“Dhe thuaj: “Punoni! Se All-llahu do ta shoh punën tuaj, por edhe Pejgamberi i Tij, edhe besimtarët. Dhe ju do të ktheheni te Ai i cili e di të padukshmen dhe të dukshmen, prandaj, do t’ju informoj se çfarë keni punuar.” (Teube, 105).
Të dashur xhemat, sot është një maji, që njihet ndryshe edhe si dita ndërkombëtare e punës.
Vëllezër e motra, ne jetojmë në një vend ku puna zë vendin e parë në jetë, dhe si e tillë shihet edhe si rasti më i mirë për të fituar dinarin e jetës. Por, vallë, a mjafton të punojmë vetëm për të fituar, apo se puna ka edhe dimensione të tjera? Sipas Fesë islame, Allahu xh.sh., tokën e bëri të shtruar për njeriun, kurse njeriun e krijoi të tillë që të mund të lëviz, të punojë dhe të jetë aktiv në jetë. Feja jonë e bukur i kushton kujdes të veçantë punës dhe punëtorëve.
Është kënaqësi e veçantë tek lexojmë jetën e Pejgamberit a.s., dhe kur shohim se si ai puth dorën e një punëtori. Tregohet se pas kthimit të Pejgamberit a.s, nga lufta e Tebukut, Sead Ensariu doli në pritje të tij dhe ia kapi duart Muhammedit a.s. Pejgamberi i Allahut e kuptoi se duart e Ensarit ishin të thata dhe e pyeti se pse i ka duart e plasura dhe të thata. Njeriu tha: “Punojë me kazmë dhe lopatë për të mbuluar shpenzimet e familjes.” Pejgamberi a.s., ia puthi atij dorën dhe i tha këto fjalë:“Kjo është dora të cilën nuk e djeg zjarri i xhehennemit.” Në një rast tjetër, ai i bekuar, s.a.v.s., pati porositur: “Mëkatet që njeriu bën në këtë jetë janë të llojllojshme, të mëdha e të rënda, që nuk mund t’i fshijë dhe t’i zhduk ndonjë prej ibadeteve që janë si namazi, agjërimi, haxhi e tjera, përveçse mundimi dhe brenga që kaplon njeriun teksa ai është duke kërkuar ushqim për familjen e tij.”
Punëtori i cili mundohet që fitimin e tij ta ketë hallall, ai sipas Islamit konsiderohet “luftëtar në rrugën e Zotit.”
Në një rast tjetër, Muhammedi a.s., ka thënë: “Në xhennet ka një derexhe, të cilën mund ta arrijnë vetëm tre persona: udhëheqësi i drejtë, ai i cili në vazhdimësi i mbanë lidhjet farefisnore, dhe ai i cili është i durueshëm me familjen e tij, ashtu që nuk ankohet nga shpenzimet e tyre.”
Vetëm njeriu i cili punon dhe fiton, ka mundësi t’i plotësoj të gjitha shartet e Islamit. I varfëri nuk mund të jep zeqatë, nuk mund të therë kurban, e as Haxhin nuk mund ta kryej, kurse krejt kjo që përmendem bënë pjesë te adhurimet të cilat përbëjnë esencën e Islamit.
Xhemat i nderuar, puna nuk duhet të shihet vetëm si mjet dhe qëllim kryesor në jetë. Ka shumë të tillë që, për shkak të punës, ka lënë pasdore familjen, shoqërinë, namazin, xhaminë, vatanin, etj. Muslimani i vërtetë punën e sheh si një mjet, për të arritur shumë qëllime të tjera më fisnike. Nëse një njeri shkon në punë, dhe më parë ka falë namazin dhe ka pastruar nijetin për punë, që atë ta bëjë vetëm për hir të Allahut, njëjtë është sikur të ketë shkuar në xhami. Dhe gjersa të kthehet nga puna, koha e tij i llogaritet sikur ta ketë kaluar dhe adhuruar Allahun në ruku’ dhe sexhde.
Për fund, dëshiroj që këtë hytbe ta përmbyll me dy porosi të Pejgamberit a.s. E para thotë: “Me të vërtetë, Allahu e do shumë robin e devotshëm dhe të pasur.” Dhe e dyta: “Dora që jep, është shumë më e mirë, se ajo dorë që vetëm merr.”
Duhet të dimë se një dorë që jep, pa dyshim se është një dorë që punon, fiton, pasurohet dhe përkrah të tjerët. Allahu na bëftë prej atyre që punojnë dhe kontribuojnë për familjet e tyre dhe për mbarë shoqërinë.
(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur më 01.05.2015, në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, nga imami Hfz. Mehas Alija)