Racionalizmi dhe spiritualiteti, domosdoshmëri parësore

Kur flasim për spiritualizëm kemi për qëllim ‘fetarinë racionale’, pra fetarinë e racionalizuar apo thënë ndryshe, perceptimin racional të fesë. Jam i mendimit se ky perceptim racional i fesë është edhe i ‘vërtetë’ por edhe në ‘interesin’ tonë. E para, është ‘i vërtetë’ sepse është perceptimi dhe interpretimi nëpërmjet të cilit feja mund të mbrohet më së miri. Gjithashtu është në ‘interesin’ (për të mirën) tonë për arsye se njeriu i sotëm modern nuk është i gatshëm të pranojë interpretimet tjera të fesë, siç janë interpretimi fundamentalist, tradicionalist, ideologjik, etj.. Të qenit i ‘vërtetë’ ka dhe kuptimin që argumenti ka fuqinë e tij perceptues, e që do të thotë se ky perceptim i fesë është perceptim i logjikshëm. Një pikë tjetër që duhet të përkujtoj është se diskutimi im për fenë nuk reduktohet vetëm në fenë islame, pra të njëjtat fjalë do t’i thoja për secilën fe që do të kisha diskutuar. Ky është një diskurs jashtë fesë e jo brenda saj, për atë dhe me referencat e mia në ajete dhe hadithe synoj të sjellë dëshmi por jo dhe argumente. Për një ‘fe racionale’ (e bazuar në mendje) apo ‘të menduari fetar’ mund të veçohen dymbdhjetë karakteristika. Këto karakteristika janë shumë të përgjithshme dhe si të tilla, në secilën prej tyre, pak a shumë, mund të vendosen edhe nën – karakteristika tjera. 

1. Karakteristika e parë që posedon një fe racionale është që pjesëtari i saj, i cili është dhe racional, nga feja të kërkojë një ‘filozofi jete’ univerzale dhe gjithëpërshirëse, e cila në vete do të ngërthente çdo aspeket dhe dimension të jetës. Pra një individ fetar nuk dëshiron që jeta e tij të ishte e njëjtë me jetën e jo fetarëve dhe të dallonte vetëm një celulë nga celulat e jetës së tij. Fetë jo racionale janë fe në të cilat besimtari vetëm në nje dimension dallon nga jo besimtari dhe dimensionet tjera në jetë i kanë të njëjta. Feja është një filozofi e përsosur për jetën dhe sikur të mos ishte e tillë, nuk do të posedonte racionalizëm.
2. Karaktersitika e dytë e fesë racionale është që pjesëtarët e saj, fenë e tyre nuk e konsiderojnë si ‘zotëruese të së vërtetës absolute’ por si ‘kërkuese të së vërtetës absolute’. Thënë ndryshe, atë e shohin si një fillim të kërkimit (hulumtimit) dhe fillim të udhëtimit për të gjetur ‘të vërtetën’. ‘E vërteta’ nuk përfitohet vetëm me thënien e një fjalie apo kryerjes së një veprimi të caktuar. Pagëzimi i një të krishteri apo thënia e Shehadetit nga një musliman është fillim i kërkimit të ‘së vërtetës’ për te dhe dëshmon se individi ka hedhur hapin e parë, e jo në kuptimin se ia ka arritur qëllimit.

Në ralitet, në kohën kur pranojmë fenë atëherë dhe fillojmë të kërkojmë ‘të vertetën’. Ajo që është thënë në Librat e Shenjtë të religjioneve dhe sekteve të ndryshme është vetëm një pasuri ose kapital që iu është dhuruar kërkuesit të ‘së vërtetës’, me të cilën do të fillonte lëvizjen e tij dhe të hedhë hapa drejt zbërthimit, zbulimit dhe zhytjes në kuptimet e thella të tyre. Ndërsa ne mendojmë se Librat e Shenjtë na kanë dhuruar dhe na kanë thënë se derisa i keni këto libra, edhe pse nuk i studioni dhe nuk i zbërtheni kuptimet e tyre, do jeni të ruajtur nga mëkatet dhe gabimet apo jeni të shpëtuar dhe mëshiruar.

Ky perceptim s’është perceptim racional, sepse, së pari nga aspekti teologjik është në kundërshtim me drejtësinë hyjnore. Si është e mundur që një gjë e tillë (e vërteta) dikujt t’i jepet e dikujt tjetër jo. E dyta, të gjithë personat që kanë njohuri mbi filozofinë e fesë, mbrojnë qëndrimin se përsosja e njeriut varet vetëm nga veprimet e tij, të cilat burimin e kanë në vullnet dhe zgjedhjen e tij, ndërsa veprimet që nuk bazohen në vullnet dhe zgjedhje, nuk ndikojnë aspak në përsosjen e njeriut. Duke patur parasysh këtë çështje s’mund të themi absolutisht që feja ime është më e mirë se e tjetrit apo feja ime është më gjithëpërfshirëse se e tjerëve, etj., por duhet të themi se fetaria ime e jo ‘feja’ ime është më e mirë apo më e keqe se e të tjerëve. Fetaria përfshin punët dhe veprat që unë i bëj. Ka mundësi që fetaria ime të jetë më e përsosur apo më me shumë të meta se sa fetaria juaj. Edhe mund të gjykohet rreth fetarisë, por jo dhe rreth fesë. Sepse ti je ai që me anë të mënyrës së notimit tënd do t’ia arrish qëllimit ose jo.

3. Në qoftë se feja është kërkim i ‘së vërtetës’, atëherë fetaria koinçidon plotësisht me kritikën dhe kuptimin e thellë që buron nga kritika. Pra fetaria nuk nënkupton dorëzimin e verbëruar dhe të pa argumentuar. Gjithashtu s’është në kuptimin e dorëzimit irracional dhe të paarsyetuar përballë një sërë besimesh, adhurimesh, parimesh, ritualesh dhe predikimesh morale. Në fetari duhet të ruhet fryma kritike, këtu me kritikë nuk synojmë kundërshtimin apo gjetjen e aspekteve të dëmshme apo dobishme të një fenomeni, por nëpërmjet saj (kritikës) të vështrojmë fenë dhe sektin që e kemi pranuar. Nëse hasim në ndonjë konflikt apo antagonizëm, të thellohemi edhe më tej dhe të shohim se mos gjoja konfliktet në thellësi janë të deshifruar dhe kështu eliminojmë dyshimet tona. Vajtja nga forma drejt shtresimeve më të thella bëhet me qëllim që feja të racionalizohet dhe ky racionalizim mund të realizohet nëpërmjet tri kritereve: E para, nuk duhet të ekzistojnë konfliktet e jashtme. E dyta, midis prurjeve të Librave Hyjnor dhe zbulimeve njerëzore nuk duhet të ekzistojë ndonjë kontraditë ose divergjencë, pra nuk mund të arrijmë në teorinë e Ibni Ruzhdit ‘E vërteta e dyfishuar’. E treta, njëri të jetë i koordinuar me tjetrin, që do të thotë se derisa tekstet hyjnore pretendojnë ekzistencën e tyre duhet të arrijnë të koordinohen dhe harmonizohen me të gjitha arritjet epistomologjike dhe shkencore që ndodhin në kohë të ndryshme. Këtu dua të them se tekstet hyjnore duhet të jenë të harmonizuara me shkencën dhe dijen e njeriut dhe bashkë me to të udhëtojnë nëpër kohë historike. Për t’ia arritur këtij qëllimi duhet të lëshohemi në thellësinë e teksteve hyjnore. Forma e jashtme (ekzoterikja) e teksteve hyjnore nuk i plotëson këto tri kritere. Ndërsa për tu thelluar në tekstet fetare s’kemi rrugë tjetër pos përvetësimit të një mendimi kritik. 
4. Karakteristika e katër është që fetari racional domosdo botën duhet ta konsiderojë poseduese të një sistemi moral – etik. Pra ai të kuptojë se bota është krijuar në atë mënyrë që ne veprojmë mirë apo keq, kemi një vlerë ose anti-vlerë. Kështu dhe reagon në koordinim me këtë lloj perceptimi. Sistemi moral i botës, pra duke patur parasyh se bota kupton të mirën dhe të keqen, dhe ajo reagon sipas të mirës dhe së keqes morale, ashtu siç thotë dhe Kur’ani Famëlartë: “E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca atë do ta gjejë, dhe kush punoi ndonjë të keqe që peshon sa grimca, atë do ta gjejë”. (Ez-Zelzele, 7-8). Individi i cili në mendjen e tij posedon një perceptim të tillë rreth botës, do të jetojë në ‘siguri të plotë’ në këtë botë. Prandaj dhe aq sa më shumë të jemi fetar racional, aq më shumë do të ndjejmë siguri.

Katër karakteristika që i numëruam deri më tani të gjitha kanë të bëjnë me ‘vështrimin fetar’, pra sa njohuri ka njeriu fetar në lidhje me botën. Kështu që, fetari racional duhet të posedojë këto katër karaktersitika e lartëpërmendura. Kurse katër karaktersitikat tjera në vijim të fetarisë racionale kanë të bëjnë me ‘përpjekjen fetare’.

5. Karakterstika e pestë e fetarisë racionale është që besimtari racional të besojë plotësisht në ‘disiplinimin e epshit’ apo ‘disiplinimin e vetes’. Me disiplinimin e epshit synoj mosdorëzimin përballë dëshirave dhe lakmive të përkohshme. Edhe disiplinimi i vetes s’është tjetër pos një llogaridhënie racionale rreth veprimeve individuale dhe duhet patur parasysh se ‘janë të shumta lakmitë e përkohshme dhe kalimtare që pasohen nga dhimbje e pakënaqësi afatgjata, sikur që janë të shumta dhimbjet afatgjata që pasohen nga kënaqësi të qëndrueshme e afatgjata’. Në qoftë se njeriu i mençur mendon vetëm në këto dy premisa të lartëpërmendura, atëherë do të thotë: “Pasi që kjo lami apo kënaqësi është e përkohshme atëherë s’duhet ta ndjekë atë apo duhet zgjedhur dhe duruar dhimbje apo mundim që pastaj sjellë kënaqësi dhe të mira të përhershme”. Ky disiplinimin i epshit në jetën e besimtarit krijon ‘devotshmërinë’ dhe ‘vullnetin disiplonor’. Personi që synon të disiplinojë vetveten, në fillim mendon për devotshmërinë dhe sinqeritetin. Sinqeritet dhe devotshmëri do të thotë largimi nga rruga i çdo sendi që pengon zhvillimin shpirtëror të njeriut. Ndërsa disiplinë do të thotë të pranosh se gjërat e ndershme dhe të përhershme përfitohen me vështirësi, të pranosh se në këtë botë asnjë gjë e ndershme nuk përfitohet pa ‘sakrifikim’ të diçkaje dhe jetën duhet parë jo si ‘stoli zbukurimi e rehatie’ por si një ‘domosdoshmëri’. Nga çdo sakrificë e imja duhet të përfitoj diçka që është e domosdoshme për botën time shpirtërore. Prandaj dhe displinë e epshit (vetdisiplinimi) ka kuptimin e pranimit të faktit se gjërat e ndershme dhe vyrtytet siç janë ‘e vërteta’, ‘e mira’ dhe ‘e bukura’ mund të përfitohen vetëm me anë të përpjekjeve të hidhura. Përpos këtyre dy gjendjeve që përfiton besimtari racional me anë të disiplinimit të epshit, ai gjithashtu mund të krijojë edhe tri favore tjera në jetën e tij. E para nga këto tri favore është ‘rreptësia në sinqeritet’ gjatë jetës. Këta individë kanë një qëndrueshmëri të rreptë në jetë dhe nuk lëkunden aspak përballë vështirësive dhe tragjedive që mund t’i ndodhin gjatë jetës. Favori i dytë është që individët që disiplinojnë epshin e tyre përfitojnë një lloj ‘individualiteti’, pra dallojnë nga njerëzit tjerë dhe ‘medikoriteti’ më nuk zë vend në jetën e tyre. Me mediokritet dua të them se ne çdo njëri japim ‘aromën’ e njëri tjetrit dhe asnjëri nuk kemi ‘aromën tonë origjinale’. Ndërsa favori i tretë është që disiplinimi i epshit i dhuron njeriut spiritual apo besimtarit racional një ‘thellësi’ të cilën nuk e kanë njerëzit e zakonshëm. Disiplinimi i epshit njeriun e bën më të thelluar në mendime. Çdo njëri që vuan në jetë, ai në krahasim me të tjerët është më i thellë dhe kupton më shumë. 
6. Karaktersitika në vijim e fetarisë racionale është që fetari racional dalëngadalë të arrijë në shkallën e ‘autonomisë’ (veturdhërimit) dhe jo të zbatimit të urdhërave apo direktivave të të tjerëve. Në shkallën e parë, individi që fillon të besojë zbaton urdhërat e Zotit, zbaton urdhëresat apo ndalesat e dikujt që është ‘Ligjvënës’. Por po ky person me kalimin e kohës duhet të thellohet aq shumë në fe dhe kuptimin e saj, sa që dalëngadalë të arrijë në rezultatin që ‘kjo është e drejtë dhe e vërtetë edhe sikur të mos e kishte thënë Zoti’. Influenca e impaktit ‘nënshtrimi ndaj tjetrit’ për të cilin kanë folur Marksi dhe Hegeli, krijon një ‘tëhuajësim nga vetja’ që s’ka pajtueshmëri me vetveten, ngaqë veten e konsideron si pjesë e tjetrit i cili e drejton në të gjitha sferat jetësore. Por personi që arrin në shkallën e autonomisë apo të veturdhërimit, ai dalëngadal fillon të thotë se edhe sikur të mos kishte thënë apo urdhëruar Zoti për këtë gjë, ajo është e drejtë dhe e vërtetë. 
7. Karaktersitika tjetër e fetarisë racionale është ajo që fetari racional të jetojë në ‘bindje jo të plotë’ për besimin e tij. Kjo do të thotë se nuk ekziston qëndrim i mbështetur në argumente racionale që për çdo pretendim fetar dhe sektar të sillen dëshmi dhe argumente, qoftë ai në ineteres të një pale të caktuar.

Pretendimet fetare nuk janë në ‘armiqësi me racionalen’ por ‘iu ikin (largohen) racionales’. Kështu që, shprehja ‘racionalizim’ (pranimi i racionales) do të thotë që ‘mendja’ (arsyeja) në mënyrë të vetme ka mundësinë të argumentojë ‘vërtetësinë’ e fenomenit të caktuar. Ndërsa shprehja ‘iracionalizim’ (të qenit në armiqësi me racionalen) do të thotë që mendja të jetë e aftë të vërtetojë ‘jovërtetësinë’ e fenonmenit. Shprehja ‘ikja nga racionalja’ ka kuptimin e asaj që mendja nuk është e aftë të vërtetojë ‘vërtetësinë’ apo ‘jovërtetësinë’ e këtij fenomeni. Të gjitha shprehjet apo pretendimet fetare rradhiten në grupin e tretë të lartëpërmendur, pra nuk mund të sillen argumente racionale që dëshmojnë për vërtetësinë apo jovërtetësinë e tyre. Andaj dhe nëse diskursi ka të bëjë vetëm me argumentimin racional, atëherë për nga vështrimi epistomologjik, vet shprehjet apo diskurset fetare mund të përballen me kontradikta dhe antagonizma të llojllojshme. Atëherë nëse është kështu, fetari gjendet në një gjendje ‘të pasigurtë’ rreth vërtetësisë së besimit të tij. Fetari (besimtari) racional është ‘jo i sigurtë’ por është ‘i qetë’ dhe kërkues i së vërtetës.

Në Kur’anin Fisnik në lidhje me Pejgamberin është thënë: “Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të (me Kur'anin - namazin), është e sigurt se Zoti yt do të ngrejë ty në një vend të lavdishëm”. (Kur’ani, Isra, 79) Në këtë ajet, fjala عسی ka kuptimin ‘ndoshta’, pra nuk ka diçka të sigurtë. Kurse në Sahife Sexhadije thuhet: “O Zoti im, ne nuk kemi aspak siguri, pra unë gjendem në pasiguri, por e ruaj qetësinë time”. Kjo gjendje shpirtërore buron nga ajo që besimtari racional (e jo dhe besimtari tradiocional e as besimtari i cili ka trashëguar fenë e tij) e kupton se nuk mund të sjellë argument racional për asnjërën nga shprehjet dhe pretendimet e tij fetare dhe e pranon një gjë të tillë.

All-llahu në Kur’an thotë: “Të cilët supozojnë se do ta takojnë Zotin e vet dhe se ata do t'i kthehen Atij”. (Kur’ani, Bekare, 46) Zoti sa herë që flet në lidhje me gjërat që kanë të bëjnë me metafizikën, përdorë fjalët si ‘ظن’ – supozim, لعل – ndoshta dhe عسی – ndoshta.

8. Karakteristika tjetër e fetarisë racionale është që fetari racional t’i shërbejë tjetrit vetëm pse është i llojit të tij (pra njeri) e jo duke u bazuar në elemente tjera siç janë fisi, etnia, feja, sekti, etj.. Ashtu siç është thënë edhe në Hadithë: Njerëzit janë familje e Zotit. Më i dobishmi për ta, është më i dashuri për Mua”.

Kur’ani thotë se Profeti Muhammed s.a.v.s. është dërguar ‘mëshirë për njerëzimin’. Nuk ka thënë se ai është ‘mëshirë për muslimanët’ apo ‘mëshirë për besimtarët’. Kjo dashuri dhe ky respekt për tjetrin do të ngulitet në mendjen dhe qenien tuaj vetëm kur nga vetja t’i largoni këto tri vese: e para, kur të përballeni me një person tjetër duhet të harroni të kaluarën e tij. Ne jemi duke jetuar të prangosur dhe derisa jemi në këtë gjendje s’mund të krijojmë lidhje të shëndoshë me të tjerët. Për arsye se një individ në të kaluarën mund të ketë vepruar diçka që krijon shqetësime për ne dhe në këtë mënyrë s’mund ta duam dhe durojmë atë. E dyta, ne duhet të përpiqemi të heqim dorë nga pamjet (format) e jashtme. Mund të ndodhë që t’ju mos kem parë ndonjëherë, por në pamje të parë, duke u bazuar në pamje të jashtme, të më krijohen paragjykime dhe në këtë mënyrë nuk mund të krijoj miqësi me ju. E treta, ne duhet të përpiqemi që të lirohemi nga prangat e besimeve dhe bindjeve tona, sepse ato mund të jenë një barrierë që krijon pengesa serioze për t’i dashur dhe repsketuar të tjerët.

Fetari racional përveç që është i stolisur me karakteristika “vështrime/mendime fetare” dhe “përpjekje fetare” ai gjithashtu posedon edhe katër karakteristika që kanë të bëjnë me “orientime fetare”.

9. Karakterstika në vijim e fetarisë racionale është që fetari racional të ketë një vështrim (qëndrim) realist ndaj ‘vetvetes’. Kjo do të thotë që fetari racional mund të përballet me shpirtin e tij pa asnjë pengesë dhe kamuflim dhe në këtë mënyrë të arrijë t’i evidentojë aspektet (anët) e forta dhe të dobëta të personalitetit të tij. Në qoftë se njeriu arrin të shohë veten e tij ashtu siç i sheh të tjerët, madje edhe me kritere më të ashpra, atëherë ky vështrim cilësohet racional dhe një mënyrë e drejtë e perceptimit.

Besimtari (fetari) racional veten duhet ta vrojtojë ashtu siç gjendet në kohën e tanishme dhe ta pranojë ashtu siç është aktualisht. Gjithashtu ta pranojë se s’ka mundësi t’i ikë ndikimit nga e kaluara e tij dhe më në fund, mundësinë e tij ta llogarisë në bazë të kapacitetit të tij real, pra as më shumë e as më pak.

10. Karakterstika tjetër është që fetari racional duhet t’i pranojë pikat (anët) e dobëta të të gjithë njerëzve. Ne s’mund t’i durojmë dobësit e të tjerëve derisa ata i konsiderojmë si një ‘produkt’ e jo si një ‘proces’. Kështu që derisa ju çdo njeri, madje edhe veten, e vështroni si një ‘produkt’, më nuk mund t’i duani ata njerëz te të cilët vëreni aspekte të dobëta. Por nëse të gjithë njerëzit, duke përfshirë edhe veten, i shehë si një ‘proces’, pra njeriun e cilëson si një ‘lum’ (që rrjedhë vazhdimisht), atëherë mund ta duani atë. Të gjithë njerëzit duhet t’i shohim në kuadër të një ‘procesi’ të cilët akoma nuk kanë arritur në fund të rrugës së përsosmërisë së tyre. Vetëm kështu mund ta kuptojmë se mund ta duam dhe durojmë njëri tjetrin. Besimtari racional të gjithë njerëzit i vështron nga këndvështrimi i njëjtë dhe mund t’i respektojë dhe t’i dojë të gjithë.

Rezultati i një qëndrimi të tillë është që fetari racional njeriun mund durojë dhe dashurojë me gjithë mangësitë dhe dobësitë që mund t’i ketë. Do të ishte art i vërtetë që njerëzit t’i duam me mangësit që i kanë, e jo vetëm ata që janë të dëlirë dhe të përsosur në çdo anë. Kjo lloj dashurie te besimtari racional krijon tri veçori në brendësinë e tij: e para, besimtari racional fiton një tolerancë ndaj njerëzve tjerë. E dyta, është i mëshirshëm përballë të tjerëve, dhe e treta, personi që posedon një karaktersitikë të tillë dalëngadal fillon të depërtojë në brendësinë e tjerëve dhe përfiton një fuqi që t’i lexojë brendësitë e tyre.

11. Karakteristika tjetër në vazhdim është që fetari racional të ruajë besimin, parimet dhe bindjet e tij përballë kundërshtimeve në jetën shoqërore.

Besimtari racional asnjëherë nuk ulet të presë që të rregullojë jetën e tij derisa të rregullohet shoqëria, sepse kjo pritje mund të sjellë dy probleme të paevitueshme: i pari, duhet patur paraysh se shoqëria s’është tjetër pos një bashkësi individësh, kështu që nëse secili nga këta individë ulet dhe pret rregullimin e shoqërisë, atëherë ajo s’ka për tu rregulluar asnjëherë. E dyta, nuk duhet harruar se në rruzullin tokësor nuk do të vijë asnjë shoqëri ideale. Asnjë fe e sekt nuk kanë thënë se në këtë botë do të ketë shoqëri ideale. Është e vërtetë që feja thotë që rregullojeni shoqërinë dhe bëjeni më të mirë, por asnjëherë nuk ka thënë se do të krijohet një shoqëri ideale.

Kur në Kur’an është thënë “Zbrisni poshtë!” (ihbitu) dhe kur njeriut i është thënë (Largohu nga parasja!), kjo do të thotë që nuk do të ketë parajsë mbi tokë dhe ju jeni larguar nga parajsa, por mund të përpiqeni për të krijuar kushte më të mira për veten tuaj. Parajsa nuk mund të krijohet mbi tokë dhe të gjithë ata të cilët kërkojnë që të realizojnë parajsën mbi tokë e realizojnë vetëm ferrin dhe historia e ka dëshmuar këtë gjë.

12. Karaktersitika e dymdhjetë dhe e fundit e fetarisë racionale është që besimtari racional është besimtar që veten e ruan nga çdo lloj idhujtarie dhe botën nuk e vështron përmes një këndvështrimi idhujtar. Idhujtari do të thotë që njeriu diçka të konsiderojë ‘Zot’ e që në realitet ajo ‘diçka’ s’mund të jetë Zot. Apo me një shprehje filozofike: “T’i absolutizojë çështjet relative”. Fuqia, pasuria, popullariteti, sukseset shoqërore, dinjiteti shoqëror, personalitetet, bindjet madje vet feja janë idhuj të cilat ndonjëherë njeriu i adhuron në vend të All-llahut. Ne nuk duhet të adhurojmë edhe vet fenë. Atëherë nga ta dimë ne se në realitet çfarë jemi duke adhuruar? Psikologët e religjionit, sidomos Erich Fromm, kanë sjellë dy argumente në lidhje me këtë diskurs. I pari, idhulli juaj është ajo gjë për të cilën jeni të gatshëm të sakrifikoni çdo gjë që keni dhe nuk mund ta sakrifikoni për diçka tjetër. Argumenti i dytë, të thellohemi në vete dhe të shohim se cilës ndjenjë apo cilit fenomen iu kemi dorëzuar pa menduar, pa gjykuar dhe pa hulumtuar në lidhje me të. Sa herë që jeni dorëzuar vërbërisht përballë diçkaje, dijeni se ai është ‘idhulli’ juaj. 
Prandaj dhe secili nga ne përballë një dijetari të fesë apo kushdo qoftë ai, sillet ashtu siç sillet ndaj Zotit, e ka adhuruar atë dhe ai (dijetari i fesë apo kushdo tjetër) është ‘zoti’ apo ‘idhulli’ i tij. Besimtari racional dorëzohet vetëm përballë All-llahut xh.sh. ose ‘Krijuesit të Gjithësisë’ dhe askujt tjetër.

 

Përktheu: Abdullah Rexhepi

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme