Nëse gjendja faktike në terren do të ketë ndikim në fatet e ardhshme të Kosovës më shumë se sa letrat e Marti Ahtisarit, atëherë e ardhmja mund të jetë me shumë probleme dhe paqartësi, pavarësisht se çfarë do të shkruhet edhe në rezolutën e ardhshme eventuale të Këshillit të Sigurimit.Kosova tash tetë vjet është e ndarë në pjesën veriore, e cila efektivisht qeveriset nga Beogradi, ndërsa formalisht nga UNMIK-u dhe në pjesën jugore, e cila efektivisht dhe formalisht qeveriset nga UNMIK-u, ndërsa virtualisht edhe nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes. Pra, ndarja në terren për këto tetë vjet të adminsitrimit civilo-ushtarak ndërkomëbar mbi Kosovën, ka qenë faktike. Në pjesën veriore të Kosovës, që përfshinë qytetin e ndarë të Mitrovicës, Zveçanin, Leposaviqin, Leshakun e Zubin Potokun, tash tetë vjet kanë vazhduar të funksionojnë ligjet serbe, ka qarkulluar monedha serbe dhe kanë vepruar organet serbe të sigurisë. KFOR-i, duke qenë korniza e sigurimit të jashtëm të Kosovës, ka qenë kornizë e sigurisë edhe për strukturat paralele serbe. Ndërsa, UNMIK-u ka qenë në rolin e procesmbajtësit, i cili ka shënuar ngjarjet që kanë bërë vaki në territor. Ndër të tjera, UNMIK-u ka mbajtur shënime të përpikëta edhe për plagosjen e pjesëtarëve të policisë së vet nga bandat serbe, por para derjtësisë nuk ka arritur ta dërgojë askend. (UNMIK-u e mban në burg Albin Kurtin, për organizimin e një proteste, në të cilën ajnë vrarë protestuesit, ndërsa paramilitarët serbë që patën organizuar sulme me bomba ndaj policisë së UNMIK-ut, ajën të lirë.)
Komisioni faktembledhës i OKB-së, i ngritur sipas kërkesës së Rusisë, në të vërtetë është ngritur dhe vjen në Kosovë, për ta afirmuar ndarjen e Kosovës, ashtu si ajo është në terren. Nëse shkojnë në veri, ata do të shohin se atje vërtet është bërë Serbi, dhe se e tillë është bërë nën administrimin e organizatës që ata e përfaqësojnë. Ata nuk do të kenë asnjë mundësi të hartojnë një raport korrekt e të mos e pranojnë faktin që Kosova në terren është e ndarë. Ndërsa, një raport i tillë do ta kontestojë planin e Marti Ahtisarit dhe do të mund të legjitimojë shpalljen e ndarjes së pjesë veriore të Kosovës nga shteti i ri në formim. Atëherë do të fillojë periudha e “riintegrimit”, me negociata të veçanta me palën serbe e me Serbinë, me ndihmën dhe ndërmejtësinë ruse. Kjo ndërmjetësi ruse do ta rikthjeë rolin e Rusisë në Ballkan dhe do ta rrisë rolin e Putinit në radhët e nacionalistëve rusë. Ndërsa, ai rol i rritur në sytë e nacionalistëve, i duhet Putinit, që të sigurojë kontinuitetin e pushtetit me Sergej Ivanovin në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Nëse kriza edhe shpërthen, si pasojë e ndarjes së Kosovës, Putini mund t’i fërkojë duart që e ka mbajtur NATO-n edhe për një kohë të preokupuar në Ballkan, larg kufijve të vet.
Drejtuesit shqiptaro-vendorë të Kosovës, që nga presidenti e deri te zëdhënësja e kryeministrit, nuk ua kanë ngenë këtyre cikërrimave të terrenit. Ata po e kryejnë me shumë sukses detyrën e zëdhënësve të administratës amerikane, duke na treguar atë që e dimë të gjithë. Ata tërë kohën po na tregojnë se çka po mendon administrata e Bushit për Kosovën. Por, ata po e harrojnë një fakt logjik: administrata amerikane po flet nga pozicioni i vet, që do të thotë se nuk e përfaqëson pozicionin e Serbisë. Po të ishte për administratën amerikane, pavarësia e Kosovës do të pranohej moti, por pengesë e pranimit të saj është Serbia. Ndërsa, Serbia edhe më tutje, po thotë haptas dhe me arrogancë të shtuar, se nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, aniqë janë në dijeni të qëndrimit amerikan.Nëse mbahet kjo politikë refuzuese, dhe duket se do të mbahet, atëherë varianti më logjik i politikës serbe është ndarja e Kosovës.
Edhe pse SHBA-të dhe NATO-ja janë kundër ndarjes, ndarja në terren është faktike. Deklaratat nuk e ndërrojnë këtë gjendje, ndërsa larg logjikës është që mund të përdorën armët e NATO-s për ta ndryshuar gjendjen faktike në terren. E kjo do të thotë se ndarja mund të jetë një fakt ndërkombëtarisht i njohur. Ajo nuk do të pranohet si e atillë, por do të jetohet me të.
Riintegrimi i Luginës së Preshevës, e cila në një variant më të butë se veriu i Kosovës, ishte rebeluar ndaj Beogradit, ka ndodhur më lehtë për shkak se Kosova nuk ka mbajtur qëndrim në favor të rezistencëssë tyre. Pacifikimi i Luginës së Preshevës, i bërë edhe me ndihmën e Prishtinës e të Tiranës, i ka hapur rrugë inkurajimit të Serbisë për të luajur pa frikë me letrën e ndarjes së Kosovës. Përndryshe po të ishte ruajtur aktive ajo vatër krize, e ndërlidhur me statusin e Kosovës, Lugina e Preshevës do të mund të fitonte vetë më shumë e edhe do të bëhej pengesë e ndarjes së imponuar të Kosovës. Ndoshta bash për ta nxjerrr jashtë loje këtë rol të saj, u nxitë rebelimi i atjeshëm, kur nuk e kishte kohën e duhur.Shtrohet dilema: çka më tutje? Ndoshta plani “B” përkatësisht rikthimi te opcioni i “kundërndarjes territoriale”, do t’i imponohet Kosovës në javët që vijnë. Kjo do të thotë që nëse Serbia e imponon ndarjen e Kosovës, ai veprim do të shkaktonte edhe shkëputjen e Luginës së Preshevës nga Serbia. Edhe ashtu Leposaviqi e Leshaku i janë ndajmbathur Kosovës në vitin 1953, si kompensim për marrjen nga Serbia të Luginës së Preshevës. Prandaj, nëse Serbia luan me kartën e ndarjes së Kosovës, mund të rifutet në lojë projekti i rikthimit të gjërave në vendin e vet: territoret shqipare të Luginës të Preshevës, (Kosova Lindore) t’i kthehet trungut të vet dhe terrritoret e bashkëngjitura serbe t’i kthehen Serbisë. Në atë rast, nuk do ta kishte vetëm Serbia planin B të ndarjes së Kosovës, por edhe Kosova do ta kishte planin B të ndarjes së Serbisë. Ky ekuilibër pastaj do të mund të ftohte gjakrat e ekstremistëve serbë, që duan të zhvatin territore, pa u hyrë ferrë në këmbë. Ose do t’i detyronte ta paguajnë edhe ata me territore çmimin e aventurizmave të vet.
23 prill 2007