Xhamia e Re e Dyqanxhikut – simbol i qëndresës

E kishin falur namazin e sabahut dhe ishin kthyer në shtëpi. Ezani i hfz Ademit dhe imamllëku i rahmetli hfz Idrizit kishin qenë zërat e fundit që kishin jehuar në xhaminë e Dyqanxhikut në ditën e xhuma të 26 korrikut të vitit 1963. Njëzet minuta më pas kishte ndodhur tërmeti katastrofal i Shkupit dhe 44 vite këndej aty nuk më ishte dëgjuar ezan e nuk ishte falur namaz me xhemat. Si shumë objekte të tjera në Shkup, edhe xhamia e Dyqanxhikut nga ky tërmet ishte rrënuar, ishin prishur kubet dhe muret, pos minares së gjatë e cila edhe sot e pret me po atë lavdi këdo që hyn në Dyqanxhik.
Kishin kaluar vite, ishin tretur gjenerata, kishin fryrë erëra të ndryshme, disa herë xhaminë kishin dashur ta rrënojnë krejt, madje më 1984 kjo ishte bërë shumë serioze në komitete e sekretariate, por diçka e kishte mbrojtur. Ajo ndonëse tashmë nga banorët e lagjeve të Shkupit quhej “Xhamia e Prishtë”, megjithatë e sfidonte kohën. E mbaj mend kur në fillim të ’90-tave u mbajt një herë një tubim në oborrin e kësaj xhamie dhe një xhemat i xhamisë së Allaxhës, një boshnjak me fes të kuq dhe veshje tradicionale qytetare, me orë xhepi e jelek, iu drejtua masës duke pyetur se çfarë shteti është ky që e pengon ndërtimin e xhamisë së Dyqanxhikut. Tash ky plak nuk falet më askund, sepse qëmoti ka ndërruar jetë, ndërsa të shtunën e ardhshme vjen përfundimisht përgjigjja e pyetjes së tij. Është po ai shtet që ka qenë, akoma ky vend në planin urbanistik të qytetit të Shkupit figuron si park publik, edhe pse xhamia ka qëndruar aty prej shekullit të XVI, është po ai shtet që deri para ca ditësh e zinte vëng trafostacionin e vendosur në oborr të kësaj xhamie si sebep që ta pengojë ndërtimin e saj, është po ai shtet që i ka rrënuar rreth 100 xhami vetëm në Shkup, është po ai shtet që sot në vend të Burmalisë dëshiron të ndërtojë pallate të kohës së SKS-së, është po ai shtet që e përdhos Urën e Gurit, është po ai shtet që e rrënoi mihrabin e kësaj ure dhe është po ai shtet që na e ka varur një kryq mbi kokë në Shkup... Shteti dhe pushteti janë të njëjtë, por kanë ndryshuar rrethanat. Tash nuk pyet më kush në Dyqanxhik për shtetin që dhunon vlera. Nëse ky shtet është tallur kaq kohë me qytetarët e tij, tash edhe ata nuk e marrin më seriozisht atë. Ata këtë javë e përurojnë hapjen e kësaj xhamie, e cila për paradoks në dokumente do të vazhdojë të qëndrojë ashtu si qëndron në plane urbanistike. Ai plan do të vazhdojë të shërbejë edhe më si dëshmi e gjallë se “ata” e kishin fshirë xhaminë nga të gjitha hartat dhe kishin planifikuar aty parqe. Sa “dorëdhënë” që janë e që ishin! Njësoj si me atë trafostacionin që për vite me radhë, madje deri para ca ditëve, qëndronte në oborr të kësaj xhamie dhe u tregonte të gjithë kalimtarëve se ai shtet nuk kishte kurrfarë ndjenjash për artin, kulturën dhe historinë, se për religjionin as që mendonte kush. Po kështu, por në trajtë tjetër, prej javës së ardhshme kjo xhami do jetë dëshmi e një kohe të perënduar, e një kohë që la trauma të pashlyeshme jo vetëm për njerëzit e këtij nënqielli, po edhe për objektet kulturore e religjioze.
E sot kur po presim përurimin e kësaj xhamie, sa do të kishte dashur të jetë në këtë eveniment themeluesi i kësaj xhamie, Mevlana Muslihudin Abdul-Ganiu, i cili me aq dashuri e delikatesë e kishte ndërtuar këtë xhami në mesin e shekullit XVI dhe ia kishte rregulluar ujësjellësin dhe burimet e tjera materiale me hamame e hane, sa do ta kishte pritur me gëzim këtë ditë imami i fundit i kësaj xhamie, hfz. Idriz Idrizi, sa do të ishte gëzuar ai xhemati i komunitetit boshnjak që bënte pyetje retorike para 15 viteve nga oborri i kësaj xhamie! Sa do të kishte dëshiruar që këtë fat ta ketë edhe Jelen Kapani e Burmalia, që ishin “fajtore” vetëm pse kishin qenë shumë afër Vardarit dhe “ia kishin prishur bukurinë” qytetit! Do të ishte kjo një festë edhe më madhështore.
Është ky një moment i simbolit të rezistencës ndaj të gjitha erërave e kohërave, një dëshmi e gjallë për atë që e ka përjetuar qenia jonë këtu. Xhamia e Dyqanxhikut u ngrit në këmbë nga një grup entuziastësh, nga një këshill që punoi me vetëmohim e sakrifica të panumërta, u ngrit në këmbë përsëri me ndihmat e banorëve të Dyqanxhikut, të ca donatorëve turq e të tjerë, u ngrit me ndihmat e bijve të Dyqanxhikut që sot gjenden diku nëpër botë, u ngrit për të mos u rrënuar më kurrë dhe për të shërbyer si dëshmi e përhershme për një kohë që nëpërkëmbi shumë vlera.
Prandaj në vigjilje të kësaj feste të madhe të ngadhënjimit mbi të ligën, javën që vjen në Dyqanxhik do të mund të hapim një kapitull të ri të historisë sonë, një kapitull që do të shërojë plagë me melhemin e dashurisë që e ka rrezatuar ajo xhami ndër vite. E për brezat e ri që nuk e kanë ndjerë në lëkurën e tyre atë periudhë, ndërtuesit e kësaj xhamie kanë lënë gjurmët e asaj kohe në muret e saj që përherë do të flasin për ato mote kur të gjitha objektet merreshin njësoj, ndërsa xhamitë me paragjykime. Qoftë e kaluar ajo kohë. Tani le të festojmë se kjo është një festë e madhe për të gjithë, e në veçanti për banorët e lagjes së Dyqanxhikut, të cilët për gjysmë shekulli e kanë ëndërruar këtë ditë. Xhamia e Dyqanxhikut tani e tutje do të frymojë lirisht, se përgjithmonë e kaloi “kollën e keqe”. S’ka më gjë që e ndalë. Tani e tutje në lagjen e dyqanxhinjve të Shkupit do të flitet për një histori tjetër, do të shlyhet emërtimi Xhamia e Prishtë dhe mbase prej tash ajo do të quhet Xhamie e Re. Qoftë e uruar e bekuar!

p.s.

Natyrisht se kjo xhami do bëhej më e bukur, ndërsa ky përurim do të ishte më madhështor nëse në skaj të xhamisë nuk do ta kishin vënë atë dyqan “pampersash”.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme