Si po e shkruajmë gegërishten

Nga ana tjetër, gegërishtja letrare ende nuk mësohet gjëkundi në shkollë, prandaj ata që e përdorin detyrohen ta normëzojnë ligjërimin e tyre duke zgjedhur e përshtatur modele në pajtim me bindjet dhe shijet e tyre kulturore ose edhe politike. Për shumë lexues shqiptarë të sotëm trajtat e shkruara të gegërishtes evokojnë sado tërthorazi traditën e shkodranishtes katolike, ndonëse shqipja ka njohur edhe tradita të tjera, si kosovarishten ose elbasanishten. Të
orientohesh midis fillesave të ndryshme të gegërishtes së shkruar nuk po duket e lehtë as për gegët vetë; prandaj akti i të shkruarit gegërisht vetvetiu parakupton e kërkon njohje të mirë të letrarishtes, të dialektit e të standardit dhe ka natyrë elitare.
Po t'u hedhësh një sy orvatjeve të ndryshme që bëhen sot për ta sjellë gegërishten me shkrim, nuk mund të mos vësh re një laryshi normative marramendëse, e cila herë i detyrohet improvizimit ose tradhton padijen e shkruesve, herë qëllimisht kërkon të sabotojë disiplinën pothuajse ushtarake të standardit të 1972-shit. Kjo nuk varet gjithnjë nga laryshia e modeleve për t'u ndjekur, sepse ndonjëherë përcaktohet edhe nga çka kërkojnë të arrijnë shkruesit, ose nga mënyra si po duan ta pasqyrojnë veten e tyre në ligjërim. Që këtej, ka interes të shihen më nga afër dallesat midis këtyre trajtave të reja të ligjëratës së shkruar gegërishte.

1. Fotografizmi

Fotografizmi ka të bëjë me tejshkrimin e formave të folura të dialektit dhe ndeshet kryesisht në kontekste të pambikqyrura e ku norma nuk zbatohet rreptë, si në forumet e Internetit. Kur dikush shkruan:
Pasi u parashiku që xxxxxx.com osht si ni security group e shqiptarve edhe e pash që kërkuj s'ja nijti me hyj e me shkru e s'um nejti zemra rahat, edhe prap hyna me e fillu ni tem diskutimi n'lidhje me security. Tash kisha dasht me jau shpjegu me pika t'shkurta se qka do me thon security, edhe qysh m'u mbrojt apo me e diktu kur najkush osht i hyjmë ne sistemin tuaj, dhe ben dem nga sistemi juaj!
Kjo nuk duhet marrë si ndonjë gjest a orvatje e arsyetuar për t'ia rikthyer gegërishten e shkruar kulturës shqipe; por më tepër si formë e shkeljes pak a shumë të vullnetshme të normës, në emër të shprehjes së lirshme, familjaritetit ose informalitetit. Siç mund të pritej, ajo praktikohet më tepër nga meshkuj të moshave të reja dhe duket se ndikohet nga e folmja e rrugës në qytetet e mëdha (Tiranës, Prishtinës).
Shembullin si ligjërata qytetëse e paretushuar mund të shfrytëzohet për qëllime stilistike të mirëfillta e sjell grupi prishtinas i "Rrotës", që po ia dhuron lexuesit stripe komike si Spider-Man e Alan Ford të shqipëruara në kosovarishte të lirshme, por korrekte dhe jovulgare, çka duket edhe nga paragrafi në vijim:
Pa pritë e pa kujtu' duel edhe X-Men #4-5 n'mahallë. Qebesa ky fakt na ka befasu edhe neve njisoj si edhe juve sepse kemi pritë që gjatë verës ka me kapë zhegi krejt mahallën e mos me pasë kurrfarë disponimi tjetër, pos me lypë mrizin ma t'afërm për me chillitë.


2. Tradicionalizmi

Disa pak autorë të mësuar, si At Zef Pllumi e Primo Shllaku, praktikojnë një gegërishte e cila mbështetet gjerësisht në traditën shkodrane të këtij varianti letrar. Citoj nga një artikull i Ardian Ndrecës, i cili edhe i përket një brezi më të ri se të parët:
Sot mâ shumë se kurrë Luigj Gurakuqi ishte dashtë me i mësue diçka të gjithë shqiptarëve, por mâ fort e mâ atyne që duhet të ndiejshin paksa përgjegjsi përpara kombit e s'kanë përgjegjsi – si thonte Gj. Fishta – "msa kanë telat e telegrafit për fjalët që përshkohen ndër to".
Gegërishtja e Ndrecës jo vetëm i ka tiparet standard të gegërishtes – paskajoren e tipit me punue dhe trajta të tipit atyne (të cilat janë rotacizuar në toskërishte) – por njëkohësisht shenjohet nëpërmjet disa zgjidhjeve drejtshkrimore të posaçme si mâ, âsht e të tjera forma të cilat shenjojnë e përcjellin një traditë të spikatur.
Disi tjetërlloj paraqitet gegërishtja e praktikuar prej Migjen Kelmendit, një autor nga Kosova që kohët e fundit ka qenë protagonist i debateve rreth standardit dhe shqipes së njësuar. Ja një copëz e ligjëratës së Kelmendit:
Standardi '72 ka mbetë gjuhë kamuflimi e maskë e njerëzve pa identitet, njerëzve t'ardhun frik në qytete. Ka mbetë gjuhë e mihrijave, shefkijave… "pevaçicave" e politikave të cilët mendojnë se tue folë n'standard nuk shifet se kush janë e prej nga janë. Ata që kanë vetrespekt, që janë t'kulturuem, nuk mujnë me ba ma aso transformime që i bajnë artificialë, joautentikë, që i bajnë me u ndie se nuk janë ata vetë.
Edhe Kelmendi në krijimtarinë e vet e ndjek traditën me konsistencë të shënueshme, por gegërishtja e tij dallon ajo e shkollës shkodrane, si më pak elitiste e më e afërt me ligjëratën bisedore. Nëse gegërishtja filologjike e Pllumit, Shllakut e Ndrecës synon ta plotësojë standardin me një përmasë të nevojshme por vetvetiu të kufizuar dhe erudite, ajo e Kelmendit sikur kërkon ta sfidojë ballazi – çka pajtohet edhe me qëndrimet që ky i fundit i ka shprehur haptazi, në lidhje me format e shqipes që duhet përdorur zyrtarisht në Kosovë dhe me vetë statusin e mëvetësishëm të shqipes kosovare.


3. Kampionimi

Të tjerë autorë, gjithashtu me prejardhje gege por më të përfshirë në prodhimtarinë kulturore që i bashkëlidhet shqipes zyrtare, duan t'ia afrojnë gegërishten sferës së standardit nëpërmjet një taktike tjetër: kampionimit. Në thelb, kampionimi realizohet duke ndërfutur e promovuar forma përfaqësimtare të gegërishtes në tekste që përndryshe u binden normave të standardit. Këto forma mund të jenë fjalë të rralla të gegërishtes, ose trajta gramatikore e fonetike jostandard të cilat autorët i gjejnë të domosdoshme e të pazëvendësueshme. Tipik është përdorimi i paskajores gege nga Mehmet Elezi:
Jam kundër teorisë që kërkon me i përcaktue prej fillimit të gjitha rregullat e drejtshkrimit të shqipes. Ndreqjet nuk mund të bëhen duke përsëritur politikat që e çuan gjuhën dhe qenien tonë në buzë të greminës…
Paskajorja gege në ligjëratën e shkruar të Elezit është gjithnjë simbolike, sepse autori nuk synon t'ia japë menjëherë atributet që ajo ka brenda gegërishtes letrare; por vetëm ta kampionojë, duke ia dhënë lexuesit, si të thuash, me kafshata të vogla. Nëse ky eksperiment do të ketë sukses apo jo, është ende herët të thuhet; një formë e tillë kaq themelore sa paskajorja gege nuk mund të futet në strukturat e gjuhës mekanikisht; pse gegërishtja dhe standardi dallojnë mes tyre jo vetëm në përdorimin e paskajores, përkatësisht lidhores (kërkon me i përcaktue/kërkon t'i përcaktojë), por edhe në morfologjinë e ndërtimit të pjesores së foljeve (përcaktue/përcaktuar). Nga ana tjetër, standardi edhe në të kaluarën ka bërë të vetat trajta të gegërishtes letrare, të tilla si grupi ue në mbiemrat e tipit i kushtueshëm, i përballueshëm, etj.; sikurse ka treguar se është në gjendje të pasurohet me prurje specifike të leksikut geg.


4. Graffiti

Ka edhe shkrues që e përdorin gegërishten thjesht për të shenjuar territorin e për të tërhequr vëmendjen ndaj vetes, ose pozicionimit të tyre në favor të kulturës gegërishte, si alternativë e kulturës zyrtare. Në penën e tyre, trajtat gege shndërrohen në armë të luftës politike e ndonjëherë edhe të vanitetit; sidomos kur ata vetë nuk janë në gjendje ta shkruajnë e ndoshta edhe ta flasin mirë variantin letrar që kanë adoptuar, sepse nuk kanë as kohë (e ndoshta këllqe) ta përvetësojnë, as respekt për ata ndriçimtarë që ia kanë njësuar format.
Citoj njërin prej tyre, duke e lënë anonim, sa kohë që gjuhësisht përfaqëson pakgjë përtej vetvetes: Tre artistë shqiptarë që punojnë sot në vende të ndryshme të botës u morën për muaj me radhë me një aktivitet nga i cili nuk do të përfitonin asgja, ata donin vetëm për me kontribue në prezantimin e vendit të tyne në mënyrë sa ma të mirë dhe në vend të mbështetjes morën shkopinj në rrota deri në shkatërrimin e projektit […] Mandej kuptohet se sa boshe tingëllojnë deklaratat e udhëheqësve tanë për të ashtuquajtunin 'thithje të trurit'. Një tentativë për me ofrue një kontribut të sinqertë e të kualifikuem u shkatërrue pikërisht nga institucioni që ma shumë se kushdo duhet të ofrojë mirëkuptim ndaj çdo lloj kontributi të tillë.
Duket se ky shkrues rreh ta zëvendësojë standardin me diçka tjetër, por nuk arrin, ndoshta sepse nuk mundet. Përdor lirisht forma më ue të gegërishtes, si kontribue, ofrue, kualifikuem, shkatërrue; por krahas tyre edhe forma më ua të standardit, si muaj, ashtuquajtun. Teksteve të tilla, ligjërimisht të shëmtuara, u përshtatet për bukuri cilësimi i Fishtës "gjuhë mushku", meqë shembëllzojnë si katandiset ligjërimi, kur përdoret si bajrak ambicjesh dhe rivendikimesh krahinore. Në rrethanat kur veprat e autorëve klasikë të gegërishtes letrare, si Fishta, Mjedja, Koliqi e Camaj, gjenden lehtë së paku në bibliotekat; dhe kur autorë gegë të respektueshëm ndaj dinjitetit të shqipes së shkruar po tregojnë se është e mundshme të shkruhet gegërishtja bukur edhe krahas ose përkarshi standardit, tekste hibride si i mësipërmi janë llangosje kozmetike që e fyejnë publikun.
Gegërishtja sot shkruhet në forma të ndryshme e sipas kriteresh e kredosh të ndryshme, të cilat në tërësi dëshmojnë se jo të gjithë shqiptarët munden ose duan ta bëjnë të vetën disiplinën e standardit gjuhësor të sotëm. Megjithatë, është ende herët të thuhet nëse shqipja letrare e shekullit XXI e ka të garantuar rekuperimin e traditës gegërishte, sa kohë që kësaj tradite i mungon një letërsi dhe kulturë e mirëfilltë, e krijuar rishtas. Orvatjet e autorëve të mësipërm, madje edhe më të përgatiturve filologjikisht prej tyre, tregojnë më tepër çka mund të bëhet me gegërishten, sesa janë në vetvete arritje të konsoliduara; përndryshe, e ardhmja nuk varet nga dëshirat e mira të askujt.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme