SFIDA MË E MADHE

Kodra e Uhudit nga një shembull fillestar mosbindjeje, gjatë historisë islame, por më tepër gjatë historisë moderne të saj, u kthye në një modus viventi përsa i përket edukatës administrative islame. Shkërrmoqja e Kalifatit, hapi rrugë drejt formimit të ishujve administrativë brënda tij në formën e shteteve-komb, të cilat u mbushën secila me pellgje të vogla të karakterit religjioz-administrativ me pavarësi relative duke institucionalizuar mentalitetin e Uhudit si normë në raport me umetin në tërësi.

Mendoj se ky ç’organizim , që ishte i organizuar, përtej faktorit kolonizues, përparoi me një shpejtësi marramendëse duke u kthyer në kulturë gjithpërfshirëse qeverisëse. Islami si një tërësi kompakte sistemi, u përball me thërrmijëzimin e zbatimit dhe interpretimit të tij.

Padyshim që jashtë kësaj panorame nuk mundej kurrsesi të qëndronte, realiteti shqiptar. Duke qenë i pajisur me karakteristika dhe faktorë të tjerë shtesë në raport me mentalitetin mbarëbotëror islam, panorama islame post diktatoriale shqiptare, shfaqet më e ndërlikuar dhe më komplekse. Duke mbajtur mbi shpinën e saj një periudhë jo të vogël sterilizimi fetar dhe një fshirje të pamëshirshme të koceptit për Zotin, bëri që breza të tërë të furnizonin një shoqëri të re afetare dhe materialiste. Ndaj në vitet e rikthimit të hyjnores në mesin e shqiptarëve, ky njeri i rritur dhe furnizuar me psikologji ateiste dhe me një qëndrim negativist ndaj « opiumit » të popullit, u gjend totalisht i papërgatitur për mënyrën e qasjes ndaj kësaj alternative të re të shikimit të botës. Si rrjedhojë e kësaj, shpesh rastësia, improvizimi, paaftësia, klientelizmi, interesi, mediokriteti, analfabetizmi fetar, çoroditja administrative, materializmi ekzaltues, idealizmi i munguar, verbëria strategjike dhe moskokëçarja, zunë postin e liderit të gjithçkaje islame në këtë vend ku vullneti hyjnor e kishte përcaktuar si kufirin perëndimor të civilizimit islam, kufirin më delikat dhe shumë të dobët ndaj ideologjive dhe strategjive emigrante , që edhe pse pa leje-qëndrimi, me forcë kërkonin qytetarinë duke dëmtuar rëndë identitetin e shqiptarëve.

Është e kuptueshme që pas një stuhie ateiste me pasoja apokaliptike për besimin në përgjithësi, që Shqipëria dhe shqiptarët, të përballeshin me një humnerë konceptimi idealist të realitetit, të një realiteti të një Zoti të munguar, të një realiteti ku lajtmotiv i saj ishte rastësia e të ekzistuarit dhe kolonë zanore, evolucioni.

Me një brez të vjetër të hutuar dyfish nga ajo që kishin kaluar por edhe nga ky realitet kapriçioz dhe prepotent që po vinte, me një brez të ri prodhim telenovelash dhe sfilatash mode që bëhen përçues të fallsitetit publicitar si gjoja vlerë perëndimore, duke thelluar çoroditjen dhe duke shtyrë në të tatëpjetën e pafund, shpresën e një kombi që është rinia. Të shtrydhur nga xhinset morsë dhe të shkapërderdhur nga minifunde e barqe jashtë që jo rrallë tregojnë se sa shëmtueshëm bëhen në Shqipëri operacionet e apendisitit, me çuna e goca manikinë tip copy-paste të heronjve mediatikë, të cilëve u duhen të harxhojnë muaj pune për një veshje gjoja firmato që së bashkë me realitetin në të cilin jetojnë, ç’ngjyrosen që me shiun e parë. Flokë rrenacakë plot ngjyra e përkëdhelime llastuese kozmetike, që shumë raste si përkrenare së bashku me syze saldatorësh mundohen të mbulojnë pamje jo rrallë shastisëse të një brezi që vrapon drejt Perëndimi nga hyrja e gabuar. Me një brez intelektualësh konformistë që ndërrojnë tezat civilizuese në varësi të ardhjes në pushtet të grupimeve të caktuara, me një brez opinionistësh në formën e vrasësve mediatikë me pagesë, që me stërhollime gjoja filozofike e opinionistike imponojnë produktin e tyre mendor në çdo shkelje të telekomandës, me një panoramë mediatike të së shkruarës dhe asaj vizive, ngarkuar me një sfond spektakolar financiar, e cila punon vrullshëm që të fshijë nga memoria e secilit gjithçka ka të bëjë me të kaluarën, traditën religjoze islame të shqiptarëve, të një gjysëm mijëvjeçari, si të ishte një pasazh flash i gabuar i historisë.

Një klasë politike jargavitëse ndaj një boshti politiko-ekonomik perëndimor, që së paku nuk kujdeset të ruajë minimumin e krenarisë kombëtare si përfaqësuese e një populli tragjikisht të vuajtur, por krenar për historinë dhe kontributin e vet në historinë civilizuese të rajonit dhe më gjërë.

Një shtresë e pafund e popullsisë shqiptare në nevojë punësimi dhe të ardhurash jetike për vete dhe familjen e tyre, që mes shpresës dhe pesimizmit për një ardhmëri më të mirë ekonomike dhe indiferencës ndaj gjithçkaje përtej materiales, bëjnë që rikthimi i Zotit të munguar në mendjet dhe shpirtrat e tyre, të përfundojë diku midis kurrkundit dhe asgjësë.

Me pak fjalë një bojkot shpitëror dhe mendor ndaj përtejshqisores. I përballur me këtë realitet post ateist dhe me një background ç’organizativ institucional islam, muslimani foshnjë shqiptar i fillimviteve ’90, u desh të përballej fillikat i vetëm, lakuriq me uraganin shkatërrues materialist, një shkatërrues që ndërtonte piramida materializmi dhe thellonte humnera shpirtërore. Ndaj nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Ndërkohë që besimtari i feve të tjera, miklohej nga struktura dhe strategji të mirëorganizuara të prijësve të vet, besimtarit musliman do t’i duhej kohë që të kuptonte që pari realitetin, pastaj së dyti të fillonte të organizohej.
Duke pasur nevojë për nxënës të dijes të cilët do të duhej ta çonin sistemin e jetës që quhet Islam, në nivele të prekshme për të gjithë, një fluks të rinjsh që në mes dëshirës për fenë dhe të ikjes nga realiteti ndoshta shpesh rural, në kërkim të një rruge gjoja të thjeshtë arsimimi, paraprinë në krijimin e një brezi udhëheqësish të fesë, të cilët përkundrejt pjesës tjetër të intelektualëve të rinj, të ashtuquajtur qytetas, të cilët në të njëjtën kohë rendnin për të prekur gjithçka perëndimore mes vizave-idhull shengen apo materializimit të stilit mediatik të jetesës, kishin krijuar boshllëkun e madh midis kapacitetit të tyre dhe religjionit.
Në të njëjtën kohë konfigurimi i një institucioni udhëheqs islam në fillimet e veta përtej përgëzimeve dhe iniciativës për ringritje nga zero, duhet thënë se në mënyrë të qartë dhe të dukshsme bënte amatorizmin, korrupsionin dhe paaftësinë, të plasnin nga zilia. Në mes përpjekjeve për përmirësim dhe rezultateve negative në vijim, institucioni lider i muslimanëve thellonte gjithnjë e më tepër ndarjen në mes tij dhe besimtarëve.
Sa më shumë besimtarët shtoheshin dhe edukoheshin, aq më shumë bëheshin të ndërgjegjshëm se midis Islamit ideal të litraturës dhe atij të realitetit, kishte papërputhshmëri të mëdha. Ndaj dhe kërkesa për rritje cilësore të Islamit dhe përfaqësimit të tij në Shqipëri u bë refreni i çdo muslimani shiptar për vite me radhë. Kjo iniciativë aq sa ishte fisnike dhe e drejtë në parim, po aq shpesh e keqvendosur ishte në metodologjinë e ndjekur për ndryshime thelbësore dhe përmirësuese.
Si pasojë grupime të ndryshme ndiqnin strategji të ndryshme duke “harruar” se bëhej fjalë për një qëllim dhe një pritshmëri. Besimi ndoshta akoma nuk kishte arritur të shuante tekat e nefsit i cili fshihej skutave të shpirtit të besimtarit të ri postdiktatorial. Ndaj dhe rezultati i ketyre planeve dhe strategjive shpesh sfiduese të njëra-tjetrës përfunduan në pozitën fillestare duke bërë që besimtari shqiptar pas një dekade të ndihej ngjashëm me dëshpërimin e një matësi ere përballë një tornadoje.
I anatemuar mediatikisht, i shpërfilluar si kapacitet intelektual në adminstratën shtetërore por shpesh edhe në atë private, i përbuzur në mësimdhënie dhe jo rradhë në mësimarrje, me probleme integruese me të afërmit dhe shtresat e tjera shoqërore, muslimani dhe muslimania shqipëtare i ngjanin asaj makine të parkuar në trotuar e gatshme për gjobë, një gjobë me një peshë të rëndë sociale të pariparueshme.

*******

Një mizëri njerëzish në qëndrën më të madhe ceremoniale të kryeqytetit shqiptar, pallatin e kongreseve, mundohen të vërtetojnë se kapaciteti i tij i përllogaritur nga projektuesit është disa herë më i madh. Deti i spektatorëve muslimanë brënda dhe në hollin e pallatit, ishte përqëndruar në atë që mund të quhet vrasja më e madhe publike e ndjenjës së frikës dhe inferioritetit të muslimanit shqiptar.
Përtej komenteve juridike fetare, ky program me bazë islame, ishte padyshim ngazëllyes, prekës dhe një domosdoshmëri për t’ju kundërvënë mënyrës skllavëruese të trajtimit të Islamit dhe muslimanëve në Shqipëri. I organizuar nën logon e fondacionit Sema dhe logon përherë të supozuar të Komunitetit Musliman Shqiptar, programi përveç ndjesive artistike pati edhe një ndjesi tjetër, atë të strukturimit dhe mirëorganizimit, dëgjueshmërisë dhe projektit strategjik, sistematizimit të mendimit dhe veprimit, me një fjalë kapacitetit për të bërë lehtësisht gjëra të mëdha.
Aq sa optimiste dhe lehtësuese është për atë që e kaplon kjo ndjesi, po aq edhe e çuditshme shfaqet ajo. E çuditshme për arsye se janë pikërisht këto që thamë më sipër që i kanë munguar jetës dhe veprës në vite të institucionit lider të muslimanëve. Në fakt për syrin dhe veshin e hollë të një lexuesi të vëmendshëm të ngjarjeve, ky program ballafaqoi dy realitete të reja të muslimanerisë së sotme shqiptare, të përpjekjeve për ngritje elitare të Islamit me mënyra mediatike dhe spektakolare me pasojë mahnitjen, siç janë këto programe apo ekspozita të rafinuara shumëkuptimëshe të trashëgimisë islame duke evidentuar një të kaluar të lavdishme, dhe përpjekjeve belbëzitëse, të paaftësisë dhe pragmatizmit për të përfituar nga një situatë e tillë. Ndoshta një situatë e tillë dyzimi mund të lindte shpresa se ka perspektiva për të ardhmen, por për muslimanin shqiptar, përsëri një dyzim i tillë është çoroditës dhe shterrues.
A duhet ai të gëzohet nga lotët e kryeministrit teksa kundronte i fantaksur korin madhështor të nxënësve muslimanë që glorifikonin fuqishëm emrin e Krijuesit, apo të hidhërohet e të rrudhoset i dëshpëruar nga lotët e tij teksa shikon se si belbëzitja, paaftësia dhe keqdashja sfidojnë lotët e kryeministrit duke shpejtuar në stilin kontrabandë në “përtëritje” pasurish të paluajtshme të muslimanerisë shqiptare në shekuj? Çdo optimizëm për realitete përmirësuese fashitet nga kospiracioni i rrufeshëm për të bërë gjera normalisht të pabëshme dhe këto mundësisht në kohën më të favorshme. Nxitimi dhe amatorizmi i qëllimshëm në sipërmarrje të tilla të një rëndësie jetike për muslimanët nga një grup belbëzitës i paaftë dhe regresiv, padyshim që kanë për lajtmotiv konfliktin e interesit.
Pas kaq shumë vitesh të rikthimit të hyjnores në mesin e shqiptarëve, është pikërisht hyjnorja ajo që ka qenë e munguara e madhe. Padyshim që shpresë ka. Ndryshimet përmirësuese individuale reflektohen dhe do të reflektohen në ndryshime përmirësuese kolektive. Nëse muslimanët shqiptarë për gjithë këto vite do të kishin luftuar beteja të mirëfillta , me siguri që të gjitha do t’i kishin fituar.
Beteja me vetvehten është dhe mbetet sfida më e madhe.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme