I
Është trend kohe i disa dhjetëvjetëshave të fundit të pohohet, si në qarqet akademike, ashtu edhe në të gjitha nivelet shkollore e deri në shtypin e verdhë, se të parët tanë, d.m.th. para-shqiptarët (ilirët) kanë qenë katolikë, fe kjo të cilën ata e pranuan vullnetarisht. Me fjalë të tjera, nga ajo që thuhet e shkruhet, mund të përfundojmë se Katolicizmi te para-shqiptarët është kongenital, i natyrshëm, i lindur dhe se vetëm ardhja e osmanlinjve me Fenë islame e rrënoi këtë parajsë botërore, këtë rehati kozmike ku jetonin të parët tanë.[1]
Që në filim duhet të konstatojmë se kjo çështje është mjaft e vështirë e komplekse dhe kërkon çasje multidisiplinare e serioze, të liruar nga tendencat me kohë të shtresuara dhe nga synimet evrocentriste prokristiane, çfarë është rasti me shumë autorë shqiptarë të proveniencës kristiane dhe të proveniencës muslimane prokristiane.[2]
Të udhëhequr nga motive të pastra shkencore e kulturore, e brenda mundësive intelektuale e kohore dhe natyrës e vëllimit të këtij shkrimi, do të përpiqemi ta shtrojmë këtë çështje sa më drejtë, me çka nënkuptojmë: në bazë të literaturës relevante të shtrojmë çështjen e pushtimit të Ilirisë nga romakët dhe përpjekjet e tyre për romanizimin e ilirëve vendas, e më pastaj edhe përpjekjet e tyre për kristianizimin e ilirëve vendas, por ta shtrojmë edhe rezistencën e ilirëve kundrejt pushtimit dhe asimilimit, akulturimit të huaj, dhe në anën tjetër, gjendjen e para-shqiptarëve me rastin e depërtimit të Islamit në trojet tona. Natyrisht, do të kufizohemi në rrafshin shoqëror e historik me elemente nga rrafshi politik, religjioz, mitologjik e të ngjashme.
II
Ilirët, përkatësisht para-shqiptarët, si një ndër dy-tre popujt më të lashtë të Evropës, në epokën parahistorike e historike kanë “banuar në një rajon të gjerë, i cili nga Perëndimi mbyllej nga Deti Adriatik dhe ai Jon, në Veri nga Alpet Lindore dhe Drava, në Lindje nga Danubi - Morava - Vardari, ndërsa në Jug nga Epiri dhe vise të tjera helene. Përveç kësaj, mund të flitet me mjaft siguri për praninë e elementeve ilire në Azinë e Vogël, në Greqi dhe në Itali.[3] Miss Edith Durham kufijtë e Ilirisë së vjetër i vë në Bosnjë-Hercegovinën e sotme, në Mal të Zi, Serbi, Dalmaci dhe arrijnë deri në Triestë. Në mbështetje të Strabonit, ajo pohon se epirotët, ilirët e maqedonasit flasin një gjuhë të njëjtë, një gjuhë jogreke, nga rrjedh shqipja moderne, gjuha më e vjetër e Ballkanit.[4]
Ilirët në kohën e depërtimeve romake, e para pushtimeve sllave, shtriheshin në Shqipërinë e sotme, në Kosovë, Serbinë Jugore, në krahinat perëndimore të Maqedonisë së sotme.[5]
Romakët në trojet ilire depërtuan kryesisht nga Selaniku prej anës jugore, nga Bregdeti adriatik prej anës perëndimore dhe nga Akvileja prej anës veriperëndimore.[6] Kurse sipas M. Sufflayt, depërtimi romak në Shqipëri është bërë prej Italisë, kryesisht nëpër dy porta, Durrësi dhe Solana (Solini i sotëm, N. I.) e Dalmacisë.[7]
Ilirologu i njohur A. Stipçeviq, pohon se “edhe analizat më sipërfaqësore të materialit arkeologjik nga kjo kohë, na zbulojnë se procesi i romanizimit nuk ka ndodhur gjithkund në mënyrë të barabartë. Derisa qendrat e urbanizuara, qoftë në bregdet, qoftë në mbretëri, u romanizuan gati plotësisht, kështu që aty flitej dhe shkruhej gjuha latine dhe jeta zhvillohej si në çdo qytet tjetër të madh të Perandorisë Romake, ndërkaq jashtë këtyre qendrave situata ishte krejt ndryshe.[8] Po ashtu, përfshirja e ilirëve në radhët e legjioneve romake si dhe qëndrimi i tyre në provinca të tjera të Perandorisë, larg nga atdheu, shkaktoi që ata ushtarë të mësojnë shpejt gjuhën zyrtare të ushtrisë - latinishten. Shumë prej tyre nuk ktheheshin në vendlindje, por edhe nëse ktheheshin, ata ktheheshin si veteranë, me shprehi tjera, me dije të reja nga qytetërimi romak.[9] Faktor tjetër i romanizimit është ardhja e ushtarëve të huaj në provincat ilire, që njëherit ndikuan në përhapjen e kulteve të huaja romake dhe joromake.[10] Në romanizimin e trojeve ilire ndikuan edhe Via Egnatia, qendrat ushtarake, kolonistët etj.[11]
Përkundër presionit të fuqishëm të akulturimit, ilirët vazhduan të flasin gjuhën e tyre popullore, të respektojnë hyjnitë e tyre, të varrosin të vdekurit në mënyrën e lashtë, tradicionale, e punonin tokën si më parë, e ruanin veshjen, fëmijët i emëronin me emrat e tyre dhe vetëm në rast nevoje i përshtateshin strukturës administrative dhe politike romake.[12] Edhe pas kësaj periudhe, ilirët nuk i harruan tërësisht hyjnitë e veta dhe shumë pak morën pjesë në krijimin e kulturës shpirtërore romake.[13] Kështu, gjatë tërë kohës së sundimit romak, ekzistojnë njëri pranë tjetrit religjioni i vjetër ilir dhe religjioni i ardhacakëve, përkatësisht i atyre të cilët e kanë pranuar mënyrën e re të jetesës dhe hyjnitë e reja. Ky dualitet i jetës shpirtërore do të zgjasë gjatë gjithë shekujve të okupimit të gjatë romak. Kjo kryeneqësi më vonë do të zbutet por kurrë në tërësi, e sidomos për shkak të konservatorizmit të ilirëve dhe jetesës së një pjese larg qendrave urbane.[14]
Pos këtij, kemi edhe faktorin ekstern që pengoi romanizimin, sikur që janë lëvizjet e markamanëve, kuadëve dhe popujve tjerë që qysh në shekullin II e.r. kaluan kufijtë e Perandorisë Romake. Shekulli III karakterizohet me vërsuljet e mëdha të popujve barbarë në Ballkan. Në gjysmën e dytë të shekullit IV erdhën hunët dhe shumë popuj të tjerë, të cilët mbollën tmerr e vdekje. Viktimë ishin veçanërisht qendrat, e më pak periferitë.[15] Lidhur me këto ndodhi Shën Jeronimi shkruan: “Gjithkund vetëm pikëllim dhe tmerr dhe shumë pamje të vdekjes.”[16]
Në pengimin e romanizimit të ilirëve kanë kontribuar edhe disa faktorë të tjerë, sikur lëvizjet e një numri të madh vendasish të paromanizuar - peregrinëve të provincës së Dalmacisë dhe të trojeve të tjera të Ilirisë së lashtë, kryesisht në një formë të organizuar, të cilët në grupe u drejtuan në basene minierash dhe në krahina të tjera të njohura ekonomike të kësaj province, duke u vendosur në masën më të madhe në Transilvani, ku posaçërisht zënë vend në rajonin e pasur me ar të maleve Apusen në trevën midis qendrave antike Apulum, Ampelum dhe Alburnus... Për shkallën e migrimit ilir në Daki, të dhënat linguistiko-onomastike kanë treguar se këto elemente provinciale të kolonizimit në këtë provincë ishin më të shumta, pos elementeve greko-orientale.[17] Sipas dr. Exhlales, “supozohet se migrimi dardan në Daki është bërë gjatë viteve të para të pushtimit romak në veri të Danubit, kur në Daki fillon një vërshim i fuqishëm emigrantësh - kolonistësh të ardhur nga trevat ilire.” Po kjo autore pohon se “analizat onomastike, përkatësisht antroponimia, ka treguar se ilirët e ardhur në këtë provincë ishin të romanizuar dobët.”[18]
Në viset e popullzuara me popullsi dardane, veçan në shekujt II dhe III, ka vepruar Lëvizja Latrone që kishte për qëllim rezistencën kundër romakëve dhe kundër shtresës së të liruarve, si përfaqësues të pushtetit dhe të interesave romake si dhe kundër elementeve të tjera aktive në procesin e romanizimit.[19]
Para ardhjes së romakëve, shoqëria dardane sipas gjasave ishte e ndarë në bujq, të cilët ishin të vendosur nëpër lugina të lumenjve, dhe në barinj që banonin në pjesët malore, por forcë dominuese në këtë shoqëri duket se kanë qenë barinjtë. Që me ardhjen e tyre në këto vise, romakët do të përpiqen ta zhdukin këtë simbiozë bujqësore-baritore, duke i favorizuar për këto arsye bujqit, duke i implikuar këta në rrjedhat e jetës në kushte të reja shoqërore - ekonomike dhe duke i orientuar në përpunimin e barinjve, të cilët përndryshe nuk ishin të pushtuar.[20] Koncentrimi i tokave në duart e çifligarëve dhe ndarja e tokave veteranëve, e përcjellë me emigrimin e popullsisë prej fshatrave në qytete, ishin elemente që reflektoheshin në raportet e mëparshme ekonomike-prodhuese dhe si pasojë e kësaj, dobësohej fuqia ekonomike e fshatarëve të lirë, të cilët për shkaqe të përmendura më parë ishin të detyruar të tërhiqeshin në toka jopjellore. Krahas kësaj, meqë nuk kishin mundësi t’i përshtateshin sistemit të ri monetar, ata deshën-s’deshën bëheshin të varur nga pronarët e latifundive të mëdha. Varfërimi i popullsisë së lirë, së bashku me format fillestare të raporteve të kolonatit, ishin shkaqe të paraqitjes së latronëve të shumtë dardanë, kështu që nga mesi i shekullit II pjesa dërrmuese e fshatarësisë së lirë u inkuadrua në Lëvizjen latrone.[21] Mendohet se latronët kanë pasur qendrat kryesore të lëvizjes në rrethinën e Prizrenit, në luginën e Timokut, në rrethinën e Drobetës etj. Kryesisht jetonin në male të larta prej nga i kontrollonin rrugët. Latronët kryesisht i sulmonin pushtuesit romakë, pastaj libertët e pasur dhe vendasit që i përkrahnin ardhacakët.[22]
Përkundër rezistencës së fuqishme të vendasve, krahas romanizimit filloi edhe kristianizimi i ilirëve, duke e zbrapsur politeizmin ilir. Kjo sidomos ndodhi me Ediktin e Milanos në vitin 313, kur Kristianizmi shpallet fe zyrtare, institucionale shtetërore.[23] Në këtë kohë e më vonë në trojet ilire filluan të themelohen bashkësitë e para kristiane.[24] Pas Ediktit të Milanos dhe pas Koncilit të parë në vitin 325 në Iznik (Nikejë), me mbështetjen e perandorit Konstantin, Kristianizmi lidhet për Qesarin dhe ka statusin e fesë shtetërore të Bizantit.[25] Edhe Miss Edith Durham pohon se Kristianizmi arriti herët në bregun dalmat dhe kishte depërtuar në brendi nga shekulli IV. Në këtë kohë Iliria ishte pjesë nën patronatin e Romës.[26] Me forcimin e Kristianizmit, politeizmi pagan, ku gjetën vend të gjitha hyjnitë lokale të popujve të nënshtruar, religjioni ilir dhe simbolizmi ilir pësuan krizë të thellë, kurse forcohet botëkuptimi kristian mbi jetën, bota puritane intrasigjente e religjioit të ri militant.[27] Edhe pse në rrethana të reja që i solli Kristianizmi, ilirët ditën të gjenin mënyra për të ruajtur disa besime të lashta të tyre, bile edhe atëherë kur formalisht e pranuan Kristianizmin.[28] Këtë e vërejmë në gjurmët ilire në kulturën popullore, në arkitekturë dhe në urbanizëm, në mënyrën e varrosjes së të vdekurve, në simbolikën fetare, në motivet ornamentale, në veshmbathjet popullore, në stolitë, në muzikën dhe vallëzimet, në gjuhën, në organizimin shoqëror-politik.[29]
Në joefikasitetin e romakëve për t’i romanizuar e më vonë edhe për t’i krishteruar ilirët, ndikoi kriza e madhe ekonomike e pastaj edhe kriza e udhëheqjes-qeverisjes që dominonte në perandorinë më të madhe në botë – atë të Romës. Për ta kapërcyer këtë krizë, Diokleciani[30] sjell zgjidhje kalimtare preventive me formimin e dy kryeqyteteve, Romës në Perëndim dhe Iznikut (Nikejës) në Lindje. Kjo zgjidhje kalimtare përjetoi dështimin e vet në vitin 395, me vdekjen e perandorit Theodosiut, kur Roma e Madhe, për shkak të mosmarrëveshjeve e problemeve të brendshme ndahet në dy pjesë. Mirëpo, këtë fat politik nuk e pësoi edhe Kisha. Ajo këtë fat e përjetoi disa shekuj më vonë kur uniteti i saj u shkapërderdh në vitin 1054.[31]
Kësaj do t’i ndihmojnë edhe lëvizjet e mëdha të popujve prej shekullit IV e deri në shekullin VI, (vizigotët, ostrogotët, geditët, longobardët, hunët e të tjerë), të cilët në vitin 476 e shkatërruan Perandorinë perëndimore dhe krijuan disa shtete kalimtare.[32]
Fundi i shekullit V dhe fillimi i shekullit VI karakterizohet me sulmet e fiseve turaniko-bullgare dhe të atyre sllave, të cilat duke vërejtur se Perandoria Bizantinase është dobësuar, filluan të atakojnë dhe ta plaçkisin.[33] E. Çabej paraqitjen e sllavëve e vendos prej shekullit V në kohën e perandorit bizantin, Anastasit I, më 493.[34] Dyndjet e sllavëve që kanë filluar nga fundi i shekullit VI e deri në fillim të shekullit VII, do të rezultojnë me vendosjen e tyre të përhershme prej Danubit deri në Detin Egje. Gjatë dyndjeve të tyre në Ballkan, ata sulmuan e plaçkitën pa u penguar.[35]
Duke e marrë parasysh krizën e brendshme të romakëve dhe sulmet nga jashtë, mund të përfundojmë se sllavët duke ardhur në këto troje në shekujt VI e VII, në viset perëndimore të Ballkanit gjetën popullsi mjaft të madhe të vjetër vendase, të paromanizuar dhe gjysmë të romanizuar, e cila ishte tërhequr së pari para romakëve, e madej edhe para popujve barbarë në viset të cilat vështirë shkileshin.[36] Edhe studiuesi boshnjak N. Smailagiq në enciklopedinë e tij pohon se “në shekullin VII sulmet sllovene penguan romanizimin (dhe kristianizimin. N.I.) e shqiptarëve.”[37] Kurse historiani shqiptar S. Rizaj konstaton se “popullsia ilire në këtë kohë u pakësua edhe më tepër.”[38]
Se procesi i romanizimit e kristianizimit qe ndërprerë, dëfton edhe e dhëna se “në vitin 732 Shqipëria i qe bashkuar Patrikanës së Konstantinopolit,[39] e këtë e argumenton edhe letra e Papa Nikolla I dërguar Mihailit II në shtator të vitit 860, kur ky kërkon kthimin e jurisdiksionit në territoret e Illyricumit Lindor, të cilat ishin shkëputur nga Roma gjatë mesit të shekullit të kaluar”, ku “përmend të gjitha provincat, duke përfshirë edhe Dardaninë me kryeqytetin e saj Skupin.”[40]
Kështu, përpjekjet e vazhdueshme për romanizimin dhe kristianizimin e popujve autoktonë kishin dështuar, siç ishte rasti me dakët në Rumani, trakët në Bullgari, ilirët në Dalmaci, Shqipëri e Maqedoni. Sa i përket popullit autokton në Kosovën e sotme, është fakt i pamohueshëm se që nga shekulli XVIII p.e.r. lindën shumë shtete politike ilire të cilat kaluan gradualisht nga etapa fisnore në mbretëri të vërteta të vogla, si dardanët, penestët, peonët,[41] për të evoluar në popullin shqiptar të ditëve tona.
Sipas të dhënave që sjell E. Petroviq, popullsia që e gjetën sllavët në trojet lindore të Serbisë së sotme, nuk ishte ende e romanizuar dhe si provë për këtë sjell emrat e vendeve.[42]
Mund të përmblidhet se invadimi i sllavëve nga Veriu drejt viseve jugore gjendjen e ilirëve e vështirësoi edhe më shumë. Filloi tërheqja e tyre drejt Jugut, kurse një pjesë e tyre u rezistuan presioneve sllave, të cilën gjë e dëshmon fakti me shqiptarët e Sanxhakut të Nishit deri në shekullin XX.[43]
Duke e marrë parasysh faktin se një pjesë e konsiderueshme e para-shqiptarëve (ilirëve) fare nuk e pranuan romanizimin dhe kristianizimin, e një pjesë tjetër romanizimin e kristianizimin e përdori vetëm formalisht për t’iu shmangur dhunës dhe zhdukjes fizike, që e pamë nga shumë shembuj e burime historike, nga një anë, dhe nga ana tjetër, duke e marrë parasysh faktin tjetër se sllavët me rastin e invadimit në Ballkan dhe në trojet iliro-shqiptare ishin ende paganë dhe nuk u konvertuan në numër në Kristianizëm deri në shekullin IX,[44] mund të përfundojmë se kjo pjesë e iliro-shqiptarëve ende ishte me besim politeist pagan dhe se asnjëherë nuk ishin kristianizuar. Me të drejtë historiani e etnologu boshnjak M. Haxhijahiq pohon, e ky pohim i tij mund të shtrihet edhe për para-shqiptarët, se shenjat dhe gjurmët e muslimanëve të parë në Ballkan shpiejnë në periudhën kur popujt e sllavëve të jugut ende i përkitnin religjionit të tyre sllaven, apo në kohën kur filluan të kryqohen, që d.m.th. se shfaqja e Kristianizmit te sllavët e jugut, ose te pjesa më e madhe e tyre, apo kjo vlen edhe për para-shqiptarët e trevave lindore iliro-shqiptare, nuk është më e vjetër nga shfaqja e Islamit.”[45] Në bazë të dokumenteve e burimeve të shkruara kishtare sllavo-serbe dhe të të dhënave të sotme nga terreni, rezulton se serbët filluan të kristianizohen prej shekullit IX e këndej,[46] që shkon në favor të konstatimit të sipërm. Nuk dëshirojmë të shtrihemi më gjatë në këtë pjesë të temës, sepse kjo do të jetë objekt i një punimi të veçantë, por megjithatë e shohim të arsyeshme t’i shtrojmë disa çështje mjaft relevante.
Hulumtuesit shqiptarë praninë e Islamit në Ballkan, pra edhe në trojet iliro-shqiptare, e vënë me pushtimet osmane në Ballkan, dhe kjo tezë mund të haset thuajse në të gjitha tekstet shkencore e shkollore, por edhe në shkrimet reviale e gazetareske. Një numër i vogël i tyre kontaktet e para të Islamit me trojet tona i vënë gjatë shekullit XIV.[47]
Thuajse asnjë hulumtues shqiptar kontaktet islamo-iliro-shqiptare nuk i sheh para shekullit XIV. Në këtë mënyrë injorohen kontaktet shumëshekullore ndërmjet kulturës arabo-islame dhe asaj ballkanike, pra edhe iliro-shqiptare, për të cilat shkurtimisht kemi shkruar.[48] Atë që nuk e bënë hulumtuesit tanë, e bënë të tjerët. Kështu, hulumtuesi perëndimor G. B. Pellegrini thotë se “shumë gjuhë në Mesdhe edhe sot në glosarin e vet kanë shumë fjalë arabe, që gjithsesi nuk i kanë përhapur e sjellur vetëm turqit në Evropë, por ato janë rezultat i kontakteve më të hershme të Evropës me arabët”.[49]
Orientalisti serb R. Bozhoviq kontaktet islamo-evropiane, e veçan ato sllavo-islame, por edhe ndikimet reciproke, i sheh se janë zhvilluar në tri drejtime:
1) nëpërmjet Bizantit, përkatësisht kufirit bizantino-arab dhe luftërave ndërmjet dy perandorive.
2) nëpërmjet basenit mesdhetar, përkatësisht Spanjës, Egjiptit fatimit dhe Sicilisë, në të cilat civilizimi arab ka arritur përmasa të mëdha.
3) nëpërmjet Hungarisë, përkatësisht nëpërmjet Veriut dhe luftëtarëve nomadë, peçenegëve.[50] Ky vrojtim i R. Bozhoviqit do të mund të aplikohej thuajse në tërësi për pjesën lindore të trojeve iliro-shqiptare, rrethana këto që i kanë rezultuar pushtimet e Bizantit, bullgarëve etj. Për pjesën perëndimore të trojeve iliro-shqiptare do të thuhej se parësor ka qenë baseni mesdhetar, që ka rezultuar nga pozita gjeostrategjike e këtyre trojeve.
Nuk dëshirojmë të flasim për secilin kontakt e rast veç e veç, sepse kjo do t’i kalonte suazat e këtij shkrimi, por do të ndalemi në rastet më eklatante, të cilat dëftojnë jo për “kontaktet”, por për vendbanimet muslimane.
Arabët, përkatësisht kulturën arabo-islame e kemi të pranishme në Adriatik dhe viset bregdetare qysh në shekullin VIII, e që me ndërprerje të shkurtra do ta hasim deri në fillim të shekullit XI, apo në vitin 1023, kur nga Sicilia ndërmorën sulmin e fundit në bregun lindor të Adriatikut. Nga këto kontakte tregtare, ushtarake, diplomatike, shkencore e religjioze prej tre shekujsh, e intensive rreth një shekulli e gjysmë, kemi ndikime të mëdha reciproke, e sidomos të atyre arabo-islame mbi ato ballkanike, pra edhe iliro-shqiptare, si kulturë më e avancuar e cilësore.[51]
Kulturën arabo-islame e kemi të pranishme në trojet iliro-shqiptare edhe me peçenegët qysh në shekullin VIII, të cilët në këtë kohë i hasim të kufizuar në Jug me themën e Maqedonisë, Strumës, në Veriperëndim me sllavët, në Lindje me Detin e Zi, në Veri me hungarezët e Bizantin.[52]
Sipas R. Bozhoviqit “Peçenegët muslimanë janë bartës të mundshëm të kulturës arabo-islame në Ballkan”. Ai thotë: “Duke e marrë parasysh arsimimin e tyre të shkëlqyeshëm, që shumë historianë e theksojnë, gjithsesi se kanë qenë bartës adekuat të kulturës dhe natyrës arabo-islame”.[53] Edhe Viljem Tirski shprehimisht pohon se “cubat e popullit endacak” që “bëhen synet (cirkumizohen) janë peçenegët”.[54]
Shembullin e tretë e kemi me “Turqit vardarianë”, të cilët nga Anadolli i shpërnguli cari Teofili (829-842), për arsye se e pranuan Islamin dhe i vendosi në Maqedoni. Franjo Raçki mendon se turqit vardarianë zanafillisht kanë qenë muslimanë.[55] Për fat të keq, kjo temë nuk është hulumtuar, përkatësisht ne nuk kemi ardhur deri te shënime më të plota, kështu që shumë pak dihet për ta, ndonëse numerikisht kanë qenë të konsiderueshëm dhe kanë jetuar në tokat dardane e në fqinjësi të tyre.
Shembullin e katërt do ta marrim në praninë e muslimanëve në mbretërinë bullgare gjatë Mesjetës. Sipas historianit shqiptar S. Rizaj, bullgarët depërtuan përtej Danubit nga fundi i shekullit VII,[56] kurse Sh. Demiraj sundimin e bullgarëve në trojet iliro-shqiptare e vë gjatë viteve 815-1018.[57] S. Hill pohon se bullgarët në fund të shekulli IX depërtuan gati deri në Durrës.[58] Kulmin e tyre bullgarët e arritën gjatë perandorit të tyre Simeonit (803-927), kur edhe Kosova ishte pjesë e tyre.[59] I theksuam këto të dhëna më lart nga arsyeja se në atë kohë mbretëria bullgare përfshinte edhe tokat dardane dhe popujt tjerë ilirë. Pikërisht në këtë mbretëri, në këto troje e në këtë kohë, kemi vendbanimet e para muslimane. Këtë tezë e argumentojnë shumë fakte dhe shumë burime. Ne do t’i cekim vetëm disa.
Kani bullgar Borisi në vitin 864 e kryqëzoi popullin e tij, e sigurisht për shkak se Bizanti në atë kohë lulëzonte dhe kishte perspektivë më të mirë në krahasim me perandoritë tjera të asaj kohe.[60] Kjo që ndodhi për ne edhe nuk do të kishte rëndësi më të madhe sikur të mos ishte problemi vijues. Me kryqëzimin e popullsisë së mbretërisë së vet, problem doli çështja e librave të saracenëve (muslimanëve), që ishin përhapur në mbretëri, ndërsa me kristianizimin e tyre, u shtrua pyetja e trajtimit të mëtejmë të librave me tematikë islame. Se këta libra ishin të shumtë tregon edhe fakti se kjo çështje arriti deri te Papa Nikolla I, i cili dha përgjigje decidive:
“Ju pyetni ç’duhet bërë me librat heretikë, të cilët pohoni se gjenden te ju, kurse i keni marrë nga saracenët. Ata, natyrisht, nuk duhet ruajtur sepse, sikur që është shkruar (në enciklikën mbi Korinasit), kuvendimet e këqija e prishin moralin e shëndoshë, e për këtë, si të dëmshme dhe heretike, dorëzojani zjarrit”.[61]
Edhe Franjo Raçki flet për këtë ndodhi, duke thënë se arabët kanë kaluar nëpër Siujdhesën Ballkanike dhe kanë provuar përhapjen e fesë, veçan duke shpërndarë libra.[62]
Dr. Llujo Thaller në librin e vet “Nga fallxhorët e magjistarët deri te mjeku modern”, cek se rreth kësaj kohe Bullgaria ka qenë përplot muslimanë dhe se njëherë madje i kanë djegur librat muslimanë në Bullgari.[63] Këtë e konfirmon edhe V. Klaiq kur thotë se “në Bullgari dhe në vendet fqinje ka pasur muslimanë.”[64] Se nuk është fjala vetëm për kontakte por për vendbanime, na flet edhe shënimi vijues: Në vitin 896/376 hixhrij, në Kiev të Ukrainës shkoi një delegacion musliman ta përvetësojë udhëheqësin e tyre, Shën Vlladimirin, për ta pranuar Islamin. Duke e marrë parasysh se ende ishte në religjionin e vjetër sllaven, ai i ftoi teologët muslimanë bullgarë të Vollgës që t’ia ekspozojnë themelet e besimit të tyre. Edhe vetë ai merrte pjesë në diskutimet shkencore. Më në fund u përcaktua për Kristianizmin bizantinas,[65] sigurisht për shkak të perspektivës që ofronte Bizanti si superfuqi e asaj kohe.[66] Këtë ndodhi e sqaron kronika mesjetare ruse “Povest vremenih leta” nga shekulli XI. Aty thuhet se Vlladimirit i erdhën shumë delegacione që ta përfitojnë në besimin e tyre. Ai i dërgoi misionarët e tij në vendet e ndryshme për të parë se cili besim është më i përshtatshëm për ta. Në të kthyer, të deleguarit, përveç tjerash, deklaruan: “Erdhëm në Bullgari dhe pamë se si luten ata në tempull, përkatësisht në xhami...”. Këto deklarata u dhanë në vitin 6495 sipas kalendarit të tyre, kurse në vitin 987 sipas kalendarit gregorian.[67]
Pa hyrë në detaje dhe pa sjellur edhe raste të tjera, mendojmë se të gjitha këto fakte flasin qartë se Islami dhe kultura arabo-islame në trojet lindore të Ilirisë, kanë qenë të pranishme shumë herët. Madje, një pjesë e ilirëve apo e para-shqiptarëve drejtpërdrejt nga besimi i tyre politeist pagan kanë kaluar në Islam, pa ndërmjetësimin e Kristianizmit apo fare pa e pranuar Kristianizmin.
III
Pushtimi romak i trojeve ilirike bëri që një pjesë e popullit vendas, veçan qendrat, herët të bien nën ndikimin politik e ekonomik, e më pastaj edhe religjioz, kulturor e shoqëror. Ky proces quhet romanizim. Më vonë, duke filluar nga shekulli IV, filloi, nëpërmjet pushtuesve romakë, edhe kristianizimi i trojeve tona. Mirëpo, që në fillim një pjesë e popullsisë vendase i bëri rezistencë të madhe pushtuesit të huaj, duke refuzuar njëkohësisht edhe romanizimin edhe kristianizimin. Kjo pjesë e popullsisë, mjaft e konsiderueshme, qoftë tërësisht duke e refuzuar romanizimin e kristianizimin, qoftë vetëm formalisht duke e pranuar atë, sa për t’iu shmangur zhdukjes fizike, u përballoi vështirësive kohore dhe në shekullin VIII e më vonë u ndesh me kulturën arabo-islame. Kjo ishte realitet sidomos në pjesën lindore të Dardanisë, d.m.th. në Kosovën e sotme, në pjesët lindore të Serbisë së sotme dhe në një pjesë të Maqedonisë. Me keqardhje duhet konstatuar se hulumtimet në këtë fushë janë nën çdo nivel, ndaj shkencëtarët e painformuar injorojnë realitetin historik se një pjesë e trojeve dardane dhe ilire përgjithësisht, më herët është islamizuar se që është kristianizuar. Shembulli i peçenegëve, muslimanëve në mbretërinë bullgare, i turqve vardarianë dhe i pranisë muslimane në bregdetin ilir më se një shekull e gjysmë, është i qartë dhe kërkon studime më të hollësishme në të gjitha segmentet e mundshme. Në anën tjetër, me këtë realitet, deri tash të heshtur, të parëve tanë muslimanë do t’u bëhet e padrejtë duke thënë se kanë qenë katolikë, por Turqia i bëri me dhunë muslimanë! Parullat e tilla, si duket, do t’i përdorin vetëm mediokrët dhe sharlatanët shkencorë, por jo edhe shkencëtarët e mirëfilltë.
[1] Ismail Kadare, “Dialog me Alain Bosquet”, Bujku - e përditshme e dt. 25.06.1996, Prishtinë, fq. 12; Rexhep Doçi, “Iliro-shqiptarët dhe serbët në Kosovë (sipas onomastikës)”, Prishtinë, 1994, fq. 2, 7 e 27; Mark Krasniqi, “Toleranca fetare mes muslimanëve dhe katolikëve në Kosovë”, në: Grup autorësh, “Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët”. Simpozium ndërkombëtar i mbajtur më 12-15, tetor 1992 në Prishtinë, Prishtinë, 1995 , fq. 206-207 etj.
[2] Pos të përmendurve më sipër, kemi edhe disa autorë tipikë si: Engjëll Sedaj, Lush Gjergji, Gasper Gjini etj. Për karakterin e kulturës e civilizimit evroperëndimor shih: Muhammed Asad, “Islam na raspucu”, Zagreb, 1994, fq. 25-49 dhe Ali Bulac, “Islam i demokratija, teokratija i totalitarizam”, Sarajevo-Ljubljana, 1995.
[3] Aleksandër Stipçeviq, “Ilirët - historia - jeta - kultura - simbolet e kultit”, bot. II, Prishtinë,1990, fq. 35.
[4] Miss Edith Durham, “Shqipëria dje dhe sot”, Bujku - e përditshme e dt. 09.11.1996, fq. 12,nga; “Albania and Albanians”, Librarie Chapelot, 1921.
[5] Bahri Beci, “Marrëdhëniet e hershme shqiptaro-sllave në dritën e të dhënave të dialektologjisë sonë historike”, në: Grup autorësh, “Shqiptarët e Maqedonisë” - Simpozium ndërkombëtar në vitin 1992, Shkup, 1994, fq. 48;
Pan K. Chzaiston, “Dardania”, “Bujku” - e përditshme e dt. 01.04.1995, Prishtinë, fq. 7.
[6] Josip Tur~inovic, “Katoli~ka crkva u juznoslovenskim zemljama”, Zagreb, 1973, fq. 6.
[7] Eqrem Çabej, Nga “Historia e gjuhës shqipe”, në: “Studime gjuhësore”, III, Prishtinë, 1976, fq. 52.
[8] Aleksandër Stipçeviq, op. cit., fq. 70.
[9] Ibid., fq. 73.
[10] Ibid., fq. 73.
[11] Eqrem Çabej, “Studime gjuhësore”, III, op. cit., fq. 51; Shih: Naser Ferri, “Ilirët në ushtrinë romake sipas antroponimisë, teonimisë dhe toponimisë në Dardani”, “Bujku” - e përditshme e dt. 15.02.1997, Prishtinë, fq. 11.
[12] Aleksandër Stipçeviq, op. cit., fq. 71.
[13] Ibid., fq. 74.
[14] Ibid., fq. 440.
[15] Ibid., fq. 77.
[16] Ibid., fq. 78.
[17] Exhlale Dobruna - Salihu, “Emigrimi i ilirëve gjatë periudhës së sundimit romak”, “Bujku” - e përditshme e dt. 21.12.1996, Prishtinë, fq. 15.
[18] S. Mrezek, “Aspect sociane et administrati fa de d’or romanies de Dacie, Apulum VIII”, Alba Inlies, 1968, fq. 314, cituar sipas: Exhlale Dobruna - Salihu, op. cit., fq. 15.
[19] Naser Ferri, “Latronët - lëvizje e rezistencës kundër romanizimit”, “Bujku” - e përditshme e dt. 23.11.1996, Prishtinë, fq. 13.
[20] Naser Ferri, “Latronët”, op. cit., fq. 13.
[21] Ibid., q. 13.
[22] Ibid., fq. 13.
[23] Ali Bulac, “Islam i demokratija, teokratija i totalitarizam”, Sarajevo-Ljubljana, 1995, fq. 74.
[24] Shih: Ali Hadri, “Historia e popullit shqiptar” për shkollat e mesme, botim i tretë i plotësuar, Prishtinë, 1973, fq. 35; Shih gjerësisht: Josip Turçinoviq, op. cit., fq. 6.
[25] Ali Bulac, op. cit., fq. 74. Krahaso: Nikola Ber|ajev, “Carstvo duha i ~esara”, “Kultura” - ~asopis za teoriju i sociologiju kulture i kulturnu politiku, nr. 13-14/1971, Beograd, fq. 175-183. Konstantini I i Madh, ilir, lindi në Naissus, sundoi në vitet 306-337. Bëri shumë reforma dhe Kristianizmin e bëri të barabartë me religjionin shtetëror. Shih: Aleksandër Stipçeviq, op. cit., fq. 76.
[26] Miss Edith Durham, op. cit., fq. 12.
[27] Aleksandër Stipçeviq, op. cit., fq. 452.
[28] Ibid., fq. 452-459.
[29] Ibid., fq. 89.
[30] Perandori më i madh me origjinë ilire në fronin romak, sundoi gjatë viteve 284-305, kurse u lind rreth vitit 243. Ishte armik i përbetuar i Kristianizmit. Shih: Aleksandër Stipçeviq, op. cit., fq. 76.
[31] Ali Bulac, op. cit., fq. 74-75.
[32] Shih: Miss Edith Durham, op. cit., fq. 12.
[33] Grup autorësh, “Historia e popullit shqiptar”, I, botimi III, Prishtinë, 1979, fq. 131-133; Krahaso: Josip Turçinoviq, op. cit., fq. 6-9.
[34] Grup autorësh, “Historia e popullit shqiptar”, I, op. cit., fq. 133; Krahaso: Josip Turçinoviq, op. cit., fq. 6; Alan Ducelier, “Vazhdimësia iliro-shqiptare në Kosovë”, “Bujku” - e përditshme e dt. 14.09.1996, fq 15, Prishtinë.
[35] Eqrem Çabej, “Studime gjuhësore”, III, op. cit., fq. 59.
[36] Aleksandër Stipçeviq, op. cit., fq. 83.
[37] Nerkez Smailagiq, “Leksikon islama” (njësia enciklopedike “Albanija”), Sarajevo, 1990, fq. 28.
[38] Skënder Rizaj, “Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII”, Prishtinë, 1982, fq. 421.
[39] Nerkez Smailagiq, op. cit., fq. 27.
[40] Pan K. Christon, op. cit., fq. 7.
[41] Alan Ducelier, op. cit., fq. 15.
[42] E. Petroviq, “Istoria popuruli romin oglindit in Toponimie”, Bucurest, 1964, fq. 10-11, sipas: Bahri Beci, op. cit., fq. 48. Në anën tjetër, pjesa më e madhe e toponimeve sllave në Kosovë dhe Shqipëri duket se janë më shumë bullgare se serbe, që është diç fare e natyrshme meqë bullgarët e mbanin të pushtuar këtë zonë që nga shekulli IX e deri në mbarim të shekullit X. Shih: Alan Ducelier, op. cit., fq. 15.
[43] Shih pesë veprat e Sabit Ukës rreth shqiptarëve të këtyre trojeve, të botuara gjatë viteve 1992-1996; Skender Rizaj, op. cit., fq. 421-422.
[44] Miss Edith Durham, op. cit., fq. 12; Po ashtu shih: Christo Schug - Wille, “Bizant i njegov svijet”, në “Bizant i svijet islama”, Rijeka, 1978, fq. 11; Pamjatniki literatury drevnei Rusi: XI - naçelo XIII, fq. 123-125; Sipas: Shkëlzen Maliqi, “Vizantijski kulturni areal”, Thema, 4(3), 1985, Prishtinë, fq. 20-21, fus. 3.
[45] Shih: Muhamed Hadzhijahic i drugi, “Islam i muslimani u Bosni i Hercegovini”, Sarajevo, 1979, fq. 20.
[46] Rexhep Doçi, op. cit., fq. 6, 27.
[47] M. Halimi “Orientalizmat e para ndër të folmet shqipe pohon se u “vërejtën që nga viti 1336, kur në Shqipëri u dukën për herë të parë mercenarët turq nën komandimin e perandorit bizantin, Andronikut III Paleologut, të cilët kishin ardhur të shuanin një kryengritje që kishte plasur në Jug të Shqipërisë. Shih: Mehmet Halimi, “Ndikimi i orientalizmave në fushën e fjalëformimit ndër të folmet shqipe”, në: Përmbledhje punimesh nga Simpoziumi ndërkombëtar: “Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët”, op. cit., fq. 351.
Edhe gjuhëtari më i madh shqiptar, E. Çabej, mendon se “ndikimi islam nisi qysh herët në Shqipëri, që përpara pushtimit të vendit në shekullin XV, dhe kjo jo vetëm që vërtetohet historikisht, po dëshmohet edhe me fakte gjuhësore: me emra të hershëm si “Menschumanus” në vitin 1388 (Maria filia menschumani Albanensi) mbase i përgjigjet fjalës mushkumëndi - “muslimani” të arbërishtes së Italisë, pastaj huazimi kulla që del në vitin 1386 (de bonis et syfficientibus ballistarius, quos ipe depositet asd custodiam del cula) etj. Shih: Eqrem Çabej, “Gjon Buzuku dhe gjuha e tij,” në “Studime gjuhësore”, VI, bot. II, Prishtinë, 1988, fq. 10; Shih: Ferid Duka, “Vështrim rreth islamizimit të shqiptarëve të Maqedonisë (shek. XV-XVII)”, në: “Shqiptarët e Maqedonisë”, op. cit., fq. 145.
[48] Shih: Nexhat Ibrahimi, “Kontaktet e para të Islamit me popujt ballkanikë në periudhën paraosmane”, Shkup, 1997, fq. 102. Hulumtimi i kësaj teme është mospërfillur, e madje edhe është konsideruar i dëmshëm ideologjikisht dhe kombëtarisht, sepse rezultatet shkencore nuk pajtohen me idenë evrocentriste dhe prishin imazhin se shqiptarët të gjithë ishin katolikë.
[49] G. B. Pellegrini, “Italijansko-balkanske podudarnosti u elementima orijentalnog porekla”, Prilozi za knjizevnost, jezik, istoriju i folklor, 1969, Libri XXXV, vëll. 1-2, fq. 56-76, cituar sipas: Rade Bozovic, “Arapi u usmenoj narodnoj pesmi na srpskohrvatskom jezi~kom podru~ju”, izd. Filoloski Fakultet u Beogradu, Beograd, 1977, fq. 144.
[50] Ibid., fq. 175.
[51] “Enciklopedija Jugoslavije”, Zagreb, MCMLIX, fq. 182; Pomorska enciklopedija, Zagreb, MCMLIV, fq. 182, cituar sipas: R. Bozovic op. cit., fq. 179; Muhamed Hadzijahic, op. cit., fq. 21; R. Bozovic, op. cit., fq. 179; Filip Hiti, “Istorija Arapa od najstarijih vremena do danas”, bot. II fototip, Sarajevo, 1985.
[52] Grup autorësh, “Historia e popullit shqiptar”, I, op. cit., fq. 148-149; Krahaso: Miroslav Brandt, “Srednjovjekovno doba povijesnog razvitka”, I, Zagreb, 1980, fq. 559.
[53] R. Bozovic, op. cit., q. 183.
[54] Shih: M. Hadzijahic, op. cit., fq. 26.
[55] Fr. Racki, op. cit., fq. 350-351; cituar sipas: Mehmed Handzic, “Islamizacija Bosne i Hercegovine i poreklo bosansko-hercegova~kih muslimana”, Sarajevo, 1940, fq. 14. Po ashtu shih: R. Janin, “Les Turces Vardariates, Echos d’Orient, XXIX”, 1930; p. 437-449, cituar sipas: M. Hadzijahic, op. cit., fq. 24; Jovan Hazhi-Vasiljevic, “Muslimani nase krvi u Juznoj Srbiji”, II izd., Beograd, 1924, fq. 3; tafel, De Thessalonica Barolini, 1839, 79, sipas: Mehmed Handzic, op. cit., fq. 14.
[56] Skënder Rizaj, op. cit., fq. 421.
[57] Shaban Demiraj, “Gjuhësi ballkanike”, 1994, fq. 194.
[58] Stephan Hill, “Aspekte të Shqipërisë mesjetare para pushtimit turk”, “Bujku” - e përditshme e dt. 19.05.1995, Prishtinë, fq. 13.
[59] Gjerësisht: Muhamet Tërnava, “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV - XVI”, Prishtinë, 1995, fq. 20; S. Hill, op. cit., fq. 13.
[60] Christe Schug - Wille, op. cit., fq. 11.
[61] Citati në origjinal sipas; Muhamed Hadzijahic, op. cit., fq. 22. Kjo shkresë gjendet në kreun CIII të letrës së njohur të Papës Nikolla I (858-867) me titullin “Responsa Nicolai I Papae ed consulta Bulgarorum”.
[62] Franjo Ra~ki, “Bogumilstvo i patarenstvo”, fq. 350, cituar sipas: Mehmed Handzic, op. cit., fq. 13.
[63] Cituar sipas: Mehmed Handzic, op. cit., fq. 13.
[64] V. Klaic, “Povijest Bosne”, fq. 347, cituar sipas: Mehmed Handzic, op. cit., fq. 14. Për këtë shih edhe: Vladimir Mazuranic, “Melek ‘Jasa Dubrov~anin’ u Indiji, 148-1528 i njegovi prethodnici u Islamu prije deset stolje~a”, Zbornik kralja Tomislava, Zagreb, 1925, fq. 281, sipas. R. Bozovic, op. cit., fq. 178.
[65] Muhamed Hadzijahic, op. cit., fq. 21-22.
[66] Christe Schug - Wille, op. cit., fq. 11.
[67] Pamjatniki literatury dreonci rusi: XI na~elo XIII, fq. 123-125, cituar sipas; Shkëlzen Maliqi, op. cit., fq. 20-21, fusnota 3.