe u njoh me emrin Teqeja e Madhe apo Teqeja amë. Quhet Teqe amë sepse nga kjo teqe u themeluan edhe shumë teqe tjera në zonat përreth, si në Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi. Teqeja e Madhe edhe në ditët tona njihet me këtë emër. Prfesor Arnauti më tej shton se sipas rrëfimeve që transmetohen, thuhet se vetëm gjatë periudhës sa ishte gjallë sheh Sylejmani në trojet e banuara me shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në Jug të Serbisë, ishin themeluar 72 teqe. Teqetë e tarikatit Sa’di ishin përhapur edhe në mbarë Serbinë, si në Beograd, Nish, Leskocë dhe Vranje. Një nga pasuesit e tarikatit Sa’di, Hysni Aga në vitin 1783 në Beograd ndërtoi një teqe në të cilën shërbeu Sheh Mustafa. Sa i për ketë tarikatit sa’di në Maqedoni, Profesor Arnauti pohon se Velesi ishte qendra më e njohur e këtij Tarikati në Ballkan.
Në vazhdim të këtij kapitulli flitet rreth dëbimit të myslimanëve nga Serbia, pas shpalljes së pavarësisë, dhe vendosjes së tyre në vilajetin e Kosovës, i cili atëkohë përfshinte Maqedoninë perëndimore dhe Kosovën. Edhe shehlerët e këtij tarikati u vendosën nëpër këto treva të banuara me shqiptarë. Në mesin e tyre ishte edhe Vefa Baba, i cili themeloi teqenë e Sa’dive në mëhallën Tophane në Shkup. Një teqe tjetër e tarikatit Sa’di u themelua edhe në Gjilan, nga sheh Islami, i cili nga Leskoci ishte vendosur në Gjilan. Kjo teqe u themelua në mëhallën e muhaxhirëve në vitet e tetëdhjeta të shekullit të XIX të.
Profesor Arnauti më tej në këtë kapitull vazhdon të informojë opinion arab për fatin e myslimanëve në Ballkan pas shembjes së Perandorisë Osmane. Ai më tej shton se myslimanët e Ballkanit, përveç të atyre të Shqipërisë, të gjithë ata myslimanë që padrejtësisht mbetën nënë sundimin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, iu nënshtruan një terrori, e me theks ata që jetonin në Maqedoni, Kosovë dhe Sanxhak. E gjithë kjo bëhej me të vetmin qëllim që këta të shpërnguleshin për në Turqi. Ky terror i shtyri që në periudhën brenda dy luftërave, Luftës së Parë Botërore dhe Luftës së Dytë Botërore, me qindra mijëra myslimanë të shpërngulen për në Turqi. Pasojë e kësaj dhune ishte edhe rrënimi i shumë xhamive dhe disa teqeve në këto treva, të cilat kishin vlera të pakontestueshme kulturore dhe historike .
Edhe pas mbarimit të Luftës së Dytë botërore, me ardhjen e partive komuniste në pushtet qoftë në Jugosllavi qoftë në Shqipëri, pozita e myslimanëve u përkeqësua edhe më tej. Edhe pozita e simpatizuesve të tarikatit Sa’di në këto treva u përkeqësua dukshëm.
Në vazhdim të këtij kapitulli Profesor Arnauti shpjegon për kontributin e tarikatit Sa’di në sofizëm dhe në kulturë në përgjithësi. Me përhapjen e teqeve në trevat ballkanike, tarikatit Sa’di përhapi programin e tij me disa modifikime të reja. Teqeja përbëhej prej tri pjesëve: Kati i semhanes , mejdani dhe oxhaku i kafesë. Në teqe dy herë brenda javës mbahej ziqri. Profesor Arnauti pohon se Tarikati Sa’di pati ndikim në përhapjen e tarikatit Bektashi në trevat e Ballkanit. Një kontribut të jashtëzakonshëm tarikati Sa’di pati në krijimin e veprave me përmbajtje të letërsisë së tesavufit. Teqetë posedonin edhe bibliotekat e tyre, që ishin të pajisura me literaturë të letërsisë së atij tarikati apo të letërsisë së tesavufit në përgjithësi. Mirëpo, luftërat e një pas njëshme në këto treva ndikuan që pjesa dërmuese e këtyre dorëshkrime, që ruheshin nëpër teqe apo nëpër xhami në masë të konsiderueshme të shkatërroheshin. Edhe vetë Sheh Sylejmani shkroi një divan me kaside në gjuhët orientale si në arabisht, turqisht dhe persisht. Ky divan, sipas Profesor Arnautit ruhet në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Po ky autor shkroi edhe një divan tjetër në osmanishte. Ndër shehlerët krijues në trevat shqiptare është edhe Emin Shehu, i njohur me rolin e tij në krijim e Lidhjes së Prizrenit dhe me kasidet tij të shkruara në gjuhën shqipe me alfabet arab.
Edhe në fund të këtij kapitulli Profesor Arnauti sjell disa foto të teqeve të tarikatit Sa’di në trojet shqiptare.
Kapitulli i nëntë (145-164) Roli i tarikatit bektashi në përforcimin e lidhjeve shpirtërore dhe kulturore mes shqiptarëve me Irakun
Kapitullin e nëntë, Profesor Arnauti e fillon me rëndësinë që pati përhapja e Islamit në Ballkan. Përhapja Islamit në Ballkan ndërlidhet me disa faktorë, siç janë:
• kushtet ekonomike-sociale;
• roli i vakëfeve;
• roli i tarikateve.
Profesor Arnauti pohon se ne me këtë rast do të ndalemi vetëm në rolin që kanë pasur tarikatet. Ai më tej thekson se roli i dervishëve në përhapjen e Islamit në Ballkan ka qenë mjaft i madh. Ky rol ka qenë në disa faza dhe në disa forma. Sipas Profesor Arnautit dervishët që i paraprinin ushtrive dhe dervishët që i shoqëronin ushtritë gjatë pushtimit të trevave në Ballkan ishin pararojë e ushtrisë së Perandorisë Osmane. Në grupin e dytë të dervishëve është i njohur Sheh Medah Baba, emri i të cilit ndërlidhet me depërtimit e ushtrisë osmane në Shkup. Roli i këtyre dervishëve në krijim e fshatrave dhe qyteteve të reja në Ballkan është mjaft i konsiderueshëm.
Për rolin dhe kontributin që kanë pasur këta dervishë në përhapjen e Islamin, flet fakti se një numër i sulltanëve të Perandorisë Osmane, si Sulltan Pajaziti i parë, Murati i dytë, Sulejmani madhështor. Këta sulltanë dervishëve u dhuronin toka dhe fshatra të tërë si vakëf të teqeve të tyre. Sulltanët në këtë mënyrë stimulonin popullatën që të vendosen rreth teqeve dhe shumë shpejt ato vende shndërroheshin në vendbanime me popullatë myslimane. Profesor Arnauti pohon se qindra fshatra janë themeluar në këtë mënyrë.
Në përhapjen e Islamit në Ballkan s’do mend se një rol mjaft të madh ka luajtur edhe tarikati bektashi. Tanimë është e ditur se tarikati bektashi është themeluar në fund të shekullit të XII të. Ky tarikat identifikohet me Haxhi Bektash Veliun. Lidhja mes dervishëve bektashi dhe ushtarëve të rinj të ushtrisë, të quajtur jeniçer, ka qenë mjaft e madhe. Është e qartë se ushtria e jeniçerëve është formuar me bekimin e Haxhi Bektash Veliut. Në vazhdim Profesor Arnauti shton se tarikati bektashi është zhvilluar me kalimin e kohës dhe se ka largim të dukshëm nga bektashizmi i shekullit të XII të. Ky zhvillim ka ndodhur në fund të shekullit të XV të dhe fillimi i shekullit XVI të . Profesor Arnauti duke u mbështetur në historianin e mirënjohur turk Halil Inalxhik, shton se tarikati i ri bektashi mbështetet në principe të reja. Sipas Inalxhikut dhe shumë studiuesve tjerë tani bektashizmi është një tarikat i përzier dhe në princip nuk dallon nga tarikatet tjera si ai abdalij, hajdarij, kaldenij dhe shumë tarikate tjera. Me këto reforma që pësoi tarikati bektashi, ai tani kishte gjashtë qendra në botën islame:
• Teqeja e Haxhi Bektashit në Kajser, e cila mbulonte zonat e mesme dhe perëndimore të Anadollit;
• Teqeja e Abdal Musa Sulltanit që mbulonte zonat tjera të Anadollit;
• Teqeja e Sheh Koli Sulltanit, e cila mbulonte zonat që ishin në kufi me Detin e zi;
• Teqeja e Qerbelasë, që mbulonte Irakun, vendet e Shamit dhe Persinë;
• Teqeja e Nexhefit, e cila mbulonte zonat tjera në Lindjen arabe;
• Teqeja e Seid Ali Sulltanit në Dimotikë, që mbulonte Ballkanin.
Teqeja e Seid Ali Sulltanit, ndryshe e njohur si teqeja e Dimotikës, luajti rol të jashtëzakonshëm në përhapjen e tarikatit bektashi në Bullgari, në Turqi, në Greqi, në Traki, në Dobruxha, në Malet e Rodopës, në Maqedoni dhe në Kosovë. Në Ballkanin perëndimorë, në vitin 1480, u themelua teqeja e Bali Sulltanit në Farsla. Kjo teqe ndikoi në përhapjen e tarikatit bektashi në veri të Greqisë dhe në jug të Shqipërisë. Kjo teqe ka rol të dukshëm në lidhjet mes Irakut dhe këtyre zonave, ndonëse në krye të kësaj teqe ishin rreth njëqind shehlerë nga Iraku.
Profesor Arnauti më tej në këtë kapitull bënë me dije se teqetë për veç që ishin vend adhurimi, ato patën rol të rëndësishëm në jetën sociale, kulturore dhe politike nëpër zonat ku vepronin shehlerët. Teqetë frekuentoheshin nga shehlerët, nga rinia, nga dijetarët, nga administratorët dhe nga fshatarët. Nëpër teqe organizoheshin edhe ceremoni argëtimi ku argëtoheshin të gjitha kategoritë e shoqërisë. Teqetë mbi të gjitha ishin edhe qendra kulturore. Dervishët nëpër teqe kalonin pjesën më të madhe të jetës së tyre. Aty mësonin gjuhët orientale si arabishten, osmanishten dhe persishte, njiheshin me veprat e klasikëve të letërsisë së tesavufit në gjuhët orientale, përshkruanin dorëshkrimet e atyre veprave, shkruanin vepra nga fusha e tesavufit në gjuhët orientale apo edhe në gjuhët lokale. Secila teqe kishte edhe bibliotekën vet të pasur me dorëshkrime në gjuhët orientale (arabe, osmane dhe perse). Kjo krijimtari e tarikatit bektashi ndikoi në pasurimin e letërsive në këto gjuhë, qofshin ato gjuhë orientale apo gjuhë të popujve të Ballkanit. Pra, të udhëhequrit e teqeve bektashiane për një kohë të gjatë nga shehlerët me prejardhje irakiane mbanin gjallë lidhjet shpirtërore dhe kulturore mes dervishëve të trojeve të Ballkanit.
Në Shqipëri, sipas profesor Arnautit ,teqeja Durbali ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në përhapjen e tarikatit bektashi në perëndim të Ballkanit. Kjo teqe ka qenë teqeja qendrore për shekuj me radhë për veriun e Greqisë dhe jugun e Shqipërisë. Në fund të shekullit të XVII të dhe në fillim të shekullit të XIX të në Shqipërinë e mesme u themeluan disa teqe, si në Elbasan, Krujë dhe në Gjirokastër.
Teqetë e tarikatit bektashian kanë luajtur rol të rëndësishëm në bërjen e opozitës karshi administratës qendrore të Perandorisë Osmane në Ballkan, e me theks të veçantë në Shqipëri. Ky tarikat synonte që tarikatin bektashi ta identifikonte për fe nacionale. Sipas Profesor Arnautit bektashinjtë kanë pasur rol të jashtëzakonshëm në revolucionin kundër Sulltan Abdulhamidit të II të në vitin 1908 dhe në largimin e këtij sulltani nga froni në vitin 1909. Në Shqipëri, sipas Statutit së Lushnjës, bektashinjtë ishin të barabartë me myslimanë synitë, me të katolikët dhe me ortodoksët. Profesor Arnauti pohon se atëkohë bektashinjtë përbënin 20% të mbarë popullsisë së Shqipërisë.
Profesor Arnauti në vazhdim të këtij kapitulli prezanton personalitet më të njohura shqiptare të tarikatit bektashi si: Baba Tahir Nesipi, Baba Haxhi Aliu, Baba Adem Vexhhi, Baba Hamza, Dalip Frashri, Shahin Frashri dhe Naim Frashri.
Kapitulli i dhjetë (165-172) Udhëpërshkrimet e haxhit te boshnjakët: Udhëpërshkrimi i Jusuf Bib Muhamedit 1615-1616″
Profesor Arnauti në fillim të këtij kapitulli pohon se boshnjakët vetëm për gjysmë shekulli pas Betejës së Kosovës (1389), pesëdhjetë përqind e boshnjakëve e pranuan fenë islame. Nuk do mend se me pranimin e fesë islame nga boshnjakët, ata filluan të plotësojnë edhe kushtin e pestë të fesë së tyre, pra, shkuarjen në haxh. Me përhapjen e fesë islame në Bosnjë, filloi të dalë në pah një kulturë e re, ajo islame. Edhe boshnjakët filluan të krijojnë në gjuhët orientale. Nga kjo krijimtari kemi me mijëra dorëshkrime në fusha të ndryshme. Pjesë e asaj krijimtarie janë edhe udhëpërshkrimet e hanxhinjve gjatë kryerjes së haxhit. Në mesin e tyre është edhe Haxhi Jusuf Bin Muhamed Livno, i cili shkroi një udhëpërshkrim të haxhit gjatë viteve 1615-1616.
Ky udhëpërshkrues, në hyrje të udhëpërshkimit, në gjuhën arabe përshkruan dëshirën e tij për të vizituar vendet e shenjta, Meken dhe Medinën. Ai përshkroi gjithë atë që kishte parë dhe përjetuar gjatë rrugëtimit të tij për në haxh. Vlera e këtij udhëpërshkrimi është mjaft e rëndësishme për historikun e islamit në Ballkan. Udhëpërshkruesi, në këtë udhëpërshkrim përshkruan gjithë rrugëtimin e tij, duke shënuar gjitha qytetet nëpër të cilat ka udhëtuar gjatë shkuarjes në haxh, siç janë Selaniku, Plovdivi dhe qytetet tjera. Ai duke përshkruar qytetet nëpër të cilët kalonte, jep të dhëna për arkitekturën dhe institucionet islame nëpër ato qytete, e që fatkeqësisht pas largimit të Perandorisë Osmane nga këto qytete pjesa dërmuese e kësaj trashëgimie islame është rrënuar.
Udhëpërshkrimi i këtij haxhiu, sipas Profesor Arnautit, përbëhet nga dy kapituj: Parathënies së shkruar në gjuhën arabe dhe udhëpërshkrimi. Në hyrje autori shpjegon biografinë e tij dhe emocionet që ka përjetuar gjatë këtij udhëtimi. Autori në parathënie jep të dhëna për mënyrën se si i ka fituar mjetet për të siguruar tetëmbëdhjetë mijë akçe për shkuarje në haxh bashkë me dy vëllezërit e tij. Ai më tej shton se më datë 9 qershor 1615 është nisur për në haxh dhe pas dy ditë udhëtimi ka arritur në Sarajevë, për të vazhduar për në Gorazhdë. Haxhi Jusufi më tej shkruan se rrugëtimin e tij e ka vazhduar duke kaluar nëpër Mitrovicë, Prishtinë, Kaçanik, Shkup, Qystendil, Plovdiv, Edirne dhe më në fund kishte arritur në Stamboll. Haxhiu boshnjak, në udhëpërshkrimin e tij përshkruan, se udhëtimin e tij nga Stambolli e vazhdon me anije për Aleksandri dhe nga aty për pesë ditë udhëtim me anije bashkë me haxhilerët tjerë arrin në Kajro. Prej Kajros në Suez dhe prej aty pas njëzetë e katër ditë udhëtimi arriti në limanin e Xhedas të Arabisë Saudite, limani më i madh në atë rajon. Haxhi Jusufi me të arritur në Meke shkroi disa vargje duke përshkruar Qabenë, kroin Zemzem, Mekami Ibrahim, vendin e lindjes së Pejgamberit a.s. Ai më tej në këtë udhëpërshkrim vazhdon me përshkrimin e Medinës dhe disa nga vendet që e karakterizojnë këtë qytet të shenjtë, si xhaminë e Pejgamberit, Hendekun dhe shumë vende tjera. Autori më tej përshkruan hixhretin e Pejgamberit a.s.
Haxhi Jusufi në udhëpërshkrimin e tij përshkruan edhe kthimin nga haxhi duke dhënë detaje për gjithë rrugëtimin e tij deri në vendlindje. Ai më 30.5.1616 kthehet në Divno.
Në fund të këtij kapitulli, profesor Arnauti propozon që për shkak të dhënëve që ofron ky udhëpërshkrim për rrugëtimin e haxhilerëve nga Ballkani në vendet e shenjta, meriton të përkthehet edhe në gjuhën arabe.
Kapitulli i njëmbëdhjetë (173-184) Përshkrimi i Mekës në udhëpërshkrimet e haxhiut boshnjak Mustafa Boshnjakut
Profesor Arnauti duke përshkruar këto udhëpërshkrime të haxhilerëve boshnjakë, shton se udhëpërshkrimet e tilla konsiderohen burime shumë të rëndësishme dhe interesante për historinë e civilizimit islam. Udhëpërshkrimet e haxhilerëve boshnjakë janë më të veçanta, sepse Bosnja atëkohë paraqiste vijën më të skajshme të shtrirjes së Perandorisë Osmane në Evropë. Përshkrimi i haxhillëkut atë kohë nuk ishte edhe aq i lehtë. Luftërat në Ballkanin nuk kishin të ndalur, rruga për në haxh ishte me plot rreziqe. Por, përkundër gjithë këtyre rruga për në haxh asnjëherë nuk ishte ndërprerë. Me shtrirjen e Islamit në trevat e Ballkanit, filloi të përhapet një kulturë e re, ajo islame. Kjo kulturë prezantohej nëpërmjet krijimeve të myslimanëve të këtyre trevave në gjuhët orientale. Një ndër gjinitë letrare të kësaj krijimtarie pa dyshim që ishte edhe udhëpërshkrimi i haxhit nga haxhilerët e trevave ballkanike. Nga ajo krijimtari janë trashëguar me qindra dorëshkrime nga fusha të ndryshme. Ndër udhëpërshkruesit më të njohur boshnjak, sipas Profesor Arnautit janë edhe Haxhi Jussuf bin Muhamed Livno dhe kadiu /poeti/ Mustafa Boshnjaku.
Mustafa Bonjaku, bazuar në të dhënat që ai ofron në veprat e tij, shihet se ai ishte njohës i shkëlqyeshëm i fikhut islam, kadi i njohur dhe poet i shkëlqyeshëm. Ai krijoi në tri gjuhë orientale: në arabisht, osmanisht dhe persisht. Ky poet njihet ndër poetët e rrallë që shkruan poezi në stilin muleme’, pra një varg në arabisht, një në turqisht dhe një në persisht. Autori, sipas Profesor Arnautit, udhëpërshkrimin e tij e shkroi në tri pjesë. Në secilën pjesë ai përshkruan hanet nëpër të cilët është ndalur gjatë rrugëtimit të tij për në haxh.
Në pjesën e parë të udhëpërshkimit ai përshkruar tridhjetë hane prej Stambollit deri në Meke. Në pjesën e dytë përshkruan tridhjetë e tetë hane nga Meka deri në Damask dhe në pjesën e tretë përshkruar tridhjetë e gjashtë hane prej Damasku deri në Stamboll. Autori zakonisht për çdo han kishte shkruar nga 5-6 vargje, me përjashtim që një hani të Damaskut ia kushton dyzet vargje. Profesor Arnauti më tej shton se autori i këtij udhëpërshkrimi, udhëtimit me anije nga Stambolli deri në Kajro ia kushton njëzetë e nëntë vargje. Ai në fund të këtij kapitulli sjell vlerësimin e studiuesit boshnjak Sylejman Grozdaniç, se kasideja që i kushtohet Mekës është kasideja më e mirë e këtij udhëpërshkruesi. Në fund të kapitullit të njëmbëdhjetë Profesor Arnauti sjell kasidenë e plotë, të cilën autori ia ka kushtuar Mekës.
Kapitulli i dymbëdhjetë (185-198) Dokumentet arabe të Raguzës-Dubrovnikut
Dokumentet arabe të Dubrovnikut, për herë të parë të botuara në Kajro në vitin 2008, prezantojnë lidhjet diplomatike dhe tregtare mes Republikës së Dubrovnikut dhe Tarablusi Garbit, Algjerisë, Marokut. Profesor Arnauti që në fillim të këtij kapitulli i bënë me dije lexuesit se biblioteka e Dubrovnikut është jashtëzakonisht e pasur me dorëshkrime arabe, latine dhe osmane, dorëshkrime që hedhin dritë për pozitën e Dubrovnikut gjatë gjithë historisë, e në veçanti gjatë periudhës së sundimit të Perandorisë Osmane në Ballkan.
Republika e Raguzës, sipas profesor Arnautit, në fillim të shekullit të XVII të kishte njëzetë e dy konsullata të vendeve të ndryshme.
Në vazhdim Profesor Arnauti flet për kontributin shkencor të Besim Korkutit në islamistikë, e me theks të veçantë për studimet e tija në dokumentet arabe të Arkivit të Dubrovnikut. Kjo vepër shton më tej Profesor Arnauti botohet me rastin e tridhjetë vjetorit të vdekjes së Besim Korkutit.
Profesor Arnauti më tej flet për fatin e dokumenteve të bibliotekës së Dubrovnikut. Në vitin 1833 këto dokumente transferohen në Vjenë, pasi që Dubrovniku bëhet pjesë e Perandorisë së Austro-Hungarisë. Me bartjen e këtyre dorëshkrimeve në bibliotekën e Vjenës, fillon edhe interesimi i orientalistëve evropianë për t’i studiuar ato dorëshkrime. Ndër orientalistët e parë që janë marrë me këto dorëshkrime është F. Babingrei (1927) dhe G. Elezoviç (1940). Ky i fundit ka botuar tri dokumente që flasin për marrëdhëniet mes Dubrovnikut dhe Egjiptit në fillim të shekullit të XVII.
Sa i përket kontributit të Besim Korkutit në studimin e këtyre dokumenteve, Profesor Arnauti më tej shton se Korkuti në vitin 1961 botoi pjesën e parë të këtij studimi me gjithsej gjashtëmbëdhjetë dokumente. Këto dokumente dëshmojnë lidhjet e Dubrovnikut me Tripolin, Algjerinë, dhe Egjiptin. Njëri nga këto dokumente flet për hapjen e Konsullatës së Dubrovnikut në Aleksandri në vitin 1915.
Kapitulli i trembëdhjetë (199-214) Apeli i Hilmi Bin Husejn Boshnjakut /Hilmi Baba per nxitjen e shpërnguljes nga Bosnja për në vendet e Levantit
Profesor Arnauti rreth temës së shpërnguljes nga vendet e përfshira në luftë për në vendet e islame, thotë fillimi i shekullit XIX të ndryshe quhej shekulli i shpërnguljeve në botën islame. Ai shekull konsiderohet shekull i zgjerimit të vendeve evropiane në hapësirat e vendeve islame, si në Algjeri, Kaukaz, Indi dhe në Ballkan. Gjatë asaj periudhe, në qarqet e botës akademike islame lindi edhe diskursi shpërngulje nga vendet që ishin përfshira në luftë për në vendet islame, qoftë në Indi, në Algjeri apo në Ballkan. Profesor Arnauti më tej shton se shtytja për shpërngulje ishte nëpërmjet mesazheve dhe fetfave të dijetarëve. Fetfatë e para i obligonin myslimanët që të shpërngulen nga vendet e tyte që u përfshinë nën sundimin krishterë. Por, me kohë këto fetfa ndryshuan deri në atë masë saqë u publikuan fetsa të tjera që i ftonin myslimanët që të qëndrojnë në vendet e tyre dhe t’mos i lëshojnë trojet e tyre. Sa i për ketë Bosnjës, okupimi i sajë në vitin 1878 nga Austro-Hungaria ishte befasi për myslimanët, që fatin e tyre e kishin lidhur me Perandorinë Osmane dhe e konsideron për atdhe të tyre. Këto rrjedha të historisë së fundshekullit të XIX të, disa ulema boshnjak nëpërmjet mesazheve të ndryshme i nxitën bashkëkombësit e tyre që të shpërngulen për në botën islame. Në vitin 1887 shejhu-l-islami i shkroi sulltan Abdulhamidit të II të se jeta e myslimanëve nën sundimin e të huajve ishte e papërballueshme, andaj Perandoria Osmane duhet që t’i lejojë shtetasit e dikurshëm të sajë që të shpërngulen në cilin do shtet islam, dhe për pasojë të kësaj kërkese kemi shpërnguljen e mijëra myslimanëve nga Bosnja dhe vendet tjera për në vendet islame. Por, me migrimin e myslimanëve nga vendet e banuara me myslimanë në Bosnjë, shumë vendbanime filluan të boshatisen, andaj disa nga ulematë boshnjak shpërnguljen e konsiderojnë proces të rrezikshëm. Të nxitur nga ky fenomen, ata filluan të shkruajnë artikuj kundër asaj shpërngulje. Profesor Arnauti në mesin e atyre ulemave përmend Muhamed Haxhijahiç, i cili shkroi një ‘Mesazh rreth shpërnguljes’ në gjuhën arabe dhe osmane. Atë mesazh ai e botoi në Bosnjë dhe nëpërmjet atij mesazhi, ai apelonte te popullata myslimane që të mos shpërngulen, se diskursi hixhret, pas çlirimit të Mekës, nuk është farz për asnjë myslimanë. Por, kemi mesazhin e Hilmi bin Husejnit, i cili mendon krejt ndryshe nga kolegu i tij Muhamed Haxhijahiç. Ai atëkohë mendonte se myslimanët duhet të shpërnguleshin nga vendet e sunduara nga të krishterët. Profesor Arnauti më tej shton se letra / mesazhi i/e Muhamed Haxhijahiç-it ende ruhet dorëshkrim në Bibliotekën Sylejmanie në Stamboll. Autori këtë letër e ka ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë është në gjuhën arabe, kurse pjesa e dytë është në osmanisht. Autori duke e shkruar këtë letër në dy gjuhë, arabisht dhe osmanisht, ka dashur t’i drejtohet edhe opinionit arab dhe atij osman. Letra në dorëshkrim përbëhet nga tridhjetë faqe. Autori në hyrje të letrës së tij përmend arsyet që e nxitën të shkruaj atë letër dhe shton se ai atë mesazh e ka shkruar në favor të shpërnguljes së myslimanëve, pavarësisht se në Bosnjë kishte dijetarë që mendonin ndryshe nga ai. Në pjesën e dytë autori përshkruan konditat islame bazuar në disa komentues të Kur’anit, se çdo mysliman e ka për detyrë të shpërngulet nga ai vend, i cili nuk i mundëson që të kryejë ritet fetare.
Profesor Arnauti në fund të këtij kapitulli shton, se shkrimi i kësaj letre në arabisht prezanton traditën krijimtarisë në gjuhën arabe në Bosnjë, sidomos kur është fjala për temat që kanë të bëjnë me shkencat islame.
Kapitulli i katërmbëdhjetë (215-230) Një vështrim të krahasimit të përkthimeve të para të Kur’anit në gjuhën serbokroate dhe në gjuhën shqipe në Ballkan
Profesor Arnauti që në fillim të këtij kapitulli konstaton, se përkundër të disa gjurmëve të prezencës së myslimanëve në Ballkan qysh para arritjes së osmanlinjve, megjithatë islami vetëm me depërtimin e Perandorisë Osmane në Ballkan u përhap në masë të madhe, e sidomos në fillim të shekullit të XIV të. Islami në Ballkan në përmasa më të mëdha u pranua në disa zona si në Bosnjë dhe Shqipëri, dhe për një kohë u bë fe dominuese. Me pranimin e Islamit në Bosnjë dhe Shqipëri, kultura islame lëshoi rrënjë dhe filloi të shfaqet në shumë pore të jetës së popujve të këtyre zonave, si në arsim, krijimtari, art etj. S’do mend bazament i gjithë kësaj ka qenë Kur’ani, andaj ai për shekuj me radhë vazhdoi të jetë pjesë e pandashme e jetës së përditshme të myslimanëve të këtyre zonave, qoftë në jetën kulturore apo në jetën sociale.
Profesor Arnauti më tej shton, se atëkohë në botën islame Kur’ani si libër i shenjtë nuk lejohej të përkthehej, andaj si në mbarë botën islame përshkrimi i Kur’anit edhe në Ballkan filloi të praktikohet me të madhe. Në këto treva u shquan shumë kaligrafist të cilët pas veti lan me qindra kopje të përshkruara të Kur’anit. Në periudhën e tanzimatit dhe me fillimin e krijimin të shteteve nacionale në Ballkan na paraqiten edhe përpjekjet e para të përkthimit të Kur’anit në gjuhët e Ballkanit. Përkundër asaj që gazeta Serbija që në vitin 1868 kishte paralajmëruar përkthimin e Kur’anit në gjuhën serbokroate, përkthimi i M. Ljubibatrić botohet tek në vitin 1895. Profesor Arnauti thekson se përkthyesi i këtij përkthimi të Kur’anit është mbështetur në përkthimin e Kur’anit në gjuhën frënge dhe atë ruse. Ky përkthim është botuar pas asnjë parathënie, pos me tri faqe shtesë ku është përfshirë: një fjalorë me disa shprehje, emrat që përmenden në Kur’an dhe disa emra vendesh. Ky përkthim është botuar pa ndonjë koment, me përjashtim të disa komenteve të shkurtra në fund të faqes, nëpërmjet të cilave përkthyesi ka shpjeguar disa çështje, që ai i ka gjykuar se duhet sqaruar. Shumë studiues janë marrë me këtë përkthim të Kur’anit, ndër ta edhe Profesor Hasan Kaleshi, i cili në vitin 1967 shkëputi për t’i botuar disa pjesë nga ky përkthim duke i bashkangjitur edhe një studim bashkë me një parathënie.
Atëkohë autoritet fetare islame këmbëngulnin që Kur’ani të mbetet ashtu siç është, pra në gjuhën arabe. Ata ishin kundër përkthimit të Kur’anit në cilën do gjuhë dhe nga kushdo qoftë, aq më tepër që Kur’ani të përkthehet nga laikët.
Pa kaluar shumë kohë nga përkthimi i Ljubibatrićit, në vitin 1913 pasoi edhe përkthimi i disa sureve me koment nga boshnjaku M. Serdarević. Më pas, në vitin 1936, pasoi përkthimi i tefsirit “Tefsīru-l-menāri”.
Profesor Arnauti në vazhdim të këtij kapitulli shton se në vitin 1937 në Bosnjë tanimë prezantohen dy përkthime të Kur’anit. Përkthimi i parë është ai dy përkthyesve Muhamed Panxhës dhe Dr. Xhemaludin Çausheviçit. Sipas Profesor Arnautit, ky përkthim ishte model i përkthimit të Kur’anit në gjuhën turke. Përkthimi i dytë është ai i A. Karabegut. Përkthimi i parë ishte plotësuar me komente mes ajeteve. Profesor Arnauti më tej pohon se me themelimin e Institutin të studimeve orientale, në vitin 1950 dhe me themelimin e Fakultetit të Studimeve islame, në vitin 1976, u krijuan kushte për përkthime të vazhdueshme të Kur’anit. Në vitin 1979 botohet përkthimi i Besim Korkutit, në vitin 1994 përkthimi i Mustava Mlivos dhe në vitin 1995 përkthimi i Enes Kariçit.
Shqiptarët edhe pse më se 85% ishin myslimanë, ata sipas Profesor Arnautit deri në fund të sundimit të Perandorisë Osmane nuk kishin asnjë përkthim të Kur’nit në gjuhën shqipe. Vetëm pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe stabilizimit të sajë, tek në vitin 1921 kemi përkthimin e parë të Kur’nit. Edhe te shqiptarët përkthimi i Kuranit për herë të parë, njashtu siç kishim rastin te përkthimi në serbokroatisht është bërë nga një jomysliman dhe jo nga gjuha arabe, por nga gjuha angleze, nga përkthimi i G. Sale. Përkthimi i parë i Kur’anit në gjuhën shqipe është ai i M. Qafzezit.
Profesor Arnauti me tej shton se përkthimi i Qafzezit ishte shtytje, njashtu si te boshnjakët, për të vazhduar me përkthimin e Kur’anit nga ulematë myslimanë. Në vitin 1924 H. Ali Korça në disa vazhdime në revistën Zani i Naltë boton përkthimin disa sureve të Kur’anit. Edhe në vitin 1929 botohet përkthimi i pjesshëm i H. Ibrahim Dalliut. Profesor Arnauti në vazhdim shton se me rihapjen e Medresesë Alaudin (1973) dhe me themelimin e Departamentit të Orientalistikës (1974) rezulton përkthimi i parë në tërësi i Kur’anit nga Feti Mehdiu (1985), për të vazhduar më tej me përkthimin e Hasan Nahit (1988) dhe përkthimi i fundit ai i Sherif Ahmetit (1988).
Kapitulli i pesëmbëdhjetë (215-230) Arabizmat në gjuhët e Ballkanit
Për prezencën e arabizmave në gjuhët e Ballkanit, Profesor Arnauti për një kohë të gjatë është marrë me këtë dukuri, sidomos për prezencën e arabizmave në gjuhën shqipe. Edhe në këtë monografi ai i kushton një kapitull të tërë, por kësaj radhe duke prezantuar qasjen e Al-Esedit, një studiuesi sirian i cili i qaset prezencës së arabizmave në gjuhët e Ballkanit nga këndvështrimi i krahasimit. Prezenca e arabizmave në gjuhët e Ballkanit është ngushtë e lidhur me përhapjen e Islamit në këto treva pas zgjerimit të Perandorisë Osmane. Edhe vetë osmanishtja, gjuhë zyrtare e Perandorisë Osmane, ishte plot e për plotë me arabizma, andaj nuk do mend se edhe gjitha gjuhët e Ballkanit të cilat për pesë shekuj me radhë ishin nën sundimin e kësaj perandoria, nuk mundët t’i rezistojnë kalimit të gjitha atyre arabizmave që tanimë kishin kaluar në osmanishte. Të gjitha këto arabizma ishin nga fusha të cilat kishin të bënin me fenë islame dhe me civilizimin e ri për këto gjuhë.
Profesor Arnauti Leksikonin e Al-Asadit e konsideron ndër punët më serioze ndër studiuesit arabë rreth arabizmave në gjuhët e Ballkanit. Al-Esedi, sipas Profesor Arnautit, fillimisht këtë projekt e kishte filluar në formë të një fjalori etimologji të fjalorit enciklopedik të së folmes së Halepit, por njohuritë e tij enciklopedike rreth shkencës së etimologjisë rezultojnë me një fjalor enciklopedik të plotë të kësaj treve. Kontributi më i theksuar i këtij studiuesi është në fushën e etimologjisë së leksikut të së folmes së banorëve të Halepit. Ai nxjerr në pah etimologjinë e leksikut të kësaj së folme, duke u nisur nga ajo se cilat fjalë janë me prejardhje arabe, cilat janë me prejardhje nga sirianishtja, nga persishtja, nga turqishtja, nga kurdidshtja, nga italishtja etj. Në këtë fjalor enciklopedik Al-Esedi regjistron gjitha arabizmat që kanë kaluar edhe në gjuhët e Ballkanit si në gjuhën greke, në gjuhën shqipe, në gjuhën bullgare, në gjuhën kroate dhe në rumune.
Ndër arsyet se pse pikërisht studiuesi Al-Esedi është ndalur në të folmen e Halepit, Profeosr Arnauti thekson pozitën gjeografike dhe strukturën etnike të këtij qyteti të Sirisë dhe multikonfesionalizmin e banorëve të tij. Gjatë periudhës së sundimit të Perandorisë Osmane në këtë qytet kemi lagje myslimane, të krishtera dhe herbeje. Sa i për këtë përbërjes etnike të këtij qyteti, aty banojnë arabë, turq, shqiptarë, çerkeze, sirianitë, armenë, kurdë, romë dhe pakica tjera. Al-Esedi ishte në kontakt me gjitha këto gjuhë, e sidomos me shqiptarët, që ishin shpërngulur nga trojet e tyre dhe që ishin përndjekuri nga pushteti osman. Pikërisht në këtë fjalor enciklopedik të këtij autori kemi mjaft të dhëna rreth arritjes së shqiptarëve në Halep, duke përfshirë veshjet, ushqimet deri te fjalët e urta të shqiptarëve. Mu për këtë edhe prezenca e arabizmave në gjuhën shqipe, në krahasim me prezencën e arabizmave në gjuhët tjera të Ballkanit, zë vendim më të spikatur.
Profesor Arnauti më tej shton se Al-Asadi për të qenë sa më objektiv rreth prezencës së arabizmave në gjuhët e Ballkanit, ai në vitin 1956 bëri një shëtitje në Ballkan duke filluar nga Turqia, Bullgaria, ish Jugosllavia dhe Rumunia. Al-Asadi e njihte shkëlqyeshëm gjuhën turke dhe disa nga gjuhët tjera të Ballkanit. Ai është i mendimit se turqishtja ka qenë urë lidhëse mes gjuhës arabe dhe gjuhëve tjera të Ballkanit. Profesor Arnauti vë theks në atë se Al-Esedi në asnjë mënyrë nuk është ndalur, apo nuk ka pasur informata për atë se një numër i arabizmave në gjuhët e Ballkanit ka kaluar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga arabishtja. Pra, ky kalim ka qenë drejtpërdrejtë nëpërmjet arabishtes, sepse arabishtja me përhapjen e Islamit në Ballkan ishte gjuhë e ulemasë dhe intelektualëve të asaj kohe. Ajo mësohej nëpër shkolla, pra nuk mund të lihet anash ndikimi i drejtpërdrejt i gjuhës arabe me gjuhët e Ballkanit. Ky kontakt rezultoi edhe me kalimin e arabizmave në gjuhët e Ballkanit.
Al-Esedi, sipas Profesor Arnautit, përqendrohet vetëm në prezencën e arabizmave në gjuhët në vijim: në gjuhën greke, në gjuhën shqipe, në gjuhën bullgare, në gjuhën kroate dhe në gjuhën rumune. Pra, ai nga gjitha gjuhët që fliteshin në ish Jugosllavi është përqendruar vetën në gjuhën kroate.
Sa i për këtë renditjes së gjuhëve të Ballkanit më të pasura me arabizma ai në rend të parë rëndit gjuhën shqipe, më pas gjuhën bullgare, gjuhën kroate, gjuhën rumune, dhe gjuhën greke.
Profesor Arnauti më tej konstaton se Al-Esedi shpeshherë përkufizohet në atë se disa nga arabizmat janë përdorur vetëm në një gjuhë të Ballkanit, pa bërë me dije se e njëjta fjalë është përdorur edhe në gjuhët tjera të Ballkanit. Mu për këtë, Profesor Arnauti në vazhdim të këtij kapitulli prezanton me radhë arabizmat ashtu siç i ka prezantuar edhe Al_Esedi, por ai në fusnotë shton se e njëjta fjalë edhe në gjuhët tjera të Ballkanit. Po japim vetëm disa ilustrime:
Alat, gjuha kroate e ka huazuar nga turqishtja. Profesor Arnauti në fusnotë shton se kjo shprehje përdoret edhe në gjuhën shqipe.
Ibrik, gjuha bullgare e ka huazuar nga turqishtja. Profesor Arnauti në fusnotë shton se kjo shprehje përdoret edhe në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e ish Jugosllavisë.
Isapat, gjuha shqipe e ka huazuar nga turqishtja. Profesor Arnauti në fusnotë shton se kjo shprehje përdoret edhe në gjuhët tjera të ish Jugosllavisë.
Profesor Arnauti në këtë kapitull prezenton 131 arabizma që i vjel nga fjalori enciklopedik e Al-Esedit. Për secilin huazim ai jep shënime shtesë se i njëjti huazim përdoret në gjuhët tjera të Ballkanit.
Për fund mund të themi se vepra Dirāsāt fī-ṣ-ṣilāṭi-la-‘arabiyeṭi-l-balḳāniyeṭi ḥilāle-t-āriḥi-l-vesīṯi vel-hdīthi e Profesor Arnautit është një kontribut shkencor multidisiplinar dhe urojmë që profesor Arnauti para opinionit shkencor, qoftë në gjuhën arabe apo shqipe të prezantohet edhe me vepra tjera nga fusha e historisë dhe publicistikës.

 

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme