Mediat dhe qeverisja

Mbeta me përshtypjen se autori i këtij shkrimi, një vështrim të tillë, me siguri se do ta bënte në ndonjërin nga numrat e ardhshëm të kësaj gazete, mirëpo edhe kjo nuk ndodhi. Sesi funksionojnë mediat në sistemet totalitare, nuk kërkon shumë mund për ta kuptuar, por le t’i hedhim një vështrim funksionimit të tyre në sistemet liberalo-demokratike, pikërisht duke u mbështetur në ide dhe përfundime të teoriticientëve, që janë njerëz me kualitete intelektuale, të dalë nga shkollat dhe mendësitë e këtij sistemi. Rrjedhimisht, vijmë në konkluzion, se nuk ka ndonjë dallim të madh ndërmjet këtyre sistemeve politike në kontekstin medial. Edhe në sistemet demokratike hiq më pak sesa në ato autoritare, synim i politikës dhe i politikanëve është të kontrollojnë mediat dhe ato të jenë në shërbim të synimeve dhe interesave të tyre, një qëndrim apo botëkuptim i tillë buron dhe postulon nga teorocioentë mjaft eminent, ndër ta edhe të teoreticientes amerikane, Doris Graber e cila në lidhje me këtë problematikë thotë: “Një ndër problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohet njerëzimi në këtë kohë është, se mjetet e informimit pasojnë agjendën të cilën e vendosin politikanët e politikës së jashtme, ata janë të cilët përcaktojnë rëndësinë e ngjarjeve apo vendeve ne botë , sipas prioriteteve të politikës dhe elitës politike amerikane”. Dhe nëse ndalemi pak në ngjarjet e fundit në skenën botërore dhe i shikojmë nga këndi i një observatori të thjeshtë dhe pak më thellë e shikojmë gjendjen aktuale të lidhjeve ndërmjet politikës dhe mediave këtu e kam fjalën për top mediat botërore do të vërejmë se ato janë “marrëdhënie gati-gati incestuale”.
Ndërsa Walter Lippman i cili konsiderohet epror i gazetarisë amerikane dhe njëri ndër teoreticientët më të njohur të demokracisë liberale konstaton se: “revolucioni në artin e demokracisë” mund të shërbej për “fabrikimin e pëlqimit (manufacturing consent)” me fjalë të tjera, mund të shërbej për arritjen e pëlqimit nëpërmjet teknikave moderne të propagandës tek një pjesë e opinionit e cila nuk është pajtuar me ide te caktuara.Ndërsa Noam Chomsky vazhdimisht vë në dukje një ide të tijën shumë të thjeshtë kur thotë se “nuk ka nevojë për të ditur shumë që të analizosh devijimet e medias në vendet perëndimore. Një numër mjaft i vogël njerëzish dhe korporatash që sot kanë në pronësi pjesën dërmuese të mediave, arritën deri te ato duke mbështetur hapur elitat politike në vendet ku veprojnë mediat e tyre”. Disa vite më parë, kur Chomsky u pyet se si i kontrollonin elitat e korporatave, mediat, ai u përgjigj: “Kjo është njësoj si të pyesësh se si elitat e korporatave kontrollojnë General Motors. Ata nuk kanë nevojë ta kontrollojnë atë. Ajo është pronë e tyre”. Dhe në asnjë moment politikanët nuk hezitojnë që në mënyrat më perverse të keqpërdorin median, por në anën tjetër do të ishte e pamundur të rrish në pushtet. Një analizë tejet interesante për rolin dhe funksionet e mediave në demokracinë liberale, e japin dy mendimtarët ndër më të njohurit në mesin e elitës intelektuale dhe akademike në SHBA, njëri ndër ta është, Naom Chomsky dhe kolegu i tij Edward Herman, të cilët në studimin e tyre për “Modelin e Propagandës” potencojnë se: mediat amerikane janë shndërruar në mjete të propagandës së elitës politike. Analiza e tyre më lartë, mohon thënien tashmë të njohur se, propaganda nuk ka vend në demokracitë liberale. Modeli i tyre bazohet në faktin se procesi i kontrollit të lajmeve, mendimeve, ideve dhe informatave është shndërruar në një proces ku nëpërmjet tij bëhet klasifikimi i lajmeve nga pesë filtra, para arritjes së tyre tek audienca (lexuesi), këta filtra siç i quajnë ata, sigurojnë kalimin vetëm të atyre informatave të cilat pasqyrojnë pikëpamjet dhe interesat e elitës politike. Sipas Chomskyt dhe Hermanit këta pesë filtra janë:

1. Monopoli i mediave nga ata të cilët posedojnë pasurinë dhe pushtetin; ky pohim i tyre bëhet edhe më i fuqishëm kur marrim parasysh faktin se dominimi i korporatave trans-nacionale mbi mediat ka çuar deri te një afrim ideologjik ndërmjet mediave dhe gazetarëve në njërën anë, dhe anën tjetër korporatave kapitaliste dhe qeverive perëndimore. Si rezultat i këtij afrimi ideologjik është krijuar një përmbajtje në media e cila po i shërben interesave të kapitalizmit botëror, ku mjetet e informimit çdo herë e më tepër janë duke pasuar politikat e jashtme të vendeve të tyre, të cilat janë në shërbim të interesave të korporatave trans-nacionale të cilat kontrollojnë mediat. Si rezultat i kësaj në treg kanë mbetur vetëm mediat të cilat mbështeten nga këto biznese.
2. Reklama; përbën një element mjaft të rëndësishëm në modelin e tyre të propagandës dhe konsiderohet si burim kryesor i mediave, ndërsa Chomsky dhe Herman konstatojnë se kjo ka shkaktuar një kontroll apo lidhje të tepruar me korporatat kapitaliste.Është e vërtetë se reklamat luajnë një rol tejet të madh në formimin e përmbajtjes së prezantuar nga mjetet e informimit, korporatat shpesh dinë të bojkotojnë media të caktuara nëse ato tentojnë për ndonjë ndryshim te gjendjes aktuale, në anën tjetër ndihmojnë media të cilat sillen në orbitën e konformizmit mediatik. Mediat të cilat nuk arrijnë të sigurojnë sponsor ato do të zhduken nga tregu mediatik. Mediat nganjëherë quhen edhe si “miqtë e korporatave” në situate kur bashkëpunojnë me to duke mbrojtur interesat e tyre në mënyrë transparente apo më pak transparente. 3. Vartësia e mediave nga informatat të cilat vijnë nga qeveritë, korporatat dhe ekspertët, apo siç quhen burime të “fuqishme të informatave”, vërejmë se gjithnjë e më tepër sa vjen e shtohet mbështetja e mediave në burime qeveritare, gjë që ka rezultuar me një kontroll të qeverisë mbi informatat .Kjo mbështetje e mediave në burime qeveritare dukshëm ka ndikuar në mungesën e pluralizmit dhe mozaikut ideor për shumë çështje të rëndësisë publike, duke i pamundësuar publikut të marrin informata më shumë, se nga informatat që transmetohen nga resorët e administratës qeveritare. Andaj mund të themi se mediat janë duke u shndërruar në një hapësirë sociale, në të cilën mundësi manovrimi informativ kanë vetëm përfaqësuesit e zgjedhur, të atyre që kanë fuqinë, si dhe të atyre të cilëve nga po këta të fuqishmit, ju lejohet qasja.4. Mbrojtja e interesave nacionale ose disiplinimi i mediave; shumë studiues tjerë e përkrahin ketë pohim dhe vërtetojnë se mediat mbrojnë qeverinë dhe interesat nacionale dhe e shohin se një ndër funksionet kryesore që janë duke kryer mediat është pajtimi dhe uniteti kombëtar, kjo nuk do të ishte ndonjë problem por ata këtë e bëjnë nëpërmjet falsifikimit dhe shtrembërimit të informatave me qëllim të arsyetimit të politikës zyrtare. Format e presionit që ju bëhen mediave janë shumë të njohura edhe tek ne, thirrjet telefonike të drejtpërdrejta, denoncimet, peticionet, protestat, telegramet dhe të tjera forma, presionet nga funksionarë të ndryshëm e kështu me radhë.
5. Armiqësia ndaj komunizmit (pas rënies së komunizmit ai zëvendësohet me islamin dhe myslimanët) si fe kombëtare dhe mekanizëm dominimi; mediat lejojnë qarkullimin e informatave të cilat shtrembërojnë imazhin e armikut. Si rezultat kryesor i kësaj politike mediatike është bërë ndarja e botes në ”miq” dhe “armiq”, që edhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik mediat vazhdojnë ta praktikojnë të njëjtën politikë, me shtete dhe personalitete tjera që nuk pajtohen me politikat e jashtme të vendeve perëndimore.Modeli propagandistik i këtyre dy studiuesve amerikan është bërë duke u bazuar në analizën e tregut te lirë. Megjithatë, për të gjitha përfundimet e tyre në lidhje me këtë problematikë është debatuar mjaft në SHBA por edhe më gjerë, por ka hapësirë edhe më shumë të diskutohet. Në shikim të parë modeli i tyre do të dukej si një qasje mjaft deterministe por ata vetëm e analizojnë dhe e përshkruajnë logjikën e funksionimit të mediave në shoqëritë e tregut të lirë. Por sido që të jetë unë një gjë mundë të konstatojë nga kjo që thashë më lartë, se mediat në esencë funksion kryesor të tyre e kanë rolin e mediatorit ndërmjet politikës dhe publikut, e assesi rolin e pushtetit të katërt siç kanë qejf ta quajnë disa. Rrjedhimisht, mediat moderne, si organizma kolektiv të njohura në opinion si bashkësi konceptimesh dhe idesh, për të ndjekur lajmin e vërtetë dhe njëkohësisht për kumtuar atë përmes mekanizmave të shkruar dhe elektronik, shikuar anën tjetër të medaljes, ato janë thjeshtë instrumentalizime të koniukturave politike, qofshin të improvizuara madje, duke na dhënë një tablo irrituese dhe të margjinalizaur nga mediokriteti, për pashmangshmërinë e evitimit të profanizimit, diletantizmit dhe unilateralizmave të politikomanive globale apo lokale.
Mehmet Kalisi (autori është në përfundim të studimeve pasuniversitare në universitetin e Shkupit, Dega e Komunikimit)

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme