Tevbeja – Kërkimi i faljes për mëkatet e bëra

 

 

Është obligimi i çdo besimtari që të bënë tevbe dhe të pendohet për gjynahet që i ka bërë, sepse është pjesë prej pjesëve të besimit (imanit). Gabimi është pjesë e pandarë e jetës njerëzore, kurse Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: “Të gjithë njerëzit janë gjynahqarë, e gjynahqarët më të mirë janë ata që pendohen (bëjnë tevbe).”[1]

Po ashtu, po qe se nuk kishim gabuar dhe mos të kishim bërë tevbe Allahut xh.sh., Ai i Lartësuari do të na kishte shkatërruar dhe zëvendësuar me ndonjë popull tjetër i cili do të gabonte dhe kërkonte falje të gabimeve nga Allahu xh.sh. Ebu Hurejre r.a., transmeton nga Pejgamberi s.a.v.s., të ketë thënë: “Sikur ju të mos kishit bërë gjynahe, Allahu do ju kishte shkatërruar dhe zëvendësuar me një popull tjetër i cili do bënte gjynahe dhe kërkonte falje nga Ai xh.sh., që të i falte, e Ai xh.sh., do t'i falte.”[2]

Duaja drejtuar Allahut xh.sh., e ka rëndësinë e posaçme në këtë muaj të Ramazanit, e posaçërisht tash kur gjendemi në pjesën e dytë të muajit të bekuar të Ramazanit, e që Pejgamberi s.a.v.s., thuhet të e ketë quajtur falje të gjynaheve, vije më shumë në konsideratë çështja e duasë dhe  tevbes – pendimit.

Sa i përket duasë, thuhet se dijetari i shquar i botës myslimane, e që emrin e tij duhet ditur nga gjithë ne, e i cili quhej Ahmed in Hanbeli, i cili ishte para së gjithash fakih (dijetar i së drejtës – jurisprudencës islame) e muhaddith (dijetar i hadithit të Pejgamberit s.a.v.s.) një natë vendosi që të qëndron në xhaminë e Pejgamberit s.a.v.s., gjatë gjithë natës dhe të bënë ibadet Allahut, xh.sh. Mirëpo, pas namazit të jacisë, pastruesit e xhamisë nuk ia lejuan një gjë të tillë duke thënë se është koha e pastrimit të xhamisë deri para namazit të sabahut, kështu që ai doli nga xhamia e Pejgamberit s.a.v.s., i pikëlluar. Aty pari kaloi një furrtar dhe e pyeti se çka dëshiroi, e Ahmed ibn Hanbeli i tha se shprehu dëshirë që të qëndron në xhaminë e Pejgamberit s.a.v.s., mirëpo një gjë të tillë nuk ia mundësuan pastruesit e xhamisë. Furrtari i tha që nëse dëshiron mundet me a kalu natën në furrën e tij e në dhomën e tij (është me rëndësi që ky furrtar nuk e njohu Ahmed ibn Hanbelin). Ahmedi r.h.m, pranoi dhe shkuan në furrën e tij. Duke e përgatitur bukën dhe futur në furrë furrxhiu thoshte bismillah, e kur e nxirrte thoshte elhamdulil-lah, dhe kjo jo një herë por çdo herë kur e fuste bukën në furrë dhe nxirrte atë nga furra. Ahmedi r.h.m, kur e vërejti këtë i tha: “A gjithmonë vepron kështu gjatë pjekjes së bukë?” Furrxhiu i tha që po, edhe pse jam pak i ditur nga çështjet fetare, mirëpo kësaj pune ia kam parë shumë hajr, sepse çdo dua që i bëjë Zotit ai nuk ma kthen duar bosh (më është përgjigjur) përveç njërës. Ahmedi r.h.m, me kureshtje e pyeti se cila është ajo dua në të cilën Zoti nuk të është përgjigjur? Furrxhiu i tha: “Kam dëgjuar për një dijetar shumë të madh e që nuk e njoh dhe nuk pata mundësi të takohem me të e që e luta Zotin të më takoj me të, emri i tij është Ahmed in Hanbeli.” Ahmedi r.h.m, iu drejtua me fjalët: “Unë jam personi që kërkuar nga Zoti të të takoj me të, unë jam Ahmed ibn Hanbeli.”

Pra, të dashur besimtar dhe besimtare, bëni dua dhe kërkoni nga Allahu xh.sh., sepse ai është i Gjithëmëshirshmi dhe Falës i madh. Bëni dua, posaçërisht gjatë kohës së iftarit, sepse Pejgamberi s.a.v.s., me një hadith të tij të shënuar nga Tirmidhiu, thotë se Zoti nuk i kthen mbrapa duatë e bëra në atë kohë. 

Pa marr parasysh se njeriu në cilat gjynahe ka rra, nuk duhet të humb shpresën në mëshirën dhe faljen e Allahut xh.sh., sepse duhet të keni ndër mend ajetin e Kuranit të sures Zumer, në të cilin Zoti xh. Sh., thotë: “Thuaj: "O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!" [3]

Transmetohet se një ditë shkoi te Ibn Abbasi (dijetar i njohur islam dhe djali i axhës së Pejgamberit s.a.v.s., Abbasit) një njeri dhe i tha: „ O djali i axhës së Pejgamberit, a ka falje për mua? Ibn Abbasi iu drejtua me fjalë të buta e me respekt, ashtu siç i kishte mësuar Pejgamberi s.a.v.s., e i tha: “O rob i Allahut, çfarë ke bërë?” Ai iu përgjigj: “ Jam dashuruar me një vajzë dhe pas një kohe shkova t'ia kërkoj dorën (kërkova martesë nga ajo), ajo më refuzoi. Kurse, pas një kohe ia kërkoi dorë një djalë tjetër dhe ajo pranoi. Në brendësinë time u ngjallë inati dhe xhelozia dhe shkova në shtëpinë e saj dhe e vrava?” Ibn Abbasi r.a., iu drejtua me fjalët: “ A e ke nënën gjallë?” Ai iu përgjigj që jo. “Atëherë, shko puno sa më shumë vepra të mira dhe kurrsesi mos iu kthe gjynaheve.”

Nga kjo ndodhi kuptojmë se dyert e tevbes – pendimi dhe mëshirës së të Madhit Zot janë të hapura për çdo njërin i cili dëshiron të pendohet dhe t'i kthehet rrugës së Allahut, bërjes së veprave të mira. Po ashtu, nga këtu vërejmë edhe sa rrëndësi i ka dhënë Islami kujdesjes dhe respektimit të prindërve, posaçërisht nënës.

 Se sa i gëzohet Allahu xh.sh., tevbes sonë, na tregon ky hadith:

“Allahu xh.sh. më shumë gëzohet me tevben e robit Të Tij se njeriu i cili e humb devenë e tij në mes të shkretëtirës, e në të e ka ushqimin dhe pijen. Ai njeri pas kërkimit të gjatë në kërkim të devesë së tij, humbi shpresë se do ta gjejë dhe u shtri në tokë duke e pritur vdekjen e tij (pa ushqim e pije). Kështu që e zuri gjumi. Kur u zgjua nga gjumi, e pa devenë e tij si qëndron para syve të tij. Nga gëzimi i madh ai gaboi e tha: 'O, Allahu im, Ti je robi im, e unë jam Zoti Yt!' (Me këtë dëshiroi të thoshte: 'O, Allahu im, unë jam robi Yt, e Ti je Zoti im!'[4]  

Për fund, të përmendim edhe një rast tjetër. Buhariu dhe Muslimi shënojnë në Sahihet e tyre, se Pejgamberi s.a.v.s., kishte thënë: “Nga popuj që kanë jetuar para jush, ka qenë një njeri i cili i ka vrarë 99 veta. Personi në fjalë dëshiroi të pendohet për mëkatet që i ka bërë dhe u interesua që të gjejë ndonjë dijetar për këshillë. Kështu që dëgjoi për një dijetar dhe shkoi tek ai dhe e pyeti se a ka falje nga gjynahet për të nga Zoti sepse është katil i 99 shpirtrave. Dijetari iu përgjigj se nuk ka falje për të. Njeriu u pikëllua e u inatos dhe e vrau edhe këtë dijetar, kështu që u bë katil (vrasës) i 100 njerëzve. Njeriu në fjalë nuk e humbi shpresën dhe kërkoi për dijetar tjerë dhe dëgjoi për një dijetar tjetër e i tha të njëjtat fjalët që ia tha edhe dijetarit të parë. Dijetari ia kthe me fjalë: “Po të këshilloj që të pendohesh sinqertë, të fillosh me punë të mira dhe të e lëshosh atë vend në të cilën ke jetuar deri tani e të shkosh në ndonjë vend ku nuk të njohin e që të cilët janë të mirë dhe që e adhurojnë Allahun.” Njeriu u gëzua nga përgjigja e dijetarit dhe u nis për atë vend, mirëpo vdekja e gjeti në mes të rrugës. Rreth tij filluan të bëjnë fjalë melekët e mëshirës dhe melekët e ndëshkimit sepse secili e dëshiroi të e merr me vete. Kështu që Allahu xh.sh., dërgoi melekun në formë të njeriut që t'u gjykojë. Ai iu tha që të matin largësinë e trupit të tij dhe vendit nga ka ardhur dhe largësinë e vendit në të cilin u nis dhe trupit të tij, vendi të cilit i është më afër atij i takon. Kur melekët e matën largësinë e këtyre dy vendeve, e vërejtën se trupi i tij qëndron mu në mes të këtyre dy vendeve, mirëpo, gjatë rënies së tij trupi i tij anoi ka vendi në të cilin u nis, kështu që me vete e morën melekët e mëshirës.”[5] 

 



[1] Hadithi është sahih, e shënojnë Tirmidhiu, Ibni Maxhe dhe Hakimi.

[2] Hadithin e shënon Muslimi në Sahihun e tij.

[3] Ez-Zumer, 53.

[4] Hadithin e shënon Muslimi në Sahihun e tij.

[5] Muttefekun alejhi

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme