NDIKIMI I TRASHËGIMISË GREKE TE MYSLIMANËT

Abstrakt

Punimi trajton çështjen e kontakteve, fërkimeve dhe ndikimeve të ndërsjella greko-myslimane dhe përpjekjet perëndimore për zhvlerësimin e kontributit mysliman në trashëgiminë e përbashkët botërore. Pretendimet e perëndimorëve kundrejt krijuesve myslimanë shkonin deri në masën që myslimanët nuk vlerësoheshin me shumë se përkthyes dhe imitues të verbër. Mirëpo, studimet praktike në filozofi, art, letërsi artistike e të tjera tregojnë se myslimanët me ndjeshmëri të lartë bënë dallimin mes të mirës dhe të keqes, përvetësuan atë që lejohej dhe refuzuan atë që refuzohej, përkatësisht synuan veprën por jo personalitetin dhe në këtë mënyrë me sukses shmangën antropomorfizmin grek te myslimanët.

 

Fjalët kyçe: Islam, ndikim, trashëgimi, grek, filozofi, art 

 

 

Hyrje

 Studimet greko-myslimane edhe pse gjatë historisë janë trajtuar, megjithatë nuk janë në shkallë të kënaqshme. Sidomos në kohën bashkëkohore ka rënë niveli i studimeve objektive. Janë bërë studime të pjesshme, të njëanshme, por jo gjithëpërfshirëse, çfarë e meriton kjo temë qysh moti. Disi, studimet objektive kanë ngecur në nivelin e kohës mesjetare të kolosëve filozofikë, Kindiut, Farabiut, Ibn Sinait, Ibn Rushdit etj. Studimet e mëvonshme vetëm pjesërisht kanë trajtuar trashëgiminë greke. Edhe evropianët, e sidomos grekët, nuk kanë bërë ndonjë hap përpara. Synimet e tyre në vazhdimësi ka qenë mohimi i kontributit origjinal mysliman, gjegjësisht rrëgjimi i kontributit të tyre në transmetues e përkthyes. Ky injorim ka nxitur pakënaqësi dhe ‘inate’ të ndryshme, e në dëm të historisë reale, objektive.[1]

Synimi i shkrimit tonë nuk është të përmirësojë këtë gjendje, sepse kjo do të kërkonte përgatitje më solide dhe një grup njerëzish kompetentë. Synimi ynë është të jep shenjë në sasinë dhe cilësinë e ndikimit, duke prekur konkretisht ndonjë prej fushave, sikur artin, arkitekturën, por jo edhe filozofinë, historinë, kulturën etj., sepse larg do të na çonte çdo ndalje.

 

 Shqyrtime paraprake

 Në vitin 336 p.e.r. Aleksandri i Madh erdhi në pushtet. Meqë ishte ushtarak i madh, shumë shpejt filloi shtrirjen e shtetit të tij në botën e atëhershme. Mirëpo, vdekja e hershme e Aleksandrit në vitin 323 p.r.e. bëri që Perandoria e tij të ndahet në tri mbretëri: ptolomeiane, seleukidite dhe maqedone. Secili nga këto shtete kishte qytete të fuqishme me shoqëri të llojllojshme. Shtrirja e këtyre shteteve do të thoshte njëkohësisht edhe shtrirjen e ndikimit të kulturës greke në këto shtete. Mirëpo, meqë shumica e popullsisë ishte ndryshe, edhe grekët pësuan ndikime të caktuara.

Në qendrat kryesore të tyre u hapën disa institucione arsimore, të cilat ndikuan në shtrirjen edhe të shkencës e kulturës dhe në zhvillimin e artit, letërsisë, arkitekturës dhe formave të tjera. Me grekët kemi edhe mendimin analitik, sipas shkencëtarëve, kjo nuk dihet më herët që ka ekzistuar. Kulturës dhe artit grek i kontribuan edhe luftërat e shumta, por edhe udhëtimet dhe tregtia e gjallë. Në këtë mënyrë kemi një ndikim të ndërsjellë dhe një zhvillim që do të mbahet mend me shekuj.[2]

Mirëpo, shtrirja e kulturës heleniste në territoret që i pushtoi Aleksandri ishte sipërfaqësore dhe e kufizuar nga popullata urbane. Sipas Filip Hitit, popullsia rurale ishte e vetëdijshme për dallimin kulturor dhe racor me pushtuesit.[3] Ai shton duke thënë se helenizmi krahas shtrirjes ushtarake ka ndikuar edhe në formimin e kulturës së atyre vendeve në Lindje. Retorika, filozofia dhe e drejta greke kishin ndikim në qendrat e mëdha, sikurse edhe gjuha greke, duke u bërë pjesë përbërëse e paganizmit grek përgjatë Lindjes së Afërt.

Disa shekuj më vonë, në kufij të grekëve u paraqit Islami, i cili nuk bënë pjesë në fetë pagane, që zë fill në traditën gojore, por bënë pjesë në fetë e shkrimit, të librit, që e radhitë në mesin e hebraizmit dhe krishterizmit. Dallim tjetër nga fetë pagane është se kjo fe urdhëron besimin në një Zot, duke mohuar idhujtarinë e shtrirë në këto vende. Një autor paraqitjen e Islamit dhe fundin e romakëve e përshkroi kështu: “Pushtimet arabe të Sirisë, Egjiptit, Afrikës veriore, e pastaj Spanjës jugore dhe Sicilisë shënuan fundin e botës antike romake. Këtë askush para tyre nuk arriti ta bëjë. Deti Mesdhe më nuk ishte liqen romak.”[4]

Në pikëpamje kronologjike Islami është feja më e re ndër fetë qiellore (edjan’us-semavij) dhe e dyta sipas numrit aktual të besimtarëve (mbi 1.5 miliardë banorë janë myslimanë) janë feja e dytë në botë. Përhapja e fesë në Lindje ndodhi shpejt, duke u shtrirë deri në fund të Azisë së mesme dhe deri në kufijtë verior të Indisë. Këtë shtrirje të suksesshme e mundësuan sidomos dy faktorë: organizimi i mirë mysliman dhe helenizimi sipërfaqësor i Lindjes së Afërme. Brenda 100 viteve të para myslimanët morën një pjesë të ndijshme të Bizantit, Perandorinë persiane dhe në drejtim të Perëndimit arritën deri në Poatje, afër Parisit.[5]

Myslimanët, sikurse edhe hebrenjtë dhe kristianët, prejardhjen e kanë një, monoteiste, ibrahimiane. Ata besojnë në një Zot kurse Ibrahimin e pranojnë për stërgjysh. Ibrahimi a.s. ka rëndësi të madhe në Kur’an, sepse ai është, sikurse edhe Muhammedi, i dërguar i Zotit. Gjithashtu, emri i tij lidhet me Qabenë, vend i shenjtë për të gjithë myslimanët. Kur’ani thekson se Ibrahimi nuk ishte hebrej as kristian, por bashkë me Mojsiun dhe Isain është një ndër të dërguarit e Zotit. Ai është edhe babai i Ismailit dhe njëherit kundërshtar i rreptë i idhujve.

 

Kontaktet greko-myslimane dhe ndikimet e mundshme

 Muhammedi a.s. e formoi shtetin, në të cilin rolin e udhëheqësit botëror dhe fetar e kishte vetë ai. Pas vdekjes së tij, në vitin 632 e pas, kishte edhe pakënaqësi rreth përcaktimit të trashëgimtarit të shtetit islam. Edhe një pakënaqësi ekzistonte në ndërkohë, e kjo ishte dominimi gjithnjë e më i madh i dimensionit politik në dëm të atij fetar. Shumica sunite mendon se Muhammedi a.s. nuk ka lënë pasardhës. Ata mendojnë se halifi duhet të bëhet lideri politik i bashkësisë, pa synim për ta zënë vendin e Pejgamberit. Mirëpo, shi’itët mendojnë se udhëheqja e shtetit duhet të mbetet brenda familjes së Muhammedit a.s. në kuptimin lider fetaro-politik, përkatësisht, halif/imam duhet të mbetet pasardhësi i Muhammedit a.s., Aliu r.a., kushëriri dhe dhëndri i tij. Çdo halif kishte për detyrë ta përhap fenë dhe të kujdeset që shteti të zbatojë rregullat fetare. Çdo përhapje territoriale e fesë domethënë futjen brenda shtetit mysliman të popujve, kulturave, gjuhëve dhe besimeve të ndryshme. Varësisht nga drejtimi, myslimanët takoheshin më “të tjerët”, jomyslimanët, në perëndim me kulturën bizantine, ne lindje me kulturën sasanidase dhe me kulturën helene që ishte i pranishëm në Egjipt, Siri etj. U analizuan shumë vepra të shkruara por edhe arkitekturore, miniatura, duke iu bërë shpjegime fragmentare, sepse shpjegime të plota në doktrinën islame nuk ekzistojnë, sepse kjo do të nënkuptonte përkryeshmërinë, e përkryeshmëria i përket vetëm Krijuesit.[6]

Meqë Kur’ani është fjalë e Zotit në gjuhën arabe, rëndësia e alfabetit arab ishte e madhe në art e letërsi. E tërë kjo është zhvilluar duke i pasur parasysh ndalesat në Islam rreth artit, sikurse zhvillimi i shkrimit (kaligrafisë) e jo imazheve (skultura). Roli i persianëve në këtë angazhim është i pavlerësueshëm, sepse kultura, arti, letërsia dhe filozofia kanë qenë në shkallë të lartë të zhvillimit qytetërues. Disa hulumtues mendojnë se helenizmi ka luajtur rol të rëndësishëm duke ndihmuar arabët në gjetjen e kuptimit të identitetit vetjak nacional, sidomos pas fillimit të përkthimit të literaturës së nevojshme nga greqishtja në arabisht.[7]

Arabishtja si gjuhë e të gjithëve, fetare dhe politike, sidomos lehtësoi mundësitë e komunikimit. Në art, këtë gjë e kryente kaligrafia arabe, njëra ndër format më të përhapura dhe më autentike të artit mysliman.

Ndikimi grek vërehet edhe në kohën e emevitëve.[8] Kjo dëshmohet edhe nga papirusi me alfabetin grek, i gjetur në qytetin Nessan në shkretëtirën e Negev (ar. Nakab) në vitin 685. Kemi edhe disa dokumente të kësaj kohe në gjuhën greke dhe arabe.

 Shkrim kaligrafik

 Kur’ani ka qëndrim negativ për idhujt dhe çdo paraqitje figurative në fe është shkelje fetare. Si rezultat i kësaj ndalese, kemi vijat dekorative në fazën e hershme islame të artit islam. Kjo ishte luftë kundër antropomorfizmit të helenizuar, sepse në Islam synohet vepra e Pejgamberit dhe jo personaliteti i tij.[9] Këtë e ka shprehur deri diku edhe historiani Karl Grimberg: “Arabët i zbatuan njohuritë matematike po kaq mirë si në astronomi e fizikë, po ashtu edhe në jetën praktike. Në arkitekturën dhe artin dekorativ, në motivet e zbukuruara me bimët dhe arabeskat, konturet, vijat e të cilave duken sikur duan të ndjekin njëra-tjetrën, u shfaqen prirjet e tyre përveçuese për të zgjidhur problemet estetike të zbukurimit me rrugë gjeometrike…”.[10]

Shoqëria islame në rritje e sipër kishte nevojë për ndërtime dhe zhvillime të tjera. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që këto ndërtime, edhe të ndikuara, të jenë më të varfra se tempujt paganë dhe kishat kristiane, e madje të jenë nën hijen e Bizantit.[11]

Ndër realizimet më të hershme arkitektonike të sunduesve myslimanë që u vendosën në Palestinë dhe Siri, ka qenë një stil ndërtimi jo i shpeshtë, kështjella shkretinore.[12] Këto shërbenin për nevoja ushtarake, civile, punëtori etj. Me kalimin e kohës, këto objekte i janë përshtatur nevojave të shoqërisë së re myslimane. Këtë mund ta shohim sidomos në pavijoni me banjo në pallatin Kasr Amra (قصر عمرة ) (724-743) në shkretëtirën e Jordanisë.[13] Ky pallat ndër të tjera synonte të tregojë fuqinë e halifit, por kjo është bërë në mënyrë antike dhe bizantine.[14]

Dekori i pallatit, imazhet në të, nuk ishin në përputhje me rregullat fetare islame, por kishin mbetur si të tilla, më tepër të toleruara por jo të ndikuara. Kemi edhe ngjashmëri të tjera, sikurse në qytetin Fav, në qendër të mbretërisë së njohur Kind, që kishte ndikime greko-romake, me elemente lokale. Mirëpo, mozaiku nuk pati përdorim të gjatë, sepse ai u zëvendësua me motive tjera dhe mjete tjera.[15]

 Kubeja e Shkëmbit në Jerusalem (687-691), Xhamia e Madhe Emevite në Damask (705-715) dhe Xhamia e Madhe në Kordobë (785-987) janë shembulli më i mirë i aplikimit të mozaikut, i cili në një mënyrë reflektonte ndikimin kristian në art. Kopshtet e bukura, urat dhe pelgjet me peshqë, janë motive myslimane të parajsës.[16] Ndikimin kristian në Kubenë e Shkëmbit e pohon edhe Katarina Oto-Dorn në bazë të ekzistimit të transepteve dhe elementeve të tjera.[17] Madje ajo pohon se në arkitekturën emevite ka edhe elemente kristiane, persiane dhe të Lindjes së vjetër.[18] Përkundër ndikimeve, David Talbot Rice thekson se arti i hershëm mysliman në Siri është origjinal, sepse thekson dallimet karakteristike edhe në Kubenë e Shkëmbit dhe në objekte të tjera.[19]

 Zbulimi i kishës në vendin Umm er-Rresas ( أم الرّصاص‎) në Jordani, në vitin 1986, solli të dhëna të reja, se kisha nuk i përket kohës emevite por abasite,[20] por shënimet janë në gjuhën greke dhe paraqesin traditat më reprezentative greke të lashta disa shekuj. Kjo tregon se helenizmi ka pasur ndikim edhe në këto troje[21] dhe mbi këtë helenizëm lokal është bërë superstruktura e mëvonshme lokale.

Ndikime vërejmë edhe në arkitekturën ballkanike, madje në disa xhami monumentale në Bosnjë, Kosovë, Maqedoni etj., por ky ndikim është kufizuar vetëm në zgjidhje konstruktive, jo edhe hapësinore, sepse doktrinat fetare kanë determinuar hollësitë e tjera.[22]

 

Përfundim

 Ndikimet janë gjë e domosdoshme në komunikimin njerëzor, politik, ushtarak, ekonomik e kulturor.             Vetvetiu ndikimi nuk është i keq apo i mirë. Në këtë aspekt duhet shikuar edhe ndikimet e huaja mbi trashëgiminë myslimane. Ata kanë ndodhur por jo pakufishëm siç është pretenduar. Filozofët, artistët, letrarët kanë analizuar me vëmendje çdo ardhje, futje të huaj apo çdo të vlerë vendore që është takuar pas hyrjes së vendeve të tjera në kuadër të halifatit islam. Gjërat që janë kundërshtuar nga mësimet islame ose janë përshtatur ose janë hedhur poshtë. Periudha emevite, analizuar në përgjithësi, mund të karakterizohet si periudha e hershme, arkaike e artit islam, herë-herë eklektike, më shumë islame sesa heleniste, kurse periudha abbasite si periudha klasike, si periudha e perfeksionit artistik, e dominimit të elementeve të reja kundrejt elementeve krahinore, në të cilin janë harmonizuar në maksimum synimet dhe format artistike, përkatësisht dëshirat artistike janë në pajtim me mundësitë artistike.

 

LITERATURA

  1. Arapsko-islamski uticaj na evropsku renesansu, (Grup autorësh), Sarajevë, 1987.

  2. Bizant i svijet islama, Rijeka, 1978.

  3. David Talbot Rice, Islamska umetnost, Beograd, 1968, fq. 11-13.

  4. Edward W. Said, Orientalizmi – Koncepte perëndimore për Orientin, Shkup, 2009.

  5. Filip Hiti, Istorija arapa od najranijih vremena do danas, botimi II fototipi, Sarajevë, 1988.

  6. Grup autorësh, Arapsko-islamski uticaj na evropsku renesansu, Sarajevë, 1987.

  7. http://en.wikipedia.org/wiki/Qasr_Amra.

  8. http://www.google.com/#q=i+Islam+%E2%80%93+od+sukoba+do+dijaloga%E2%80%9D%2C+Branka+Pani%C4%87%2C.

  9. http://www.ibn-sina.net/bs/component/content/article/1524-arabeska-tradicionalna-forma-islamske-umjetnosti-izmeu-interpretacije-i-devijacije.html.

  10. Husref Redžić, Islamska umjetnost, Beograd – Zagreb – Mostar, 1982.

  11. Karl Grimberg, Historia botërore fhe qytetërimi, vëllimi 4, Tiranë, 2004.

  12. Katarina Oto-Dorn, Islamska umetnost, Novi Sad, 1971.

  13. Oksfordska istorija rimskog sveta, Beograd, 1999.

  14. Prilozi za orinetalnu filozogiju, XXIV, 1973, Sarajevë, 1976.

  15. Rozhe Garodi, Islami dhe kultura, Sarajevë, 1421 h./ 1991.

  16. Titus Burchkardt, Arti i Islamit, Shkup, 2012.

  17. Zagorka Janc, Islamska minijatura, Beograd – Zagreb – Mostar, 1985.

8.      http://en.wikipedia.org/wiki/Umm_ar-Rasas.

   

Impact of Greek Heritage on Muslims!

 Summary

 Impacts are a historical necessity in many areas: in human communication, political, military, economic and cultural areas. Impact itself is not bad or good. In this aspect should also look at foreign influences on Muslim heritage, which have been incurred but not limitlessly as claimed. Philosophers, artists, authors have carefully analyzed every foreign idea or any local value that was met after the entry of other countries under Islamic rule. Worldviews that were rejected by Islamic teachings either were adapted or were denied. Umayyad period, analyzed in general, can be characterized as the period of early, archaic Islamic art, at times eclectic, more Islamic than Hellenistic, whereas Abbasid period as the classical period, the period of artistic perfection, the dominance of new elements against regional elements, in which intentions and artistic forms are harmonized to the maximum, namely artistic desires are in accordance with artistic possibilities.

 Keywords: Islam, impact, legacy, Greek, philosophy, art

 

 [1] Gjerësisht për keqkuptimet ndaj muslimanëve, gjenezën e problemit, faktorët dhe mjetet për aplikimin e keqkuptimeve shih: Edward W. Said, Orientalizmi – Koncepte perëndimore për Orientin, Shkup, 2009.

[2]Karl Grimberg, Historia botërore dhe qytetërimi, vëllimi 4, Tiranë, 2004, fq. 48 e tutje.

[3] Filip Hiti, Istorija arapa od najranijih vremena do danas, botimi II fototip, Sarajevë, 1988.

[4] Henri Čadvik, Epilog: Na rastanku sa antichi svetom, në: Oksfordska istorija rimskog sveta, Beograd, 1999, fq. 449.

[5]Rozhe Garodi, Islami dhe kultura, Sarajevë, 1421 h./ 1991, fq. 13. Për ndikimet e ndërsjella shih: Grup autorësh, Arapsko-islamski uticaj na evropsku renesansu, Sarajevë, 1987.

[6] Shih për artin islam dhe arabeskën: Amra Hadžihasanović, Arabeska, tradicionalna forma islamske umjetnosti između interpretacije i devijacije, në: http://www.ibn-sina.net/bs/component/content/article/1524-arabeska-tradicionalna-forma-islamske-umjetnosti-izmeu-interpretacije-i-devijacije.html.

[7]Zbornik beogradske otvorene škole, radovi studenata generacije 2005/06. Filozofski fakultet, “Zapad i Islam – od sukoba do dijaloga”, Branka Panić, ose:http://www.google.com/#q=i+Islam+%E2%80%93+od+sukoba+do+dijaloga%E2%80%9D%2C+Branka+Pani%C4%87%2C.

[7] Qasr al-Amra, sipashttp://en.wikipedia.org/wiki/Qasr_Amra.

[8] Titus Burchkardt, Arti i Islamit, Shkup, 2012, fq. 13-18.

[9]Zbornik beogradske otvorene škole, po aty.

[10]Karl Grimberg, po aty, fq. 49.

[11] Husref Redžić, Razlike izmedju omajadske i abasidke umjetnosti, në: Simpozij o arapsko-islamskoj kulturi, Sarajevë, 18-19. 05. 1972, në: Prilozi za orinetalnu filozogiju, XXIV, 1973, Sarajevë, 1976, fq. 69.

[12] Për objekte të këtij lloji lexo:  Carel J. Du Ry, Islamski svijet, në: Bizant i svijet islama, Rijeka, 1978, fq. 25-26.

[13] Qasr al-Amra, sipas:http://en.wikipedia.org/wiki/Qasr_Amra.

[14] Sipas: Husref Redžić, Razlike, po aty, fq. 71.

[15]Zbornik beogradske otvorene škole, po aty. Shih ndikimin në art: Zagorka Janc, Islamska miniatura, Beograd – Zagreb – Mostar, pa vit botimi, fq. 31 e tutje.

[16] Titus Burchkardt, Arti i Islamit, Shkup, 2012, fq. 8-13.

[17] Sipas: Husref Redžić, Razlike, po aty, fq. 70.

[18] Sipas: Katarina Oto-Dorn, Islamska umetnost, Novi Sad, 1971, fq. 64.

[19]Sipas: David Talbot Rice, Islamska umetnost, Beograd, 1968, fq. 11-13.

[20]Umm ar-Rasas, në:  http://en.wikipedia.org/wiki/Umm_ar-Rasas.

[21] Grup autorësh, Arapsko-islamski uticaj na evropsku renesansu, Sarajevë, 1987.

[22] Shih shpjegime profesionale të këtyre dallimeve: Husref Redžić, Islamska umjetnost, Beograd – Zagreb – Mostar, 1982, fq. 38-53.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme