Në raste të caktuara të dhënat mund të jenë manipulative dhe me qëllime të caktuara, dhe atë kryesisht në sensibilizimin e masës, ngritjen e tensioneve, parapërgatitjen e terenit për ndërrime strategjike apo edhe për matje pulsive dhe reagime të shpejta.
Mediat shpesh janë instrumente të pushtetit ku, “Mafia” mbrohet në kurriz të fjalës së lirë. Në raste të tilla korrupsioni zbutet, edhe kur hajnia mbërrin në piramidat e saj. Pra, shkelet rregullativa nga vetë ata që e miratuan atë. E drejta e fjalës së lirë dhe keqpërdorimi i saj, në vend të përdorimit të instrumenteve mediatike për mbrojtjen e vlerave morale të një religjioni, të një kulture apo edhe të historisë së një populli. Rasti “karikaturat” është shembulli më eklatant në këtë drejtim. Fjala e lirë nuk mbrohet duke ofenduar, shpifur dhe duke e shkelur etikën mediale.
Pushteti mund të ndikojë në mediat përmes dy formave. Është forma represive dhe metoda e blerjes së tyre. Metoda e parë e ushtrimit të represionit ndaj mediave bëhet përmes hapjes së proceseve gjyqësore ndaj gazetarëve. Metoda e dytë është dëshira e mediave dhe e gazetarëve për t`u shitur te pushteti dhe pushtetari. Në ato raste emërtimi në poste të caktuara dhe punësimi i tyre bëhet nën mbikëqyrjen e qeverisë, e cila e posedon të drejtën e emërtimit dhe shkarkimit të tyre. Kjo është evidente tani gati në tërë botën, ku mediat i takojnë një spektri të caktuar, të majtë apo të djathtë. Ka mbetur në harresë koha kur dijetarët dhe analistët merreshin me zeje për ta siguruar ekzistencën personale dhe të familjes së tyre, dhe tërë atë në shërbim të fjalës së lirë, mendimit konstruktiv dhe studimeve të drejta.
Një sundimtar është pyetur për sekretin e fuqisë dhe dinjitetit të imam Hasan El-Basriut, ai është përgjigjur pa ngurrim: “Ne ishim të nevojshëm për fenë e tij, ndërkaq ai nuk kishte nevojë për pasurinë dhe pushtetin tonë”!(Dr. J.Kardavi,”Ku qëndron problemi” fq. 23)
Është realitet se, dijetarët nuk janë të vetmit (faktorë) të pranishëm në skenë, siç ishin në shekujt e parë. Sot, ata të cilët e posedojnë fjalën e shkruar, radion dhe televizionin, kanë ndikim më të madh në masë, se sa ata që janë në minber (imamët), edhe pse fjala e fesë është më e fuqishme se të gjitha të tjerat. (Dr. J.Kardavi,”Ku qëndron problemi” fq. 22)
Pra, pavarësia ekonomike dhe politike e publicistit, dijetarit apo edhe e analistit ndikon në informim të drejtë, korrekt dhe pa prapavijë ideologjiko-politike, por edhe varësia e tij nga të gjitha këto që i cekëm më lartë ndikon në krijimin e një imazhi të gabuar.
Sikurse pushtetarët, ashtu edhe përfaqësuesit e mediave vijnë nga populli të cilit edhe i takojnë. Herë pas here ata me paraqitjet e tyre, qoftë në televizione apo përmes shtypit ndikojnë në krijimine e një imazhi të kundërt me realitetin tek teleshikuesi pasiv apo lexuesi i zakonshëm. Prandaj, nuk mund të themi se gjithmonë kemi media dhe gazetarë të mirë.
Jo rallë, mediat dhe përfaqësuesit e tyre mendojnë ndryshe nga populli prej nga edhe vijnë. Kosova me 90 % muslimanë, kur shikohet televizioni të krijohet përshtypja se jeton diku larg në Perëndim. Programet fetare, në raste festash, prezentohen në proporcion të njëjtë me fetë tjera, edhe pse kërkesat dhe nevojat e popullatës shumicë janë shumë më të mëdha. Si zëvendësim na servohen seriale latino-amerikane, muzikë të çfarëdollojshme në emër të modernizimit, duke harruar se me moderne është menduar ndërrimi i të vjetrës me të renë, joshkencorja me shkencoren, apo të kesh vlera dominante të kohës që jo gjithmonë janë të kënaqshme.
Dallimet ndërmjet bindjeve religjoze të qytetarëve dhe përfaqësuesve të mediave janë mjaft të theksuara edhe në SHBA ku 90 % e amerikanëve tradhëtinë në martesë e konsiderojnë negative, kurse vetëm 50 % e përfaqësuesve të mediave e ndajnë këtë mendim. Derisa 50 % e amerikanëve shkojnë në kishë, vetëm 9% e gazetarëve e bëjnë këtë. Kur është në pyetje aborti, 72 % e amerikanëve e konsiderojnë të dëmshëm, vetëm 3 % e gazetarëve e ndajnë këtë mendim. (Murad W. Hofman, “Islami në mileniumin e tretë” fq. 66). Kur diskutohet po për të e njëjtat probleme, por në raport me islamin, ndërrohet fotografia dhe qështjeve u jepet karakter nënçmues dhe prapambetës.
Sot njerëzit po ndërrojnë religjionin. Disa thonë se janë budist apo ateist. Nuk ka reagime. Kur kemi të bëjmë me islamin, ndërron motivi dhe bie toleranca. Te shumica e artistëve dhe revolucionarëve të tipit si Marksi, Che Gevara mjekra konsiderohet si progresive kurse te muslimanët negative. Në filmat perëndimorë me përmbajtje religjioze shamia lidh emocione pozitive kurse kur shihet ajo në kokat e grave muslimane emocionet janë negative dhe të politizuara. Metoda e therjes së kafshëve te muslimanët konsiderohet brutale, kurse te religjionet tjera që e përdorin po të njëjtën metodë nuk diskutohet fare. Nga kjo mund të konkludojmë se mediat ndikojnë në krijimin e imazhit, në raste të caktuara të kundërt me realitetin.
Pra, mediat janë ato që sot e krijojnë imazhin e botës moderne, dhe mbajnë përgjegjësi të madhe që islamin po mundohen ta bëjnë religjionin më të pa kuptuar në botë.
Autori David Pfeifer në librin e tij “Mediat moderne, si na ndihmojnë” thotë: T`i përdorim mediat në mënyrë efektive dhe në afvorin tonë. Le të shërbejë televizioni dhe të tjerat si kjo në fushën e arsimimit të mëtutjeshëm. Ndërsa, Wolfgang Funk në librin “Teoria e kulturës” thotë: TV nuk të çmendë, por u shërben të çmendurve, publiku kërkon, ne luajmë.
Pra, politikanët në rend të parë dhe mediat janë ato që e përbëjnë fotografinë e botës qoftë në perëndim apo në lindje. Kurse neve na mbetet që realitetin ta pranojmë me kujdes të shtuar.