NË LUFTËRAT BALLKANIKE 1912-1913

Bateria-e-artilerisë-serbe-drejt-qytetit-të-Shkodrës-në-ndihmë-të-malazezëve-në-Rrethimin-e-Shkodrës-në-1913.

Shkaktarë të armiqësive në luftën e parë (ballkanike), shkruan raporti i Komisionit Ndërkombëtar, kishin qenë vetë sllavët e Ballkanit, jo vetëm me shkeljet që u kishin bёrё ligjeve ndёrkombёtare por edhe marrëveshjeve të ndryshme që kishin nënshkruar me njëri tjetrin…

Leo Freundlich përshkruan ngjarjet nga mesi i tetorit 1912 deri në mars 1913. Në një periudhë kohe më pak se pesë muajsh ushtria dhe bandat çetnike serbe “Egërsisht dhe në mënyrën më antinjerëzore që ka shfaqur ndonjëherë çizmja e pushtuesit, kriminuan barbarizma që nuk kanë të përshkruar. Me dhjetëra mijë burra të paarmatosur të therur, – gra të përdhunuara, – pleq e fëmijë të mbytur, – me qindra fshatra të djegur të rrafshuar për tokë. Megjithatë Evropa edhe sot vazhdon të heshtë”.

I cilësuar si “bela epoka”, fillimi i shekulli XX i solli popullit dhe kombit shqiptar katastrofën me të madhe në historinë e tij. Por, aksidentalisht edhe një fitore të madhe: Shqipëria u regjistrua në librin e gjendjes civile ndërkombëtare, sepse deri në këtë kohë shqiptarët nuk njiheshin nga Evropa as si popull, as si komb me të drejtat përkatëse dhe as si njësi politike apo shtetërore të ndonjë forme të caktuar. Ashtu, të copëtuar dhe të ndarë, shqiptarët iu vunë punës së Sizifit duke ngritur atë gurin e rëndë mitologjik për të mbërritur në fund të shekullit me dy fitore historike, që padyshim janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën: 1. Rënia e diktaturës dhe fitorja e demokracisë në Shqipërinë londineze dhe 2. Çlirimi i Kosovës më 1999 dhe Pavarësia e saj më 2008. Ç’vjen më pas? Këtë do ta përcaktojnë historia dhe politika.

Përveç karakterit grabitqar e antishqiptar, Luftёrat Ballkanike (tetor 1912-gusht 1913) mbajnё vulёn e gjallё edhe tё luftёrave fetare. Koalicioni ballkanik e pёrdori fenё e krishterё kundёr asaj islame pёr qёllime politike, pёr tё nxitur urrejtjen etnike, fobitё nacionale dhe pёr tё mёnjanuar çdo pengesё morale nё fushatat e shfarosjes sё popullsisё civile tё pambrojtur tё atyre qё i kishin shpallur armiq. Luftërat Ballkanike ishin një kryqёzatё moderne antimyslimane e boshtit ortodoks. Ndër krerët shtetërorë ballkanas, Mbreti i Bullgarëve Ferdinandi e tha shkoqur këtë gjë kur shpalli luftёn. Kjo, tha ai, do tё jetё njё luftё e Kryqit kundёr Gjysmёhёnёs[1].

Në këtë kuptim kjo luftë ishte vazhdim i Luftës ruso-osmane dhe serbo e malazezo-osmane tё 1877-1878, kështu që edhe viktimat e para tё pansllavizmit rus kanё qenё myslimanët e Ballkanit. Në atë kohë u shpёrngulёn dhe u kthyen nё refugjatё (muhaxhirё) mbi 1 milion myslimanё.

Kur filloi lufta e 1877-ës, Princi i Serbisë Milan Obrenoviçi bёnte thirrje: “tё pastrohet toka prej atyre qё nuk i  besojnё kryqit” dhe kërkonte zbatimin e metodave barbare, duke marrë si shembull “kohёn e artё” të perandorisё sё Stefan Dushanit në shek. XIV që konvertimin fetar e bënte duke i damkosur shqiptarët katolikë me hekur tё skuqur në ballë[2]. Nën këtë frymë u përshkuan Luftërat Ballkanike të fillim shekullit XX. Nё raportin e vitit 1913 të Komisionit Hetimor të Fondacionit Karnexhi shkruhet: “Refugjatёt myslimanё janё elementi mё tragjik i kёtij eksodi tё detyruar”[3].

Fillimi i pushtimit tё trojeve shqiptare prej ushtrisё serbe u shoqёrua kudo me vrasjen e masakrimin e popullsisё, me djegien dhe shkatёrrimin e vendbanimeve shqiptare. Ajo synonte tё zhdukte fizikisht sa mё shumё shqiptarё, tё krijonte pasiguri pёr jetёn e tyre, t’i detyronte tё shpёrnguleshin nё masё prej vatrave tё veta me qёllim, qё tё vendoste njё sundim sa mё tё qёndrueshёm mbi viset qё donte tё aneksonte. Parulla serbomadhe, tё cilёn e zbatonin oficerёt serbё ishte “tё shfarosim shqiptarёt”. Korrespondenti i “New York Times”, dёshmitar okular i ngjarjeve, nё njё artikull “Vandalizmat serbe” shkruante se “Serbёt kёrkojnё zhdukjen e shqiptarёve, sepse ata kanё qenё gjer mё sot ndalim i pёrparimit serb nё tё vetquajturёn Stara Serbi!”[4]. Sipas njё raporti tё konsullit austro-hungarez nga Shkupi “serbёt vrasin gra, fёmijё e pleq”. Vetёm nё qytetin e Prishtinёs u vranё mbi 5.000 shqiptarё menjёherё pas pushtimit tё tij. Kёtё fat patёn edhe Ferizaj me Gjilanin, tё cilёt “mbetёn thuajse tё shkretё” pas masakrave qё u kryen mbi popullsinё e tyre deri “te fёmijёt nё djep”. E njёjta pamje u krijua nё Kumanovё ku u masakruan 400 shqiptarё. Nё rrethet e Shkupit ishin masakruar 2.000 shqiptarё. Bandat e armatosura dhe ushtria e rregullt kryenin njё “gjueti tё vёrtetё mbi shqiptarёt” dhe rezultatet e saj tregoheshin me mburrje tё madhe nga oficerёt serbё. Veprime tё tilla nuk kryheshin “pёr arsye ushtarake”.

Kur ushtria serbe hyri nё Prizren, sapo u dёgjua urdhёri i kolonelit “i vrisni”, “ushtarёt serbё u vёrsulёn nёpёr shtёpitё e qytetit dhe vranё çdo njeri qё u ra nё dorё”. Vetёm gjatё “ditёve tё para tё pushtimit serbёt vranё nё Prizren 400 shqiptarё”. “Kёtu bandat serbe shkatёrruan gjithçka nё mёnyrёn mё tё tmerrshme. Hynin nёpёr shtёpi dhe vrisnin pa marrё parasysh as moshё dhe as gjini”. Nё shtypin evropian shkruhet se “gjenerali Jankoviç i detyronte me revole nё dorё krerёt shqiptarё tё nёnshkruanin njё manifest me anёn e tё cilit duhej tё falënderonin kral Pjetrin pёr “lirinё” qё u kishte sjellё ushtria serbe”. Nё Gjakovё bёnin kёrdinё çetnikёt serbё, ku dallohej banda e udhёhequr nga mitropoliti i mёparshёm. Populli e përcaktoi nё mёnyrё tё saktё thelbin genocidal tё luftёs qё bёnte ushtria serbe kundёr popullit shqiptar nё vargjet e krijuara: “U lёshu Serbia pёrmbi Vardar / Katёr divize hiç pa da / Turret me top e me hanxhar / Me qit fare çdo shqiptar” [5] (shënimi im B. Xh.).

Tabllo rrënqethëse tё masakrave serbe mbi shqiptarёt, para së gjithash mbi myslimanёt shqiptarë, na sjell nё veprёn e saj Miss Edith Durham. Duke parë pasojat qё kishin lёnё ushtritё serbe kur kishin kaluar nёpër Dibër, ajo shkruan: “Por edhe nё rast se rrёfimi pёr tmerret do tё pjestohej pёr dhjetё, mbetej njё dёshmi e tmerrshme e asaj se “çfarё i bёn njeriu-njeriut”. Pёr mё tepёr, gjatё kthimit takova njё masё njerёzish nё Tiranё, qё kishin ikur nga tё njёjtat krahina dhe tё pyetur veçmas, pёrshkruanin pothuajse pikё pёr pikё tё njёjtat gjёra. Kur hoxha plak i Reçanit u shkreh nё tё qarё, duke treguar se ishte njё nga tё pesё vetat qё shpёtuan gjallё ndёr tetёdhjetё dhe se kishte dёgjuar britmat e grave qё digjeshin nёpёr shtёpi, njeriu nuk mund tё dyshonte se ai thoshte tё vёrtetёn”[6]. Nё Ohёr, thotё Durham, mёsova moralin e vrasjes: “Ska mё mirё sesa kur ngrihet myslimani dhe vret myslimanin. Kur ngrihet i krishteri e vret tё krishterin ёshtё mё mirё qё krimi tё mos pёrflitet, sepse njerёzit e brendshёm nuk do ta kuptojnё; ndёrsa kur i krishteri vret myslimanin, ai ka kryer njё akt tё shenjtё e tё drejtё. Kur myslimani vret njё tё krishterё, ai bёn njё barbarizёm pёr tё cilin u duhet shkruar tё gjitha gazetave”[7].

Nё artikullin “Vandalizmat serbe”, “New York Times” shkruante nё atё kohё se “masakrat qё bёnё serbёt nё Kosovё, nёn Kryqn’ e Krishterё kapёrcejnё çdo instiktё gjakpirёsije”[8].

Tё tёrbuar ngaqё nuk po arrinin ta marrin Shkodrёn me forcёn e armёve dhe nga dёshtimi i bisedimeve pёr dorёzimin e saj, malazezёt nuk bёheshin “merak nё qoftё se fёmijёt myslimanё do tё vdesin nga uria; ata deklarojnё se do tё asgjёsojnё gjithё popullsinё myslimane…”. Njё oficer serb u ngrit nё tryezёn e bukёs dhe tregoi me gёzim pёr bёmat e guximshme tё serbëve. “Ne kemi asgjёsuar, – u lёvdua ai, – fisin (krahinёn-B. Xh.) e Lumёs. Ai pёrshkroi vrasjen nё masё tё burrave, tё grave dhe tё fёmijёve, si dhe djegien e fshatrave. Problemi mysliman duhet “thjeshtuar”. “Kur toka tё bёhet jona”, mё thuhej herё pas here, “nuk do tё ketё mё problem mysliman”… Qёllimi i hapur i serbёve dhe i malazezve ishte shfarosja e krejt racёs shqiptare[9], pra, gjenocid. Ditaret e italianit Xhino Berri, zonjës austriake Von Zambaur dhe shkodranit At Justin Rrota bëjnë fjalë për bombardimin e vazhdueshëm të ushtrisë malazeze dhe serbe vetëm mbi lagjet myslimane të Shkodrës[10].

Sipas shtypit tё kohёs, gjatё viteve 1912-1913 nga agresorёt serbё u vranë 120.000 deri nё 130.000 veta. Vetёm nё Shkodёr e pёrreth saj pati 30.000 viktima nga serbёt e malazezёt[11]. Këto shifra mjerisht nuk i gjen në tekstet mësimore nëpër shkollat shqiptare të të gjitha kategorive. Natyrisht që shifrat e mësipërme thuajse tërësisht i përkasin popullsisë myslimane.

Planet serbo-malazeze nuk kursenin as shqiptarёt e besimit katolik. Ushtarёt malazezё tashmё kishin nisur t’u thoshin katolikёve se shpejt do ta mёsonin se si duhej tё bёnin kryq[12]. Brenda dy vjetëve asnjëri nuk do tё guxonte tё fliste shqip nё Shkodёr, deklaronin oficerёt malazezё. Nё rast se Evropa do t’i japё Malit tё Zi njё pjesё tё mirё nga Shqipёria, ata do ta zgjidhin shpejt e shpejt çështjen shqiptare duke shfarosur çdo shqiptar aty… Ushtria serbe dhe malazeze ishte pёrgatitur shpirtërisht dhe e mbrujtur me idenë pёr tё kryer gjenocid mbi shqiptarёt. Ata shpresonin tё hiqnin qafe gjithё myslimanёt dhe tё ripopullonin vendin. Për këtë qëllim, gjatë fushatave ushtarake ishin planifikuar masakra mbi popullsinë civile.

Qё përpara luftёs Princi Danill i Malit të Zi kishte thёnё pёr myslimanёt e Rugovёs: “Ne jemi betuar t’i shfarosim ata!”… “Do tё jetё njё natё tjetёr e Shёn Bartholomeut” flisnin duke pirё oficerёt malazezё[13]. Myslimanёve u kёrkohej tё zgjidhnin ose pagёzimin ose vdekjen, dhe njё numёr i madh burrash vdiqёn nё tortura. Gratё i çuan nё kishё “si delet” dhe i pagёzuan, shkruan Durham dhe vazhdon mё tej: Ato qё kundёrshtonin i dhunonin ushtarёt… Nga Gjakova vinin lajme se malazeztё po pёrpiqeshin t’i kthenin me forcё myslimanёt dhe katolikёt nё fe tjetёr. Katёr batalione rrethuan krahinёn e Gucisё. Nё fillim kapёn hoxhallarёt dhe i pyetёn: a do tё pagёzoheni? Dhe kur ndonjё pёrgjigjej: “Jo”, e vrisnin nё vend. Gati tё gjithё i vranё.

“Nё Korçё… grekёt urdhёruan menjёherё qё tё flitej nё gjuhёn greke dhe jo shqipe. Shumica dёrmuese e banorёve tё krahinёs ishin myslimanё dhe nuk kishin asnjё dёshirё tё bёheshin shtetas grekё… Kisha orthodokse me pogromet kundër çifutëve në Rusi dhe me bëmat e saj në Ballkan, mban tani rekordin botëror për mizoritë fetare. Ashtu si nё Malin e Zi, edhe kёtu, dёshira e pushtuesit ishte qё ta shfaroste ose ta dёbonte popullsinё shqiptare, sidomos pjesёn myslimane”[14].

Shkaktarё tё armiqёsive nё luftёn e parё (ballkanike) shkruan raporti i Komisionit Ndёrkombёtar, kishin qenё vetё sllavёt e Ballkanit, jo vetёm me shkeljet, qё u kishin bёrё ligjeve ndёrkombёtare, por edhe marrёveshjeve tё ndryshme, qё kishin nёnshkruar me njëri-tjetrin[15]. “Ushtritё e rregullta serbe dhe malazeze ndёrmorёn dhe bёnё gjithçka, qё nga dita e parё qё pushtuan territorin shqiptar, qё t’i detyronin banorёt tё humbisnin kombёsinё, ose ta shtypte brutalisht racën shqiptare”. Shtёpi dhe fshatra tё tёra u shndёrruan nё hi, popullsia e pafajshme dhe e paarmatosur u masakrua en masse, akte tё pabesueshme dhune, grabitje dhe brutalitet tё çdo lloji – kёto ishin mjetet qё u pёrdorёn dhe po pёrdoren akoma nga ushtarёt serbo-malazezё, me synim qё tё transformojnё tёrёsisht karakterin etnik tё rajoneve qё banohen nga shqiptarёt. Kjo pёrbёn atё qё Komisioni Ndёrkombёtar e quan veçoria e dytё e Luftёrave Ballkanike, qё natyrisht ka lidhje me tё parёn: lufta nuk bёhet vetёm midis ushtrive, por midis vetё kombeve (nënvizimi im). Meqenëse popullsia e vendeve qё do tё pushtoheshin e dinin nga përvoja se çfarё i priste nga ardhja e ushtrisë armike të vendeve fqinje, ata nuk prisnin deri sa tё vinte ajo, por largoheshin sa mё parё. Kёshtu fillon njё emigracion i vёrtetё masiv[16], një spastrim etnik i viseve të pushtuara.

Ballkani pёrfshihet nga “njё eksod i vёrtetё. Turqit largohen nga tё krishterёt, bullgarёt nga grekёrit dhe nga turqit, dhe grekёt nga turqit dhe bullgarёt, shqiptarёt nga serbёt; dhe nёse emigrimi nuk ёshtё i zakontё tek serbёt dhe bullgarёt, shkaku duhet kёrkuar nё faktin se kёto dy kombe, si tё thuash, nuk janё pёrleshur nё tokat e tyre. Ata pёrdorin metoda tё tёrthorta tё cilat çojnё gjithashtu nё tё njёjtat pёrfundime, siç janё asimilimi dhe kthimi i fesё[17]. “Brenda njё brezi do ta sllavizojmё atё popull” thoshin ata (malazezёt dhe serbёt). Faktet e mёvonёshme vertetuan se kёto njoftime ishin tё vёrteta. Nuk ka pasur një turk qё tё jetё sjellё me armenёt mё keq se u sollёn dy popujt serbё (serbët dhe malazezët-shënimi im) me shqiptarёt nё emёr tё kishёs sё shenjtё ortodokse.Sllavёt vazhdonin tё çirreshin: “Vdekje Shqipёrisё”[18].

Shkrimtari vjenez, çifuti Leo Freundlich, botoi një libër me titull “Akuza që ulërijnë” (“Accusation Records”). Ai rrëfen për “Golgotën shqiptare” ose holokaustin shqiptar (nënvizimi im). Holokausti i parë evropian është planifikuar dhe zbatuar nga Serbia kundër popullit shqiptar. Leo Frojndlich përshkruan ngjarjet nga mesi i tetorit 1912 deri në mars 1913. Në një periudhë kohe më pak se pesë muajsh ushtria dhe bandat çetnike serbe “EGËRSISHT DHE NË MËNYRËN MË ANTINJERËZORE QË KA SHFAQUR NDONJËHERË ÇIZMJA E PUSHTUESIT, KRIMINUAN BARBARIZMA QË NUK KANË TË PËRSHKRUAR. ME DHJETËRA MIJË BURRA TË PAARMATOSUR TË THERUR, – GRA TË PËRDHUNUARA, – PLEQ E FËMIJË TË MBYTUR, – ME QINDRA FSHATRA TË DJEGUR TË RRAFSHUAR PËR TOKË. MEGJITHATË EVROPA EDHE SOT VAZHDON TË HESHTË”[19] (germat kapitale, autori).

Gjatë vitit 1913, Freundlich, botues në qendrën vjeneze të kulturës, kishte dhënë thelbin e “fytyrës së re” të “shtazërisë mizore”, e cila po hynte në politikën evropiane. Ishte gjenocidi, projektuar dhe zbatuar kundër një populli të tërë[20]. Ai e quajti krimin e holokaustit kundër shqiptarëve “Golgotta Shqiptare”. Edhe Freundlich, duke cituar një dëshmitar të kohës bën të njëjtin krahasim si Durham-i se, “qoftë edhe një turk i vetëm nuk i ka trajtuar armenët më keq se ç’janë trajtuar shqiptarët nga serbët”[21].

Tani qё serbёt erdhёn nё Ohёr dhe grekёt nё Korçё, shkruan Durham, fillova ta ndjej veten fajtore pse dikur kisha uruar qё turku tё largohej nga Evropa. Sa ishte turku aty, shpresat nuk ishin shuar. Ndёrsa kёta pushtues “tё krishterё” ishin njёqind herё mё tё kёqinj[22]. Të vënë në tehun e hanxharit, shqiptarët u “zgjuan”.

Të njëjtat skena makabre zhvillohen edhe nё jug tё Shqipёrisё nga masakrat e ushtrisё greke. Avancimi i ushtrisë greke në dhjetor 1912 bëri që shumё familje myslimane nga Devolli të zbresin nё Korçё, tё detyruar nga persekutimi i grekёve. Burra, gra e fёmijё tё zhveshur e tё zbathur iknin nёpёr dёborё e akull tё lemerisur, duke lёnё tё shkreta shtёpitё e tyre, plaçkat e bagёtitё[23]. Në fillim të qershorit 1915, shkruan Haris Silajxhiç në “Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Washingtonit”, Fondi për Ndihmë Shqipërisë i dërgoi një letër presidentit të SHBA-së, nëpërmjet së cilës e njofton për situatën e vështirë në Shqipëri (është fjala për Shqipërinë Jugore) ku gjysmë milioni po vdesin nga uria, ndërsa 100.000 tashmë kanë vdekur[24] (shifra këto që nuk i gjen në tekstet mësimore as të nivelit akademik).

Në parlamentin anglez raportohet për “mizoritë e frikshme që janë duke kryer bandat greke në jug… ku refugjatë shqiptarë shkonin drejt Vlorës nga Berati dhe Korça (që tani kanë rënë në duart e grekëve) dhe se numri i muhaxhirëve të grumbulluar në kodrat me ullinj përreth qytetit të Vlorës ishte më shumë se 100.000, sepse i gjithë vendi është shkretuar”[25]. Muhaxhirët lanë shtëpitë e tyre për shkak të ashtuquajturës kryengritje epirote; kryengritje kjo e kamufluar si “lëvizje” për “autonominë e Vorio-Epirit”, në fakt të agresionit ushtarak grek mbi pjesën jugore të Shqipërisë. “Në furinë e këtij shpërthimi barbar, shkruan Abaz Ermenji, u dogjën shkrumb e hi 314 fshatra myslimanësh”. “Arkivat e Washingtonit, shkruan H. Silajxhiç, bëjnë fjalë për 400 fshatra, që u dogjën e shkatërruan krejtësisht”[26]. “Kështu, shkruan historiani shqiptar i diasporës Stavro Skendi u erdhi: “Zgjimi kombëtar (shqiptarëve) pjesërisht në një mënyrë graduale dhe pjesërisht si rrufe dhe tronditje”[27]. “Kë s’trazon një fllad i lehtë, bjen tërmeti ai rrin fjetë”.

Duke qenë se me objektiva të tilla ishin projektuar këto luftëra dhe për faktin tjetër se pjesa myslimane e popullsisë përbënte shumicën, asaj i ra edhe barra kryesore e qëndresës kundër ushtrive pushtuese të shteteve ballkanike. Natyrisht që, për rrjedhojë mbi të ra dhe do të binte gjithë furia e urrejtjes dhe e egërsisë fetare e shoviniste. Në një artikull drejtuar vetëm myslimanëve, Faik Konica vinte në dukje se për ata po afrohej një rrezik eminent. Dukej i sigurt se otomanët do të dëboheshin prej Evropës dhe shqiptarët myslimanë rrezikoheshin kështu të përziheshin edhe ata mbasi vendi i tyre do të ndahej[28].

Këtë rrezik e parandjeu më herët (qysh në mars 1911), kleri katolik, ose më drejt, disa anëtarë me influencë të tij, si Dom Ndre Mjeda dhe Dom Luigj Bumçi menduan t’i shpëtojnë të keqes, duke u orvatur të zgjeronin kuptimin e Kultusprotektorat në relacionet politike. Në një apel drejtuar princit trashëgimtar Franc Ferdinandit, ata deklaronin se veprimet e otomanëve cenonin përditëKultusprotektoratin dhe se shkelja e privilegjeve shekullore për shërbimin ushtarak dhe taksat në bazë të marrëveshjes midis fiseve të lira dhe qeverisë turke qe një prishje e kësaj marrëveshje. Ata kërkonin ndërhyrjen austriake. Një vit më vonë, kur kryengritja (e malësorëve të Mbishkodrës) qe përhapur tejpërtej nëpër Shqipëri, Zef Serreqi, atëherë kryepeshkop i Shkodrës, i shkroi Konsullit të Përgjithshëm austro-hungarez në Shkodër duke iu lutur që Austro-Hungaria të zaptonte Shqipërinë ose të paktën pjesën e saj katolike. Ndërkaq Terenc Toçi shpalli qeverinë shqiptare provizore në Kimëz (Ghims) Mirditë, në prill 1911, dhe priste t’i vinin ndihma nga Italia, jo prej qeverisë por prej Italo-Shqiptarëve dhe vullnetarëve italianë[29].

“Për shqiptarët myslimanë qe e natyrshme që të luanin rolin kryesor (në procesin e zgjimit kombëtar, shënimi im). Ata përbënin shumicën dhe pa ata nuk mund të kishte Shqipëri, shkruan Stavro Skendi[30]. Lufta e Shkodrës dhe e Janinës, Lufta e Kakarriqit, qëndresa në Qafë të Kolesianit, në Malësinë e Dibrës e të Pukës janë përballje me armikun të bëra tërësisht nga popullsi myslimane.[31] “Eshtё pёr t’u pёrmendur se kleri mysliman i pёrfshirё nё kёtё lёvizje nuk kurseu asgjё pёr lёvizjen kombёtare”, shkruan Eqrem bej Vlora në “Kujtimet” e tij”[32].

Nё fushёn e Orizares nё Manastir ranё dhe dy imamёt e qytetit tё Dibrёs sё Madhe: Jusuf efendi Skikuli, Osman efendi Langu[33] dhe kapiten Aqif Rusi. Ndërsa myftiu i Dibrës Haxhi Vehbi Dibra (Agolli) dhe Hafiz Sherif Langu u nisën për në Vlorë, si delegatë të Dibrës në Kuvendin historik, ku Ditën e ngritjes së Flamurit, Myftiu i shumëditur bëri bekimin e tij dhe dha fetvanë për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë[34]. Në telegramin që Myftiu i Përgjithshëm i Shqipërisë H. Vehbi Dibra (Agolli) ua drejton disa nxënësve të Medresesë së Beratit, u shkruan se “Detyra fetare dhe atdhetare e lyp me dalë në luftë për me mbrojtun atdheun”[35]. Deviza e myslimanit ishte: Imani = Vatani, që do të thotë, besimi = atdheu.

Në rrugën e divizioneve serbe nga Gjakova dhe Prizreni për të dalë në Lezhë e Shëngjin, tradita popullore ruan shumё kujtime me vlerё qё pasqyrojnё qendresën e fshatarёsisё sё krahinёs sё Malёziut (banuar thuajse tërësisht me popullsi myslimane si Va-Spasi, Pista, Gdheshi, Mgulla, Fleti etj.) pёr mbrojtjen nga rrebeshi i ushtrisë serbe. Kush ja vuni pushkën serbit,/Osman Hoxha pastë rahmet[36]. Pёr kёtё arsye krahina u dogj plotёsisht. Nё Gdhesh u therёn 72 gra, pleq e fёmijё qё ranё nё duart e serbёve. Nё fshatin Flet me 15 nёntor serbёt humbёn edhe reparte tё tёra. Bashkё me ta luftuan banorёt e fshatrave tё tjera si Dardha, Truni, Sakati, Xathi, qё bashёpunonin me ata tё Qafёs sё Malit, Fushё-Arsit e deri nё Pukё[37].

Kur pa katastrofën që e gjeti Shqipërinë me dhimbje e dëshpërim të thellë Mehmet Akifi, poeti i madh dhe autor i himnit kombëtar turk me origjinë nga Peja, mё 1913 shkroi kёto vargje:

Dёgjoje kёtё nga unё: po, unё jam shqiptar /

Tjetёr s’kam ç’tё them, ja, u shkatёrrua atdheu im[38] (nënvizimi im).

Katastrofës iu vu një vulë ndërkombëtare me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të gjashtë Fuqive të Mëdha në Londër (dhjetor 1912-gusht 1913), duke i caktuar Shqipërisë “kufij që notonin në gjak”. Kjo vulë ishte një damkë që shërbeu si një kore “juridiko-ndërkombëtare” për të mbuluar një plagë të maisur kanceroze, e cila vazhdon të kullojë gjak prej 100 vjetësh.

I cilësuar si “bela epokë”, fillimi i shekulli XX i solli popullit dhe kombit shqiptar katastrofën me të madhe në historinë e tij. Por, aksidentalisht edhe një fitore të madhe: Shqipëria u regjistrua në librin e gjendjes civile ndërkombëtare (shprehje e A. Baletës), sepse deri në këtë kohë shqiptarët nuk njiheshin nga Evropa as si popull, as si komb me të drejtat përkatëse dhe as si njësi politike apo shtetërore të ndonjë forme të caktuar. Ashtu, të copëtuar dhe të ndarë, shqiptarët iu vunë punës së Sizifit duke ngritur atë gurin e rëndë mitologjik për të mbërritur në fund të shekullit me dy fitore historike, që padyshim janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën: 1. Rënia e diktaturës dhe fitorja e demokracisë në Shqipërinë londineze dhe 2. Çlirimi i Kosovës më 1999 dhe Pavarësia e saj më 2008. Ç’vjen më pas? Këtë do ta përcaktojnë historia dhe politika.

Kombi shqiptar ka një detyrë imperative, historike, dhe kushtetuese të formuluar në paragrafin e parë të Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare (kushtetutën e Mbretërisë) të vitit 1928. “Kombi Shqiptar, i lirë e kryenaltë, me plot shpresa lumtunie për kohën e ardhme, me dëshirën e patundshme e plot gjallni për forcimin e përjetshëm të BASHKIMI KOMBETAR (nënvizimi im) dhe për sigurimin e zhvillimit paqsor të Atdheut e të mirës së përgjithshme të popullit, duke respektue traditat historike të Kombit, të cilat padyshim i sigurojnë brezit të ardhshëm një mbarëvajtje të meritueshme…”[39]. Kjo është detyra e parë e çdo shqiptari nën cilindo subjekt politik, që të jetë dhe e çdo qeverie shqiptare nëse dëshiron të quhet e tillë.[40]

 


[1] Durham, Edith, “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe Shqiptarët”, Sh.B. “8 Nëntori” 1990:307.

[2] Haxhivasiljeviç, Jovan, “Arbanska kongra”, Beograd, 1909. B. Xhafa, Politika antishqiptare e pushtuesve serbё e malazezё nё vitet 1877-1878, “Konferenca Kombёtare pёr Lidhjen Shqiptare tё Prizrenit 1878-1881, I” (12 – 28 qershor 1978), Tiranё, 1979, fq. 119 – 129.

[3] “Luftёrat e tjera ballkanike”, “Onufri”, fq. 108.

[4] Murzaku, Th., “Politika e Serbisё…”, fq. 137.

[5] Po aty, fq. 137-139.

[6] Durham, Brenga e Ballkanit…, vepër e cituar, fq. 313.

[7] Durham, po aty, fq. 341.

[8] Marrё nga Th. Murzaku, Politika e Serbisё…, fq. 137; “Zёri i Popullit”, 21 janar 1913.

[9] Durham, vepёr e cituar, fq. 174-176.

[10] “E dielle”, 1 dhetuer 1912. “Sonte prapë vloi çmos kurr gati bombardimi i qytetit; por vetëm andej kahë krahu i myslimanëvet”; At Justin Rrota, “Ditët e mbrame të Turqisë në Shkodër”, Shkodër, 2010:59.

[11] Murzaku, Th., “Politika e Serbisё kundrejt Shqipёrisё gjatё Luftёs Ballkanike 1912-1913”, Tiranё, 1987:339.

[12] Durham, Brenga e Ballkanit…, vepёr e cituar, fq. 292.

[13] Durham, po aty, fq. 280 – 281, 284, 292.

[14] Durham, po aty, fq. 305, 307, 309, 310.

[15] Luftёrat e tjera ballkanike, Raport i vitit 1913 nga Carnegie Endowment me njё Vёshtrim Retrospektiv, me shёnime dhe me njё parathёnie tё re pёr konfliktin e sotёm nga Xhorxh Kenan, Onufri, 1993:6.

[16] Luftёrat e tjera ballkanike, vep. e cituar, fq. 113.

[17] Luftёrat e tjera Ballkanike, fq. 117-118.

[18] Durham, vep. e cituar, fq. 391.

[19] Leo Freundlich, Golgota shqiptare. Akuza kundër shfarosësve të popullit shqiptar, Sh. B. “Lilo”, Tiranë, 1995:10.

[20] Po aty, fq. 11

[21] Po aty, fq. 20-21.

[22] Durham, vep. e cituar, fq. 399.

[23] Harizi, Petro, “Historia kronografike e qarkut tё Korçёs qё në Luftën e Ballkanit gjer mё sot”, Boston mass, 1919:16.

[24] Silajxhiç, Haris, “Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Washingtonit”, “Dituria”, Tiranë, 1999:8.

[25] Swire, Joseph, “Shqipëria – ngritja e një mbretërie”, Dituria, 2005:189.

[26] Silajxhiç, H., fq. 68.

[27] Stavro Skendi, “Zgjimi Kombëtar Shqiptar”, PHOENIX & Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit, Tiranë, 2000:426.

[28] Skendi, S., “Zgjimi…”, fq. 359.

[29] Po aty, fq. 398-399.

[30] Po aty, fq. 424.

* At Justin Rrota në ditarin e tij, “Ditët e mbrame të Turqisë në Shkodër” Shkodër, 2010, fq. 73 shkruan: “Sod duel fjala nëpër qytet, kinse lypeshin prapë ushtarë…Edhe çudi!…Komandanti i pjacës lypi ushtarë deri prej elementit kristjan…Kristjanët s’e kishin pasë zakon gati kurr me i shkue turkut, si ushtarë të rregullt, kërkohej tash, që këta edhe ta jepshin atë kontributin e vet me të holla”.

[31] At Justin Rrota në ditarin e tij, “Ditët e mbrame të Turqisë në Shkodër” Shkodër, 2010, fq. 73 shkruan: “Sod duel fjala nëpër qytet, kinse lypeshin prapë ushtarë…Edhe çudi!…Komandanti i pjacës lypi ushtarë deri prej elementit kristjan…Kristjanët s’e kishin pasë zakon gati kurr me i shkue turkut, si ushtarë të rregullt, kërkohej tash, që këta edhe ta jepshin atë kontributin e vet me të holla”.

[32] Vlora, Eqrem bej, “Kujtime”, Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tiranë, 2001:171.

[33] Stërmilli, Haki, “Dibra në prag të historisë” (dorëshkrim), Tiranë, 1940:71.

[34] Xhelili, Qazim, “Vehbi Dibra personalitet dhe veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare”, Tiranë, 1998:98.

[35] AQSH. Fondi 482; viti 1914; dosja 1, marrë nga Ali M. Basha, “Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri (1912-1967)”, Tiranë, 2011:19.

[36] Hoxha i fshatit (Osman Hoxha i Fletit) dhe Bajram Haziri e nisën të parët pushkën kundër ushtrisë serbe dhe pas tyre u ngrit e gjithë zona e Malëziut të Pukës. Hoxha u plagos rëndë dhe pas disa ditësh vdiq nga plagët.

[37] Murzaku, Th., “Politika…”, fq. 147-148. Edith Durham shkruan: “Duke pёrjashtuar Fletin, ku fshatarёt myslimanё u bёnё atyre njё qёndresё prej tre ditёsh nё njё grykё tё ngushtё, ata e pёrshkuan tёrё vendin pa vёshtirёsi, meqenёse mirditorёt kishin kaq pak armatime, saqё abati i tyre i bindi se lufta vetёm do tё shkaktonte masakra”  (“Lufta pёr Shkodrёn”, Shkodёr, 2005, fq. 187. Edhe Swire shkruan se “me përjashtim të Fletit, ku ata u bllokuan për tri ditë, gati nuk ndeshën në qëndresë… Prenga (Doçi-abati i Mirditës) planifikonte një kompromis me serbët” (J. Swire, “Shqipëria…” fq. 127).

[38] Kaleshi, Hasan, “Kontributi i shqiptarёve nё dituritё islame”, International Islamic Publishing House, 1992:12.

[39] Statuti Themeltar i Mbretërisë Shqiptare, Tiranë, Shtyp. “Mbrothësia” Kristo P. Luarasi, 1929:3.

[40] Kumtesë e mbajtur në Konferencën Shkencore “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar” organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë më 28-29 shtator 2012, Universiteti Bedër, Tiranë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme