NAMAZI I EKLIPSIT NGA VEPRA

Lidhja gjinore e fjalëve të titullit na jep të kuptojmë se shkaku (sebeb) i këtij namazi është eklipsi. Ndërsa, radhitja e kësaj teme pas temës së namazit të Bajramit, na jep të kuptojmë se ky namaz falet gjatë ditës dhe në formë grupore, pa ezan dhe pa ikamet. Bajrami është përmendur para namazit të eklipsit për shkak se ligjësimi i tij është vërtetuar me sunet më të fortë. Në gjuhën arabe fjala "kusuf" tregon eklipsin e diellit, ndërsa fjala "husuf" tregon eklipsin e hënës. Në anën gjuhësore këto fjalë tregojnë pakësim (nuksan). Po ashtu thuhet që fjala "kusuf" do të thotë zënie e dritës ndërsa fjala "husuf" do të thotë zënie e unazës.

 

 

Imam Kuduriu rahimehullah thotë se në rast se ndodh eklipsi i diellit, imami i fal dy rekate në grup (xhemat) së bashku me njerëzit. Përmendja e imamit jep të kuptojmë se për këtë namaz lypen kushtet që lypen për namazin e xhumasë, përveç hytbes. Ngase në shkollën tonë nuk ka hytbe për namazin e eklipsit të diellit.

 

 

Ky namaz duhet të jetë në formën e namazit vullnetar (nafile). Me këtë tregohet se ky namaz falet pa ezan, pa ikamet dhe pa përsëritje të rukusë. Çdonjëri rekat i këtij namazi përmban nga një ruku. Me këtë potencohet dallimi nga qëndrimi i Shafiut rahimehullah, i cili thotë se çdonjëri rekat i namazit të eklipsit përmban nga dy ruku.

 

Leximi në këto dy rekate preferohet që të jetë i gjatë. Kjo thuhet ngase i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem në rekatin e parë të këtij namazi ka lexuar aq gjatë sa leximi i kaptinës "El-Bekara" dhe në rekatin e dytë ka lexuar aq gjatë sa leximi i kaptinës "Ali Imran". Pra, në rekatin e parë lexohet kaptina "El-Fatiha" dhe kaptina "El-Bekara" në qoftë se dihet përmendsh. Përndryshe lexohen pjesë tjera të Kuranit që arrinë gjatësinë e kësaj kaptine. Në raktin e dytë lexohet kaptina "El-Fatiha" dhe kaptina "Ali Imran" apo pjesë tjera në gjatësi të saj. Ky namaz lejohet që të falet në formë të gjatë dhe duaja të bëhet në formë të shkurtër ose duaja të jetë në formë të gjatë e namazi në formë të shkurtër. Pra, nëse shkurtohet njëra, zgjatet tjera. Kjo, ngase preferohet (mustehab) që njeriu të jetë në gjendje të nënshtrimit dhe adhurimit gjatë tërë kohës së eklipsit, deri në dukjen e diellit sërishmi.

 

 

Ebu Hanife rahimehullah thotë që leximi i imamit gjatë këtij namazi duhet të jetë pa zë. Ngase ky namaz është prej namazeve të ditës sikurse dreka dhe se prej kushteve të tij nuk është grupi (xhemati). Ebu Jusufi dhe Muhamedi rahimehumallah thonë që leximi i imamit gjatë këtij namazi duhet të jetë me zë. Ngase ky namaz falet nga një grumbull i madh njerëzish, si namazi i Bajramit. Për këtë çështje nga Muhamedi rahimehullah ka dy transmetime. Njëri thotë sikurse thënia e Ebu Hanifes rahimehullah dhe tjetri transmetim thotë sikurse thënia e Ebu Jusufit rahimehullah.

 

 

Pas namazit vijon duaja deri në dukjen e diellit sërishmi. Me dukjen e diellit është për qëllim dukja totale e tij dhe jo fillimi i saj. Gjatë duas imami ka të drejtë të zgjedh në mes drejtimit nga kibleja apo nga të pranishmit, qoftë ulur apo në këmbë. Gjatë duasë, të pranishmit thonë fjalën "amin". Në veprën "En-nihajeh" potencohet se Halvaniu ka thënë që kjo formë është më e preferuar.

 

 

Imami që prin në këtë namaz duhet të jetë ai që prin në namazet e xhumave. Nëse ai mungon, njerëzit falen veças. Kjo ngase ky namaz është i llojit vullnetar (nafile). Në fakt, namazet vullnetare falen veças. Nëse ky namaz nuk falet deri në dukjen e diellit, atëherë nuk falet më. Ndryshe, nëse ka filluar të duket një pjesë e diellit dhe namazi akoma nuk ka filluar. Po ashtu me këtë namaz mund të fillohet edhe nëse dielli i zënë është mbuluar me mjegulla apo me ndonjë pengesë tjetër, ngase esenca e diellit të zënë është zënia. E nese dielli i zënë perëndon në atë gjendje, atëherë ndërpritet duaja dhe fillohet me namazin e akshamit. Nëse ndodh që në të njetën kohë kemi dy namaze, atë të xhenazes dhe atë të eklipsit të diellit, përparësi ka namazi i xhenazes, për shkak se natyra e këtij namazi është farz dhe plus asaj mund që të vijë deri te ndonjë ndryshim i kufomës. Nëse eklipsi ndodh në çastet e ndaluara për falje, ky namaz nuk duhet falur, ngase është namaz vullnetar dhe namazet vullnetare s'mund të falen në ato çaste.

 

 

Nga ana tjetër, gjatë eklipsit të hënës nuk ka namaz me xhemat. Ngase kjo zënie ndodh natën dhe tubimi i njerëzve në orë të vona është vështirësi. Gjatë kësaj dukurie, çdo njëri që dëshiron mund të falet veças, ngase i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem ka thënë: "Kur të shihni ndonjë dukuri të frikshme, përshpejtoni të ktheheni te Allahu me namaz!" E njejta gjë vlen edhe në rast të erës së fuqishme, errësimeve të mëdha, shirave të rrëmbyeshëm, frikës nga armiku, etj. Në veprën "El-vexhiz" potencohet se natyra (sifeh) e këtyre namazeve është e njëjtë sikurse natyra e namazit te eklipsit të hënës.

Gjatë namazit të eklipsit të diellit nuk ekziston hytbe. Ky është qëndrim unanim i dijetarëve të shkollës sonë, ngase nuk është transmetuar për këtë çështje ndonjë transmetim (ethter).


 Përktheu: Hazir Selmani.

 

 

Burimi: "El-xheuherah En-nejirah". Vol. I, fq. 115-116.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme